Vepra artistike sipas Platonit qetëson luftën e amshueshme dhe ndryshimin e idesë dhe të materies

Sipas Plotinit detyra fundamentale e artit qëndron në faktin që në të veçanten të paraqesë pajtimin e plotë të idesë dhe të materies, domethënë të paraqesë idenë si është kthyer dhe ulur në materie, ndërsa materien sesi është ngritur në ide. Vepra artistike qetëson luftën e amshueshme dhe ndryshimin e idesë dhe të materies. Syri i «brendshëm», i cili fillon të shohë kur mbyllet i jashtmi, nuk është i aftë menjëherë të shohë shkëlqimin e plotë të së bukurës. Afrimi ndaj bukurisë më të lartë të shpirtit plotësohet me refuzimin e çdo gjëje trupore, me një ekstazë specifike. Burim i së bukurës është shpirti i bukur, bukuria është, pra, qenësisht subjektive, shpirtërore, çështja e brendshme. Çdo gjë e jashtme në art është e paqenësishme -puna për shembull në materialin prej gurit është punë e skllavëve dhe jo e artistëve – ajo e jashtma, shqisorja në veprën artistike është vetë refleks i së brendshmes dhe në të bazohet. Pikërisht për këtë arsye bukuria është e thjeshtë – dhe jo me kualitet kompleks. Nocioni i të bukurit dhe nocioni i artistikës paraqesin një funksion qenësisht të përbashkët, sepse edhe arti edhe të bukurit shkrihen në një ekzaltacion mistik të frymës. Prandaj, bukuria nuk është ndonjë simetri e pjesëve, ajo nuk gjendet në ndonjë raport objektiv dhe në proporcion ndaj tërësisë, ngase gjërat e bukura janë shpesh shumë të thjeshta, kështu që e bukur është ajo që e pranojmë si gjë të natyrës sonë vetjake, kurse e keqe ajo që për ne është e neveritshme, sepse është në kundërshtim me natyrën tonë të madhërishme. E bukura perceptohet nëpërmjet shpirtit, kurse e keqja është formë e të drejtuarit ndaj trupores dhe materiales, e bukur është diçka që ka formë, kurse e keqe që është pa formë. Për të mundur shpirti ta kuptojë dhe ta pranojë të bukuren, ai duhet të jetë i pastruar, i thjeshtë, i sinqert – duhet edhe vetë të jetë shpirt i bukur. Arti nuk imiton natyrën, por e plotëson natyrën me bukuri atje ku vetë natyra është memece. Çdo gjë tokësore, çdo gjë e njëmendtë është vetëm hije – deri këtu Plotini pajtohet me Platonin. Por arti nuk është – si mendon Platoni – vetëm diçka tokësore, ndijore, por pikërisht në artistikën çdo gjë ndijore tejkalohet për t'u ngritur mbi ekzistencën tonë materiale. Në çastin e frymëzimit, të ekstazës, njeriu e ndien veten si pjesë e një bote më të lartë, bëhet njësoj sikurse edhe pjesa më e vlefshme, më e pafajshme, më e sinqertë e shpirtit të tij.

Artikuj të ngjashëm