NDIHU I PUSHTUAR PREJ KRAHËVE TË MREKULLIMIT QË MAGJIA E KRIJUESIT KA FSHEHUR BRENDA TEJE

Lëre veten sot t’i jepet fëmijës që struket brenda vetes, përpiqu të dëgjosh këtë zë që pipëtin në shpirt dhe do të shohësh, siç thotë Coelho se si sytë do të rigjejnë shkëlqimin dhe ne do të mund të fluturojmë.

“Nganjëherë jemi preja e një ndjesie trishtimi që nuk mbërrijmë ta kontrollojmë. Kuptojmë që çasti magjik i ditës ka kaluar dhe ne nuk kemi bërë asgjë. Jeta e fsheh magjinë dhe artin e vet. Duhet ta bëjmë të flasë fëmijën e dikurshëm që ende ekziston brenda nesh, kumton Paolo Coelho.

Ky vogëlush, vijon ai është në gjendje t’i kuptojë momentet magjike. Ne dimë si ta mbysim të qarën e tij, por nuk dimë të bëjmë të heshtë zërin. Fëmija i dikurshëm është gjithmonë brenda nesh. Lum fëmijët sepse e tyre është mbretëria e qiejve. Nëse nuk rilindim, nëse nuk arrijmë ta shohim jetën me pafajësinë dhe entuziazmin fëminor, jeta nuk ka kuptim. Ka shumë mënyra për t’u vetëvrarë. Ata që provojnë të asgjësojnë trupin e tyre, shkelin ligjin e Zotit. Por edhe ata që përpiqen të vrasin shpirtin, thyejnë ligjin hyjnor, edhe pse krimi i tyre është më pak i dukshëm për sytë e njeriut. Le të tregohemi të vëmendshëm ndaj asaj që thotë fëmija i ndryrë në zemrën tonë. Të mos kemi turp. Të mos e lëmë të ketë frikë, sepse ai vogëlush ndihet më i vetmuar se ne dhe nuk e dëgjojmë thuajse kurrë. Le t’ia lëmë atij për pak frerët e ekzistencës sonë. Ky fëmijë, e di mirë se çdo ditë është e ndryshme. Le të përpiqemi që ai ta ndiejë se e duam prapë. Le t’i japim gëzim duke u sjellë në mënyrë të pazakontë për ne, apo të dukemi të marrë në sytë e të tjerëve. Është mirë të kujtojmë që mençuria e njerëzve është marrëzi përpara Zotit. Nëse dëgjojmë fëmijën që kemi në shpirt, sytë tanë do të rigjejnë shkëlqimin. Dhe nëse nuk e humbim komunikimin me këtë fëmijë, ne nuk e humbim as lidhjen tonë me jetën…”

Artikuj të ngjashëm