Fernando Arrabal ai që kultivoi teatrin e panikut duke e rikrijuar tmerrin me të cilin ballafaqohet njeriu bashkëkohor

“Labirinti” i Arrabal është dramë e cila reflekton mbi realitetin e sotëm të ekzistencës sonë si një shoqëri e vogël pothuaj se e izoluar nga rrethi të cilit i takon dhe që qeveriset nga struktura të ndryshme me emra të ndryshëm, parti të ndryshme, dhe që të gjitha pa dallim propagandojnë po të njëjtën gjë dhe sfidojnë opinion duke thënë se janë të drejtë.

Fernando Arrabal është shkrimtar spanjoll i cili krijimtarinë e tij, njëjtë sikur Beketi, e zhvilloi në Francë dhe kryesish në frëngjisht. Arrabal e kultivoi të ashtuquajturin teatër të panikut ku qëllimi i tij është që ta nxitë reagimin e njeriut duke e rikrijuar tmerrin e vërtetë me të cilin ballafaqohet njeriu bashkëkohor.

Arrabal dëshiron të nxitë reagime të sinqerta duke qenë i bindur se vetëm përballë një frike absolute njeriu mund ta gjejë guximin që të veprojë drejt. Krijimtaria e Arrabal është shumë e arrirë në kuptimin e teknikës dramatike, por edhe më e pasur në kuptimin e filozofisë së thellë që e bartë. Filozofi e cila është aktuale për kohë të ndryshme dhe kombe të ndryshme.

Etienne, një personazh i cili në simbolikën e teatrit të absurdit e përfaqëson vetë njerëzimin, e gjen veten në mes të një labirinti të batanijeve në numër që s’mund të numërohet dhe që shtrihet anekënd një rrafshine të pafund. Batanijet janë të varura që të gjitha që të thahen dhe renditja e tyre e lë përshtypjen e labirintit antik të Minotaurit. Etienne është i prangosur bashkë me Brunon, një thatanik të lodhur dhe të sëmurë i cili tërë kohën është i etur dhe e lë përshtypjen e një personi i cili që një kohë të gjatë përjeton tortura nga më të ndryshmet. Bruno është personazh pasiv i cili është në gjendje të duroj gjithçka dhe në fund vdes.

Sundimtari absolut i kësaj lugine dhe i këtij labirinti është padroni që quhet Justin, aludim i drejtpërdrejt në një personalitet që pretendon të reflektojë drejtësi absolute, i cili jeton së bashku me vajzën e tij Micaela e cila tërë kohën e josh Etiennin. Emri i vajzës së padronit është një emër tjetër i zgjedhur me kujdes nga autori pasi që Micaela do të thotë ajo që i ngjan Zotit. Etienne dëshiron të lirohet dhe të dal nga labirinti në të cilën e ka vendosur Justini por kjo nuk është e mundur sepse ai nuk mund ta gjejë daljen dhe edhe nëse arrin ta gjejë daljen do të pengohet nga shërbëtorët misterioz të Justinit të cilët nuk flasin por vetëm zbatojnë urdhrat dhe kanë mundësi të shfaqen kudo dhe të shohin gjithçka. Ettiene nuk ka mundësi që të dalë nga labirinti sepse Justin ka pushtet mbi gjithçka përfshirë edhe mbi gjykatësin i cili e gjykon Etiennin për reagimet e tij gjatë joshjeve të vazhdueshme që ja bënë Micaela dhe në fund e pranon se ai është gjykatës kukull sepse i gjithë pushteti, përfshirë edhe pushteti mbi jetën dhe vdekjen i takon Justinit.

Një rrethanë e tillë e imponon zhvillimin e një strukture rrethore të zhvillimit të konfliktit që është tërësisht në antipod me strukturën narrative të dramës klasike ku konflikti ka një pikë të fillimit dhe zhvillohet linearisht, hap pas hapi, drejt një pike të përmbylljes. Në këtë rrafsh atmosfera e cila reflekton nga një situatë e tillë dramatike e cila zhvillohet brenda vetes dhe nuk mund të ndryshojë në një situatë tjetër për shkak se labirinti e kufizon botën e Etiennit menjëherë e bart mesazhin e një proteste si ndaj sistemit politik ashtu edhe ndaj dogmës religjioze e cila e portretizon Zotin si një despot që nuk ka punë tjetër pos që të dënojë njerëzimin.

“Labirinti” i Arrabal është dramë e cila reflekton mbi realitetin e sotëm të ekzistencës sonë si një shoqëri e vogël pothuaj se e izoluar nga rrethi të cilit i takon dhe që qeveriset nga struktura të ndryshme me emra të ndryshëm, parti të ndryshme, dhe që të gjitha pa dallim propagandojnë po të njëjtën gjë dhe sfidojnë opinion duke thënë se janë të drejtë. Justini në rastin tonë e paraqet tërë klasën aktuale politike, pavarësisht emrit dhe ngjyrës, që është në gjendje të bëjë gjithçka vetëm për ta ruajtur pushtetin absolut përderisa Etienni jemi ne, njerëzit e thjeshtë, që dëshirojmë të ikim por nuk mund të shkojmë askund. Një klasë e tillë politike mbijeton duke rikrijuar të tjerë sikur vetë, të cilët edhe pse të ri, i kanë vetit e padronëve të tyre të vjetër. Këta na joshin, njëjtë sikur Micaela që e josh Etiennin, e më pas na gjykojnë për joshjen tonë.

Është ky një sistem që mbijeton në sajë të një labirinti të madh burokratik që mbrohet nga aparatçikë të panumërt përherë të gatshëm të shfaqen në çdo çast dhe që të mbrojnë padronët e tyre duke shpikur forma nga më të ndryshmet për të na rënduar jetën. Këta aparatçikë nuk flasin e as nuk mendojnë por vetëm zbatojnë urdhrat e padronëve të cilët i adhurojnë sikur të ishin Perëndi të pagabueshëm dhe përherë të drejtë! Sa për ironi nëse shërbëtorët nuk mjaftojnë janë aty edhe gjykatësit të cilët janë në gjendje të gjykojnë gjithçka e më së paku drejtësi. Në kulm të tërë kësaj është bota përtej labirintit që na do të vazhdojmë të jemi edhe më tutje në labirint.

Bruno i Arrabal edhe pse i nënshtrohet labirintit ai vdes përderisa Arrabal e detyron Etiennin e tij që të çmendet përballë sistemit mizor të labirintit. Sistemi i Justinit e gjykon Etiennin edhe për vdekjen e Brunos duke aluduar se sistemi mund të shkojë aq larg saqë ta shfajësojë tërësisht veten dhe ta vendosë fajin për fatkeqësitë tona në mes nesh. Etienne çmendet, sepse ai nuk ka fuqi që ta demaskojë kalbësinë e sistemit të Justinit.

Pyetja është: a thua çfarë do të ndodhë me ne?

Albatros Rexhaj