Letra e panjohur dhe denigruese e Charles Baudelaire  ndaj gjigandit të letërsisë franceze,  Viktor Hygo 

Kohë më parë, gazeta britanike “The Guardian” ka publikuar letrën e panjohur të Bodlerit me Hygonë. Në kontrast me lëvdatat publike për autorin e “Të mjerëve”, letërkëmbimi zbulon përbuzjen për shkrimtarin e madh.  Viktor Hygoi, autori i nderuar i “Të mjerëve” dhe gjiganti i letërsisë franceze, ishte, gjithashtu, njëfarë njeriu i bezdisur – të paktën sipas poetit bashkëkohës të tij Sharl Bodler.

Në një letër të vitit 1860, drejtuar partnerit të panjohur të letërkëmbimit, Bodleri ankohet se si Hygoi “vazhdon t’i dërgojë letra idioteske”, duke shtuar se letrat e vazhdueshme të Hygoit e kanë frymëzuar “të shkruajë një ese që tregon se, sipas një ligji fatal, një gjeni është gjithmonë një idiot”. Letra është nxjerrë në ankand nga shtëpia e ankandeve “Christie’s” në Nju Jork, së bashku me një botim të parë të përmbledhjes së njohur me poema të Bodlerit “Lulet e së keqes”, i cili përmban edhe gjashtë poemat që u hoqën në botimin e dytë. Sipas shtëpisë së ankandeve, kompleti pritet që të kapë shifrën 100.000 dollarë (60.000 pound).

Botimi i parë i “Luleve të së keqes” në vitin 1857 u pasua nga ndjekja penalisht e Bodlerit për “ofendim të moralit publik”, ku gjykatësi urdhëroi botuesin e tij që të hiqte gjashtë poema nga përmbledhja. Hygoi e mbështeti Bodlerin pas gjyqit të gushtit të vitit 1857, duke i thënë: “Lulet e tua të së keqes shndrisin e të verbojnë me shkëlqimin e tyre si yje” dhe, në vitin 1959: “Ti na dhuron një fërgëllimë të re”.

Bodleri, nga ana e tij, i kishte kushtuar Hygoit tri poema të “Luleve të së keqes”, por poeti C. K. Williams, fitues i çmimit “Pulitzer”, ka shkruar se, pavarësisht nga kjo, “Bodleri fshehtazi e përbuzte Hygoin”. Ndërkaq, Rosemary Lloyd, në librin e saj “Cambridge Companion to Baudelaire”, shkruan për “zilinë gërryese” për Hygoin të shfaqur nga Bodleri në letrat e tij. Autori, ndërsa lavdëronte “Të mjerët” në publik, në një recension në “Le Boulevard”, e përshkroi veprën si “neveritëse dhe të pakuptimtë” në një letër drejtuar nënës së vet, duke shtuar: “Kam treguar, sa i përket kësaj çështjeje, se unë zotëroja artin e gënjeshtrës”.

“Bodlerit, për zhgënjimin e tij dhe ndoshta si faktor në vetëshkatërrimin përfundimtar, iu desh të konkurronte me Viktor Hygoin: poet, romancier, eseist, polemist me një energji dhe elokuencë të pabesueshme… në kuptimin e plotë të fjalës njeriu më i shquar në botë, me projektet e tij të admirueshme sociale dhe politike, me egon e tij të madhe, me dominimin e vet të poezisë dhe kulturës”, – shkruan Williams.

Sipas Williams-it, ndërkohë që Hygoi lavdëronte Bodlerin, ai “pa dyshim, nënvlerësonte rëndësinë” e veprës së bashkëkohësit të vet poet “dhe nuk e kishte imagjinuar as në ëndërr se për të ardhmen Bodleri do të përcaktonte estetikën e shekullit pas tij dhe se ai, Hygoi, si ndikim, si një gjeni, do të kthehej në një subjekt nostalgjie, më shumë sesa një simbol i forcës dhe rëndësisë artistike”.

Letra e vitit 1860 është kryesisht për Edgar Allan Poen, veprën e të cilit Bodleri e përktheu. Përmendja e Hygoit – “Hugo continue a m’envoyer des lettres stupides” – është në një shënim në fund të saj. “Christie’s” i ka nxjerrë në ankand librin dhe letrën në Nju Jork, së bashku me një botim të “Gjethe bari” të Walt Whitman-it, i vlerësuar deri në 150.000 dollarë dhe 120.000 dollarë një fletore shënimesh me poezi dhe prozë të Robert Louis Stevenson.

Artikuj të ngjashëm