Nuk e ka prekur dritë më e magjishme gjoksin e një gruaje sesa petalet e duarve të foshnjës kur ushqehet

Vetëm një nënë mund ta ndjej aq thellë dhimbjen e një gëzimi që e shpon ndërsa ajo është zgjedhur të jetë gjithësia në një jetë, jeta e gjithësisë në një prehër, prehri i botëve në përjetësinë e një përjetimi që prek zenitin. Vetëm ajo e ndjen ritmin gjëmues të krijimit të jetës në trupin e saj, vetëm në gjoksin e saj mund të matësh pulsin e përtëritjes dhe jetësimit në çdo mrekullim; të vuajtjes që e bën heroinë, zemërthyerjes që e shndërron në perëndeshë.

Është më i magjishmi moment që mund të zbres në kraharorin e një gruaje, ai i fëmijës kur pi gji, ai kontakt fillues i marrëdhënies së tij me botën, ai prehër që e prek, e pret dhe e mban, në mish e në shpirtë, në sy dhe në zë, në gjithçka që pikon si dritë e vezullin si diell për të ndritur ditët dhe netët, për të ngrohur gjakun e për të shndërruar gjithçka në këtë gjë kaq sublime, në bekim.

A ka diçka më mallështore, me e hyjshme, më magjepsëse, më delikate, më rrëzellitëse, sesa prehja mëkuese e një foshnjeje në gjoksin e një nëne.

Nuk e ka prekur dritë tjetër më e magjishme gjoksin e një gruaje sesa petalet e njoma të duarve të foshnjës. Jo, tjetër buzë nuk e kanë ndukur jetën dhe kthjelltësinë sesa buzët e tulta dhe ngulmi hyjnor i fëmijës për të pirë bashkë me tamlin jetëdhënës, vetë dritën e këtij dielli që e mban atë në prehër, e struk atë nën pendët e kujdesit dhe e mbulon më ëndje dhe puthje.

Ti grua, që ke mbërritur yllin e nënës, krejt qiellin shpalon me duart e tuaja, krejt dëshirimet në bekime që flatrojnë më zërin dhe shikimin tënd, zotëron. Botën ke në duar, bota është dora jote, përjetësia është vullneti i lutjes tënde të gjithmonshme.

Ti nënë, ti grua, ti engjëll, ti e bekuar Shën Mari!

Lutu ti për ne, shpërblehemi ne prej këtij shenjtërimi.

AV

Artikuj të ngjashëm