Të vërtetat, dilemat dhe intrigat e mëdha të kasaphanës së Pearl Harbour

Ishte dhe mbeti një "tragjedi amerikane". Masakra që kushtoi jetën e dy mijë njerëzve nënshkroi pjesmarrjen e SHBA-ve në zjarrin e Luftës së Dytë Botërore. Si çdo tragjedi tjetër me thelbësore politike, edhe asaj të Pearl Harbour i rrethvjen një tis i trashë paqartësie. Të vetmet gjëra të sigurta janë bombat japoneze dhe të vdekurit amerikanë. Por pyetjeve si dhe përse që iu shtuan atij mëngjesi të 7 dhjetorit 1941 – kur baza detare amerikane e Pearl Harbour u sulmua nga forcat ajrore japoneze – historianët nuk u japin të njëjtat përgjigje.

7 dhjetorit 1941 – kur baza detare amerikane e Pearl HarbourPyetja është: bëhej fjalë për një sulm të befasishëm, siç shkruante shtypi amerikan, apo diçka ishte paralajmëruar dhe mund të ishte parandaluar një sulm që u kushtoi jetën më shumë se 2 mijë vetëve dhe e tërhoqi vendin në konfliktin e dytë botëror?

Përgjigjet e historianëve janë trellojesh. Lloji i parë: “P(j)o, bombardimi i kapi të gjithë në befasi dhe ishte një turp duke qenë se nuk u parapri nga një deklaratë formale lufte”. Lloji i dytë: “Jo, qëllimet e japonezëve ishin të ditura, por fatkeqësia ndodhi për faj të zyrtarëve të paaftë”.

Lloji i tretë: “Jo, asnjë surprizë, presidenti i SHBA, Franklin Delano Roosevelt i dinte qëllimet e japonezëve dhe mezi priste të gjente një casus belli për të hyrë në luftë”. Për të kuptuar nëse shpjegimi i “llojit të tretë” është një ekzagjerim duhet ta kthejmë mbrapa 71 vite shiritin e historisë.

Tension i lartë

Në vjeshtën e vitit 1940, 12 muaj pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore, Japonia (aleate e Italisë së Musolinit dhe Gjermanisë së Hitlerit) nisi pushtimin e Indokinës franceze (Vietnami, Laosi dhe Kamboxhia e sotme), duke shkaktuar armiqësimin e Shteteve të Bashkuara. “SHBA trembeshin se mos humbisnin supremacinë në zonën e Paqësorit (kontrollonin Filipinet)”, shpjegon Mario Del Pero, docent i historisë dhe institucioneve amerikane në Universitetin e Bolonjës. “Në fakt e dinin që në Azi nuk ekzistonin fuqi që mund t’i kundërviheshin ngjitjes së japonezëve”. Për të penguar ekspansionizmin, Roosevelt dekretoi embargon ndaj Perandorisë ku lind Dielli, duke i shtuar shumë shpejt bllokimin total të trafikut të naftës dhe industrisë së rëndë. Në një plan të ngushtë ushtarak, shpresohej në fakt që flota e fuqishme e Paqësorit, që e kishte bazën në Hauai, mund të mjaftonte si frenues. Nuk ndodhi dhe, kur në korrik të vitit 1941 Japonia përfundoi pushtimin indokinez, SHBA u përgjigjen duke ngrirë mallrat japoneze në vendin e tyre.

7 dhjetorit 1941 – kur baza detare amerikane e Pearl HarbourTashmë në prag të asfiksimit ekonomik, japonezët ndërmorën rrugën diplomatike, duke pasur megjithatë në sirtar një projekt sulmi ajror kundër bazave të SHBA në Paqësor. “Çdo tentativë për marrëveshje ndeshej në mbylljen diplomatike amerikane, ngurtësia e të cilës justifikohej me perspektivën që do të duhej të përballej, në rast fitoreje, me boshtin Romë-Berlin-Tokio, një aleancë armiqësore që përfshinte të gjithë masën kontinentale euraziatike”, shton historiani.

Duhej reaguar me shpejtësi. Po si mund të bindej kongresi (i vetmi organ që mund të miratonte një hyrje të mundshme në luftë) si dhe popullsia për domosdoshmërinë e angazhimit në luftë? Një sondazh i shtatorit të vitit 1940 kishte bërë të qartë se pothuajse 90 përqind e amerikanëve ishte kundër pjesëmarrjes në konflikt. Dhe vetë Roosevelt u ishte betuar amerikanëve se asnjë i ri nuk do të binte në luftë pasiqë vendi nuk do të merrte pjesë asnjëherë në luftën në Europë. Për të ndryshuar këtë do të duhej një dorë nga japonezët.

Planet

Në verën e vitit 1941, në pritje të një dështimi të bisedave diplomatike, admirali Isoroku Yamamoto përfundoi planin e sulmit ndaj Pearl Harbour. “Plani parashikonte – sipas traditës japoneze – dërgimin e një deklarate formale lufte vetëm disa minuta para fillimit të operacioneve, për të shfrytëzuar kështu tërësisht efektin surprizë”, shpjegon historiani Sergio De Santis, ekspert i spiunazhit në Luftën e Dytë Botërore.

Me emrin e koduar Operacioni Z, manovra japoneze filloi në 26 nëntor (me tratativat që ende vazhdonin) kur një flotë e përbërë nga anije lufte, kryqëzorë, aeroplanmbajtës dhe nëndetëse u nis nga Gjiri i Hitokappu (Ishujt Kurili në veri të Japonisë) në drejtim të Hauait. Pasi dështuan tentativat e fundit diplomatike, japonezët u afruan pranë arkipelagut amerikan dhe në agimin e 7 dhjetorit që nga aeroplanmbajtëset e tyre u ngjitën në fluturim 350 avionë të mbushur me bomba.

Sa për deklaratën e luftës, ndonëse u nis në kohë, për shkak të një serie pengesash ajo mbërriti në Sekretarinë e Shtetit të SHBA vetëm pasi sulmi kishte nisur. Rasti e deshi më vonë që, kur në orën 7:02 një radar vërejti avionët e parë amerikanë që afroheshin, ushtarakët ishin të bindur se bëhej fjalë për bombardues amerikanë të cilët pritej të mbërrinin në atë kohë. Dhe për më shumë, 7 dhjetori 1941 ishte ditë e diel, ditë leje për ekuipazhet e si rrjedhim me efiçencë minimale.

Bombardimi nisi në orën 7:55, dy minuta pasi kapiteni Mitsuo Fuchida kishte thirrur përmes radios fjalëkalimin “Tora! Tora! Tora!” (Tre herë “tigër” por që këtë herë duhet marrë si “në sulm”). Në pak orë bombardime u fundosën katër koracata dhe anije të tjera të mëdha lufte si dhe u shkatërruan pothuajse 200 avionë, si dhe vdiqën pothuajse 2400 vetë.

“Ditën tjetër, i mbërthyer nga vala e emocioneve, Kongresi votoi hyrjen në një luftë në të cilën SHBA faktikisht ishin përfshirë tashmë”, thotë Del Pero. “Për muaj të tërë kishte hasur në kokëfortësinë e një opinioni publik refraktar për ndërhyrjen jashtë kufijve”. Por tronditja ua ndërroi mendjen pothuajse të gjithëve dhe shumë familje ishin krenare të dërgonin bijtë e trye “për t’u hakmarrë për Pearl Harbourin”. “Pak a shumë siç ndodhi me misionet e SHBA pas 11 shtatorit 2011”, thotë De Santis.

Koincidenca

Në fakt, të shumtë ishin ata që kërkuan shpjegime për gafat e mbrojtjes së SHBA. Në fillim e gjithë përgjegjësia iu shkarkua komandantëve në detyrë në Hauai: gjenerali Walter Short dhe admirali Husband Edward Kimmel, të cilët u shkarkuan pasi një komision hetimor i ngritur nga Roosevelt i gjykoi të paaftë të kryenin detyrën e tyre.

Megjithatë, me kalimin e kohës, u ngritën shumë dyshime mbi këtë rindërtim të ngajrjeve. Që në vitin 1917, SHBA kishin hyrë në luftë kundër Gjermanisë pasi kishin përgatitur një propagandë të zgjatur që u pasua me fundosjen nga dora e gjermanëve të transatlantikut Lusitania (1915), një anije angleze në të cilën udhëtonin edhe nënshtetas amerikanë. “E ç’hyn këtu Pearl Harbour?”

“Ka një analogji”, përgjigjet De Santis. “Në vitin 1915 amerikanët e njihnin shumë mirë rrezikun që mund të ndeshte Lusitania, e cila transportonte fshehtas materiale ushtarakë. Gjermania madje e kishte paralajmëruar New Yorkun, portin e nisjes, që të mos imbarkonte asnjë duke qenë se, përgjatë rrugës, rrezikonte të shkelte bllokun detar. Dhe në vitin 1941 të lije flotën e ankoruar në Hauai ishte si e rrezikshme, edhe provokuese”.

Ja ideja: në një vend si SHBA, ku opinioni publik luan një rol vendimtar, duhet gjithmonë një motiv i vlefshëm për të hyrë në luftë. Në rastin e Pearl Harbour, teoricienët e komplotit thonë se drejtuesit amerikanë kanë dashur të provokonin japonezët duke u ofruar atyre një pre të parezistueshëm: flotën në Hauai. Një akuzë e rëndë që shumë studiues e hedhin poshtë por që të tjerë e kanë shqyrtuar pa tabu.

Mes tyre është Robert Stinnett, ish luftëtar në marinën e SHBA dhe i shumëdekoruar në konfliktin e dytë botëror, autor i një studimi që ka zgjatur plot 17 vite dhe botuar në SHBA në vitin 1999. Stinnett e përcakton Rooseveltin një viktimë të “raison d’etat”, por nuk ka asnjë dyshim kur thotë që më shumë se 200 mijë dokumentat që ai ka shqyrtuar vërtetojnë se “sulmi nuk ishte një surprizë, as për presidentin, as për këshilltarët e tij politikë dhe ushtarakë”.

Interceptuar

Teza e Robert Stinnett bazohet, mes të tjerash, në transkriptimet dhe interceptimet që ushtria amerikane i bëri marinës japoneze në vitin 1941, marrja e të cilëve u bë e mundur falë Freedom of Information Act të vitit 1966, një ligj që lejon të këqyrësh dokumentat jo sekretë. “Prej tyre kanë dalë hollësi shqetësuese, si për shembull fakti që, qysh në janar të 1941, ambasadori amerikan në Tokio, Joseph Clark Crew kishte sinjalizuar për ekzistencën enjë plani për të sulmuar Pearl Harbourin”, shpjegon Sergio De Santis. “Veç kësaj rezilton që shërbimet amerikanë kishin deshifruar shumë mesazhe japonezë falë Magic, një makinë deshifrimi. Përmes këtyre mesazheve ishte konfirmuar që sulmi në Pearl Harbour do të ishte çështje orësh”.

Veç të tjerash, thotë Stinnett, “buletinet radiofonikë konfirmojnë që në dy javët para sulmit Roosevelti kish marrë dijeni të plotë për interceptimet”.

Stinnet madje ka shkuar edhe më tej, duke hedhur hipotezën që sulmi ka qenë rezultat i një regjie okulte nga SHBA. E ka bërë këtë në bazë të një dokumenti që ka dalë në 1994: “Memorandumi McCollum”. Bëhet fjalë për një dokument të firmosur nga Arthur McCollum (një njeri i shërbimeve të fshehtë amerikanë) dhe që i ishte dorëzuar presidencës së SHBA në 7 tetor 1940. Në tekst nënvizohej domosdoshmëria për të hyrë në luftë për të mbrojtur interesat amerikanë, dhe në të urohej që të sulmonte e para Japonia. Në memorandum sugjeroheshin 8 veprime provokues për të arritur këtë rezultat, mes tyre dërgimi i anijeve dhe nëndetëseve pranë ujërave territorialë japonezë, mbështetja e Kinës, fillimi i një embargoje totale dhe mbajtja e flotës amerikane në Hauai, pavarësisht rreziqeve që paraqiste kjo gjë. “↕do pikë e memorandumit u vu në zbatim dhe pak para 7 dhjetorit u larguan nga Pearl Harbour tre aeroplanmbajtëse, duke lënë në bazë ato më modernet”, kujton De Santis. “Ka shumë për të dyshuar mbi versionin zyrtar”.

Sakrificë

Të gjithë janë dakord? Natyrisht që jo. “Memorandumi nuk demonstron që Roosevelt kishte qëllim të provokonte sulmin për të justifikuar ndërhyrjen amerikane”, kundërshton Del Pero. I një mendimi krejt tjetër është Stinnett, i cili kujton që në fund të nëntorit, drejtuesit ushtarakë amerikanë morën këtë komunikim: “SHBA dëshirojnë që Japonia të bëjë hapin e parë”. Sipas Stinnett, Roosevelt – ndonëse me keqardhje – “provokoi sulmin dhe pranoi, me vetëdije, të ekspozonte para një risku shumë të madh ushtarakët në zonën e Paqësorit”.

Një zonë që do të mbesë e tillë deri në 1945, kur presidenti i ri amerikan, Harry Truman, do të niste dy bombat atomike që i dhanë fund konfliktit, duke përmbysur simbolikisht fatet e 7 dhjetorit 1941: bombat ishin amerikane, ndërsa pothuajse 200 mijë civilët e vdekur ishin japonezë. Bota.al

Artikuj të ngjashëm