E vërteta e fotografisë së ish-boksieri kosovar, Aziz Salihu me këngëtaren e famshme (jugosllave), Lepa Brena

Kengetarja serbe Lepa BrenaSot pas kaq vitesh të flasësh për Lepa Brena, ndoshta nuk është kaq sensacionale sa ç'mund të ishte në vitet '80, kohë në të cilën këngëtarja serbe ishte një magjepsëse për hiret femërore dhe virtuozitetin interpretues. Ishte ajo kohë kur sapo kishin filluar të shfaqeshin krisjet e para të murit ndarës me botën dhe ne rrekeshim të shihnim përmes këtyre të çarave atë realitet që na e kishin fshehur për kaq vite, atë natyrshmëri që na e kishin propoganduar si vrasëse dhe degjeneruese, si antivlerë dhe shterrim i moralit, si apokalips. Ishte ajo kohë kur gjithçka që tejkalonte normat strikte të interpretimit përbënte vlerë, çdo feminilitet skenik, ishte arsye për marrosje dhe adhurim. Ishte ajo kohë kur ndjenjat tona të ndrydhura gatiteshin për shpërthime të stuhishme, kohë kur për të shijuar zërin dhe hiret e Lepa Brena shumëkush nuk kursehej për sakrifica sublime.

Një foto e publikuar në portalet kosovare ka rikthyer në skenë atë që shumëkush nuk e njeh, shumëkush e përcjell përmes kujtesës së vagullt, e të tjerë që e kanë të koduar në ADN-në e tyre adhuruese këtë zë dhe këtë sharm.

Aziz Salihu, ish-boksieri i mirënjohur, ndryshe është kryetar i klubit të boksit Prishtina, më në fund publikoi fotografinë shumë seksi që dukej me këngëtaren e mirënjohur të asaj periudhe në ish-shtetin që nuk ekziston më, Jugosllavia.

Fituesi i medaljes së bronztë olimpike në vitin 1984 në Los Anxhelos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  vendosi më në fund të tregoi se cilin lokal ka qenë në vitin 1984 kur u takuan me Lepa Brenën.

Ai tha se shumë e njeriu ka dyshuar që kam fotografi me Lepa Brenën, disa dyshoni që kam pasur lidhje me të.

“E vërteta e fotos me Lepa Brenën është se në at periudhë na ka lidhur vetëm një gjë: Ajo këngëtare e njohur dhe unë sportist i madh me renome botërore. Gjithmonë emrat e mëdhenj janë takuar në një vend dhe vetëm sportistët e mëdhenj siç isha unë, dhe Lepa Brena këngëtare. Kjo fotografi që e publikoi është e vitit 1985 në një lokal të njohur të asaj kohe, ‘Duka’ në Beograd. Aty kemi ndejtur shumë ne sportistët dhe vërtet ka qenë vend i hareshëm”, ka thënë Aziz Salihu për “Bota Sot”.

“Ky është një lloji sekreti që po ia tregoi, sepse shumë mendojnë që unë kam pasur më shumë me Brenën. Brenën e kam pasur vetëm shoqe si VIP që ishim dhe asgjë më shumë. Por fotografia tregon më së miri se sa të hareshëm ishim at periudhë apo gazmorë”, thotë ‘Zizi’.

Një fotografi e jashtëzakonshme, ku shihet Brena që vërtet konsiderohej si ylli më i madh i asaj periudhe madje edhe me bukurinë e saj ka çmendur të gjithë dhe ‘Zizi’ që shumë herë e quan veten Mister i asaj kohe.