Rrugët me baltë të reales lënguese, ku shklasin “Çizmet e verdha” të Arlinda Çaushollit

 

“Çizmet e Verdha” asht nji libër qi u kushtohet tan atyne qi jetojnë dhe punojnë me zemër, atyne qi munden me i ba ballë nji thirrje gjëmimtare: “Ngrihu dhe shkëlqe”.

Të jetosh në një të tashme ku shumë gjana qi ndodhin t’bajn të ndihesh keq, kjo është normale, siç mundet me ken e domosdoshme, qi tue e denoncu me mujt me shpëtu sa mundet. S’paku mos me e lan me ra ma poshtë ngase ka marrë tatpjeta. T’ndihesh në faj për gabimin qi nuk i asht i joti, por qi realiteti ta ka gostit si një panoramë, ku mungon drita dhe ngjyrat, ku janë shterrun trajtat dhe shprehitë, nuk asht dhe aq barrë e përgjegjësisë që të asht lëshu mbi shpinë, se sa mbetet nji plagë që të kafshon në shpirtë. Autorja i librit “Çizmet e verdha”, tue mos u pajtu, zgjedh me u ndesh. Në nji kacafytje të pabarabartë ajo dëshmon shpirtin e paepun që beson se trofetë janë për vullnete të dlira, siç janë qiejt për kushtrimet e zashme dhe liria për albatrosët.

Janë do libra, bash si ky, “Çizmet e verdha” me autore Arlinda Çaushollin, qi rreken për me i than t’tana, njashtu me amëlcinë e thjeshtësinë e një gojimi t’stolisun me t’vezullimtën dritë të shpirtit. Me u përpjekë dyqysh, qi tue ardh me kërku vend në një andje leximi, me gjet “nji lum qi ka guximin të hapë mendjen, ta dashurojë të mirën dhe të flasë me zë të lartë”. Bash njashtu asht qas me ardh në rrjedhën e ububushme të botimeve shqip, Arlinda Çausholli. Pak ndër ne ka mbet miq me librin, do ma pak lypin prej kësaj shpërblese me ndigju zanin e atij shkulmi vërshues, këta t’fundit mesin ata qi kan me gjet vedin teksa ka me i’u reflektu nëpër shkreptima drite qi ndezi tue dasht me grisun mantelin e territ qi e gjithmonshmja ka lëshu mbi supe, si veshje solemne e tragjikes qi përtypim si të tashme të pandryshueshme.

“Çizmet e verdha” të Arlinda Çaushollit  asht nji libër qi pluskon mbi sipërfaqe e gjanave të kudogjasshme, reales të gjithqyshtë, që asht jeta e njeriut të zakontë, atij njeriu qi fati e ka ndëshku me ken i përndjekun nga e shkumja arnaarna dhe e tashmja mbytëse. Autorja, e ngasun prej nji nevoje për me qëmtu gjithqysh e me vëzhgu gjithçka, e fotografon të atypëratyshmen dhe masandej, ashti si kirurgu, me nji bisturi të mprehtë, një përkujdes përbetuese dhe përkushtim prej martiri, rreket me e trajtu kurmin e ligun, me e dlirë prej molepsjes, e me gjas me i’a dhan të tashmes si një të mundshme qi kapërcen çdo mur, si sfidë që gjen heroiken në çdo arenë. Sepse sipas Çaushollit, asaj lande tekstshkrimi t’mbrume me nerv e me adhurim, thartim e përkujdesje, ka do gjana të shtrenjta e të shenjta, ndër ta asht liria e t’folunit, liria e t’thanunit t’gjanave. Ndoshta nji nevojë për tu çliru nga pengu, mëdyshja shpesh i ndrydh vullnetet dhe kësisoj do sosh pajtohen me t’keqen si me fatin e lig, e njashtu rreket me shty nga dita në ditë, tue mos guxu me pa ma kjartë, me shku ma larg. Këtij hutimi, këtij ndalimi, kësaj fikje, autorja i pëshpërin në vesh nji za qi e shndrron statujën në jetësim vërshues. Përpiqet, me fjalë gurruese, me i’a davarit mjegullën qi nuk se len me pa, me e shkund prej pluhunit qi përdhunshëm e mban nën thundrën e t’shkumes, e turraz me mujt me çliru prej nji norme t’garrametshme dhe krejt t’pabukur sjelljeje, e me i’a rrëfy rrugën që meriton.

Syve vëzhgues të Arlindës duket se nuk i shpëton asgja. Dashtazi ajo e vendos veten gjithnjë ku realiteti gëlon me shkulmin e vet ku ngjarjet, personazhet, rrethanat, dëshirat, tue mos ken fryt i imagjinatës, por shpesh e paimagjinueshmja e reales, mëkimi i saj palohet mbi gurgullimën e llavës së cingëritjeve dhe zemërthyerjeve si një prekje paqtuese. Duket se kurrgja nuk i shpëton Arlindës, atij këndshikimi që ka zgjedhun me jetu dhe me e kundru botën, e cila gjendet pa orjentim, bukur shpesh edhe pa shpresë.

Narracionet qi munden me ken edhe faqet e nji ditari, në tekstshkrim dhe afri komunikimi, qasen prej nji forme shprehëse të drejtpërdrejtë. Dorzan profesionit të gazetares, qi i ka dhan aq shumë, ndoshta pa prit për me i marrë jo kushedi se çfarë, Arlinda flet për të gjithë dhe i drejtohet tankujt qi me domosdo e gjen vedin t’përfshim në mozaikun e këtyne copëza jete. Panoramimi i detajuar i çasteve tue mos ken i rastësishëm, por si zanafill e zgjimit të një parashtrimi, dëshmon për sqimën dhe përkujdesin, me të cilën autorja pjesëmerr realen.

Me solemniteti që të mëkon komunikimi, pa bujë dhe pa kompromis, ajo denoncon, fshikullon dhe sfidon çdo zbrazëti, vulgaritet dhe shterim motivues i atyne qi tue mos mujt me mbet për shumëkend ideale, janë shndrru në lëngime.

“Çizmet e verdha” asht hera filluese e një përvoje kaq origjinale kumtimi, i një nevoje për të dëshmu kësisoj çfarë lëndon një shpirt, kris një sedër, rrënon një shpresë. Së këndejmi, nga hiri i zjarreve qi e djegin por nuk e shuajnë, dëshirimet ëndërrtare dhe idili i një shpirti të kulluar, mbarsin lajtmotive dhe mëkojnë postulate, mbarështrojnë bujari dhe shpërblehen nga nevoja për transformim. Ndër landë të shumtë e tamtame bujash retorike boshe që kanë xanë më shumë se të ndreqin komunkimin gopa gropa mes shojshojt, kjo është vetanake, ose zgjedh të mos hesht duke i dhanë za çdo brenge dhe vrage, ravijëzon përmes nji mënyre shumë t’andshme rrëfimi personazhe dhe kujtime. Nxjerr nga sirtarët e së shkumes paepjen e vullneteve qi nuk i nënshtroi as përpjekja as ngulmimi.

Dallon ky ligjërim prej krejt rretherreth, për thjeshtësisë dhe rrjedhshmërinë e mëtimit. Kur ulesh me e kthy në fjalë atë çka asht plagë, nuk metet nji punë krejt pa dogoni, pa trazim e zjarm. E gjithqysh për autoren e randsishme asht trajtimi i idhnimit, qi njashtu siç lëngon shpirtin e saj, mundet me u shndrru nji vrasës gjakftohtë në realen tehmprehtë, nëpër t’cillen i duhet me ecë shqiptarëve, për me mujt me i’a dalë.

Ky libër i sejdisin si nuk ka ma mirë, si përnga përmbajtësorja, njashtu edhe nga duka, fort mirë mundet me xan vend në biblotekën e tankujt, qi beson hala te shenjtëria e librit, siç mundet me u ba mënyrë jetese e ndonjë vullnese dashamirëse, e cilla ka hup rrugë e po kërkon shteg me ardhn e me bujt n’njat shpirt t’lëndum qi rreket papra me i’a dal mane.  Arlinda asht njaty ku don me ken, me mish e me shpirt, mes njerëzve, larg nji realeje butaforike e zullumqare, n’anën tjetër të asaj çka tue mos mujt me e moleps, e kthen në një fshikull në duart e saj.

Gjithqysh autorja jeton dhe vuan me ta. Nuk merr përsipër me than gjana t’mdhaja, por vetëm me dëshmu se si e sheh dhe lexon të tashmen dhe si kaq shumë e dishron me ken i gjithmonshëm mirësimi në dëshirimin e gjithkujt. Dukshëm asaj nuk i mungojnë gjanat jetike, por gjithçka qi i’a thyn zemrën, mundet me ken njaq trishtuse, siç ka gjas me met nji andërr e keqe, nëse tue përmirësu cilësinë e jetës, na përpiqena me dlirë gjithçka tonen nga flliga. Ma shumë se ç’ka kushtron si nji nevojë për të ndryshu t’jetumit, për të shpëtu atë ç’ka mundet me shpëtu, autorja mëkon nga vetja, tue dasht me pa tanken dhe tançka t’reflektum te njajo andërr, te e cila ajo ka kurajë me besu. Asht ky libër, kjo qasje modeste qi vjen, jo dhe aq me u shtu si nji za në këtë poterë, se sa me mbush nji bosh qi po na përpin çdo ditë.

Albert Vataj  

 

Artikuj të ngjashëm