Paul Gauguin, një nga emrat më të famshëm dhe më çapraz të historisë së pikturës së shkullit XX

Më 7 qershor 1848 u lind piktori francez, Eugène Henri Paul Gauguin, u fik më 8 maj 1903 duke mbetur në kujtesën e historisë së pikturës në veçanti dhe artit në tërësi si një figurë qëndrore dhe paraprirës i Post-Impressionizmit. Te e vona, Pul Gauguin spikat për përdorimin eksperimental të ngjyrave që dallonin nga Impresionizmi. Në të gjallë, arti i tij, nuk ngasi dhe aq dëshirim. Nuk rroket prej admirimit dhe kërshërisë, kjo jo dhe aq për tipin dhe jetën e tij të trazuar, kacarritjet drejt majës së famës e rënkimeve në gropat e zeza të rrëzikut. Thonjtë e anatëmës do t’i mprehte; paraprirja, dalja nga rreshti, shkallmimi i traditës, trajtesa, pulsi dhe ngulmi koloristik, joshja tropikale e gjuhës lojcake të penelit, ngasjet dhe përzmilleku i traditës së krishterë me idhujtarisë polineziane.

Arti i Gauguin u bë popullor vetëm pas vdekjes, atëherë kur do ta rijetësonte përjetësia në ëndjen dhe amshtin e dëshirimeve që u kallën prej primitivizmit dhe dlirësisë së këqyrjes fëminore të botës, fal Tahitit, vendit ku do ta godiste prekja e fatit dhe famës. Ai ishte një figurë e rëndësishme në lëvizjen simboliste, si një piktor, skulptor, specialist i qeramikës, dhe shkrimtar. Ai ishte gjithashtu një ithtar i gdhendjes dhe punimit të drurit si formë e artit, si qasje mitizimi i një ndjesie të hodhë që jetësohet në trajtën e shugurimit dhe adhurimit të shënjtë.

Ai gjitherë u prir përnga një eksplorim i një realiteti jashtë korrnizës së rënduar dhe butaforike të jetës mondane, shtirjes dhe pispillosjes pariziene. Rendi për ta gjetur me doemos këtë ngasje harbimi të shpirtit të tij rebel, për ta bërë të tijën një jetësore që i kundërvihej jetës pariziane të viteve 1880.

Historia e artit struk në kujtesën e vet mbamendje të pamata të jetës së artistëve, veçantia e të cilave bën të dallojnë ata më të “krisurit”. Një nga emrat më të famshëm dhe më çapraz të historisë së pikturës është ndoshta pikërisht ai, Paul Gauguin. Së bashku me Cézanne dhe Van Gogh, përbëjnë trininë e shenjtë të pikturës moderne, doktrinën e idhujtarisë dhe ngashërimit kumtues. Cézanne do t’i hapë portat kubizmit të Picasso-s dhe Braque, Van Gogh do t’i jepnin rrugë Ekspresionizmit, apo më mirë të themi atyre piktorëve që binin pre e emocioneve, duke hedhur si të ishin duke punuar me kordhë me ngjyra mbi telajo, duke shprehur pikërisht shumë më tepër nga sa përshkruanin ndjenjat e tyre. Në të kundërt me këta, Gauguin do të jetë simbolist dhe primitiv, duke u hapur rrugë njerëzve si Matisse-i.

Ky piktor francez i lindur në Paris në vitin 1848, nga një baba gazetar dhe një nënë gjysmëperuane, na kandet me kumtin e tij artistik, në krejt lëvrimin pasionues të penelit të ndryshtë, ndoshta sepse paraqet ëndrrën e fshehur të çdo mashkulli perëndimor, të gufimit të çdo shpirti harbimesh dhe aventure. Është ai që dëshmon me jetën tij se si dhe sa vështirë është për t’i bëre bisht jetës rutinore, shkëlqimit verbues, normave strikte të shoqërisë, të braktisë shtëpi e katandi, apo jetën e përditshme dhe familjen e të fshihet apo të humbë në një ishull që gjendet kushedi se ku, atje ku liria, dashuria dhe seksi të ngasen si forma më sublime dhe më e dlirë jetësore, e çliruar dhe krahapur.

Paul Gauguin është ai, aventurieri dhe karizmatiku, shtati dhe shpirti i një vullnese që sakrifikohet për liri prej zogu. Historia e tij, e derdhur në tablotë dhe përjetimet e pikturave të tij të gudulisin fantazinë, duke na hedhur symbyllur në një botë erotike dhe ekzotike, në një të tashme shfrimesh të shpenguara dhe epshesh, atje ku jetohet përplot zjarr dhe pasion. E megjithatë, nuk e lëmë veten të gënjehemi nga ky personazh, që rrëfen se kërkon pastërtinë primitive dhe fëmijërinë e qytetërimit. Gauguin është një i përkëdhelur i Perëndimit. Rritet mjaft i llastuar nga gjyshi nga ana e nënës në Lima, në Peru. Kthehet në Francë, bëhet agjent i Bursës, në vitin 1873 martohet me danezen e varfër Mette Sophie Gad, me të cilën do të bëjë pesë fëmijë, fiton një mal me para, blen vepra të artit bashkëkohor. Pastaj, në vitin 1883 humbet thuajse të gjitha investimet e tij dhe vendos të bëhet artist. Kësisoj ndeshim te nevoja e prehjes së një shpirti. Ai kërkon të ndahet nga e kaluara, ta bëjë hasha me çdo çmim atë duke e lënë veten në duart e sentimenteve, në prehrin shkundullitës të një shpirti vërshues.

I kthen shpinën familjes, aspak zemërthyer, pasi vetja dhe shumëçka, ndoshta dhe fati, nuk kishin kohë ta ledhatonin sedrën dhe sentimentet e tij. Kthehet në Kopenhagen, dhe i hipën anijes për në Martinikë, në kërkim të origjinës së botës, ndoshta jo tamam me misionin e një Kristofor Kolombi. Pikturon, punon, gjithçka dhe pandalim, por askush nuk do t’ia dijë për të dhe artin e tij “prej koti”. Me një mik piktor shkon në Panama, ku për dy javë e vënë të gërmojë atë që do të bëhet “kanali” i famshëm, gjë që e lodh shumë, derisa e pushojnë nga puna. Kthehet në Paris , ku si çdo piktor i asaj kohe që respektohet, jeton me mundime. Shkon në Bretanjë, ku pikturon gratë vendase me veshjet e bardha tradicionale. Rikthehet në Paris dhe takon Theo Van Gogh, e cili e bind të shkojë në Arles me të vëllain, Vincent, duke i ofruar gjashtë muaj të paguara.

Gauguin e pranon ftesën, por do të rrijë atje vetëm dy muaj, duke u zënë me Van Gogh nga mëngjesi deri në darkë, derisa Vincenti gjatë një zënke do të tentojë ta vrasë me thikë, me të njëjtin teh me të cilin pak orë më vonë do të presë veshin e famshëm, duke e lënë mikun të tromaksur.

Derimsot mbërrijnë edhe thashetheme që thonë se në sherr e sipër, veshin ia preu pikërisht ai, Gauguin. Sido që të ketë shkuar puna, simbolisti ynë ia mbath nga sytë këmbët nga Arlesi duke i dhënë fund kështu miqësisë me Van Gogh. Preferon të vuajë nga uria në Paris sesa të vdesë mes arave me luledielli, të cilat i përjetësoi në tablotë Vincenti. Në vitin 1889 bëhet pjesë e një ekspozite në grup në Caffè Volpini. Kritika e mbyt. Kurse ai vazhdon të këmbëngulë. Përqafon teknikën që u quajt “cloisonniste”, që me fjalë të thata është ajo e librave me ngjyrosje për fëmijë, imazhi ndahet në zona që duhet të mbushen me ngjyrë. Krijon një nga veprat e tij më të famshme: “Krishti i verdhë”, që sot gjendet në Albright – Knox Art Gallery të Bufalos. Gjithmonë në të njëjtin vit, Gauguin do të bëjë një autoportret në një qeramikë në formën e kanës, ndërsa e shoqja, së cilës nuk i dërgon më asnjë kacidhe, do të mendojë njëherë e mirë se atë e kanë lënë trutë. Edhe miku i vet, artisti Schuffenecker, që deri në atë kohë me shumë bujari i ka hapur derën e shtëpisë, vendos ta dëbojë.

Tashmë pa miq, i pakuptuar dhe i zemëruar me Evropën, përshëndet për disatën herë të shoqen, duke i premtuar se do të kthehet i pasur dhe i famshëm, i bindur se gjaku dhe shtresimi do ta ushqenin me jetësore këtë bimë andrrimesh. Niset në ditën e parë të prillit të vitit 1891, për në detrat e Jugut. Arrin në Tahiti, të cilin e gjen ndërkaq paksa të shkatërruar nga turizmi i kolonëve francezë. Zë miqësi me mbretëreshën e Maorëve. Gauguin është një lloj përzierje mes një Robison Crusoe dhe një Carravaggio të Paqësorit, me ngjyrat e tij të forta dhe sensualitetin e trupave të modeleve njomëzake vendase e që mesa kuptohet nga ditarët e tij nuk binin dhe aq pre e lakmisë së tij prej maçoje latin. Primitive ndoshta, por budallaqe jo dhe aq.

Gjatë qëndrimit të tij në Tahiti, me Parisin përjashtues në mëndje dhe braktisjen në zemër, gjen forcë dhe ndoshta për të kompensuar boshin që po i merr frymën, i jepet  me mish e me shpirt punës. Zhytet kokë e këmbë, mish e shpirt në legjendat vendase dhe përzien imazhe të besimit të krishterë me idhujt polinezianë, duke sprovuar sakaq se deri ku mund ta gjuaj ky guxim, sa larg e lart mund ta hedh kjo qasje ngulmëtare ndryshesash dhe prurjesh të panjohura asokohe në art.

Pas tre vitesh larg nga shtëpia, nostalgjia fillon të ndihet dhe ai riatdhesohet me shpenzimet e qeverisë franceze. I rikthyer në qytetërimin e kafeneve dhe bulevardeve, pa pasur as edhe një kacidhe në xhep, mjeshtri i detrave të Jugut pritet si mbreti i artistëve simbolistë. Në nëntor të vitit 1893, galeria Durand -Ruel i kushton një ekspozitë personale. Duke mos dashur t’ia dinë për lagështirën e vjeshtës, vizitorët e ekspozitës do të mbeten të magjepsur dhe të ngrohur nga ngjyrat tropikale të telajove të ekspozuar. Megjithë suksesin e publikut dhe të kritikës, nga 44 pikturat e ekspozuara vetëm 11 do të shiten. I kënaqur, por jo shumë, përpara se të vendosë të mërgojë përgjithmonë, Gauguin-i, që ndërkohë ka marrë një trashëgimi të vogël, rikthehet në Bretanjë. Në Pont–Aven do të lërë pa gojë të rinjtë artistë të atyre vendeve, duke u treguar zotësitë e tij seksuale dhe do zihet me grushte me marinarët, që i thyejnë një kavilje.

 Përpos këtyre aventurave patetike, do të vazhdojë të punojë duke eksperimentuar në këtë periudhë teknikën e stampimit, për të cilën do të bëhet mjeshtër i madh. Por tashmë egoist dhe ëndërrimtar i pashërueshëm, artisti ynë nuk do ta durojë më as Evropën dhe as përgjegjësitë mikroborgjeze. Tregtarit të tij të ri, Ambroise Vollard do t’i rrëfejë se “gjithçka ndodh në përfytyrimin tim të çmendur”. Kështu në shtator të vitit 1895 do të rikthehet në Tahiti. Për fat të keq, sifilizi, SIDA e asokohëshme kishte nisur ta gërryej kurmin e tij. Në këtë gjendje persekucioni dhe lëngimi prej shëndetit ai kapet fort pas pasionit dhe ëndrrës së gjeniut dhe punon dhe vetëm punon.

Do të ishte viti 1901, kur ai mbledh forcat për ta hiqur zvarrë mishin e tij të molepsur, për ta larguar edhe më shumë nga shkëlqimi verbues i qytetërimit, për ta lëshuar veten në një nga ishujt markezë, ku në vitin 1903 do të vdesë në një mënyrë jo shumë dinjitoze, me mohin e një varrim të krishterë, kjo ngase ai kishte gjetur arsye të bëntë ndoshta armikun e tij të fundit peshkopin vendas, i cili e dëboi pa i dhënë shansin të takohej me Shën Pjetrin, të kridhej në flakët e ferrit. Ai erdhi dhe iku si Paul Gauguin.

Shkrimtari Somerset Maugham do të rrëfejë jetën e këtij piktori të çuditshëm në një roman tepër të bukur “Hëna dhe gjashtë paratë”. Ne, nëpunësit e ngratë të civilizimit e të konsumimit, përmes pikturave të Paul Gauguin-it do të vazhdojmë të ëndërrojmë arratinë. Në mos deri në Tahiti, së paku në bregdetin më të afërt, ku dallgët të ledhatojnë me egërsinë e pafundësisë dhe vetë pafundësia të josh me epshin e përfytyrimeve përjetuese.

Artikuj të ngjashëm