Ada Halilaj nuk mendon se poezia ka me e shpëtu botën, por ka shpëtu shumë njerëz nga bota

Ndoshta asht nga t’paktat intervista, t’cillat më kanë mbush me njaq kreni e adhurim, sa ç’mundet me dasht ëndje jeme me ken i mëkum me besim, me besim se Shkodra po përtrihet, po m’kamet, tue dasht me xan vendin e vet në panteonin e vlerave. Kjo penë, kjo vullnesë, kjo qytetari, kjo vetvete rrapëllitëse e nji force qi ngrihet mbi rutinoren, dhe sfidon gjeneratën, por ma s’shumti i ofrohet brezit si një frymëmarrje e lirë dhe nji fluturim qi s’ka t’ngopun me qiell.

Faleminers Ada Halilaj

Bisedë e Arlinda Guma me poeten Ada Halilaj mbi poezinë, feminizmin, kafshën politike dhe atë poetike. Ajo thotë se nuk mendon se poezia ka me e shpëtu botën, por ka shpëtu shumë njerëz nga bota. Kafshët janë i vetmi kult para të cilit ajo gjunjëzohet, ndërsa “Animalesque” është titulli i librit të saj me poezi. Jeton ne Itali prej shtatë vitesh.

A.G. – Ju keni botuar dy vjet më parë vëllimin me poezi me titull “Animalesque”, por unë jam njohur nëpërmjet internetit me poezinë tuaj. Mund të them se më ka tronditur! Ajo është e fuqishme, e ndier, e thellë. (Jam pylli që pret të lindë kafsha e parë e dimrit… Jam dielli i prishun në pjatë…) Dhe ashtu siç ndodh gjithmonë me letërsinë e mirë dhe autorët e pakompromentuar, botimi i këtij libri m’u duk sikur kaloi fare pa zhurmë në media. Në këtë cikël bisedash, dua t’jua kompensoj këtë… hëm… le ta quajmë padrejtësi. Dua t‘ju sjell në vëmendje të lexuesit, të sjell një Shqipëri tjetër letrare, atë të panjohurën, të papromovuarën, një Shqipëri dinjitoze, shpërndarë në të katër anët e botës, pjesë e të cilës jeni. A lëndoheni nga kjo indiferencë?

A.H. Ju falënderoj! Faktikisht, jam unë fajtorja e parë pse poezia jeme, në vend që me u ba urë, asht ba mur. Jam fajtore e ftohtë. Asnjë pendim nuk ma vret ndërgjegjen gjithsesi. Si njeri jam njeri altruist, por si poete jam poete egoiste. Nuk i shkruaj dhimbjes së askujt përveç temes. Nuk më shenjon një lidhje morboze me poezine teme. Nuk i bahem nanë. Nuk ia përkedheli vargjet. Nuk i quaj foshnje e as nuk i ushqej me qumësht qiellor. Nuk kam një poezi të preferume e as një poezi që nuk do doja ta kisha shkrujt kurrë. Jam e vetëdijshme që trondit dhe shkelmon, në të mirë a në të keq. Asht poezi thellësisht e egër, instiktive, intime, kafshnore, e papërpunume, e pasofistikume, e pakrehun. Mavijosjet e saj janë veç mavijosjet e mia. Asht poezi pa shtëpi, pa shtetësi. Herë jeton në mes të rrugëve si endacake, herë udhëton si nomade, herë kurdiset si orë, herë dihatet me gjuhën jashtë si një qen i etun, herë çmendet e herë më çmend. Nuk jam pronarja e saj. Jam thjesht skulptorja që me thikën e fjalëve e nxjerr nga hiçi. Mandej ikin poezitë e mia, të lira e të pandershme, pa më pagu me monedhën e braktisjes. Nuk i mbaj gjatë në mitrën e mendimit. Nuk i ambalazhoj me palat e shpirtit. Nuk i puthi në ballë. Nuk ua laj trupin. Nuk i përqeshi e as nuk i qaj. Njerëzit zakonisht kur lexojnë poezi, kërkojnë që dhembja e poetit me ngja me tynen. Unë nuk besoj te misioni romantik dhe shpirtzhgulës i poetit, prandaj edhe kur dikush lexon poezitë e mia nuk gjen asgja familjare. Asht si një njeri kur ndigjon për herë të parë një gjuhë të huaj… Ndihet gati në siklet, i çorientum. Dhe kjo e zmbraps, e ban me ndryshu kanal, me la sytë me ujin e një burimi tjetër. Dhe ka të drejte. Ban shumë mirë. Nga ana tjetër, shpesh mendoj që njerëzit shëtisin ndër poezi me vra dhembjen me dhembjen. Zakonisht dhembjet kapitale janë, o dhembja prej dashnisë e për dashninë ose dhembja e humbjes se një njeriu te afërt… ato që unë quaj dhimbje të përsosuna. E jemja, poetikisht, asht e pasosun. Jashtënjerëzore, jashtëshqisore, jashtërrethanore. Askush s’e njeh e duke mos e njoft, s’ka si e ndjen. Ndoshta u zgjata por ishte e nevojshme me mbërrit këtu ku jam. Qysh se sytë më janë hap aq sa me shikju, përveçse me pa, nuk jetoj për hatër të askujt e nuk shkruj me ble vëmendje afektive. Çmimi i vetmisë më del e më tepron. Prandaj jo, indiferenca nuk më lëndon. Përkundrazi. Ndryshe nga mëshira në emën të mëshirës apo shtirja simpatizante, indiferenca gëzon respektin tem.

A.G. – Në Shqipëri vajzat dhe gratë mediatike, për çështje të injorancës dhe painformimit, kujdesen gjithmonë të saktësojne se nuk janë feministe. A thua se kanë frikë se mos i dëgjon “djali i ëndrrave” dhe pastaj refuzon të martohet me to. Ёshtë pak paradoksale e gjithë kjo, po të mendosh se nëpër botë ndodh pikërisht e kundërta, vajzat dhe gratë mediatike luftojnë për kauzat feministe. Kujtoj një rast ku aktorja Giulia Roberts u paraqit zbathur ne Festivalin e Kanës, në shenjë solidariteti me një grua që e kishin pushuar nga puna se nuk mbathte këpucë me taka. Po në Italinë ku ju jetoni prej shtatë vitesh, a shqetësohen vajzat se mos feminizmi u prish biografinë? A janë shkëputur italianët nga ai modeli i të këndvështruarit të gruas si objekt dëshirash dhe asgjë më tepër? Mendoni se Italia fqinje ka qenë një shembull i keq seksizmi për Shqipërinë postkomuniste, e cila vinte nga një sistem ku gruaja i kishte fituar ca të drejta?

A.H. Ekografia e feminizmit në vendin tonë diagnostifikon fazën embrionale në të cilën ndodhet aktualisht dhe siç e pranuat edhe ju, shumica e shoqërisë kërkon me protestë të improvizume abortin e tij. Kjo ndodh in primis sepse ne si popull jemi kureshtarë të vegjël. Nuk na intereson e ardhmja. Ne hamë bukë me jetën e tjetrit, duam të dimë kë futi në krevat filani dhe ku shkoi në atë ore të pahijshme filania, por kur vjen puna te çështje të mëdha dhe me përfitim të përbashkët, oreksi i dijes tret menjëherë. Tendenca për të refuzu përballjen me diçka të re (sepse e panjohun) apo anti-propaganda dhe censura, i mbivendosen çdo zgjidhjeje tjetër. Feminizmi asht një nga lëvizjet emancipuese ma të sakrifikume në Shqipni. I keqprezantum me dashje, zvarritet poshtë e përpjetë si shkatërrues morali, përcëllues familjesh dhe trushpërlarës për gratë aktiviste. Gratë feministe paragjykohen si gra që urrejnë burrat, që duan t’u hypin mbi shpinë e t’i kalërojnë me triumf, si gra që pretendojnë të shndërrohen në burra me vaginë për hir të pushtetit dhe të fundosin kryet e traditës në baltë. Ky interpretim, maskilist dhe injorant, e përçudnon në mënyrën ma të ulët kulturën feministe. Presioni fryn nga të katër anët. Shumica e burrave, diplomatikisht, vetëshpallen njerëzorë sipas një recitali buonist (kur në fakt dridhen nga frika e ç’burrnimit) dhe shkojnë deri aty sa për t’i mbush mendjen audiencës në hipnozë e sipër, gruan e ngrejnë lart, ma lart se budallallëku i tyne; e shpëtojnë nga dyert e purgatorit dhe ferrit duke i porosit një biletë direkte për parajsë. Naivitet kursimtarësh! Ndërsa gratë, të keqinformume, keqedukume dhe pa asnjë mbështetje, detyrohen të qeshin dhe të rrahin shplakë para një cirku të tillë amatorial. Unë personalisht, para se të jem njeri dhe grua, jam fillimisht feministe. Kjo bindje nuk ka ndez kurrë asnjë shkëndijë dyshimi brenda meje. Unë nuk DUA të kem të drejta dhe detyrime të barabarta me një burrë. Unë KAM të drejta dhe detyrime të barabarta me të. Ky asht fakt dhe jo opinion. Unë dhe shumë gra e burra si unë e kemi kuptu këtë realitet të mohum prej shekujsh, tani radhën e kanë të tjerët. Refuzoj të luaj rolin e virgjëreshës, ndreqëses së rrëmujës në botë, kurueses së dhimbjeve shpirtnore dhe nevojtares për mbrojtje mashkullore. Refuzoj të bahem qershia mbi tortën e moralistave. Une s’jam as ma e shenjtë e as ma e korruptume se një burrë që qesh mbas shpatullave të mia. Kaq e thjeshtë asht logjika në zemër të feminizmit. Liri të barabartë, përgjegjësi të barabarta, pabarazi të barabartë. Giulia Roberts u paraqit e zbathur në një festival të randësishëm për me denoncu një akt diskriminues. Por ne para se të zbathim këpucët, duhet të zbathemi nga paragjykimet karshi grave dhe lirisë se tyne… një liri e sakatume prej tregtarëve të moralit; traditave që justifikojnë privilegjet e burrave dhe mentalitetit që dirigjon fatin e grave simbas leverdisë së imazhit. Përsa i përket Italisë, feminizmi e ka kalu urgjencën e infiltrimit në mendësinë e përbashkët. Prandaj sot nuk etiketohet as si banal, as si provokues e as si skandaloz.Vajzat italiane janë shkëput pothuajse krejtësisht nga miti i biografisë së mirë versus asaj të keqes. Jetojnë me vetëdije. Kjo asht liria. Janë të vetëdijshme edhe atëherë kur luajnë rolin e kukullave; kur vendosin të bahen aktore filmash pornografikë apo kur zgjedhin profesionin e prostitutës për sigurimin e të ardhunave. E dinë mirë ça bajnë dhe pse. Tek ne ndodh e kundërta. Si në rastin e dy vajzave, trupi i të cilave u përdor si tavolinë buke para pak ditësh, në një nga programet televizive në shërbim të zbavitjes së publikut. Ato vajza nuk ia kishin idenë se pse ishin të shtrime aty. Thjesht po zbatonin skenarin e burrit të shtëpisë (prezantuesit me stafin e tij), ashtu siç bajnë rëndom në familje dhe me njerëzit nga të cilët varen. Përshtaten e boll. Përshtatja, nënshtrimi dhe urtësia na janë mësu si virtyte, kur në fakt nuk i duhen dreqit një lek. Shqipëria postkomuniste nuk ndryshon shumë nga ajo komuniste, ose pre-komuniste. Njerëzit sot kanë lirinë e fjalës de iure, por mendimi na asht përdhunu e pushkatu masivisht para se të mprehej lapsi. Ata që guxojne me mendu dhe me vepru kundër makinerisë supreme të moralit, vazhdojnë të jashtëqiten si të pakapërdishem, si tradhtarë e armiq populli. Dikur të varnin, sot s’ta varin (e thanun popullorshe.) Ne jena shembulli i keq i njeni-tjetrit. Pra e keqja na lind dhe na vdes nga brenda barkut, jo nga jashtë! As nga Italia, as nga Amerika, as nga Zoti i shumëpërfolun e as nga disqet fluturues të jashtëtokësorëve.

A.G. – Lexoni autorë shqiptarë? Këtu në Shqipëri shumica e kanë bërë zakon të deklarojnë (me mjaft krenari madje) se nuk lexojnë autorë shqiptarë. Deklarata shoqërohet me një shtrembërim buzësh. Cilët janë autorët tuaj të preferuar shqiptarë? Po ata italianë? A mendoni se do të ketë një rilindje të vërtetë në letërsinë italiane apo italianët do të mbeten po aty, te Fabio Volo, te ky shkrimtaruc, pas të cilit çmenden gati gjithë gazetaret mediokre të kulturës shqiptare?

A.H. Unë lexoj kryesisht autorë shqiptarë. Duke kenë në komunikim sistematik me një gjuhe që përsa mjeshtërisht mund ta zotëroj si temen, prapë në mish më rrin si mish i huaj, e ndjej impulsivisht të nevojshme, gati si domosdoshmëri fizike, kontaktin me shqipen. Për arsye pune, më duhet me pranu se kohët e fundit, libri para gjumit e ka hup trajtën e zakonit, por nuk kalon ditë që nuk pi me fund poezitë e Migjenit, Martin Camaj, Frederik Rreshpjes, Elona Culiq, Arjola Zadrimës, Enkeleda Ristanit, Klodian Kojashit, Eli Krasniqit, Entela Tabakut, Rita Filipit, Shqiptar Osekut, Nina Cara-s e shumë të tjerë. Veç nuk di me rrejtë; gegnishtja asht sublimisht gjuha jeme, mendimi jem, shtëpia jeme. Aty m’gjeni nëse m’kërkoni… Autorë italianë lexoj pak. Edhe pse nuk i rikthehem kurrë dy herë të njajtit libër, ma shumë se një herë futem tinëzash në poezinë krudo te Amelia Rosselli-t; joshem nga e vërteta me vetulla të rrudhuna e Oriana Fallacit dhe rrëshqas pa frikë në përshkrimin marramendës që Elena Ferrante i ban botës GRUA. Personalisht, në përgjithesi, jam vetëstërvit dhe veteduku me lexu gjithçka. Mendja jeme ka stomak të hekurt. Nuk besoj në dinastinë e shkrimtarëve të paprekshëm. Nuk besoj se ka shkrimtarë me ruc, ric a rac në fund. Sikurse ka autorë që shkruajnë ndryshe dhe për motive të ndryshme, ka lexues që turren me ble librin e fundit të Fabio Volos me buzëqeshjen vesh më vesh ose të tjerë që kur gjejnë ”Me syrin e një klouni” të Heinich Boll në një librari, në kthesën e parë majtas, pas daljes nga stacioni i trenit, bien në paqe të plotë me botën. Klasifikimet më bezdisin. Ne nuk jena librat që lexojmë, as kangët që ndigjojmë. Ne jena mendimet që kena para se me ra me fjetë… Në lidhje me gjuetinë e gazetarisë së kulturës shqiptare, mendoj që ligji i kërkesës dhe ofertës gëzon shëndet të plotë. Shijet e një populli janë muza e vetme e autorëve të medias dhe spektaklit. Prandaj gazetarët gatuajnë gjellën që shqiptarët dojnë në tavolinë çdo ditë pa mungesa. Ushqehen në sqep të njani-tjetrit, në një simbiozë gati përfekte. I kujt asht faji? Nuk e di, por edhe faji në vetvedi asht gjysëm pronar e gjysëm skllav.

A.G. – Në Itali ju studioni për shkenca politike. Ku është pika e takimit midis një poeteje që ka shkruar një vëllim me titull “Animalesque“ dhe kafshës politike?

A.H. Një parathanie; nuk kam leju kurrë, askënd me zgjedhë për mu, as prindërit e mi, as vëllanë tem e as partnerin tem. Në përfundim të gjimnazit dhe me një mesatare të shkëlqyshme, familja, miqtë ma të ngushtë e deri te kojshitë e pallatit, më thoshin në kor- Me ndigju ne studion mjekësi. Unë ndigjova vedin. Zgjodha politikën, kafshën e fortlakmume. Më intrigonte kjo fushë kaq e saktë sa edhe e paturpshme në rrezikun e vet njëkohësisht e që si magnet tërhiqte të mëdhenj e të vegjël në gjoksin e saj. E studiova. E ktheva mrapsht e mbarë, duke u mundu me gjetë diçka që më ftonte në vals me të, por jo. Asgja. Kafsha politike as më kafshon e as më fërkohet. S’më flet e rrjedhimisht s’i flas. A jam pendu për zgjedhjen fillestare? Absolutisht jo. Po mos t’i kisha shku me vrap mrapa thirrjes teme interiore-Ada-poete, sot do ishte vetëm Ada. Edhe pse kam nis me shkrujt herët, poezitë e mia ma të ”frikshme” i kam lidh në aulat e universitetit kur profesori shpjegonte teorinë e tij mbi luftën e ftohtë Amerikë-Bashkimi Sovjetik dhe sigurinë se unë isha ushtare e fjalës, poezisë, artit dhe jo e fakteve historike apo kulturës politike e kam fitu mbi librin e një provimi të vështirë. (por që e kalova në fund.) Edhe kur mendova me botu librin, kam ba gjithçka vetë. Me paratë e mia të vume mënjanë. Me kontaktimin e shtëpisë botuese. Me papromovimin tem kryeneç. Kur të gjithë tentonin me m’bind se poezia nuk shet, nuk pin ujë, nuk të jep as vlerë e as dinjitet, unë i mëshova ma fort të zezës mbi të bardhë; prapë ndoqa ”kafshën” teme mbrojtëse dhe nuk u intimidova prej askujt. Instiktive si instikti dhe e arsyeshme si arsyeja. Ka ma shumë se një grua në këtë trup prej 62 kilogramësh. Ka ma shumë se një bust me rrëzu. Prandaj ndoshta edhe pika e takimit midis një poeteje animaliste dhe lehjes politike, asht kambngulja me lujtë jashtë rregullave të të tjerëve, herë me logjikë e herë me vërsulje, por gjithmonë duke e vlu shpirtin mbi flakë të pashterrun.

A.G. – A ka ndonjë lidhje pavetëdijëse midis titullit të librit dhe faktit që ju jeni vegjetariane?

A.H. Kafshët janë i vetmi kult para të cilit gjunjëzohem. Unë nuk i përkas asnjë religjioni. Përkufizimet nuk i dua e as më duan. Shqetësohem t’i pranoj njerëzit dhe jo t’i kuptoj. Por ma e randsishmja; dashnisë nuk ia nguli dhambët. Nuk i baj dam. Prandaj jam vegjetariane. Prandaj titulli i librit asht ”Animalesque”. Shkruaj pa vra askënd. Ha pa vra askënd.

A.G. – Ka ndonjë vend piktoresk në qytetin ku jetoni që ju bën të shkruani? A mund ta përshkruani? Nuk di pse kam përshtypjen se ju poetët, edhe një faturë të thjeshtë apo një dokument të zakonshëm burokratik, dini ta plotësoni me poetikë; vargje e metafora… E meqë jemi këtu, mund të më shkruani dy vargje të çastit që ju linden nga kjo bisedë?

A.H. Dhoma e gjumit. Në katin e dytë të një shtëpie në stil rustik. Me dy micat e mia që flejnë në fund të kambve; Yokon ngjyrë kamomili dhe Tommy-n me purr-purr-et e shpeshta… Klaudio që ankohet për dritën e ndezun apo zhurmën e gishtave mbi tastierë dhe gojën e natës plot me yje jashtë. Nuk e di për poetët e tjerë, por unë jam poete vetëm në karrigen e vetmisë. Në kallabllek, jo. Prandaj dokumentet e mia burokratike dhe faturat për t’u pagu nuk dallojnë nga ato të kojshisë tem; një plak rreth të 70-ave që jeton me qenin e tij Achille dhe i këndon një gruaje me emnin Maria, kangë të çuditshme dashnie. Megjithatë përshtypja juaj mbi poetët nuk asht krejt e gabume. Nuk mendoj se poezia ka me e shpëtu botën, por ka shpëtu shumë njerëz nga bota. Përfshi edhe mu. Mu që as me fmininë teme, rininë e metaltë apo frymën 26 vjeçare, nuk arrij me ndërtu një histori të jashtëzakonshme, kacavjerrëse, misterioze. Bukë e djathë e me raste edhe një gotë venë të kuqe. Kaq e thjeshtë asht jeta që jetoj. Por jo mendja. Ajo nuk banon gjithmonë te unë. Nuk i përgjigjet gjithmonë emnit tem. Mendjen s’ma kapin dot. Vargje me kërkesë nuk arrij me shkrujt, por meqë kjo bisedë filloi me heshtjen magjike të fjalës, po risjell dy rreshta mbi të:

”Nga tana heshtjen që shkojnë e vijnë,

temen e njoh në zà…

Nga tana heshtjet në kambë,

e jemja rrah shplakë.”

A.G. – Ju falënderoj për bisedën!

A.H. Më keni drejtu disa pyetje që nuk ja kam ba asnjëherë vedit. Rrëfimi asht ma i sinqerti i jetës teme, deri më sot. Ju falënderoj unë!

konica.al

Artikuj të ngjashëm