Risistë në filozofinë politike, koncepti i “shoqerisë së hapur” sipas Karl Popper

Popperi ka një koherencë të paqortueshme në parashtrimin e ideve të veta në çdo fushë me të cilën është marrë, pra edhe në filozofinë politike e në sociologji.

Ai ngulmonte fort se nuk duhet bërë pyetja “Kush duhet të qeverisë a të drejtojë?”, por “Si të kontrollohen ata që drejtojnë?”, apo më saktë, “Si t’i organizojmë institucionet politike në mënyrë që t’i ndalojmë qeveritarët e këqinj a të pazotë të na bëjnë shumë dëm?”. Ky ishte një ndërrim rrenjësor i perspektivës, që prekte strukturën autoritare të filozofisë politike, e në përgjithësi, traditën e filozofisë perëndimore. Ky formulim pranon se nuk ekziston asnjë tip autoriteti politik sipëror, më i mirë nga të tjerët e i vlefshëm në çdo situatë. Të gjitha format e legjitimimit të pushtetit (“prejardhja e fisme”, “hiri hyjnor” apo zgjedhja nga populli) e humbasin rëndësinë përballë çështjes së kontrollit, sepse edhe sikur ata që qeverisin të kenë ardhur në pushtet në mënyrë legjitime, kjo nuk do të thotë aspak se veprimet e tyre janë ipso facto të përligjura.

Qëndrimi poperian i hap kështu rrugën një qasjeje racionale në filozofinë politike. Kjo mund të realizohet vetëm në një shoqëri të hapur, koncept ky i futur dhe i përpunuar nga Popperi. Shoqëria e hapur është ajo ku triumfon qartësia e arsyes mbi terrin e instinktit, maturia e inteligjencës mbi parimin shkatërrues të mburravecërisë të monopolit të zotërimit të dijeve dhe të vërtetave absolute, të shkencës së mirëfilltë mbi paragjykimet pseudoshkencore të dala boje, të bindjes ndaj parimeve të edukatës civile mbi tërbimin e verbër të fanatizmit.

Shoqëria e hapur është e papajtueshme me çfarëdolloj utopizmi. Për të është e papranueshme ideja e përsosurisë, por atë e vë në lëvizje ideja e përsosueshmërisë; diskutimet e ballafaqimet nuk kanë objektiv të sendërtojnë “parajsën në tokë”, por më konkretisht të pakësojnë sa më shumë mjerimet e vuajtjet njerëzore. Shoqëria është gjithmonë jo e përsosur, prandaj duhet mbajtur e hapur rruga drejt përmirësimit.

Shoqëria e hapur, duke zgjeruar hapësirat e lirisë individuale, krijon mundësi për një debat të frytshëm, në të cilin s’ka vend për pikëpamje të privilegjuara e ku dialogu pranohet e ushtrohet si i vetmi mjet legjitim i integrimit në sferën publike. Ajo është shoqëri e politeizmit të vlerave.

Ndërsa shoqëria e hapur është racionale e kritike, vazhdimisht në përparim, e kundërta e saj, shoqëria e mbyllur që bazohet në ngurtësinë e zakoneve të mbështetura nga një autoritet, nga mungesa e tolerancës, nga shtypja e dhunshme e mendimit alternativ, etj. është një shoqëri irracionale dhe e përgjumur në përsëritjen bajate të formulave të konsumuara.

Dikur, për ta kundërvënë të mirën ndaj të keqes në histori, njerëzit e kulturës përdorën metaforën e dritës dhe të kundërtës së saj dhe flisnin për iluminizmin dhe obskurantizmin. Sot ka zënë vend metafora tjetër e së hapurës ndaj së mbyllurës.

Por dihotomia poperiane nuk duhet kuptuar si një alternativë e pastër ndërmjet shoqërisë së mbyllur e shoqërisë së hapur. Shembja e së parës nuk sjell detyrimisht realizimin a sendërtimin e plotë të së dytës, siç e provoi realiteti i sotëm i vendeve në tranzicion.

 Nëse ju ka pëlqyer shkrimi dhe dëshironi të jeni të vlerësuar nga ky kontribut profesional shprehni bujarinë tuaj duke dhuruar diçka, që kjo mundësi të sfidojë… Faleminderit!  [wpedon id=3298]