Frederick Morgan (1847 -1927) është piktori i përçimeve idilike të jetës rurale, është delikatesa shprehëse e një përjetimi pa konvencione dhe ngërthime, larg tendosjes dhe ngërçeve, të cilat arti rreket t'i mëkojë si joshje forcash të garrametshme përjetimi. Gjithsesi ai është i njohur kryesisht për pikturat romantike dhe sentimentale, në të njëjtin stil me bashkëkohësin e tij Arthur John Elsley. Pikturat e Frederick Morgan kanë arritur popullaritet të madh, duke rrokur një interesim të madh të publikut edhe gjatë jetës. Ai ka ekspozuar në Akademinë Mbretërore. Ishte gjithashtu anëtar i Institutit Mbretëror të Piktorëve të vajit (ROI).
Nëse mund të themi diçka për jetën e tij private, ajo që mëtohet është se ai në 1872 u martua me Alice Mary Havers (1850-1890), piktore. Ata kishin tre fëmijë. Djali i tyre i madh, i njohur si Val Havers, u bë vazhdues i pasionit të prindërve, piktora. Frederick Morgan u martua për herë të dytë duke u bërë kështu babai i dy fëmijëve të tjerë.
Ndërsa përcjell punët që la Frederick Morgan (1847 -1927), dallon se thellë në aktin e tij krijues pikas një veçori që përmbush kriteret e themeltë të një artisti, që ka forcë të qëndrojë rrymave dhe çapërlimeve shprehëse. Ajo që e dallon atë nga të tjerët është tematika, tonet dhe dritëhija, ngrohtësia dhe pafajësia, elementë, këto shprehësi që ndikojnë drejtpërdrejtë te artdashësit, aftësia e tij për të përjetuar një vepër dhe për t'u ndjerë më afër komunikimit estetik.
Dallon njiherash me veçantitë e tij si krijues, duke qëndruar kryesisht në jetësimin përmes ngrohtësisë dhe idilit, portretet, kafshët dhe skena të ndryshme rurale, ku pothuajse të gjitha i përbashkojnë fëmijët. Janë fëmijët, është kjo mrekulli i përtëritjes së gjeneratës, gëzimi i gëzimit të zemrave që besojnë tek mrekullia e shpërblimit, ajo që e ngas gjithnjë penelin e Morgan për të shprehur në kanavacë përmes larushisë së ngjyrave dhe dritave atë që ai mendonte se ishte një mirësi për ta ndarë me të tjerët.
Piktura
"Cila e do më shumë? është një pikturë e britanikut Frederick Morgan që kumton ngrohtësi si nga koloriti ashtu dhe nga përmbajtjesorja e tematikës. Tre vajza që i ngjiten gjyshit peshkatar, si në një garë se cila e do më shumë atë, përcjell me një delikatesë dhe pafajësi shprehëse dhe përçuese, jo vetëm sfidën e zemrave të vogla, por edhe afrinë joshëse të piktorit për të mikluar gjithnjë ëndjet e ndjenjave dhe ngrohtësi. Cilido që e përcjell këtë punë të Morgan, nuk mund të shpëtojë pa u pushtuar nga emocionet e fëmijërisë e lojës së dominimit dashurorë, jo vetëm ndaj gjyshërve, por edhe ndaj prindërve. Sepse ata, fëmijët, të vetmën gjë që dinë të bëjnë më mirë është të duan me gjithë forcën e zemrave të tyre të vogla dhe shkujdesjen delikate dhe ngasëse, të cilën me gjas piktori i ka përjetësuar në këtë punë me kaq thjeshtësi, bukuri dhe aftësi depërtuese.
Discussion about this post