Johann Wolfgang von Goethe, ai që mëkoi dritë deri në frymën e fundit… “Dritë, më shumë dritë”

“Çdo ditë ne duhet të dëgjojmë të paktën një këngë të vogël, të lexojmë në poezi të bukur, të shohim një pikturë të arrirë, dhe, nëse është e mundur, të flasim sa më pak fjalë”, kjo nuk është vetëm një maksimë e Johann Wolfgang von Goethe, e asaj mëndje, atij shpirti dhe asaj pene, por është sintezë e gjithë veoprës së tij, dritës që mëkoi, dritës që bekoi deri në frymën e fundit.

Ndërsa përpëlitej në grahmat e fundit të jetës, më 22 mars 1832, ai gërmëzoi me zërin që dridhej “Dritë, më shumë dritë”. Johan Wolvgang Von Goethe, lëshoi këtë pëshpërimë agonike, shkrepëtiu këtë rreze dielli prej shkulmit të mbramë të frymës, hodhi këtë virrmë që nget prej atëherë e sot nëpër terr, pa mund të shkund prej plogështisë, pa e ndalur shterrimin e njeriut prej arsyes për të kumtuar dhe jetuar me dritën!

Përfaqësuesi më i shquar i racionalizmit dhe i romantizmit në letërsinë gjermane është poeti, romancieri, dramaturgu, eseisti dhe filozofi gjerman Johan Volfgang Gëte. Me veprat e tij Gëtja është bërë një nga shkrimtarët më të dashur e më të preferuar gjerman. emri i tin la gjurmë të pashlyeshme, jo vetëm në letërsinë gjermane, por edhe në analet e letërsive të tjera evropiane. Si njeri me dije enciklopedike, si mendimtar origjinal, dijetar i shquar dhe njohës i hollë i artit u bë një nga figurat më të mëdha të kulturës gjermane, që do të rrezatojë një humanizëm të thellë deri në ditët tona. Kuptimin e jetës e gjente tek dashuria e madhe për punë e dituri, veçmas në krijimtarinë artistike. Kështu mëson edhe veprat e tij letrare, e cila mbi të gjitha ngërthen ide që frymëzojnë për respektimin e kultit të punës, te aktit krijues dhe të dashurisë. Si personalitet kompleks dhe i gjithanshëm ai mbetet përherë pikë reference në historinë e kulturës gjermane dhe asaj evropiane. Në tragjedinë “Fausti”, që është vepra e jetës së Gëtes dhe një nga kryeveprat e letërsisë botërore, pasqyrohet karakteri shumëformësh i jetës në natyrë dhe në shoqërinë njerëzore. Tërë njerëzit mishërohen në një njeri të vetëm, në personin e Faustit. Tërë kohët përshihen në një jetë të vetme, në jetën e Faustit.

Johan Volfgang Gëte lindi më 28 gusht 1749 në Frankfurt am Main dhe vdiq më 22 mars 1832 në Weimar të Gjermanisë. Në vitin 1782 atij ju dha titulli noblesk “Johann Wolfgang von Goethe”. Gëte ishte jo vetëm një penë e zjarrtë e poezisë gjermane, por dhe një dramaturg e publicist i disa veprave letrare me tematikë shkencore. Pas vitit 1776 Gëte mori përsiper edhe detyra politike dhe organizative në oborrin e Weimarit.

Krijimtaria letrare e Gëtes përmban një numër të konsiderueshëm me poezi, drama, tregime e novela. Perveç tyre ai ka publikuar dhe një numër të shumtë dorëshkrimesh autobiografike, estetike, artistiko-letrare, si dhe shkrime me përmbajtje nga fusha e shkencave natyrore. Një rëndësi të konsiderueshme për letërsinë kanë dhe korespondencat apo shkëmbimet e letrave, gjë të cilën ai e bënte me shumë pasion. Ne krijimtaritë fillestare letrare spikasin idetë e tij demokratike të iluminizmit.

Vlerat e tij si shkrimtar i talentuar u thelluan tek romani i shumëlexuar “Stuhi e vrull”, për shkrimin e të cilit Gëte dha kontributin kryesor. Kurse si talent i romantizmit ai u bë gjerësisht i njohur në mbarë Evropën në vitin 1774 me romanin “Vuajtjet e djaloshit Verter”. Më vonë Gëte ndryshoi stilin e shkrimeve të tij duke ju referuar idealeve të antikes. Pas viteve 1790 së bashku me Friedrich Schiller ata u bënë përfaqsuesit më të denjë të epokës klasike të Weimarit. Gëte njihet edhe sot si një nga figurat më të shquara të letërsisë gjermane dhe asaj botërore.