Vdes ish-kancelari gjerman Helmut Kohl, burrështeti që shkroi historinë e transformimit të Evropës

Ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare ish-kancelari gjerman Helmut Kohl. Sipas gazetës “Bild” në versionin online, Kohl është shuar në shtëpinë e tij në Ludwigshafen. Eksponent dhe lideri i CDU-së, kancelar nga 1 tetori 1982 deri më 27 tetor 1998, ka qenë arkitekti i bashkimit të dy gjermanive në 3 tetor 1990.

Vdekjen e Kancelarit gjerman me periudhën më të gjatë në post e komenton Alexander Kudascheff.

Helmut Kohl-i ishte kancelari i bashkimit të Gjermanisë dhe i bashkimit të Evropës. 16 vjet ishte ai Kancelar Federal i Gjermanisë, një çerek shekulli kryetar i CDU-së – të gjitha këto flasin për një aftësi të pabesueshme për të rezistuar, një aftësi të habitshme për t'u imponuar, një dëshirë të çeliktë për pushtet, por edhe një fat demokratik në zgjedhje. Katër herë u zgjodh kancelar Helmut Kohli, një arritje politike imponuese e jetës së tij.

Si kryetar me sa duket i përjetshëm i CDU-së, ndjesia e tij për zhvillimet në radhët e veta, mosbesimi përballë rrymave kritike ishte legjendar. Megjithatë: kur në në vitin 1989 po luftonte për të mbijetuar politikisht në një kongres partie në Bremen, atë e ndihmoi hapja e Perdes së Hekurt. Dhe: Kohli e shfrytëzoi shansin që u hap për të dhe për Gjermaninë, prej rënies së diktaturave komuniste. Ai shkroi histori. Ai e shfrytëzoi dritaren e shansit historik. Kohli u bë në këto muaj burrë shteti.

Pa dyshim: Helmut Kohli është kancelari i bashkimit të Gjermanisë. Ai ishte politikani, që nuk përfilli qëndrimet e lëkundura, frikërat, rezervat brenda dhe jashtë vendit – dhe synoi që prej nëntorit 1989 unitetin e Gjermanisë, të cilin e bëri realitet në 3 tetor 1990. Ai tregoi instinkt politik, historik në atë moment kur duhej ta tregonte. Me këtë për disa ai u bë Bismarck-u i shekullit të 20-të.

Helmut Kohli megjithatë nuk ishte vetëm një patriot gjerman, i cili e shfrytëzoi dhuratën e shndërrimeve historike në Lindje të Evropës. Kancelari rekord ishte edhe një evropian i bindur. Një politikan, i cili për 16 vjet dhe në takime të panumërta evropiane të nivelit të lartë ishte gjithmonë i gatshëm për ta avancuar bashkimin e Evropës. Kjo vlejti për Komunitetin e vjetër Evropian, për komunitetin e zgjeruar të Bashkimit Evropian, për perspektivat e anëtarësimit të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, perspektiva që u realizuan me zgjerimin e vitit 2004.

Helmut Kohli ishte edhe – dhe kjo i jep atij nivelin e një burri shteti evropian – bashkëthemeluesi i monedhës së përbashkët evropiane, Euro. Sepse ai – duke menduar në linja të gjëra historike – e kuptoi, se vetëm një monedhë e përbashkët evropiane, heqja dorë nga Dojçmarka e fortë do të ndihmonin kapërcimin e antipative eventuale në Francë, në Britaninë e Madhe dhe në vende të tjera të BE. Një vendim i drejtë, që e bëri të pakthyeshëm unifikimin e kontinentit të vjetër.

Helmut Kohli ishte burrë shteti. Ai ishte një politikan që përfaqësonte njëkohësisht si ribashkimin e Gjermanisë, ashtu edhe bashkimin e Evropës. Një burrë me vendosmëri të madhe personale, i cili atë që e konstatonte të drejtë, edhe e arrinte. Kjo e bëri atë, pavarësisht nga shumë kritika veçanërisht në Gjermani, një politikan të respektuar dhe të vlerësuar veçanërisht në botën e jashtme, shkruhet në DW

Kohl një evropian i bindur

Helmut Kohl, siç është thënë shpesh, e ka kapur me zemër mantelin e historisë. Por dëshira e tij e vërtetë ishte gjithmonë një Evropë e bashkuar. Si djalë i ri nga Ludvigshafeni në Rin pak pas luftës ai se bashku me shokët e tij të idealit shkulte hunjtë, që shënonin kufirin francez aty pranë. Më vonë si politikan, doktori i historisë nuk mbante asnjë fjalim pa fraza si këto: "Për ne gjermanet, kjo duhet theksuar shumë qartë, vazhdimi konsekunt i politikës të integrimit evropian është çështja jetike. Për ne nuk ka alternativë tjetër përveç politikës së integrimit europian."

Njeri i pushtetit dhe këmbëngulës

Prirja e dytë e Kohlit ishte gjithmonë pushteti. Pushteti për të zbatuar atë, që ai mendonte se ishte e drejtë, por ndoshta pushteti edhe si qëllim në vetvete. Që në moshën 29 vjeçare ai hyri në parlamentin e landit, në moshën 33-vjeçare ai ishte kryetar i grupit parlamentar, më i riu në ndonjë parlament gjerman landi. Gjashtë vjet më vonë ai ishte kryeministri i landit të tij. Ai kishte qenë dy vjet kryeministër dhe në vitin 1971 aplikoi për postin e kryetarit federal të CDU-së. Në atë kohë ai nuk fitoi ende, por në qershor 1973 Helmut Kohl u bë kryetari i kristiandemokratëve dhe qëndroi i tillë për 25 vjet.

Franz Lambert dhe organoja e tij ishin pjesë e ritualit të kongresve të partisë CDU të epokës Kohl, si dhe vera e Pfalzit. Natën vonë Helmut Kohl ulej me qejf pranë Lambertit dhe luante në tastierë. Partia ka qenë gjithmonë baza e tij e pushtetit, shtëpia e tij, siç i pëlqen të thotë. Kohl e njihte partinë në të gjitha degëzimet, u telefononte kryetarëve të partisë në qarqe në fshatra, për t'u uruar ditëlindjen. Kështu pati dështuar edhe një përpjekje për puç brenda patisë në vitin 1989, pas një serie humbjesh të zgjedhjeve në lande. Që kur Kohl mori postin e kryetarit të partisë në vitet shtatëdhjetë, qëllimi i tij i vërtetë ishte: "Unë dua të bëhem kancelari, unë dua të fitoj zgjedhjet dhe të bëhem kancelar."

Ai për pak e arriti këtë që në vitin 1976.Me shumë pak diferencë fitoi koalicioni i Helmut Schmidtit me PSD dhe liberalët. Përkohësisht u duk sikur baza e pushtetit të Kohlit po tronditej. Franz-Josef Strauss, kryetari elokuent i partisë motër bavareze CSU, arriti të dalë në vitin 1980 kandidat i përbashkët për kancelar i partive të Unionit. Kohl e mbështeti atë besnikërisht gjatë fushatës zgjedhore, por Strauss nuk arriti të fitojë.

Që nga ai moment Kohl ishte udhëheqësi i padiskutueshëm i opozitës. Dhe kur në vitin 1982 një kongres i partisë SPD-së i refuzoi kancelarit të vet Helmut Schmidt mbështetjen në çështje të rëndësishme të politikës së jashtme dhe financiare dhe si rezultat edhe partneri në koalicion, liberalët, u distancuan nga socialdemokratët, aty Kohl rrëmbeu pushtetin. Pas humbjes së SPD Kohl vë thekse të reja në politikën ekonomike dhe sociale

 Tetor 1982. Socialdemokratët humbasin zgjedhjet. Kohl bëhet kancelar.

Ai krijoi një koalicion të ri me liberalët dhe përmbysi Schmidtin. Në deklaratën e tij qeveritare në tetor 1982 Helmut Kohl njoftoi "tranzicionin shpirtëror dhe moral" dhe i shpalli luftën gjithçkaje, për të cilën ishte e Majta në Gjermani:

"Ne jemi të bindur se iniciativa e lirë dhe rendimenti për secilin dhe për të terën janë më mirë se kontrolli dhe dominimi shtetëror. Ne kemi besim te qytetari, i cili e merr të ardhmen e tij në duart e veta."

Në zgjedhjet e parakohshme të Bundestagut në janar 1983, pas një fushate të ashpër, Kohl mundi të shënojë një fitore vendimtare. Pastaj qeveria e tij vuri akcente të reja në politikën ekonomike dhe sociale. Borxhi jashtëzakonisht i lartë vjetor i shtetit ra. Por papunësinë as Kohl nuk e vuri dot nën kontroll. Pakënaqësia në rritje çoi në vitin 1987 në një rezultat shumë më të keq zgjedhor dhe në vitin 1990 Kohl do të kishte humbur, sikur të mos ishte ribashkimi gjerman.

I nëvlerësoi shpenzimet e ribashkimit

Megjithë meritën e madhe për bashkimin e kësaj Gjermanie, shpenzimet që do të vinin ai i nënvlerësoi krejtësisht. Dhe kështu financat e shtetit dolën gjithnjë e më shumë jashtë kontrollit dhe pas një bumi të shkurtër të ribashkimit edhe papunësia u rrit. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1994 Kohl megjithëse kishte një rival të dobët, mezi arriti të fitojë. Në vitin 1998, ai nuk kishte më asnjë shans.

Ne kemi kandiduar dhe unë kam kandiduar, për të fituar zgjedhjet. Ne i kemi humbur zgjedhjet. Është krejtësisht e qartë se socialdemokratët dhe kuq e gjelbër kanë fituar zgjedhjet. Në këtë rezultat nuk ka absolutisht asgjë për të diskutuar. Dhe prandaj unë përfitoj nga rasti, për t'i thënë kryeministrit Gerhard Shrëder: I uroj në interes të vendit tonë një dorë të mbarë në këtë detyrë të re, të rëndësishme, që merr përsipër."

Afera e donacioneve hedh hije mbi veprën e Kohlit

Vetëm një vit pas humbjes së zgjedhjeve dhe dorëheqjes së tij si kryetar partie u zbuluan parregullsitë me donacionet e partisë. CDU duhej të paguante gjoba të larta, Kohl u desh të largohej nga presidenca e nderit të partisë, ndoshta hapi më i hidhur i karrierës së tij të gjatë.