Jetojmë në një shkreptimë drite dhe shndërrohemi në shkëqimin e një ylli

Prej bukurisë dhe aromës së luleve që i kam ruajtur nga pranvera e fundit, marr për secilin ndër ju, puhizën e krahëve të një fluture dhe zjarrin e dy buzëve që puthen, për të endur fjalën e ndjerë të një zemre të përflakur dëshirimesh dhe ëndërrimesh.

Lejomëni të vij tek ju, si një cicërimë e zogu që beh në dritaren, në dritaren ku ju keni derdhur vështrimin e hutuar të pritjes.

Të jem trokitja e vonuar e postës së dhuratave dhe t'u sjell urimin më të shumëpritur që i ka munguar shkrepëtimës vezulluese të festës.

Të vij me një fishkëllimë apo një serenatë poshtë ballkonit, e ju të skuqeni si të zënë në faj, prej zjarrit të dashurisë e padurimit për të qenë pushtues i këtij përqafimi përpirës.

Të vij në tingëllimën e një SMS-je që qiejt të llamburitur yjesh tu shfaq, e me fluturimin magjiplotë të tij t'ua kthjellojë çdo kundrim që ngacmon prehjen tuaj.

Më një trokitje gotash e një orë gjumë më shumë që të falin pushimet e festave, të vij, duke ju shpupurishur flokët me një ledhë të shkujdesur, dhe t'u njom buzët me një prekje të tultë që të ëmbëlson shpirtin.

Të vij, si grishja me e thellë në kujtime, në rijetimin e ëndrrës që ju ka përkundur kaq gjatë në dëshirat tuaja, si një e mundshme jetësimi përrallore.

Gjërat e shtrenjta janë një shkreptimë, ata ju gjejnë ju aty ku jeni. Vijnë kaq papritur dhe ju bëjnë kaq të lumtur, sa do ta keni të vështirë të besoni se gjithçka që po ndodh është e vërtetë. Kemi forcën e ëndrrës sepse meritojmë ta jetojmë mrekullinë e saj. Jemi ëndërr, ngase prej nesh lindin ëndrrat për të na bërë të magjishëm dhe solemn çastin. Jeta jonë është vetëm një shkreptimë drite. Ne jetojmë brenda saj si ngjyrë, si aromë, si petale, si dëshirë. Jetojmë në një shkreptimë drite që shpërthen në galaksi, duke u shndërruar në një yll.

Zgjidhe vetë yllin që do të jesh!