Çfarë do të më pëlqente tek një femër ose çfarë do të më shndërronte në një shpërthim drite?

Të gjithëve një zog ëndrrash na merr në fluturim për të na çuar atje ku askush nuk ka mundur ta prekë me krahë as me përfytyrim, e na zbret në një tokë të ndaluar për të na treguar cakun e fillimit të botës dhe pragun e çdo dhimbjeje që e shndërron qenien tonë në një krijesë mitologjike të mbetur pa emër dhe pa altar, por me një forcë shndërrimesh dhe përsosjesh, me dashurinë, atë gjendje që na tregon misterin e jetës, atë aftësi perceptuese që na vesh me mish dhe na ndez me ndjesi, që na ushqen me qiell e na mëvetëson me tokën, atë që na tregon ritmin e gjithçkaje në çastin e shpërthimit.

Çfarë do të më pëlqente tek një femër ose çfarë do të më shndërronte në shpërthim drite?

Një përgjigje e saktë do të përftohej prej një kujdesi dhe kujtese për të profilizuar atë idealen e idealit të një ëndje, e cila kërkon të jetë gjithnjë e prekur prej magjisë së mrekullimit, kimi të cilën e përshpejton dhe bën vepruese në një proces krijimi, ajo, rruzulli i gjërave që bëjmë dhe përbëhemi.

Në atë që do të më pëlqente një femër fillimisht do ta ndaja në pëlqimin së pari dhe adhurimin së brendshmi. Një përzierje sipas një recete mitike, e cila qëllimisht ka mbetur e groposur në terrin e mosnjohjes, ndoshta për të zgjuar tek secili nga ne një ngjizje që na jep ndoshta jo gjithçka, por çdo gjë që do të na bënte të jemi të tillë, shëmbëllimi i përkryer i krijuesit.

Ndoshta një femër klasi do të ishte e denjë për kriteret e mia të pëlqimit, sjellja galante e së cilës do të përcaktonte normat e elegancës, finesës dhe një lloj droje si ajo e petaleve të lules kur shpalohet për të treguar me një madhështi solemne krejt atë bukuri dhe dehje, e njëherësh atë dëlirësi dhe delikatesë, karakteristike të themelta të bukurisë dhe adhurimit, marrëzisë dhe dëshirimit.

Zëri i saj. Një zë që ngjan sa me pëshpërimën e gjetheve, aq me këngën e bilbilit, një zë që derdhet prej buzëve të saj më shumë si melodia e një kënge malli, se sa si ligjërimit statik i një edukatori. Qetësia dhe maturia, përqendrimi dhe bashkëshoqërimi me vështrimin ngulmëtar, bëjnë që zëri i saj të trokasë në portat e dëgjimit siç troket një zog kur çukit syprinën e drunjtë, ku i kanë hedhur ushqim.

Ecja, ah ecja. Një hap që ledhaton ajrin dhe lëshohet si rrëke uji në ecje. Një shtat që ruan drejtpeshimin e bustit që anohet lehtazi prej krahëve që i jepen një ritmi, një lëvizje që i ngjan një ledhatimi i largët siluetash

Flokët, korniza e portretit, të ujët. Një masë e mëndafshtë që i derdhet supeve si një cohë e hollë përfytyrimi mjegullash që i palohen si ledhatim luginës. Mes atij zgjatimi fijesh nervore dhe ndjesish që e përshkojnë gjendjen e pezullt të portretit që gultaz vështron gjithnjë një heshtje që e godasin jehonat e zërave të kujtesës dhe pëshpërimat e hapave që e përgjojnë teksa ecën duke rrëzuar sytë në zhguallin e rrugës që i'a numëron hapat.

Sytë, porta nga hyhet në botën e thesareve të shpirtit. E ku ka më të bukur se sytë vezullues. Ata që shkëndijnë dritë aq fort sa nuk të japin asnjëherë mundësi të identifikosh se çfarë ngjyre kanë. Ata sy që kur të shohin të duket se të kafshojnë në vendet, ku ndjen më shumë dhe të ledhin në vendet, ku të dhëmb më tepër. Ata sy që janë mësuar të numërojnë yjet dhe gjithçka që dinë të shohin dhe të lexojnë më qartë dhe më mirë janë sytë.

Buzët, ata që të prekin me puthje siç dielli prek majepemët, siç rrezet shuajnë gjurmët e ndrojtura të vesës. Ata buzë që janë të endura prej llavave të vullkaneve që koha i ka groposur në varret e plagëve të tyre prej guri shkrirës. Ata që kur të prekin të përcjellin energjitë e diejve të botëve, e kur të puthin, ah kur të puthin, të ndezin zjarret e galaktikave e të hedhin tej në skajin më të largët të së panjohurës për të treguar matshmërinë e të mundshmes që shpon në çdo qelizë me stuhi rrufesh që netët kanë, netët e serta kanë parë me panik dhe frikë. Ato buzë që të kafshojnë e puthje në ëndrra e prehen si flutura në kraharor për të zgjuar brenda teje hovin e arrakatur të asaj fëmijërie që është strukur diku thellë brenda teje.

Balli, i menduar, i gjerë, i lëmuar si mermerët e statujave antike dhe i skalitur në çdo legjendë si syprina, ku përthyhen dritat më të ndritshme që janë parë me njeriun ë udhën e tij në iluzionin e jetës. Ai ballë, po ai ballë që kaq shumë e dëshiroj, ai ballë që shoh teksa shndërrohen në statuja puthjet e mia, ato puthje të befta e sublime, ato prekje të mishta që thyejnë mermere dhe nënshtrojnë kreshta.

E përsosura ndoshta e ka të ndaluar të jetë e aftë t'i dorëzohet një krijese tokësore, por jo të pamundur të shpengohet në hovin e përfytyrimeve dhe dëshirimeve, të mundshme që lartësojnë shpirtrat në qiejt e magjishëm të joshjes dhe mrekullimit.

Artikuj të ngjashëm