Nata magjepsëse e dëshirimeve dhe e blatimeve prej zjarri të epshit

Kjo natë nuk përngjet me netët e tjera, netët që struken në zemrat, në ato shkulme zjarri që i zgjon për t'i kredhur në shpërthim të dritës vezulluese. Pëshpërima e një zëri të shuar mes zjarresh dhe përfytyrimesh përshkënditëse, çuçuritje që vjen me gjethet e të ulet mbi sup si një flutur.

Ajo natë, e tjetërllojtë dhe e terrtë, drituese e përshkuese.

Retë lodërtare, që vrapojnë si fëmijë harrakat e i jepen atij shpengimi të harbuar. Hëna, melankolike si profili i një pritjeje që e shterron harresa; tinzare dhe magjepsëse, e vërdhemtë dhe majahoshe, si gjoksi i një virgjëreshe, hepuar prej epshit. Ajo hënë, fshihet e shfaqet, struket e beh për të të zënë në faj buzë që puthen, e duar që rrëzohen në prekje të befta, yjë që llamburisin e vështrime që kafshojnë në buzë magjepsjen, ngjasojnë të gjitha me netët që na mbërrijnë, ndërsa gjithnjë ne jemi vetëm duke ikur.

Ti dhe kjo natë në asgjë nuk kanë përngjasim. Edhe në mua gjithçka më duket si një mbërritje në pranverën e shkuar që duke riardhur, më sjell të njëjtat ngjyra, më gudulis me të njëjtat aroma, më ngazëllen me të njëjtat lule.

Ti dhe kjo natë, zgjuat diçka të pangjashme edhe në mua. E lashë veten në këtë arratisje galaktike për të gjetur ndoshta një vend në një cep të gjithësisë së gjendjeve, momenteve harrimi që më bëjnë të ndihem një grimcë mrekullie që ti dhe kjo natë e latë në mua.

Nëpër pëlhura të thurura Penelopash tragjike ndjej rendjen e një Odiseje që më zbon në këtë rikthim, në këtë riardhje, në gjithçka që mbeti ndër ne të dy. Ndjenja, flaka e ngjizur në diejt e shpërthyes të dritimit, ajo… ajo që ka aq forcë sa të shndrrohet në energji përtëritëse, në ngulm shtytës për nga udha e mbërritjes së hapave që sjellin gjurmët që i harroi vjeshta në bregun që e vigjelojnë dallgët dhe vetmia, beh ku harresa kundron nga rruga që nuk pikaset asnjë ardhje.

Shkëlqen dhe në këtë stolisje dritash dhe vezullimesh që pikojnë nga gjithçkaja në asgjënë e pluhrosur të përjetimit. Aq idilike është sa të duket e panjohur. E përshkon atë si diçka që e kishe dëshiruar kaq shumë, si diçka, tek e cila kishe derdhur gjithë vërshimin ëndërrtar, kishe shpaluar flakëruese gjithë ato qiej të përskuqur të perëndimit që kridhen në ëndjen e kësaj joshjeje përpirëse, siç bën petalja e lules, trëndafili i buzës kur një droje e ngarkuar me zjarr dhe pjalm i afrohet dhe derdhet në të si një frymë.

Ti ishe një dritëz, dritëz, që kishe zbritur heshtur prej vesës e tafti i mëngjesit të kish veshur me prekje, siç bën mjegulla, pa mundur të t'i fsheh hojet e mjaltit që ka gatuar zjarri në kurmit tënd të shkrehur përfytyrimesh dhe adhurimesh që deh çdo ëndje që e sodit.

Ti, dritëz e frymuar që më ngacmon, rrëzohu nga përthyrja e vezullimit në sytë që i shastis etja e magjepsjes dhe zgjatma dorën ti jehonë e zërave që ndrojtja nuk i la të fluturonin.    

Mbetesh edhe në këtë çast që më afrohet, ajo e gjithëmundura e çdo ëndrre që nuk lë zgjimin t'i afrohet syve dhe vullnetit. Afrohesh me heshtjen e zë vend në kthinën ku erërat kryqëzohen dhe derdhen ylberet. Atje, po atje ku asgjë nuk përngjason me vështrimin tënd të vjedhur, gjej copëza të thyera të drithërimave që nderen poshtë strehëve ku zogj të frikësuar dëbon fundvjeshta. Nuk gjen cak në asnjë ikje hija jote e fikur dritave. S'ka ëndërr që ta nxerë natën e endur vegimeve ku frymëmarrjet e mia të hovshme kacavirren në profilin e lëmuar nga drita e hënës që lëshon kurmi yt i shkrehur në paqen e amshuar të qiejve.

Aromat rrëfejnë shtegun, ku pret gjithnjë një lëndinë lulesh dhe trupi yt i kredhur në dëshirime. Me zogj fluturon për kah fërgëllon ti, fryma që prej gjoksit ma shkuli ofshama. Jam aty ku asnjë hënë nuk më përgjon, asnjë heshtje nuk më vihet nga pas, jam aty ku gjithësia gatitet për një shpërthim dhe afrohem me shikimin e hyajtur ëndjes dhe të ulem në kreshtën e gjirit që ta zbuloi një flutur.

Me fijet e barit dhe zjarrin që të bulon prej poreve të lëkurës, mbështillesh dhe e zë përfundi hutimin tim, atë që dorëzohet si një prekje. Nëpër mëndafshin e dritës që nderet mbi ne si shelg, dritëza kap e prekje hedh t'i shuajë dhe shoh se vezullime shpërthen në çdo xixëllonjë që duhmon prej mishit tënd.

Aroma e tokës përzihet me taftin e mishit, dritëzat e ofshamëve zjarrin e vënë mantelit të pëshpërimave, fjalëve dhe zërave që gugasin nën lëkurë e krahët shkapesin në mishin që përhidhet në krahët e kopulimit. Ikim e vijmë në njëri-tjetrin me zjarrin që na djeg, përshkojmë çdo copëz në ne me prushin e buzëve që i eshk’ etja. Përziejmë grumbujt e mishit dhe eshtrave në këtë flakërimë e shterrojmë në një trup që rënkon, në një cak që na thyen, na shpërbën në mijëra frymë dhe dritëza që nata i shpërndan me yjet.

Ndezur mbeti ajo natë, në zjarrin e ofshamës që mëkum… dhe drita e saj rrugën ma tregon për të mbërritur tek ti.

Artikuj të ngjashëm