Afër Bogës, Thethit dhe Kryqi të Qafë Thorës, magjia e ashpër e alpeve të Veriut

Alpet janë bukuria më e magjishme që vendi jonë ka, e si rrjedhim është edhe nder më vete të mund të kesh kënaqësinë që t’i vizitosh si në dimër edhe në verë, edhe pse gjatë dimrit dëbora e bën gati të pamundur udhëtimin. Sot do të flasim për një kryq dhe një Qafë Mali të ftohtë që ndan Thethin nga Boga, është pikërisht Kryqi i Qafë Thores. Por të shkosh deri aty duhet të ecësh shumë dhe duhet të kesh një automjet të përshtatshëm për këtë punë.
Të gjithë ata që nuk arrijnë dot të shkojnë deri në Theth për arsye të rrugëve dhe borës, qëndrojnë në Bogë ose në Qafë Thore, ku një kryq i madh prej druri ndanë dy kufijtë, atë të Bogës me atë të luginës së Thethit. Ky kryq, gjatë dimrit mbulohet nga bora dhe akulli dhe për çudi erërat e forta të kësaj qafe,i kanë dhënë formën e flamurit. Aventurat në natyrë dhe kurioziteti historik i kësaj zone, janë çlodhëse dhe relaksuese. Boga është një fshat i vendosur në një luginë 950 m mbi nivelin e detit, i rrethuar nga Alpet. Bukuria, pasuritë natyrore dhe kulturore të këtij fshati u lënë mbresa çdo vizitori.

Shumë studiues apo kalimtare të huaj kanë shkruar për të, një nga të cilët është dhe Mary Edith Durham, që e përmend këtë fshat në librin e “Brenga e Ballkanit”. Inxhinieri italian, Piero Ghiglione, që vizitoi Bogën në vitet 1942, e quan atë “kryevendi” përsa i takon ngjitjeve në mal. Sipas gojëdhënave, Boga ishte emri i djalit të dytë të Kelmecës të parit të  Kelmendit. Nga djali i dytë rrodhi fisi i vogël i Bogës, i cili bënte pjesë në Fisin  e Kelmendasve. Deri në shekullin e XVII ky fshat ka qenë pjesë e Kelmendit, duke qenë një ndër katër bajraqet e tij. Në trojet e Bogës janë gjetur dëshmi arkeologjike të vendbanimeve  të hershme Ilire të shek. II-III. Shpella e Madhe, afër qendrës së banuar, është një dëshmi e hershmërisë së jetës në Bogë. Boga është vendi ideal për amatorët dhe profesionistët e speleologjisë. Këtu gjenden shpella të shumta dhe të vlerësuara maksimalisht jo vetëm nga turistët, por edhe nga historianët për gjithë vlerat e tyre historike. Në qendër të fshatit  ka dhe një kishë që  i kushtohet Shën Mhillit, që njihet si kryeëngjëlli mbrojtës i miqve. Festa e Shën Mhillit festohet më  28 shtator. Mikpritja  e malësorëve të  Bogës është një traditë e ruajtur prej shekujsh. Përvese historisë banorët e Bogës njihen për gatimet tradicionale si, mishi i fërlikut, jarduni i deles, djathi i zier, kaçamaku, patatet në kaki etj.  Anisa Demiraj