Shkrimtari i famshëm anglez, Wiliam Thackery tregon se si vdesin shqiptarët në Egjiptin e Mehmet Aliut

Një histori e denjë për romane, filma dhe çfarëdo forme tjetër shprehëse. Një aventurë e çmendur dashurie dhe adhurimi që sfidon vdekjen. Çdo trillim do të ishte i sfiduar nga kjo e vërtetë, nga kjo ngjarje që lidhet me shqiptarët. Shkrimtari i njohur anglez Wiliam Thackery, gjatë udhëtimit të tij në Kajro më 1844 (Notes of a Journey from Cornhill to Grand Cairo), na lë mbresat e një skene të jashtëzakonshme, e cila tregon për natyrën kryeneçe dhe herë-herë të mbrapshtë të disa shqiptarëve që pikaseshin atë kohë në gjithë Egjiptin. Madje Mehmet Aliu, arkitekti i Egjiptit modern, ndaj bashkëpatriotëve të vet kishte vendosur ligje të forta për t'i disiplinuar ata. Ja çfarë shkruan ndër të tjera ai:

Paja Jovanovic – Albanian of Montenegro“Një ditë më parë një nga anëtarët e ekipit tonë e kishte parë shqiptarin e vrarë në cepin e hotelit, në kohën kur po e sillnin një tufë ushtarësh, të cilët e kishin arrestuar. Gjithë lecka të grisura e me këmbët e lidhura, ai përpiqej të çlirohej. Trupi i tij i zhveshur që përdridhej, i ngjante një modeli mjaft tërheqës. Ky njeri, pak kohë më parë, duke shëtitur nëpër rrugët e qytetit kishte pikasur një grua të bukur dhe e kishte ndjekur atë. Duke ja mbathur vrapit, ajo ishte futur në një kazermë policësh që fatmirësisht ishte aty pranë. Por pa u trembur, shqiptari e ndoqi atë deri te policët. Njëri nga ata u ngrit dhe donte ta ndalonte, por ai nxori pistoletën dhe e vrau atë. Ai vrau kështu nja tri-katër prej tyre, deri sa më në fund kishin munduar ta mbërthenin. Arnauti e dinte se e priste vdekja, se nuk do ta shtinte kurrë në dorë atë grua dhe se nuk mund t'i rezistonte një gjysmë regjimenti policësh. Por ndjenja e fortë dhe instinkti i vrasjes ishin më të forta te ai. Në mëngjesin e ditës tjetër, ai e la veten qetësisht që t'i prisnin kokën, i rrethuar nga shokët e tij që kishin ardhur aty për të qenë të pranishëm. Ai as që shqetësohej nga vdekja, madje u gjunjëzua dhe gjakftohtë i la ata t'i prisnin kokën, sikur të shihte ceremoninë mortore të një tjetri. Sapo koka ra dhe gjaku vërshoi në tokë, një grua doli nga turma dhe filloi të përlyente trupin me gjakun e shqiptarit. Lyerja me gjakun e një vrasësi konsiderohej si një mjet shërimi për gratë që nuk lindnin. Por njëri nga shqiptarët që ishte ngjitur me të, iu drejtua asaj: “Pra ti e dashke gjakun? Pa të shohim sesi do të mpikset gjaku yt me gjakun e shokut tim”. Dhe duke nxjerrë pistoletën ai e qëlloi në vend mes gjithë atyre policëve që ishin të pranishëm. Sigurisht ata e kapën dhe të nesërmen edhe atij do t'i pritej koka. Do të ishte interesant të shkruhej një kapitull “Vdekja e arnautit”…

(Shkëputur nga një shkrim i Luan Ramës)