Ndërmëndje dhe mirënjohje për t’pashoqin e dijes, qytetarisë dhe shqiptimit, fisnikun shkodran Gjon Shllaku

Sod 94 vite ma parë, më 24 mars 1923 lindi në qytetin e Shkodrës ai që do të mbetej në kujtesën e të gjithë atyne qi e njohën, shëmbëllimi më i përsosun i njeriut fisnik dhe dijeshumë.

Për tanju qi nuk e njihni dhe nuk keni ndigjuar për të dhe dedikoheni të përcillni sot s'pariherë të flitet për Gjon Shllakun, un munden me than se ai ka pas të rrallë shokët, për nga dija, kultura dhe qytetaria. Me te na lidh jo vetëm "Iliada", letërsia klasike qi e bani me folë shqip, nji kolan e gjatë krijimesh, fjalori Latinisht-Shqip qi i mori vitet e mbrame të jetës, por mënyra qi ky gjeni zgjodhi me naltsu panteonin e vet. Ai kurrë nuk u ankua, megjithëse vuajti, ai kurrë nuk ngau pas të drejtave dhe privilegjeve, megjithëse i takonin si rrallëkujt, ai kqyri punën e vet, u përpjek me e ba atë si asht ma mirë dhe pati kurajon intelektuale për me vlerësu punën dhe angazhimin e të tjerëve, pa u drasht se kjo ka me i eklipsu diellin e tij.

Gjon Shllaku ishte një ndër dishepujt më të devotshëm të dijes, pasionit për aktin e krijimit dhe vetmohimit, përkushtimit dhe virtytit. Ai ishte shëmbëllimi më i përplotësuar i njeriut të përkorë. Si pakkush kam patur fatin ta njoh dhe ta takoj, fatkeqësisht për herë të fundit një vit përpara se të ndahej nga jeta. Gjithçka në të ishte e dlirë. Zërin dhe vështrimin i mbamend si më paqësoret që kisha rrokur deri asohere.

Puna dhe angazhimi i tij i pandalshëm na lidhin me një galeri të dëshmimit të tij krijues. Përktheu pjesë nga “De rerum natura” e Lukrecit dhe nga “Eneida” e Virgjilit kur ishte ende seminarist. Kur ishte vetëm 16 vjeç pruni të plotë në shqip “Gjeorgjikat” e Virgjilit. Një vit ma vonë përkthen Ben Hur-in e Lju Uallasit. Përktheu gjithashtu tekste biblike nga greqishtja e vjetër, “Punët e Apostujve” dhe “Apokalipsi”. Në vitin 1965 shqipëron “Iliadën” në gegnisht, për ta ripunuar në standard më 1979. Më 1995 boton shqipërimin e shtatë tragjedive të Sofokliut – përkthim që në kohë të regjimit nuk iu pranua nga Akademia, me “Kangët e Rolandit” (bot. më 2003) dhe "Le Cid" të Kornejit. Dy muaj përpara vdekjes mbaroi hartimin e “Fjalorit latinisht-shqip” të nisun prej shumë vitesh me 65.000 fjalë, e cila i mori as më shumë e as më pak se 15 vite. Ka lan të pa përfundum “Fjalorin greqisht-shqip” me rreth 18.000 fjalë. Ky njeri i shenjtë, bëri të flasë shqip Ovidin, Horacin, Shekspirin, Hygoin, Rasinin, De Musenë, Lamartenë, Shatobriandin deri tek Papa Gjon Pali i II.

Përveç punës rraskapitëse orëshumë të përkthimit ai la dhe krijimet e tij, nga të cillat përmendim dramat “Dy Lekët”, “Judita dhe Holoferni” dhe “Skënderi e Zulejka”. Gjatë qëndrimit në burgun e Burrelit, nis më 1950 shkrimin e dramës “Skënderi dhe Zulejka”, që e përfundoi në aeroportin e Urës Vajgurore, Berat. Me anën e dy shkodranëve të rinj, teknikë të jashtëm në pistën e Beratit, u realizua dalja e veprës së vetme të shpëtuar prej punës së tij mas hekurave. Pas 47 vitesh i vëllai, regjizori Lec Shllaku, ia dorëzoi dorëshkrimin. Ky është i pari daktilografim që përfundoi në orën më 20 nandor 1999.

E gjithë kjo përpjekje titane, kjo punë vetmohuese atë nuk mundën ta bënit të pasur, por në jetën time nuk do të kem shansin të njoh një njeri me një shpirt kaq bujar, me një zemër të madhe, i paankim e përjashta kurrnji angazhimi për me ken njeri publik, për me dëshmu e me kërku merita e privilegje. Ai punoi dhe jetoi për të ndërtuar njeriun e përkorë, atë që ne jetë të jetëve do t'ia kena borxh mirënjohjen e përunjur.

Natyrshëm që gjithëkjo përmendore e krenarisë dhe e dijes së shqipes dhe shqiptarëve që rrëzelleu nga pena dhe puna e tij duhej të pikasej dhe të vlerësohej nga mirënjohja, e cila mundena me përmen; më 25 dhjetor të 1995 i jepet titulli “Profesor” nga komisioni i kualifikimit shkencor, muaj kur dekorohet po ashtu me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti Sali Berisha. Në prill të 2003 i akordohet nga Presodenti i Republikës Alfred Moisiu urdhri “Mjeshtër i Madh” dhe nga Këshilli bashkiak i Shkodrës “Qytetar nderi i Shkodrës”. Po ashtu dekorohet me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti, fitues i "Penës së Artë" të dhënë nga MTKRS për përkthimin e "Gjeorgjikave" të Virgjilit më 2001. Fitues i ”Diskut e Argjendtë” nga qeveria greke me anë të ambasadës së saj në Tiranë.

Tançka për të cilën na mbete me u krenu prej kësaj figure nuk janë dhe aq vlerësimet dhe mirënjohja, është vepra që la, puna e tij vetmohuse, emni i tij i pashlyem në kujtesën e gjithkujt qi ndjen nevojën për me ken i ndritun prej rrezeve të këtij shëmbëllimi të së përsosurës.

Faleminers Zotit qi ekzistove Gjon Shllaku!