Fridrih Niçe: Koha ishte aq e shtrenjtë, për këtë arsye kam nxituar gjithmonë

Niçe ishte i bindur se kishte disa të vërteta jetësore për t’u përcjellë bashkëkohësve, të vërteta që të tjerë para dhe krah tij po i anashkalonin pa vramendje dhe pa zemërkrisje. Ai kishte ardhur të bënte misionarin, të davariste pamjet e kyçura nën cohën e mjegullave të kohëpaskohëshme, të pastronte pluhurin që kishte vënë përfundi idetë dhe mendimet e themelta, po… kishte ardhur të zgjonte nga murosja  vullnetet e një shekulli, të çburgoste nga apatia, plogështia, ngurimi, frika, paranoja, maska e moralit puritan, njeriun, atë që meritonte të ishte i “ndëshkuar” nga liria. Pavarësisht çmimit me të cilin duhet të paguante këtë faturë, pavarësisht anatemës që do ta përndiqte si temiani djallin. Ndaj ai nuk kishte kohë për të humbur. Koha për të ishte gjithçka që duhej jetuar dhe jeta ishte gjithçka që kishte për të dhënë.

“Po jetoj një jetë të atillë ku njoha si parajsën ashtu dhe ferrin. Jetova një dashuri të atillë ku njoha dhe pasionin dhe humbjen. Kur disa po e shikonin jetën nga rreshti i parë, unë gjeta një skenë dhe aktrova. Me kishin caktuar një rol të atillë që e lexova, e rilexova por nuk e kuptova. Ndonjëherë fola me veten në shtëpi, dhe u zemërova dhe qesha me gjendjen time. Pastaj i thash vetes “Jepi fjalën vetes tënde ” :

Nëse e dashuron, detin do të dashurosh dhe dallget.

Nëse do të të duan në fillim, duhet të dish të duash. Nëse deshiron të fluturosh duhet të dish të rrëzohesh.

Nëse jeton duke pasur frikë, behesh thjesht spektator ndaj jetës. Jetova një jetë të atillë ku njoha heret udhëtimet e fundit .

Koha ishte aq e shtrenjtë, për këtë arsye kam nxituar gjithmonë…”

dhe ai vërtetë nxitoi sepse kishte një Golgotë për të hequr, kishte një udhë për të bërë, kishte një vepër për të shkruar, një testament të çmuar për t’i lënë mendimit filozofik.

Ai ishte me ngut në kohën e vet të pamjaftueshme, sepse mori mbi vete të bënte rolin e epokës së vet, të shkruante me zjarr vetëtimash çfarë me tërbim e zehër, me gjëmim e ngërçe, me ngulm e zemërthyerje, ngjizte në atë shpirt që guxoi si askush dhe triumfoi mbi gjithçka, në atë sendërtim që lindi mbinjeriun dhe përqafoi amshimin me afshin e stuhisë.

Ai ishte i pakohë për gjithëkohjen e asaj që do të merrte jetë prej mendimeve të tij. Koha nuk mjaftonte, ndaj nxitonte sepse ai për të thënë dhe bërë atë që nuk kishte guxuar askush deri askohe, ai duhet të ishte i urryer, i adhuruar, i keqinterpretuar dhe ndoshta për të mbetur edhe sot e kësaj dite filozofi më i vështirë për t’u kuptuar.

Ai duhej të nxitonte dhe vërtetë nxitoi deri më 25 gusht të vitit 1900, kohë kur fundi i ishte afruar prej dy vitesh errësire mendore. Nën përkujdesjen e së motrës, Elizabeta, vetmisë dhe braktisjes, Fridrih Niçe, mendimtari më i stuhishëm i shekullit do t’i dorëzonte vdekjes frymën e fundit dhe të mbylli sytë, në Vajmar për të ndalur së përpjekuri për të qëndruar ende nën këtë vullnet prej titani. Koha për të kishte ndalur. Ishte dorëzuar çdo ngulm i tij.

Ishte shuar një nga mendjet më të kurajshme të mendimit filozofik, një nga vetëtimat më zjarrmëtare ishte fikur duke lënë pas një dritë vërbuese, një shkrepëtimë ku nevoja e njeriut kërkon të shihet me vetveten, të sprovojë mbi të mundshmet e aftësive të tij për t’u ngjitur aq lart kur i mundësohet të takohet me atë vetvete të mohuar, atë vetvete që i jep gjithçka që i duhet për të pranuar se ka jetuar duke u ndeshur dhe ka fituar duke duke guxuar.

Artikuj të ngjashëm