Historia e tablosë “Motra Tone” e piktorit të njohuer, Kol Idromeno. Pse dhe si e krijoi ai portretin e famshëm?

Kur lindi Kol Idromeno, motra e tij Tonia, nuk e kishte mbushur vitin. Përcaktuar që prej këtij momenti, ata mbetën bashkë përjetësisht. Të tilla ishin rrugët në jetët e tyre. Kur përmend Kol Idromenon, nuk mund të mos mendohet "Motra Tone". E po të shohësh tablonë e famshme përnjëherësh shfaqet emri i piktorit të madh. Stacioni i tyre më i fundit është në Luvër. "Motra Tone", pas një lëngimi të gjatë, po përjeton ringjalljen e saj në qytetin ku mbahen tablotë më të famshme të botës. Tonia shfaqet e bukur dhe e re, 24-vjeçare, si në vitin 1883, kur Kol Idromeno, e përjetësoi me penelin e tij mbi kanavacë. Ndërsa vetë piktori shfaqet mjeshtërisht në pikturimin fin që ka realizuar në këtë portret. Specialistët e restaurimit në Luvër, e vlerësojnë lart tablonë e famshme shqiptare, ndërsa vërejnë në çdo milimetër të tablosë detajet e arritura artistike. Në këtë moment të rëndësishëm për pikturën më të famshme shqipatre, ia vlen të bësh një udhëtim në kohët e largëta, kur Tonia ishte një vajzë e vogël, e ndiqte pas vëllanë që diç vizatonte në letrat e babait, apo më vonë kur i shkruante letra me një shqipe të pastër, ku Kolë idromeno 15 vjeçar merrte mësime pikture në Akademinë e Venedikut. Pjesa më e bukur e këtij udhëtimi është koha kur pozoi për vëllain e saj. Më tej vitet nuk i rezervuan shumë befasi të bukura shkodranes së bukur të Idromenëve… Për të mësuar historinë e plotë të saj, e sidomos të tablosë që e përjetësoi, duhet të shkosh deri në rrënjët e thella të familjes Idromeno, tek talenti i papërsëritshëm i vëllait Kol Idromeno, sfidat, mësimet, që ai mori në jetën e tij, pasionet e tyre të përbashkëta… Shumëçka prej këtyre mund t'i gjesh në një biografi, botuar herët në vitin 1984, hartuar nga Mikel Prenushi. Veç shumë historive, dëshmive e kurioziteve nga jeta e Kol Idromenos, një vend të veçantë zë në këtë biografi analiza e portretit Motra Tone dhe historia e kësaj tabloje.

Historia e portretit

Në vitin 1883 Kolë Idromeno mendon dhe realizon një krijim artistik në pikturë, portretin e motrës së vet, Tones. Me të drejtë portreti "Motra Tone", njihet si një nga kryeveprat e tij. Historia e këtij portreti është treguar nga vetë piktori shumë herë në kohën që ai ishte gjallë. Motra Tone ishte e vetmja motër e piktorit, një vit më e madhe në moshë. Ishte 24 vjeçare kur pozoi për këtë portret. Ishte e martuar, nënë me dy fëmijë të vegjël. I shoqi i saj ishte Andrea Shkanjeti, një i porsaardhur në Shkodër, me profesion mësues. Andrea kishte qenë mësuesi privat i Kolë Idromenos në fëmijëri dhe që nga ajo kohë kishte mbetur miqësia mes të dy familjeve. Më vonë Tonia u martua me të. Në fakt familjet e tyre ruanin një miqësi të vjetër që nga koha kur kishin qenë në Korfuz. Në Shkodër ai punonte si mësues privat jo vetëm për gjuhën italiane, gjuha e tregëtisë për kohën, por edhe për gjuhën shqipe dhe mbante një konvikt të vogël për fëmijë. Andrea Shkanjeti gëzonte një opinion të mirë në Shkodër. Jetim pa nënë dhe babë, të cilët i kishin vdekur para se ai të vinte në Shkodër, në këtë qytet ishte krejtësisht i vetëm. Martesa me Tonen i krijoi atij një familje të mirë dhe një rreth shoqëror më të gjerë. Pas martesës Andrea Shkanjeti i kishte kërkuar gruas së tij Tones, që ajo të vishej me kostumin "ala franga", në një kohë që gjithë pajën e saj ajo e kishte me kostumet popullore shkodrane. Edhe martesën Tonia e kishte bërë me këtë kostum popullor. Ajo ia plotësoi dëshirën të shoqit, megjithatë dëshira e saj ishte të vishej si shoqet e tjera me veshjen popullore. Duke e kuptuar këtë dëshirë të madhe të motrës së vet për kostumin popullor, Kolë Idromeno, në janar të vitit 1883, mendoi t'i realizonte një portret me veshjen që dëshironte ajo. Tonia ishte një grua e gjallë, e shkathët dhe e kulturuar për kohën. Ajo merrte pjesë si këngëtare në ahengjet popullore në rrethet familjare. Ishte grua e dashur dhe tërheqëse në bisedë. Për 7-8 ditë me radhë motra Tone, e veshur me kostumin kombëtar, pozoi në familjen e babait të saj dhe portreti më vonë qe përfunduar me sukses.

Droja e Tones

Vizitorë të panumërt, që e kanë kundruar portretin e famshëm "Motra Tone", janë intriguar nga shprehja që personazhi ka në portret. Në galerinë Kombëtare të arteve thonë se shumë prej vizitorëve pyesnin: Përse Tonia e ka hedhur në njërën anë vështrimin e saj të druajtur? Studiuesit e lidhin me një premtim që ajo i kishte bërë të shoqit Andrea Shkanjeti. Tonia duke pritur një "qortim" të të shoqit për këtë pozim, që po bënte me veshjen popullore, vështrimin e kishte drejtuar nga dera. Në këtë pozim dhe në këtë moment psikologjik piktori e gjeti me vend ta përjetësojë duke gjykuar si artist se vepra do t'i dilte e një niveli të lartë artistik. Në këtë vepër, napa e bardhë, që ka rrethuar fytyrën e saj në sfondin e errët të pikturës e përcakton qartë figurën e gruas.

Në shtëpinë e Shkanjetëve

Specialistët thonë se Kolë Idromeno edhe në vitet e mëvonshme ka ritokuar ndonjë gjë të vogël në këtë portret po në përgjithësi vepra u përfundua më 1883. Këtë e vërteton jo vetëm mosha e Tones në portret, por edhe mbishkrimi i vetë autorit në këtë krijim. Këtë portret të bukur, menjëherë pasi e përfundoi, artisti ia fali motrës së vet. Vite me radhë ky portret qe vendosur në një kënd të shtëpisë së Shkanjetëve, në dhomën e pritjes. Krijuesi i saj, piktori Kolë Idromeno, i dinte mirë vlerat që kishte arritur në këtë vepër. Motra Tone e meritonte një vepër të tillë. Ajo e shoqëroi shpesh të vëllanë Kolën në ahengjet popullore ku ai i binte violinës sado që ishte nënë me dy fëmijë të vegjël.

"Ikja" e Tones

Por pikërisht në një nga këto ditë tek shoqëronte vëllain e saj në ahengje, Tonia u sëmur rëndë. Kjo ishte një nga fatkeqësitë e mëdha, që goditën piktorin Kol Idromeno. Dy vite para kësaj dhimbjeje, me 15 korrik 1888 në moshën dyvjeçare Kol Idromenos, i vdiq djali i vetëm. Sëmundja e Tones ishte një tjetër goditje për të. Nënë e gjashtë fëmijëve, pesë vajza dhe një djalë, Tonia në verën e vitit 1890, ishte ftohur rëndë ndërsa merrte pjesë në një dasëm duke kënduar me të vëllanë dhe po atë vit vdiq nga turbekulozi. Fëmijën e saj të gjashtë e la pak muajsh. Meqë nuk pati më fëmijë, Kola e mori atë si fëmijën e vet dhe e rriti. Fëmijët e Tones ishin për të ngushëllimi i tij për gjithë jetën. Portretin "Motra Tone" pas vdekjes së saj, Kol Idromeno e mori, nga shtëpia e Shkanjetëve dhe e mbajti gjithmonë në dhomën e mirë të shtëpisë së tij, deri kur edhe ai iku nga kjo jetë.

Mësuesit e parë dy klerikë të huaj dhe Pjetër Marubi

Fëmija i lindur piktor

Kolë Idromeno lindi më 15 gusht 1860. Ishte fëmija e dytë pas një vajze të quajtur Tonia, e cila nuk e kishte mbushur ende vitin kur lindi Kola. Motër e vëlla u rritën me kujdes të veçantë nga prindërit e tyre. Që në vogëli u shfaq te ai prirja për vizatime të thjeshta. Shpesh herë ulej në tavolinën e babait dhe me laps në dorë, kërkonte të kuptonte diçka nga projektet e të atit dhe ta imitonte. Por ato ishin shumë të vështira për mendjen e tij. Më të kapëshme ishin disa vizatime të thjeshta, që i ati i bënte enkas për t'i riprodhuar i biri. Arsenit, (babait) i pëlqente vizatimi, por profesionin e piktorit, nuk e kishte ushtruar asnjëherë. Ishte një art, që nuk të jepte bukë në atë kohë. Por ai kënaqej me prirjet e të birit dhe donte me çdo kusht ta përkrahte që të ecte përpara. Mësimet e para Kola i mori nga dy klerikë të huaj, por më vonë mësuesi i vërtetë i vizatimit, u bë për të Pjetër Marubi, fotografi i njohur i qytetit, i cili ishte edhe piktor edhe arkitekt. Punimet e para të Kol Idromenos, të ruajtura deri vonë i përkasin periudhës së shkollës fillore, ku përmenden "Kokë fëmije", "Malësorja", "Gomari në udhë", etj.

Artisti i madh pa një diplomë

E braktisi Akademinë, pas 6 muajve studime

Kol Idromeno nuk u diplomua kurrë në ndonjë shkollë. Ai nuk i duronte rregullat strikte të Akademive. Ishte 15 vjeç, kur mbërriti në Venedik për të nisusr studimet në pikturë. Në kujtimet e tij, lënë miqve, thuhet se ai u paraqit në Akademinë e Venedikut për t'u provuar. "Në fillim nuk deshën të më pranonin, sepse më shihnin të vogël në krahasim me të tjerët. Por edhe mësimet në shkollë kishin filluar. Megjithatë më provuan. Më dhanë të vizatoj një glob. Dola shkëlqyeshëm në këtë provim, sa të gjithë profesorët u habitën dhe më panë me admirim. Edhe unë nuk e di sa shpejt e punova dhe sa mirë. Isha shumë i prekur. Unë u pranova në Akademi edhe pse me vonesë".

Vështirësitë

Në muajt e parë të shkollës e pati të vështirë të mësohej me disiplinën e punës dhe rregullat e gurta të shkollës, që nuk i jepnin liri veprimi. Por u ambjentua shpejt. Në Shkodër piktori i ri qe praktikuar të punonte e të krijonte në mënyrë të pavarur e sipas dëshirës së vet. Ndërsa në Akademi ishte ndryshe. Profesorët i jepnin punime të thjeshta, por për gabimin më të vogël, e bënin të përsëriste punën, jo një herë por disa herë. Kjo mënyrë pune e mërziste dhe e nervozonte, por ai ishte i vendosur ta vazhdonte studimin me çdo sakrificë. Në shkollë e ndjente veten mjaft të vetmuar. Nuk kishte asnjë shqiptar dhe askënd me të cilin të mund të bisedonte e të këshillohej. Në familjen e një mikut të babait të tij shkonte rrallë. Por gjithçka zgjati pak, vetëm gjashtë muaj shkollë. Dhe Kola i braktisi studimet.

Braktisja e Akademisë

Braktisjen e Akademisë së Venedikut, vetëm pas 6 muajsh studime, piktori u'a tregonte kësisoj shokëve të tij, kur u kthye në Shkodër: "Një ditë dy profesorë të akademisë, gjatë praktikës me studeëntët do të punonin seicili nga një grua nudo në vizatim, pa hije. Hijet do të punoheshin më vonë. Njëri nga profesorët ishte i ri në moshë, ndërsa tjetri ishte i moshuar. Unë i'u luta profesorit të moshuar të ma besonte mua punimin e vizatimit të tij me hije dhe ai pasi më shikoi me mirëdashje ma besoi punën. Brenda dy orësh e kisha bërë gati dhe sipas meje, kisha bërë një punë me cilësi të mirë. Kjo u duk dhe nga qëndrimi, që mbajti profesori i moshuar, mirëpo kur e pa vizatimin tim të përfunduar, ai i riu, m'u drejtua me një ton të ashpër "Prej një kambë shkalle ti dashke të hypësh në majë…!" Mjaft i prekur nga ky qëndrim i Kol Idromeno qe përgjigjur: "Ju profesor nuk i njihni aftësitë e nxënësve tuaj". Vetmë kaq dhe Kola vendosi të largohej përfundimisht nga Akademia.

Rrënjët artistike tek babai e gjyshërit

Idromenët e famshëm nga Parga

Idromenët kanë qenë një familje e njohur nga Parga. Prej kësaj familje në shekujt XVIII, XIX, kanë dalë njerëz të shquar. Nën pashallëkun e Ali Pashë Tepelenës, në këto anë, nga familja e Idromenëve, në shekullin 19-të janë shquar Andrea Idromeno dhe Mihal Idromeno. Andrea ishte doktor në teologji dhe profesor në Korfuz, ndërsa Mihali doktor në drejtësi. Këta qenë gjyshërit e Kolë Idromenos. Andrea Idromeno së bashku me Vangjel Meksi Labovitin e ndihmoi botuesin Grigor Gjirokastriti për përkthimin e dy librave fetarë në gjuhën shqipe me alfabet grek, libra të cilët, e panë dritën e botimit më 1824 dhe 1827. Këto dy përkthime fetare "Ungjilli pas Matheut" dhe "Dhjata e re" janë cilësuar me rëndësi për historinë e shkrimit të gjuhës shqipe dhe si të parat përkthime të këtij lloji në gjuhët kombëtare në Ballkan, përpara përkthimeve rumune, bullgare, e maqedone, që u bënë më vonë për këto dy vepra. Mihal Idromeno u bë i njohur për një botim, që realizoi në Korfuz më 1852 të një fjalori teknik si dhe për ndihmën, që i dha Andrea Idromenos në përpilimin dhe botimin e një historie të Pargës dhe të Sulit, vepër e cila, sipas studiuesve, nuk njihet sot. Por Idromenët nuk qëndruan shumë kohë në Korfuz. Prej tyre Arsen Idromeno, babai i Kol Idromenos në vitin 1856, u shpërngul përgjithmonë në Shkodër, ku filloi të punonte si marangoz e më vonë për nevojat e qytetit në rritje, ai bëri punën e projektuesit dhe zbatuesit të ndërtimeve të shtëpive private e publike. Kështu ai përfitoi përvojën e një arkitekti autodidakt dhe si i tillë u njoh në Shkodër, por njihej edhe si një vizatues i zoti.

Admirina Peçi

Gazeta Shqiptare.

Artikuj të ngjashëm