Tue u përshku prej drithërimës ngjethëse t’nji zemre e zanit t’përmadhëm qi kungon shëlbim tue kallzues

Mundem me pohu pa u drasht se po keqkuptohem për ndonjë anësi apo fodullëk, se jan’ t’pakta njato gjana t’cilave u kthehem për me i rilexu, jo aq me zbulu ndonjë sekret apo me deshifru ndonjë kod ligjërimi, por thjesht me provu se sa thell mundet me depërtu nji gja e mrume shpirtnisht dhe e kallzume me nji delikatesë dhe thjeshtësi adhuruese, siç ka mujt me e gatue n’vorbën e vet, Albina Gjergji, nji mike fort e mirë dhe nji penë e mylmyme me gjak e dritë.

Përmes nji kumtimi t’cillin spo muj me e klasifiku nëse i përket mirfilli narracionit klasik po nji proze poetike t’sejdisun me do element estetik dhe nji gegnishte kënduese, Albina Gjergji ka cek njaty ku mundet me përshku, drithërima ngjethëse e nji zani t’përmadhëm kallzimi, ai për nansën, shejtnoren e përvujtnis.

Mundem me than se kjo copëz spariherë asht nji elegji për nanën, njat nan’ t’braktisun ndoshta prej gjithçkahet, por jo prej besimit, nji force e cilla shndrrohej në sprova shejtnije qi munden me zan vend n’krahnorin e një gjoksi qi asht gati me gjëmu, por njat za ankimtar, njat pezëm idhnak lyp me i’a than veç vedit, pa dasht me e nda me tjetërkend, anipse mes tan njatyne syve, asht nji pal sy qi ngulmon me kap fillin e kësaj epike e me te me thur nji cohë kallzimi, qi mundet me na shërby boll mir’ me mshtjell kujtimet e dhimbshme qi na majn lidhun me nanat, me përvujtninë e përulsinë, përkushtimin dhe dashtuninë, më t’cilla ata naltsun veprën e tyne dhe shejtnun nanën.

Tash… qe ku e keni zemrën e nji nane, në tehun shndritës t’nji pene t’zashme kungimi

 

“Kam pas’ njohtë nji nanë, që sa herë i kjante zemra merrte rrugën për n’Kishë”

 

Para shumë vitesh,

domethanë jo fort fort larg në kohë,

por bash atëherë kur kamba m’shpohej ma thellë se shpirti sot,

kam pas’ njohtë nji nanë, që sa herë i kjante zemra merrte rrugën për n’Kishe.

Avit’te derën e Kullës s’vjetër, fshihte flokët poshtë shamisë s’zezë e mbasi u kish’ thanë “si keni njeh” kojshive, ngulte e shkulte shkopin e pleqnisë në tokë.

Kur mbas gardhit – sebep shekullor sherrnajash – nigjoja “trokun” e saj e dijsha që ishte ajo e me vrapin e fëmijës gjeja bírë me i pa sytë. Ato sy që, kur isha e vogël më dukeshin tipari ma i vështirë “me u ba për vedi”.

E shihja me rruzare n’dorë, e mbasi me kishte pikasë, më qeshte pa ndërpre pesë “T’falem o Mari” e po aq “Shenjtja Mari”.

Kishën unë e kam pas gjithmonë afër shpisë, por s’e di pse gjithmonë mbrrijsha e fundit n’meshë.

Mbasi zija vend tek “bangat” e korit e mbasi me shikim të piskum’ më kritikonte prifti, ktheja krytin kah “nana” me shami të zezë.

Ju betohem, ajo nuk ishte nanë e zakonshme…

Ndryshe prej tjerave që, si “majmunët imitues” përsërisnin veprimet e priftit (që nji Zot e di prej ç’kontinenti kishte mbërritë në tokën teme me na “shpëtu”)… ajo nuk e bante kyt gja, por shkonte e ulej poshtë g’jujve të Krishtit e i fliste drejtpërdrejtë Atij me sytë kah qielli.

Çonte durt nàlt e sa ma fort binte kumona, aq ma maraz e dhimbje i lexoje ndër rrudha.

Në Dong-un e parë të kumonës i shihje përshpirtje n’portret, me t’thanë mendja se ishte taku me Atë që nji ditë te tanë supozohet se do i japim llogari.

Në atë përballje dukej se mbaronte idhnimi e fillonte pranimi!

Në Dong-un e dytë, ishte ma e vendosun në Lutje. Me shumë gjasë kërkesa e dërgume për Nalt ishte e kjartë: “Më merr”!

Kryqet në shpinë dhimbnin njisoj, sikurse Nanës s’Ténzot, po ashtu edhe kësaj Nane me lot..

Në Dong-un e tretë, me g’jujt e skuqun e kurrizin e tkurrun nana me shami të zezë “zbriste” në tokë e me kuletën prej pece që i varej n’brez zadrimoresh merrte rrugën për n’lagjen e heshtun. Aty ku e priste nji shpi përplot fotografi… me fëmijë,

fotografi…me fëmijë,

fotografi… me fëmijë!!!

N’emën t’Atit, t’Birit e t’Shpirtit Shenjt!

Para shumë vitesh,

domethanë jo fort fort larg në kohë,

por bash atëherë kur kamba m’shpohej ma thellë se shpirti sot

kam pas’ njohtë nji nanë, që sa herë i kjante zemra merrte rrugën për n’Kishë.

N’atë Kishë dikur shkonte bashkë me fëmijët,

të cilët sot.. nuk i ka ma!

“Nanë”, a beson (h)alâ?

(albina gjergji – #repost_janar_2017)

Artikuj të ngjashëm