«Farat e mbretit» dhe postulati i famshëm, “çfarë të mbjellësh do të korrësh”

«Farat e mbretit» është një histori e shkurtër dhe shumë e bukur, me një moral shumë të njohur, “çfarë të mbjellësh do të korrësh”. Dhe si çdo histori e mirë fillon me një mbret.

Ky mbret, po plakej, dhe vendosi se duhet të zgjidhte pasardhësin e tij. Kështu, një ditë, mblodhi të gjithë të rinjtë e pallatit mbretëror dhe i tha se pasardhësi i tij do ishte një prej tyre. Dhe i vuri ata në një provë. I dha secilit nga një farë dhe i tha: “Dua ta mbillni, të kujdeseni dhe pas një viti të më sillni bimën.” Unë do të shikoj bimën dhe do të gjykoj se kush meriton të jetë mbreti i ardhshëm.

Ndërmjet të rinjve, ishte dikush i quajtur Ling. Ai e morri farën dhe gjithë entuziazëm u nis për në shtëpi që ti tregonte nënës së tij se çfarë kishte ndodhur. Ling-u e mbolli me kujdes farën dhe filloi të kujdesej për të. E ujiste çdo ditë dhe priste me padurim që ajo të mbinte. Por pas disa javësh, dëgjoi të rinjtë e tjerë të flisnin për bimët e tyre, që kishin mbirë dhe ishin rritur.

Ling e shikonte çdo ditë farën por asgjë nuk po mbinte. Kishin kaluar pesë javë dhe të rinjtë e tjerë flisnin me entuziazëm për bukurinë dhe se sa ishin rritur bimët e tyre. Ai filloi të zhgënjehej. Megjithatë nuk pushonte asnjëherë së kujdesur për farën që i kishte dhënë mbreti.

Ditët u bënë javë, javët u bënë muaj dhe u mbyll viti. Fara e Ling nuk mbiu kurrë. Por, edhe pse ndihej i turpëruar, mori vazon e tij boshe dhe shkoi edhe ai para mbretit. Kur arriti aty, ngeli i habitur nga shumëllojshmëria e bimëve që kishin kultivuar të tjerët. Ishin bimë të bukura me përmasa dhe forma të ndryshme. Ling e uli vazon e tij në tokë. Shumë nga të tjerët filluan ta tallnin. Disave ju erdhi keq dhe filluan ti thonin: “Mos u mërzit, të paktën u përpoqe.”

 

Kur erdhi mbreti, i hodhi një sy bimëve dhe përshëndeti të pranishmit. Ling përpiqej të fshehej nga fund i sallës. “Sa bimë, pemë dhe lule të bukura që keni kultivuar” tha mbreti. “Sot do të zgjedh njërin prej jush që të jetë pasardhësi im”.

Në një moment vuri re Ling, qe po fshihej pas të tjerëve dhe i kërkoi që të dilte përpara. Ai i turpëruar ju afrua mbretit me vazon e tij bosh.

Mbreti i kërkoi të prezantohej. “Më quajnë Ling” tha ai dhe dëgjoi gjithë sallën të qeshte. Të gjithë po qeshin, përveç mbretit. Ky i fundit pasi i kërkoi të pjesëmarrësve që të mbanin qetësi tha me zë të lartë: “Ja mbreti juaj i ri ! Ai quhet Ling ! ” Ling nuk po i besonte veshëve. Ai as nuk kishte arritur ta bënte farën që të mbinte! Si mund të ishte ai mbreti i ri?

Atëherë madhëria e tij tha: “Si sot, para një viti, i dhashë secilit nga ju një farë. Ju thashë ta mbillni, të kujdeseni dhe të ma sillni pas një viti. E vërteta është se ju dhashë të gjithëve fara të ziera të cilat nuk mbijnë. Të gjithë, përveç Ling, më sollët pemë, bimë dhe lule” Kur zbuluat se farat nuk po mbinin, e zëvendësuat farën që unë ju dhashë me një tjetër. Ling ishte i vetmi që pati guximin dhe ndershmërinë të më sillte vazon bosh, ku kishte mbjellë farën që unë i dhashë. Ndaj ai është mbreti i ri!

Po mbolle ndershmëri, do korrësh besim.

Po mbolle mirësi, do korrësh shoqëri.

Po mbolle përulësi, do korrësh madhështi.

Po mbolle këmbëngulje, do korrësh fitore.

Po mbolle reflektim, do korrësh harmoni.

Po mbolle punë me përkushtim, do korrësh sukses.

Po mbolle falje, do korrësh pajtim.

Po mbolle sinqeritet, do korrësh marrëdhënie.

Po mbolle durim, do korrësh përmirësim.

Po mbolle besim, do korrësh mrekulli.

Po mbolle tradhëti, do korrësh mosbesim.

Po mbolle egoizëm, do korrësh vetmi.

Po mbolle krenari, do korrësh katastrofë.

Po mbolle xhelozi, do korresh bezdi.

Po mbolle dembelizëm, do korrësh ngecje.

Po mbolle hidhërim, do korrësh izolim.

Po mbolle lakmi, do korrësh humbje.

Po mbolle fjalë të këqija, do korrësh armiq.

Po mbolle mërzitje, do korrësh rrudha.

Po mbolle mëkate, do korrësh faj.

Prandaj, kujdes, atë që mbjell tani. Ajo do vendosë se çfarë do të korrësh nesër. Farat që do të mbjellësh do ta bëjnë jetën më të keqe ose më të mirë, si jetën tënde ashtu edhe të atyre që të rrethojnë.

Artikuj të ngjashëm