Nata e fundit e Sokratit dhe dita aguese e një përjetësie të mendimit dhe të vërtetës filozofik

Ishte prilli i vitit 399 përpara Krishtit. Filozof Sokrati ishte shtrirë brinjas në shtratin e drunjtë në shpellën – burg të Akropolit. Kjo shpellë ishte streha e tij e parafundit. Tek hyrja e shpellës qëndronin rojat, rrotull – miqtë e tij, lejuar të hynin pas një dhurëtie monedhash të vërteta rojeve. Sokrati ishte dënuar me vdekje përpara dy javësh nga gjyqi i Bashkisë së Athinës. (Kjo bashki e nderuar do të zbulonte më pas intrigën dhe do t’i ngrinte Sokratit një bust me shpenzimet e saj. Pra: Na falni për gabimin e pafalshëm).

Foli Sokrati i madh e i gjorë se ishte i pafaj por nuk e dëgjoi njeri. Jo vetëm paditësit e pafytyrë, por edhe hordhia e gjykatarëve, ndoshta edhe turma përtej sheshit, ndjenin kënaqësi që po çonin në botën tjetër njeriun më të ditur të kohës, qytetarin që rrezikoi sa herë veten për ta si ushtar i thjeshtë.

Atëhere ishte gjetur mënyra gati natyrore e vdekësimit me pluhurin helmues, që ta ngrin trupin ngadale, të dobëson zemrën dhe rrahjet e pulsit, deri sa njeriu shuhet. Do të vdiste nga helmi, doemos. Do ta pinte vetë apo do t’ia jepnin me zor, kjo ishte çështja. Ai që e pinte vetë, quhej trim e hero. I tillë qëlloi Sokrati, më saktë: vetëm ai. Miqtë rrotull, burra të rritur, qanin. Lotonte edhe shpella primitive. Sokrati mundohej t’i qetësonte siç qetëson prindi fëmijët a mësuesi nxënësit.

Shpella, si goja e e qënieve mitologjike, e kishte përpirë të tërin, në emër të ligjit. Në këtë shpellë Sokrati ndjehej njëlloj si Euripidi në Eginë, në shpellën e vet, ku shkruante në vetmi dhe heshtje tragjeditë tronditëse. E kishte parë aq herë së largu, por nuk i pati shkuar ndër mend ta vizitonte më parë këtë shpellë, ashtu për qejf.

Ai dhe miqtë prisnin ditën dhe orën e ekzekutimit. Si na thonë historianët, ekzekutimi po shtyhej për shkak të vonesës së anijes që Athina dërgoi në Dilos për nder të Apolonit, ditëve të festës për të. Pa u kthyer anija, nuk mund të dënohej me vdekje askush. Sepse quhej fyrje për të gjithëshkëlqyerin Apolon dhe njollë për një Athinë që qeverisej me ligje.

Ta shikoje Sokratin me kujdes, ngjante si dem e jo filozof i zgjuar e njeri me humor. Dikush tha se pushtetarët mund ta kishin falur, nëse në fjalën e mbrojtjes nuk do të kishte përdorur atë të flamosurën ironi…

Në kanunin e popullit fqinj arriti më pas proverbi “Fjala nuk ban mort”, por ja që bëka edhe ajo. Jo fjala e tij, por fjala vrastare e kundërshtarëve. Shpëtoi nga kolera por jo edhe nga ligësia. Kishte nisur të vepronte neni i stërlashtë “Për agjitacion dhe propagandë”…

Tani priste kthimin e anijes dhe vdekjen. Kishte kaluar në jetë edhe ditë më të vështira: pa dritë, pa ujë, pa miq, pa dikë me kë të këmbente dy fjalë. Tani miqtë kishin ndezur një zjarr të vogël me kashtë e karthje. Tymi i kashtë-karthjeve dëbonte sadopak mushkonjat që prilli i kishte shumuar. (Kishin marrë leje nga rojat për atë zjarr të vobekët).

Ditët ishin të gjata e të lodhshme. Miqtë vejevinin si me turne, që të mos e linin vetëm asnjë çast. Por edhe vetë kishin nevojë të shlodheshin pak. Verën dhe tryezën plot të mira i kishin lënë mënjanë. Zemrën dhe gojën e kishin të hidhur. Ndjenin turp më shumë se keqardhje. Ia vlente të bënin çdo përpjekje për ta shpëtuar, të korruptonin rojet, të përmbysnin ligjet, të shkatërronin vetë tribunën e gjyqit me gjithë ata që vulosnin fatin e njerëzve. Por vendimi i tyre ishte njera anë e së keqes. Edhe më i papranueshëm u dukej vendimi i Sokratit për të mos kundërshtuar dënimin me vdekje. Nuk pranonte kurrësesi të arratisej, të shpëtonte lëkurën, se do të humbte nderin dh do t’i bënte shërbimin më të keq shoqërisë për të cilën militoi. Më mirë se rojat shpellën e ruante ai, dmth. ruante vehten.

Gjithë jetën ishte ushtruar fizikisht e mendërisht. Ushtrohej përditë në palestër dhe kishte një fizik të fuqishëm, falë të cilit nuk pësoi gjë nga kolera që bëri kërdinë në Athinë. Ushtrohej përditë si të përballonte jetën (dhe vdekjen nuk e mendonte). Por, sado ta njihnin së jashtmi, nuk e kuptonin së brendshmi. Për njerëzit ai mbetej gjithësesi një tip i çuditshëm. Se edhe mjaft gjëra të çuditshme fliteshin për të.

Sipas Gigonit, i përshtatej çdo gjendje e rrethane pa e prishur gjakun. Sillej gati njëlloj si në kohë paqe, dhe në kohë lufte, si në kohe begatie, dhe në kohë skamje. Dinte të qëndronte në dimrin e ashpër por edhe në vapën e padurueshme. Ishte i patrandshëm, thua se enkas për të ishte krijuar fjala ataraksi.

Thonë se kur i çuan lajmin e vdekjes së djalit të tij Sofronisko, ai vazhdoi të fliste që të përfundonte dialogun, dhe u përgjegj: “Le të shkojmë, pra, dhe t’ i japim Sofroniskos sa përcakton ligji”. Kështu thuhet se foli atbotë Sokrati.

Erdhi gruaja me djalin, Ksanthipi e famshme. Gruaja e dytë, e reja, Mirtoja, nuk erdhi. “Sokrat, po të dënojnë pa të drejtë!”, i tha Ksanthipi dhe u shkreh në vaj. “Pse, prisje të më dënonin me të drejtë?”, iu përgjegj Sokrati. I fërkoi kokën djalit, shtrëngoi në gji Ksanthipin dhe i përcolli deri në hyrje të shpellës. Pra: Ía falni, o popull, edhe për lotët e Ksanthipit e të djalit!

Nuk mund të thoshje se nuk e kishte dashur fare Ksanthipin. Fëmijët i kishte kujdesur por pak, edhe pronën, një copë tokë me disa rrënjë ullinj. Gruan e dytë e mori se ashtu u tha e duhej bërë pas kolerës që kositi Athinën. Jo, jo, nuk mund të thoshte askush se Ksanthipin e tij nuk e kishte dashur. Ishte një filozof autodidakt, pa kaluar nëpër bangat e shkollës, dhe një ditë u bë mësues i të shkolluarve. Edhe Ksanthipi pa shkollë ishte dhe pa shkollë mbeti, por pa atë Ksanthip nuk do të kishim patur Sokrat.

Duke ia njohur asaj këtë flijim të imponuar, dhe për të nxjerrë jashtë një brengë që e mundonte, Sokrati ngriti zërin e tha:

Mjaft e shatë dhe përgojuat atë grua, o llafazanë të të gjithë kohërave! Dhe kur e quajta fisnike Mirtonë, e bëra jo se ishte i pasur babai i saj a gjyshi, Aristidi i Drejtë, por sepse ajo ishte e miredukuar.

Sokrati i thoshte nxënësit të vet Antistenit:

– Shumë gjëra do të mund të prisnim prej grave po t’ i edukojmë siç duhet.

– Atëhere, pse u martove me Ksanthipin, që është e pashkolluar dhe e pagdhendur?

– Sepse kalërim të mirë mëson jo në kalë të butë dhe të urtë.

Por kalërim të këndshëm ai pati edhe me Mirtulen e butë dhe të urtë:

“…u martova së dyti, gjashtëdhjetëvjeçar dhe katana, me Mirtulen, mbesë e Aristidit të Drejtë, shpirtmirë si gjyshi i saj e njomështake e padalë, që kundërmonte qumësht. Dhe, duke nisur jargavitjet me kaprollen, i bëra pa siklet dy fëmijë – dhe, madje, djem! Dhe nuk u ktheva të shikoja kurrizdalen Ksanthipi. E ajo bëhej bishë, i shkulte flokët përdite, e çirrte, e linte pa ngrënë përditë fatkeqen vajzë. Dhe unë nuk pipëtija!…Kështu u vyshk e u tret në këmbët e saj dhe u shëmtua. E braktisa, pra, edhe atë – nuk më tërhiqte më.

…Kam sigurisht faj edhe unë, por ka faj e tepër edhe ligji, që na vuri të marrim një grua të dytë, që t’ i japim atdheut ushtarë. Krijesat fatkeqe! ”

Nuk mund t’i ndante nga njera – tjetra edhe kur ziheshin…

Të falënderoj, Ksantipi, që mbajte shtëpinë me tjonj e me dhëmbë. Ju falënderoj, o miq, që na dërguat ushqime herë pas here. Dhe ty, Alkiviad, mirë ta bëri që e flaku tej ëmbëlsirën që i çove. Kujtove që dhe të shtëpi të Sokratit e të Ksanthipit mund të mbaheshe më të madh si gjeneral!

I kishte mbetur përgjysëm biseda për pavdekësinë e shpirtit. Temë e madhe jo shaka. Dy javët e qendrimit në shpellë i kishin dhënë mundësinë të thellohej, ta përsoste teorinë e tij, që pastaj e mori dhe e madhëroi Platoni. Tani, me ardhjen e miqve e në dialog me ta, po e përfundonte shtjellimin e temës. Edhe ata ishin të etur t’i shkonin temës deri në fund, mendonin për pavdekësinë dhe e dëshironin atë, por Sokrati ua prishte humorin dhe idenë e mirë që kishin për veten. Ai ngulmonte se vetëm një shpirt vërtet i pamolepsur kishte të drejtën e përjetësisë. Ja, edhe këtu, miqtë e tij më të mirë a nuk e prishën ndërgjegjen ca më parë kur i thanë t’ia mbathte si cub e të bëhej ikanak? Ai nuk iku në fushën e betejës, përkundrazi, të tjerët ia mbathën kur e panë përpara si dem të egër. Njeriu për një nder rron, thotë një fjalë e urtë. Se atje ku të shkonte do të quhej me nderin të humbur. Pra, të mos e gënjejmë vehten, sepse vetëm atë nuk mund të gënjejë njeriu.

Jo për ego, por vetëm për hir të pastërtisë (së idesë etj.) Sokrati tregohej i palëkundur për veten dhe i pamëshirshëm për miqtë. Ngjante si roja në dyert e përjetësisë (nuk themi të parajsës, se ndoshta kjo nuk ishte shpikur ende). E ruante portën (shtegun) e kalimit në përjetësi dhjetë herë më mirë se rojat gojën e errët të shpellës. Sokrati ishte i bindur se asnjë i padenjë nuk duhej të kalonte në përpjetësi! Jo se ashtu dëshironte ai, por sepse ashtu urdhëronte vullneti hyjnor. Ata e vështroni me keqardhje për veten, me grimasa lutëse, thua se Sokrati ishte vetë Shën Pjetri me çelësin e rëndë e magjik të Parajsës në duar. Për vete Sokrati besonte me gjithë shpirt se do të kalonte në përjetësi. Jo se ishte filozof e Platoni thoshte se vetëm filozofëve u takon përjetësia, jo. Shumica e filozofëve këtu nuk janë gjë tjetër veç tregtarë dokrrash, që nuk të thonë as edhe një fjalë pa i paguar, madje, paraprakisht. Janë frymorë që, në vend t’i ndriçojnë, i qorollisnin njerëzit, duke i zhytur në një errësirë më të keqe se padija. Atij, mendonte, i takonte përjetësia sepse, së pari, kishte bërë një jetë ndershme. As të holla u merrte nxënësve as dredhi u mësonte por vetëm të arsyeshmen dhe urtësinë. Se urtësi e trimëri për të ishin e njëjta gjë, ushqenin njera – tjetrën. Dhe qysh u bënë të mirë gjithata nxënës të një mësuesi të keq siç na dalkesh sipas pulastreni Anitos? Po: “Rrite gjarpërin, të të hajë kokën!”.

“Dëshmi se mundimet e mia nuk shkuan humbur a nuk ju duhet fakti se shumë bashkëqytetarë që kërkojnë virtutin, por edhe shumë të huaj, me mua kërkojnë së pari të takohen e shoqërohen? Kujt i dedikohet fakti që, ndërsa të gjithë e dinë se nuk kam shumë të holla që t’ ua kthej, megjithatë, kanë deshirën të më dhurojnë diçka? Përsëri faktin që, ndërsa askush nuk më kërkon t’ ia shlyej bamirësinë, shumë rrëfejnë se më kanë borxh mirësi?” 2). “Të duket, pra, e çuditshme që, ndërsa në gjithë veprimtaritë e tjera, më të mirët jo vetëm nuk kanë të njëjtën pafatësi, por u bëhen nderime më të mëdha se te tjereve, unë, që disa më cilësojnë më të mirin përsa i përket së mirës më të vyer tek njeriu, arsimi, pikërisht për këtë shkak përndiqem gjyqësisht prej teje dhe gjendem përballë dënimit me vdekje?” 3).

U mbush me frymë dhe vazhdoi:

Ju çarmatosa të dyve atje, ti Anitos, poetuc, ish nxënësi im, dhe ti, Melit, politikan e regjës lëkurash! Ju çarmatosa si kundërshtarët në fushë e betejës, ku u shpëtova jetën gjeneral Alkiviadit dhe një Ksenofoni, që ka emrin e historishkruesit. Po trupi gjykues nuk kishte veshë të dëgjonte, madje, më vuri përballë Kritiasin e fuqishëm, i fuqishëm më shumë si pushtetar sa sa si gojëtar. Kurse unë nuk pranova Fjalë-mbrojtje të shkruar, as nga mendja e dora mjeshtërore e dikujt. Jo se nuk ma mbushnin mendjen, por e quajta të panevojshme, gati burokraci. E njerëzia do të thoshnin se Sokrati, që mbajti edhe disa fjalë publike, do të lexonte ashtu një fjalim të porositur, të blerë, edhe sikur atë të ma bënin falas. Nuk ma merrte mendja, o dashamirë, që puna të shkonte deri atje sa të më jepnin helmin e bekuar. Ndokush më qorton edhe tani pse u tregova i çiltër dhe nuk mora masa të tjera, qofshin këto edhe shenja pendimi të rremë ose lajka. Nuk mund të sillesha ndryshe, nuk di mjeshtëri të tilla, nuk i mësova dot. Dhe u besova llomotitjeve për lirinë e mendimit…

Vërtet, Melit, përse kërkove të rrjepësh edhe lëkurën e Sokratit? Po ti, dështaku Anitos, mendove se do të pasuroje krijimtarinë me një tragjedi të gjallë – vdekjen e Sokratit?

E di, o zotërinj gjykatarë, që nuk ma falni qëndrimin që mbajta ndaj gjeneralëve dikur. Edhe atë sjellje pagova tani që gjetët rastin. Atëhere më erdhi radha të drejtoja Kuvendin e Athinës dhe nuk u tuta pse kisha përballë shumicën, iu kundërvura manipulimeve të Tiramenit, u përballa me oligarkët që hynë të armatosur të na diktonin vullnetin e tyre. Unë e kundërshtova dënimin me vdekje për gjeneralët fitimtarë në betejën kundër spartanëve, por që lanë pa mbledhur nga deti kufomat e të vrarëve, gjë që ishte e pamundur për shkak të dallgëve. E kundërshtova dënimin e rëndë se nuk ishte i drejtë. Kjo ndodhi në në vitin 406 P. E. R. Kurse tani, për veten time, nuk e kundërshtova shumicën, pranova dënimin me vdekje si shprehje e vullnetit të saj. Vendosi vota e shumicës. Dhe jo se nuk i bihet murit me kokë, siç thonë, por u binda sepse respektoj ligjin, shtetin ligjor. Ndryshe, si do të mbahet në këmbë qytet shteti ynë dhe demokracia? Quamëni, në daçi, dëshmor të demokracisë, por mos e shpërdoroni për qëllimet tuaja shprehjen “Në emër të popullit”. Se populli shpesh bën gjumë të thellë, nuk di gjë, ose është i llahtarisur.

U duk se në gjyq gjithçka u zhvillua në rregull. Secili hidhte votën në kuti. Votimi u përsëdyt, sepse peshorja mbeti pezull. Po nga ta dimë se në votimin e dytë disa nuk u cytën e morën mitë nën dorë? Nga ta dimë edhe se kur merrnin paraprakisht shpërblimin si mëditje, nuk u kishin pëshpëritur në vesh qysh ta hidhnin votëzën, që ishte një rrotkë me vrimë? Íuk kishte fakte por vetëm hamendonte rreth mundësisë së ndotjes së ndërgjegjes apo të kutisë së votimit, të ndryshimit të përfundimeve nga prestigjitatorët e stërvitur. Pastaj, ku e mësuan drejtësinë e madhe përfaqësuesit e lloj – lloj fiseve, që zgjidheshin me short e me këmbim përvit, madje një herë në gjashtë muaj? Á mund të vendoste për fatin e një njeriu mendjenditur një rritës derrash? Në fazën e dytë të votimit, brenda po asaj dite, u shtua numri i rrotkave me vrimë. Dhe në anën tjetër të peshores, krahas “kokëfortësisë”, rëndoi edhe shpërfillja e tij ndaj vdekjes.

“Një vdekje ka njeriu” – mirë e the, Sokrat. Por, përpara vdekjes, kemi një jetë, o Sokrat. Po, një jetë ka njeriu, por edhe pema, miza dhe vetë toka ku bujtim. Puna është ta pranojmë, madje, ta caktojmë vetë vdekjen kur ajo na takon. E ta përqafojmë si një mikeshë të vjetër. Sepse t’i e pranove atë pa të takuar, pa e merituar, përkundrazi. Kjo na bën të çmendemi, na vdes me zor. A nuk mund të ishe ca më i butë me ne të tjerët? Mirë, le të mos na jepet përjetësia e shumëlakmuar, por të paktën, mos na shiko si keqbërës të rëndomtë. Njerëz prej mishi e gjaku jemi (harruam kockat!) nuk jemi gjysmë perëndi e aq më pak perëndi. Perënditë e Olimpit nuk i pamë, por ti je shkëmbi i gjallë olimpik. Na i fal dobësitë, o Sokrat.

Sokrati, si të kishte kuptuar mendimet e tyre, tha: “Mos u ligështoni, hej burra!”. Ndërkohë ziente përbrenda kur mendonte se plot monedha kallpe donin të kalonim për flori safi. Mëtonin që edhe çorapet e palara të tyre të ruheshin e të vitrinoheshin në muze. Madje, edhe pordhët që lëshonin udhës a nëpër tubime, të ruheshin si muzikë hyjnore për pasardhësit. E ai nuk i fiksoi kurrë në pergamenë mendimet e veta, ashtu si zogu që nuk don t’ia dijë sa këngë lëshon në ajër tek shkon. Nuk e hëngri meraku ç’do të bëhej me filozofimet e tij më pas. Aq më pak kërkoi sekretarë e kësisoj siç bënin ca kolegë që u kishte hipur mendja mbi flokët. Veçse të gjitha mendimet ia kishin shënuar: Platoni në gjyq, Kritoni e Fedoni më pas nëpër bashkëbisedime, deri në buzë të varrit. I prisnin nga goja e tij fjalët si vezën e artë të gjysmagjelit në pëllëmbët e hapura. Ato do t’ ia përcillnin nesër Athinës. Do t’ i lexonin dhe ata që e dënuar me ligësi. Ishte gjithësesi një ngushëllim për plakun. U ishte mirënjohës djelmoshave. Por këta, miq të vërtetë, besnikë deri në fund, edhe pse kaq afër, tani i dukeshin të largët, gati jetimë. Jetime i ngjante edhe Athina, fatkeqë banorët e saj. Athinasit, që besonin se ishin të lindur për t’u ndriçuar vetëm nga mesazhe të epërme, hyjnore.

Nata po rrëshkiste mbi male dhe ai ende nuk kishte mbyllur sy. Dialogu e kishte lodhur, por vazhdonte të mendonte. Pyeti dhe mësoi se anija e dërgatës së kultit të shenjtë ishte kthyer nga Dilosi. Deti ishte qetësuar dhe ajo, më në fund, u kthye. Ditët e pritjes i kishin krijuar një lloj ankthi. Jo ankthin se po afronte dita për t’ u ndarë nga kjo botë, por pse po vonohej anija! Donte të merrte sa më shpejt fund kjo farsë. Nuk i kishte pëlqyer kurrë komedia. Jo se dikur e përqeshi aq rëndshëm e pa të drejtë Aristofani, por se komedia i duhej si një gjellë për gra. Donte tragjedinë dhe përlavdëronte Homerin. Tragjedia ishte krijuar për burrat.

Sokrati mbante në dorë kupën me helm dhe e pyeti shërbestarin a e kishte trazuar mirë. “Trazoje edhe një herë”, i tha, që të bindej. Një njeri me të tillë gjakftohtësi nuk mund të quhej normal.

E kishin shtyrë dy javë ekzekutimin, jo për hir të Sokratit por për nder të Apolonit.

Përse nuk më ekzekutuat në piskun e festës së Dilosit, apo donit të ruanit të dlirë pamjen për sytë e drétëshkurtërve?

Vërtet, o Apolon, atje ku je e nëse je, a të duket përsëmbari vrasja e një burri si unë nga turma që mëton se është kampione e qytetërimit? A nuk është kjo një vrasje idioteske për Athinën, për ty vetë dhe për diellin që ndriçon botën? Harruam lehtë se ti e soji yt olimpik jeni farë njeringrënëse, keni fytyrë njeriu por kjo është vetëm një maskë përbindshash.

Po ti, o perëndesha mbrojtëse e qytetit, Athinaja me peshoren e artë në dorë, nuk pate kohë të shikoje atë panair marrëzie? Ñër Orestin mëmëvrasës gjete kohë e rast ta mbroje nga mëria e Apollonit, por tani mbase the se nuk ia vlente të merreshe me një plak si unë. Të merreshe, të merreshe jo me mua por me drejtësinë që thua se mishëron.

Mos nuk ishin të kënaqura zotat e Zeusi prej meje, se nuk u bëra më tepër flijime (që, gjithësesi, nuk ishin më pak se ato të mjaft qytetarëve të nderuar) e ndaj sot më duan kurban mua vetë? Nderimin njerëzor ju e matkeni me sasinë e gjakut që derdhet nëpër blatime. Gjykatarët dhe paditësit thanë se ju vura në dyshim, o zota të gjithëfuqishme, dhe unë i kundërshtova për hir tuaj (mbase dhe për hir të së vërtetës). Kurse ju më tradhtuat… Për besë, ndoshta këtu paditësit kishin ca të drejtë.

Nata po tërhiqej dhe mendimi i Sokratit bëhej më i kthjellët:

Tani nuk kam kohë të pendohem. E përse, pse bëra jetë të ndershme? Sokrat isha, Sokrat jam e Sokrat do të mbetem. Por ju, po vijuat kështu, vetë njerëzia do t’ ju zbresë nga froni.

Më thanë se prirem ndaj diturisë së lartë, se dua të hyj në sfera të ndaluara për vdekatarët, por them se një jetë nuk isha më shumë se një mësues fshati, që e di mirë se, sado shkolla të hapen, populli ka gjithnjë nevojë për abetare. Populli them, jo thjesht e vetëm fëmijët e klasës së parë. Më damkosën si mendjemadh, duke më e ngatërruar edhe me sofistët. Por e dëgjuat dhe vetë, o burra athinas, se vetë fatthënësi i Delfit ka thënë se jam më i dituri i njerëzve, që unë nuk e besoj se jam vërtet. E kur thashë “Kam vetëdijen e të pamësuarit tim”, e besoja dhe e besoj. Se qysh u futka në kaplloqen e një njeriu gjithë gjithësia? E tërë Athina e di thënien time “Di një gjë: që nuk di asgjë”. Dhe, nëse dua ende të jetoj, më tepër për hulumtimet e mia them.

Më hidhëruat e më helmuat, por mos kujtoni se po largohem nga kjo botë pa i shijuar të mirat e saj. Askush nuk e jetoi jetën më mirë e më këndshëm se unë. Pata privilegjin të merrem me atë që dëshiroja: diturinë dhe filozofimin. Gjysmën e athinasve i pata miq. Shëtisja në Agora por edhe lëndinave deri përtej në Ilisia e Qifiso, mes gjelbërimit e freskisë, vetëm apo me djelmosha të hijshëm. Shijova verërat dhe mjaltët e Atikës, por ju e dini sa i përkorë isha: nuk e tepërova dhe nuk u deha kurrrë në simpoziumet ku të tjerët villnin poshtë tyezës. Dhe nuk jam mosmirënjohës ndaj teje. Të falënderoj, Athinë, për gjithë sa bëre për mua. E nuk bëre pak. Shërbimet e tua ndaj meje ishin më të mëdha nga dëmi që po pësoj. Isha qytetar me të gjitha të drejtat. I nderuar, edhe pse thashethemnaja më rrethonte si mjegulla e mëngjesit. Por dielli i së vërtetës e treste shpejt mjegullën dhe unë ecja me kokën lart. Më ngrite edhe në ofiqe, që të drejtoj e të gjykoj për punët e përbashkëta. Më dhe mundësinë të mësoj e stërvis një varg djelmoshash që u bënë krenaria jote. Ti ishe dashuria ime më e madhe, pas filozofisë. U përpoqa të gdhend e lëmoj një nga gurët e faltores sate. Faleminderit, Athinë, mëma dhe njerka ime!

Athina nuk matej me sasinë e njerëzve të saj, me sa ishin pro e sa kundër. Nuk donte të mendonte për ata që i bënë keq, por dukej se nuk i kishte larë ende hesapet me ta:

Nuk ma falët pse isha një këmbëzbathur që arrita të hyjnë sallonet tuaja, madje, disa e kishin dhe e kanë për nder për afërsinë e miqësinë me mua. E nuk thatë asnjë fjalë për Aspasinë, gruan e Perikliut, që ky e mori nga rruga dhe ajo shkroi mjaft fjalime të tij. Ishte heterë, grua publike por e zonja, dhe unë kisha miqësi të çiltër me të. Nuk e shaj as atë as të tjerat, madje, i kam vlerësuar më shumë se ca që shkojnë bëjnë qejf me to e pastaj pështyjnë. Pyesni më mirë Teodotën për këtë gjë. Ato nuk dinë të shtiren, të dalin me dy fytyra, madje, përpiqen të zbusin natyrat tuaja të egra.

Duke dënuar Sokratin, kundërshtarët e tij kishin dënuar Athinën, që do të paguante haraç për shumë kohë.

Ishte bir i një mamie dhe një mermergdhendësi. Për veten thoshte se ishte mami e mendimeve të të tjerëve. I ndihmonte që mendimet të lindnin me më pak dhimbje. Mësoi mjeshtërinë e babait, por nuk mendoi përmendore për veten. Gdhendi për të tjerët. Gdhendi dhe koka plot gdhënj. Dhe atje lart, mbi kapitelet e Partenonit, është edhe një skulpturë e tij, e periudhës kur ushtroi profesionin e babait. Anonime, por e dinë ata që lartuan faltoren.

…Zjarri përdhe ishte shuar. Miqtë nisën të dremisin, kur nga gryka e shpellës nisi të shquante qielli blu i Atikës. Atëhere Sokrati u ngrit e tha:

“Le të bëjmë detyrën tonë, të pijmë me fund kupën për shëndetin e drejtësisë!”.

1,2) citohen sipas librit “Apologjia e Sokratit” i Platonit.

3) citohet sipas librit “Apologjia e vërtetë e Sokratit” i Kosta Varnalit.

Përkthimet janë të autorit të rrëfimit