Krishtlindja është mister i pranisë reale të Zotit ndër njerëz

Krishtlindja nuk është festa e kujtimeve dhe e sentimentalizmave, por është mister, që e bën të gjallë, këtu e tani, praninë e ndritshme të Hyjit të mishëruar. Kisha, na e kujton këtë, në përgatiten e periudhës liturgjike, që po jetojnë këto ditë besimtarët e krishterë. Krishtlindja është një festë që lidhet ngushtë me vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit.

Pelenat e grazhdit dhe çarçafi i vdekjes, nuk janë shumë larg njëri-tjetrit. Madje, Shpella e Betlehemit dhe Golgota lidhen pazgjidhshmërisht, si pjesë të një plani të Hyjit, që çon në shëlbim e që duhet kuptuar qartë. Kisha, pra, na prinë gradualisht, drejt epiqendrës së dy mistereve, duke pohuar se Nata e Krishtlindjes lidhet thellësisht me Natën pa gjumë të Pashkëve. Kjo nuk mund të mos e mahnisë çdo njeri, e prandaj Krishtlindja, sot, si asokohe kur Zoti zbriste nga qielli, në kohë e në histori, të mrekullon më shumë se të gjitha festat e tjera të mëdha të Kishës.

Të mrekullon, sepse të gjithë, në një farë mënyre, e marrin me mend se lindja e Krishtit lidhet me dëshirat e shpresat më të thella të njeriut. Konsumizmi mund ta shkëpusë nga kjo nostalgji shpirtërore, por për zemrat përplot me dëshirën për ta mikpritur këtë Foshnjë, risi e Hyjit, këtë Fëmijë, që erdhi për ta dhuruar plotësisht jetën, vezullimet e zbukurimeve të Krishtlindjes mund të bëhen pasqyrim i Dritës së ndezur me mishërimin e Zotit.

Të krishterët shikojnë shumë më përtej vezullimeve të festës. Shikojnë pikërisht atë, që ndodhi në natën e njerëzimit, ngjarjen më të pangjarë, çastin kur korpi njerëzor u bë mjet i shëlbimit tonë, në një kohë të caktuar, kohë që e kapërcen të kaluarën, për t’u bërë aktuale, në hapësirën e së sotmes.

Të kremtosh ngjarjet e Mishërimit të Birit të Hyjit nuk do të thotë thjesht të kujtosh fakte të së kaluarës, por t’i bësh të pranishme këto mistere, mbartëse të shëlbimit. Në liturgji, në kremtimin e Sakramenteve, këto mistere bëhen aktuale, plot vlerë për ne, sot. Në Kushtetutën mbi liturgjinë, Koncili II i Vatikanit nënvizon se vepra e shëlbimit, e kryer nga Jezu Krishti, vijon në Kishë përmes kremtimit të mistereve të shenjta, për virtyt të Shpirtit të Zotit.

Papa Leoni i Madh, e përshkroi Krishtlindjen me fjalët më të bukura, që përdori ndonjëherë penda njerëzore, nga misteri, në mister. Krishtlindja nuk është një ngjarje e veçuar, por fillim i misterit kryesor të shëlbimit, që arrin kulmin me mundimet, vdekjen dhe ngjalljen e Jezu Krishtit. E mos të harrojmë se Jezusi nis ta dhurojë vetveten për dashuri, që nga çasti i parë i jetës së tij njerëzore në kraharorin e Virgjërës Mari (…). Mishërimi e Pashkët nuk janë krejt pranë e pranë, por mbeten dy pika kyçe, të pandara, të të njëjtit besim në Jezu Krishtin, Birin e Hyjit të Mishëruar e Shpërblyes. Kryqi e Ringjallja nuk mund të kuptohen pa Mishërimin.

Një mister ky tejet i lartë e tronditës. E simbolet e kremtimeve të Krishtlindjes, që kujtohen në leximet dhe lutjet e solemnitetit, i japin liturgjisë së kësaj Kohe shpirtërore e liturgjike, domethënien e thellë të mishërimit dhe dëftimit të Hyjit në Krishtin, në Fjalën e vet të Mishëruar, domethënien e manifestimit, me kuptim eskatologjik, që na çon drejt mbarimit të kohëve, përmbushjes së tyre dhe përurimit të kohës së re. Prandaj duhen krasitur nga çdo lexim a kuptim i gabuar.

Kremtimi liturgjik i Krishtlindjes, nuk është vetëm një kujtim, por, mbi të gjitha, është mister, është prani (…) duhet ta shpëtojmë kohën e Krishtlindjes nga ngjyrimi tepër moralistik e sentimental. Kremtimi i Krishtlindjes nuk na propozon vetëm shembuj për t’u ndjekur, si përvujtërinë dhe varfërinë e Zotit, dashamirësinë e dashurinë e Tij për njerëzit, por është edhe ftesë për ta lëshuar veten në duart e Tij, që të na shndërrojë plotësisht, Ai, që u bë si ne, njeri me mish e gjak.

Duke uruar që shembulli i barinjve që vraponin drejt Shpellës së Betlehemit, që shembulli i shtegtimit të Mbretërve Dijetarë drejt Krishtit, të ushqejë dëshirën për ta takuar Jezusin e për t’ua kumtuar të gjithëve gëzimin, që buron nga Ungjilli i Tij, ju bëjmë, nga zemra, ju e gjithë të dashurve tuaj, urimet tona më të sinqerta për Krishtlindjen e Shenjtë. Gëzuar festën e Mishërimit të Zotit!.

RV