Lindja e Shpëtimtarit, “Masakra e të pafajshmëve” dhe Mbreti Herod

Asnjë monark i lashtësisë nuk ka qenë gjithnjë veçanërisht i ‘mirë’, por Herodi I i Judesë (mbretëroi në vitet 37 P.E.S – 4 E.S), ndoshta ka një reputacion më të keq se çdo tjetër. Me prejardhje nga etnia arabe, Herodi ia detyronte pozitën e tij në Jude mbështetjes së Romakëve, që e patën ndihmuar të ngjitej në pushtet. I vendosur për të kopjuar shembullin e Romën, Herodi ndërmorri një seri projektesh me ndërtime ambicioze, përfshirë këtu krijimin e Çezaresë si port kryesor, si dhe rindërtimin e Tempullit të Dytë në Jeruzalem.

Origjina e tij jo-hebreje nuk përputhet me elitën fetare të Judesë, edhe pse disa fraksione politike e panë atë si pak më shumë se një kukull të Romës. Vitet e mbretërimit të Herodit u shenjuan nga sëmundjet dhe paranoja, duke çuar deri në vrasjen e njërës prej grave të tij dhe dy djemve. Pretendimi i tij kryesor që e lidh me imazhin e keq ishte “Masakra e të pafajshmëve”-  vrasja e mijëra fëmijëve të vegjël me qëllim sigurimin e vdekjes të të porsalindur të profetizuar si “mbreti i Judenjve”- e regjistruar në Ungjillin e Mateut.

Ngjarja e tij e tmerrshme nuk është përmendur në ndonjë nga ungjijtë e tjerë, as nga ndonjë burim bashkëkohor hebre, ndaj historianët modernë kanë hedhur dyshime nëse kjo ka ndodhur vërtet. Pra në përgjithësi mund të thuhet se pavarësisht se qe një despot dhe tiran, Herodi nuk ishte më i keq sesa çdo sumdimtar i fuqishëm i kohës.

Ungjillin e Mateut

2:1 Pasi Jezusi lindi në Bethlehem të Judesë në kohën e mbretit Herod, ja që disa dijetarë nga lindja arritën në Jeruzalem,

2:2 duke thënë: “Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar“.

2:3 Mbreti Herod, kur dëgjoi këto fjalë, u shqetësua, dhe bashkë me të mbarë Jeruzalemi.

2:4 Dhe, mbasi i mblodhi të gjithë krerët e priftërinjve dhe skribët e popullit, i pyeti ku duhet të lindte Krishti.

2:5 Dhe ata i thanë: “Në Bethlehem të Judesë, sepse kështu është shkruar nëpërmjet profetit:

2:6 "Dhe ti, Bethlehem, tokë në Jude, nuk je aspak më e parendësishmja ndër princat e Judesë, sepse nga ti do të dalë një udhëheqës, që do të kullotë popullin tim, Izraelin"“.

2:7 Atëherë Herodi i thirri fshehurazi dijetarët, dhe i pyeti me hollësi se kur e kishin parë yllin për herë të parë.

2:8 Dhe i dërgoi në Bethlehem dhe tha: “Shkoni dhe pyesni me kujdes për fëmijën; dhe, kur ta gjeni, më njoftoni që të vij edhe unë ta adhuroj“.

2:9 Dhe ata, pasi e dëgjuan mbretin, u nisën; dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u shkonte përpara atyre derisa u ndal përmbi vendin ku ndodhej fëmija.

2:10 Ata, kur e panë yllin, u gëzuan me gëzim shumë të madh.

2:11 Dhe, mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe dhuruan: ar, temjan dhe mirrë.

2:12 Pasi Perëndia i udhëzoi në ëndërr që të mos ktheheshin te Herodi, ata u kthyen në vendin e tyre nga një rrugë tjetër.

Ikja në Egjipt; vrasja e fëmijëve

2:13 Tani pasi u nisën Dijetarët, ja një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit dhe i tha: “Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe ik në Egjipt, dhe rri aty deri sa të të lajmëroj, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë“.

2:14 Jozefi, pra, u zgjua, mori fëmijën dhe nënën e tij natën dhe iku në Egjipt.

2:15 Dhe qëndroi aty deri sa vdiq Herodi, që të përmbushet ç`ishte thënë nga Zoti me anë të profetit: “E thirra birin tim nga Egjipti“.

2:16 Atëherë Herodi, duke parë se dijetarët e kishin mashtruar, u zemërua fort dhe urdhëroi të vriten të gjithë fëmijët meshkuj që ishin në Bethlehem dhe në tërë rrethinën e tij, nga dy vjeç e poshtë,

2:17 Atëherë u përmbush ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Jeremi që thotë:

2:18 “Në Ramë u dëgjua një klithmë, një vaje një qarje dhe gjëmë e madhe; Rakela vajton bijtë e saj dhe nuk pranon të ngushëllohet, sepse ata nuk janë më“.

Kthimi nga Egjipti

2:19 Pasi vdiq Herodi, ja një engjëll i Zotit i shfaqet në ëndërr Jozefit në Egjipt,

2:20 dhe i thotë: “Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe shko në vendin e Izraelit, sepse ata që donin ta vrisnin fëmijën kanë vdekur“.

2:21 Dhe ai u çua, mori fëmijën dhe nënën e tij dhe shkoi në vendin e Izraelit;

2:22 por, kur dëgjoi se Arkelau mbretëronte në Judë në vend të Herodit, atit të tij, pati frikë të shkojë atje. Dhe, mbasi u udhëzua nga Perëndia në ëndërr, iku në krahinën e Galilesë,

2:23 dhe, mbasi arriti atje, zuri vend në një qytet që quhej Nazaret, që të përmbushej ajo që ishte thënë nga profetët: “Ai do të quhet Nazareas“.

Artikuj të ngjashëm