Shkenca, feja dhe filozofia, ku pikëtakohen dhe ku përplasen? Beteja e gjatë për të vërtetën supreme

Konflikti midis Galileit dhe Kishës Katolike e kishte zanafillën shekuj para se të lindnin Koperniku dhe Galilei. Ideja se Toka ishte në qendër të universit ose ideja e sistemit gjeocentrik u pranua në Greqinë e lashtë dhe u bë e famshme nga Aristoteli, një filozof (384-322 p.e.s.), dhe nga Ptolemeu, që ishte astronom dhe astrolog (shekulli i dytë i e.s.).*

Në teorinë e tij për universin, Aristoteli u ndikua nga idetë e matematikanit dhe filozofit grek Pitagora (shekulli i gjashtë p.e.s.). Duke u bazuar te mendimi i Pitagorës që thoshte se rrethi dhe sfera janë forma të përsosura gjeometrike, Aristoteli besonte se qiejt ishin një sërë sferash të radhitura brenda njëra-tjetrës, ashtu si shtresat e qepës. Toka ndodhej në qendër të këtyre shtresave, që mendoheshin prej kristali. Kurse lëvizja e yjeve, që rrotulloheshin në formë rrethore, nxitej nga sfera e jashtme, e cila ishte edhe froni i fuqisë së mbinatyrshme. Aristoteli besonte edhe se Dielli e trupat e tjerë qiellorë ishin të përsosur, se ishin pa njolla apo të meta dhe se nuk pësonin ndryshime.

Idetë madhështore të Aristotelit ishin pjellë e filozofisë, jo e shkencës. Ai mendonte se ishte kundër logjikës që Toka të lëvizte. Gjithashtu ai e hidhte poshtë idenë e një boshllëku ose të një hapësire, duke besuar se, nëse Toka do të lëvizte, ajo do të pësonte fërkime dhe do të ndalonte, po të mos ushtrohej mbi të një forcë e vazhdueshme. Për aq sa dinin shkencëtarët e atëhershëm, ideja e Aristotelit dukej e logjikshme, kështu që ajo mbeti në fuqi pothuajse e paprekur për më se 2.000 vjet. Madje edhe më vonë, në shekullin e 16-të, filozofi francez Zhan Bodë, duke paraqitur edhe mendimin e shumicës, u shpreh: «Çdo njeri me një arsye të shëndoshë ose që merr vesh sadopak nga fizika, nuk do të mendonte kurrë se toka, kaq e rëndë dhe e pamanovrueshme, . . . lëviz . . . rreth qendrës së vet dhe rreth diellit; kjo sepse, me lëvizjen më të vogël të tokës, do të shembeshin qytete, fortesa dhe male të tëra.»

Kisha pranon idetë e Aristotelit

Një shkak i mëtejshëm që çoi në mosmarrëveshjen e Galileit me Kishën ndodhi në shekullin e 13-të dhe këtu kishte gisht edhe teologu katolik Tomas Akuini (1225-1274). Akuini kishte respekt të thellë për Aristotelin, të cilin e quante Filozofi. Akuini punoi me zell për pesë vjet që t’i shkrinte e t’i bënte një filozofinë e Aristotelit dhe mësimet e kishës. Në librin e tij me titull Gabimi i Galileit, Uejd Roulandi thotë se në kohën e Galileit, «teologjia e Akuinit, e ndërthurur me idetë e Aristotelit, ishte bërë dogma bazë e Kishës së Romës». Mos harroni edhe se në atë kohë nuk ekzistonin qarqet shkencore të pavarura nga Kisha. Arsimimi ishte kryesisht në duart e saj. Në përgjithësi, Kisha ishte i vetmi autoritet si për fenë, ashtu edhe për shkencën.

Këto ishin rrethanat që çuan në përplasjen midis Kishës dhe Galileit. Edhe më përpara se të fillonte të merrej me astronomi, Galilei kishte shkruar një traktat shkencor për lëvizjen e trupave. Ajo vinte në pikëpyetje shumë hamendje të bëra nga Aristoteli aq shumë i nderuar. Por përkrahja e vendosur që i bëri sistemit heliocentrik dhe bindja e tij se kjo ishte në përputhje me Shkrimet, e çoi Galilein para gjyqit të Inkuizicionit në vitin 1633.

Gjatë mbrojtjes, Galilei shprehu besimin e tij të patundur te Bibla, si Fjala e frymëzuar e Perëndisë. Gjithashtu ai tha se Shkrimet ishin shkruar për njerëzit e thjeshtë dhe vargjet e Biblës që flasin për lëvizjen e supozuar të Diellit, nuk duhej të merreshin në kuptimin e drejtpërdrejtë. Por më kot përpiqej të argumentonte. Galilei u dënua vetëm sepse nuk pranoi interpretimin e Shkrimeve sipas filozofisë greke. Vetëm në vitin 1992 Kisha Katolike e pranoi zyrtarisht se kishte gabuar në gjykimin e Galileit.

Mësimet që nxjerrim

Çfarë mësojmë nga këto ngjarje? Një gjë është se Galilei nuk kishte dyshime për Biblën. Ato që vuri në diskutim ishin mësimet e kishës. Një shkrimtar për fenë shkruante: «Me sa duket, ajo që mësojmë nga Galilei nuk është se Kisha i përmbahej ngushtësisht të vërtetave biblike, por që nuk i përmbahej aq sa duhej.» Duke lejuar filozofinë greke të ndikonte në teologjinë e saj, kisha ndoqi traditën në vend të mësimeve të Biblës.

Të gjitha këto na kujtojnë paralajmërimin e Biblës që thotë: «Ruhuni që ndokush të mos ju bëjë prenë e vet nëpërmjet filozofisë dhe mashtrimeve boshe, sipas traditës së njerëzve, sipas gjërave elementare të botës e jo sipas Krishtit.»—Kolosianëve 2:8.

Ashtu si në ato kohë, edhe sot, shumë njerëz në të ashtuquajturin krishterim vazhdojnë të përqafojnë teoritë dhe filozofitë që bien në kundërshtim me Biblën. Një shembull i tillë është edhe teoria e Darvinit për evolucionin. Në vend që të besojnë atë çfarë thuhet te libri i Zanafillës për krijimin, ata kanë pranuar si të vërtetë këtë teori. Në fakt, me këtë zëvendësim, kishat e kanë kthyer Darvinin në një Aristotel modern dhe evolucionin në një doktrinë besimi.*

Shkenca e vërtetë është në harmoni me Biblën

Ajo që u tha më lart sigurisht që nuk duhet të na heqë interesin për shkencën. Në të vërtetë, është vetë Bibla ajo që na fton të mësojmë për veprat krijuese të Perëndisë dhe të kuptojmë cilësitë e tij magjepsëse në gjithçka shohim. (Isaia 40:26; Romakëve 1:20) Sigurisht, Bibla nuk ka si qëllim të na mësojë për shkencën, por të na zbulojë normat e Perëndisë, veçori të personalitetit të tij, që nuk mund t’i mësojmë vetëm nëpërmjet krijimit, si dhe qëllimin që ka për njerëzimin. (Psalmi 19:7-11; 2 Timoteut 3:16) Megjithatë, kur Bibla flet për dukuritë natyrore, ajo nuk gabon asnjëherë. Vetë Galilei tha: «Si Shkrimet e Shenjta, ashtu edhe natyra ekzistojnë me urdhër të Perëndisë. . . Dy të vërteta nuk bien kurrë në kundërshtim me njëra-tjetrën.» Shqyrtoni shembujt e mëposhtëm.

Ka diçka edhe më themelore se lëvizja e yjeve dhe e planeteve, dhe kjo është fakti që e gjithë materia në univers drejtohet nga ligje të caktuara, siç është ai i rëndesës. Referimet më të hershme jobiblike për ligjet e fizikës vijnë nga Pitagora, i cili besonte se universi mund të shpjegohej me llogaritje matematikore. Dy mijë vjet më vonë, Galilei, Kepleri dhe Njutoni më në fund provuan se materia bazohet në ligje racionale.

Ligjet e natyrës përmenden për herë të parë në Bibël në librin e Jobit. Rreth vitit 1600 p.e.s., Perëndia e pyeti Jobin: «A i njeh ti ligjet e qiellit?» (Jobi 38:33) Libri i Jeremisë, i dokumentuar në shekullin e shtatë p.e.s., i referohet Jehovait si Krijuesi që i ka dhënë «ligje hënës dhe yjeve» dhe që ka përcaktuar «ligjet e qiellit dhe të tokës». (Jeremia 31:35; 33:25) Duke pasur parasysh këto vargje, komentuesi i Biblës Xh. Rolinson tha: «Fakti që materia drejtohet kryesisht nga ligjet, përkrahet nga shkrimtarët e Biblës po aq fuqishëm sa edhe nga shkenca moderne.»

Po ta marrim Pitagorën si pikë referimi, i bie që ajo që thuhet në librin e Jobit për ligjet e natyrës, të jetë përmendur një mijë vjet përpara tij. Mos harroni se qëllimi i Biblës nuk është thjesht të zbulojë faktet fizike, por kryesisht të na ngulitë në mendje që Krijuesi i gjithçkaje është Jehovai, i vetmi që mund të krijojë ligje fizike.—Jobi 38:4, 12; 42:1, 2.

Një aspekt tjetër që mund të shqyrtojmë është edhe cikli i lëvizjes së ujërave të tokës, që quhet cikli i ujit ose cikli hidrologjik. E thënë thjesht, uji avullon nga deti, formon retë, bie në formë shiu ose bore në tokë dhe kthehet prapë në det. Dokumentet më të vjetra ekzistuese jobiblike, ku përmendet ky cikël i përkasin shekullit të katërt p.e.s. Megjithatë Bibla i paraprin, pasi e përmend me qindra vite më parë. Për shembull, në shekullin e 11-të p.e.s., Solomoni, mbreti i Izraelit, shkroi: «Gjithë lumenjtë derdhen në det, por deti nuk mbushet kurrë; nga vendi prej të cilit lumenjtë vijnë, aty kthehen përsëri.»—Predikuesi 1:7.

Po kështu, rreth vitit 800 p.e.s., profeti Amos, një bari dhe bujk i thjeshtë, shkroi se Jehovai është Ai që «thërret ujërat e detit dhe i derdh mbi faqen e dheut». (Amosi 5:8) Pa përdorur një gjuhë të ndërlikuar e teknike, Solomoni dhe Amosi e përshkruajnë me saktësi ciklin e ujit, secili në këndvështrime paksa të ndryshme.

Gjithashtu, Bibla thotë se Perëndia «e mban tokën pezull mbi hiçin» ose «e mban tokën varur për asgjëje», sipas përkthimit Dom Simon Filipaj. (Jobi 26:7) Duke pasur parasysh se sa njohuri kishin njerëzit kur u shkruan këto fjalë, rreth viteve 1600 p.e.s., atëherë duhet të ketë qenë një njeri i jashtëzakonshëm ai që ka thënë se një trup i ngurtë mund të qëndrojë pezull në hapësirë pa pasur një mbështetje fizike. Siç u tha më lart, vetë Aristoteli nuk e pranonte idenë e një boshllëku ose hapësire, dhe ai jetoi 1.200 vjet më vonë.

A nuk ju duket e mahnitshme që Bibla flet me kaq saktësi për këto gjëra, sidomos kur shqyrtojmë disa bindje në dukje të logjikshme për ato kohë, por ama të rreme? Për njerëzit objektivë, kjo është edhe një provë tjetër që vërteton se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia. Prandaj, tregohemi të mençur kur nuk mashtrohemi lehtë nga mësimet apo teoritë që bien në kundërshtim me Fjalën e Perëndisë. Siç ka vërtetuar vazhdimisht historia, filozofitë njerëzore, madje edhe ato të titanëve të mendimit, nuk zgjatin shumë, ndërsa «fjala e Jehovait qëndron përgjithmonë».—1 Pjetrit 1:25.

Në shekullin e tretë p.e.s., një grek i quajtur Aristarku i Samos shtroi hipotezën se Dielli ndodhet në qendër të gjithësisë, por njerëzit e hodhën poshtë idenë e tij, duke përkrahur idenë e Aristotelit.

Për një trajtim më të hollësishëm të kësaj teme, shih kapitullin 15 me titull «Përse shumica pranon evolucionin?», në librin «Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?», botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

Qëndrimi i protestantëve

  Edhe krerët e Reformës Protestante u radhitën kundër teorisë së një sistemi ku dielli është në qendër. Ndër ta ishin: Martin Luteri (1483-1546), Filip Melanktoni (1497-1560) dhe Xhon Kalvini (1509-1564). Luteri u shpreh për Kopernikun: «Ky i marri kërkon të përmbysë gjithë shkencën e astronomisë.»

  Reformatorët i bazonin argumentimet në interpretimin e drejtpërdrejtë të disa vargjeve biblike, siç është tregimi i Jozueut në kapitullin 10, ku thuhet se dielli «u ndal» dhe hëna «qëndroi në vend».* Pse mbajtën këtë qëndrim reformatorët? Libri Gabimi i Galileit shpjegon se, ndonëse Reforma Protestante u çlirua nga zgjedha papale, ajo nuk arriti «të çlirohej nga autoriteti themelor» që ushtronte Aristoteli dhe Tomas Akuini, pikëpamjet e të cilëve «pranoheshin si nga katolikët, ashtu edhe nga protestantët».

Nga ana shkencore, ne përdorim terma të pasaktë kur i referohemi «lindjes së diellit» dhe «perëndimit të diellit». Por, në jetën e përditshme, këto dy terma janë si të pranueshme, ashtu edhe të sakta, duke pasur parasysh këndvështrimin tonë që nga Toka. Po kështu, Josiu nuk po fliste për astronominë, ai thjesht po i tregonte ngjarjet ashtu siç i pa.

Nga libri A General History for Colleges and High Schools, 1900