Sarajet e Xhemil bej Vlorës, ku u mbajt Kuvendi i Vlorës dhe u ngrit flamuri ynë kombëtar më 28 nëntor 1912

Një e vërtetë historike që mbetet ende e turbullt për një nga ngjarjet më kulmore të historisë së Shqipërisë, ngritjes së flamurit më 28 nëntor të vitit 1912.

Në një komunikim miqësor me fort të nderuarin Qerim Vrioni, mësova një fakt shumë domethënës, që ka të bëjë me të vërtetën e godinës ku u ngrit flamuri ditën e shpalljes së Shqipërisë të mosvarme.

Në një hulumtim të shpejtë mësova diçka më shumë për këtë fakt, i cili gjithsesi nuk është se nuk dihej por nga trumbetimi i vitepasvitshëm, ndoshta pa ndonjë qëllim dashakeq e ka zhvendosur godinën ku është ngritur flamuri më 28 nëntor 1912 nga shtëpia e Xhemil Bej Vlorës te godina ku u vendos qeveria e Ismail Qemalit pas kthimit nga Anglia në pranverën e vitit 1913.

E vërteta

Ngritja e Flamurit Kombëtar më 28 Nëntor 1912, që shënoi dhe Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në kufijtë Etnik (në katër vilajetet shqiptare), u ngrit në shtëpitë e familjes së madhe Vlora. Ato ishin shtëpitë e Xhemil Bej Vlorës, kushëririt të Ismail Qemalit dhe ndodheshin në hapësirën ku sot është Sheshi i Flamurit, aty ku ngrihet Monumenti i Pavarësisë (i inauguruar në vitin 1972) dhe ku përreth shtrihet lulishtja e madhe dhe memoriali i varrit të Ismail Qemalit me figurën e Flamurtarit – vepra këto që u përjetësuan nga skulptori ynë i shquar Odhise Paskali dhe u inauguruan më 28 Nëntor 1932. Këto shtëpi asokohe quheshin saraje, dhe sarajet e kësaj familje kishin dy godina (ndërtesa) të mëdha. Godina ku u mblodh Kuvendi dhe më pas u ngrit flamuri quhej Selamllëk (dhoma e burrave).

Si i përshkruan Eqrem bej Vlora këto saraje?

Eqrem bej Vlora në librin e tij "Kujtime 1885 – 1925" thotë se: Në hyrjen juglindore të qytetit të Vlorës, në kryqëzimin e shumë rrugëve, që duke zënë fill nga Rruga e Skelës, të çonin në qendër të qytetit, në mes të një parku të madh, rrethuar me mure të larta tetë-metërshe dhe me dy porta në të, ka qenë deri në vitin 1925 një ndërtesë e stërmadhe me një tjetër më të vogël përpara. Ai ishte konaku i Vlorajve, përfshi haremin (banesën e grave) dhe selamllëkun (banesën e burrave). Ndërtesa ka pasur 3 kate me shumë dhoma, korridore e ambiente të tjera. Dritaret e katit të parë janë të gjitha me hark dhe në foto duken vetëm 6 dritare. Ndërkaq dritaret e katit të dytë (në anën e majtë) janë 7 copë, të cilat duken në disa formate jo të rregullta. Dritarja ku u shpalos Flamuri më 28 nëntor 1912 është në derë, dhe përpara duken shkallët që të çojnë drejt kësaj hyrje. Në katin e tretë duken dritare me forma drejtkëndësh pa hark, dhe shquhen rreth 8 të tilla në krahun e majtë, ndërsa në krahun e djathtë duken 3 të tilla të vogla dhe një e madhe. Eqrem bje Vlora, shkruan se – kjo ishte shtëpia e Xhemil Bej Vlorës. Kjo shtëpi historike u shemb në vitin 1925, ndërsa Pinjollët e familjes Vlora u zhvendosën në godina të tjera. Syrja Beu (babai i Eqerem Bej Vlorës), u vendos në godinën që sot emërtohet “Shtëpia e Beut”, ndërsa Siri Beu u zhvendos në Ujin e Ftohtë, në një vilë që përkon me kodrën ku sot ndodhet njëra prej vilave të shkatërruara të ish-udhëheqjes komuniste.

FOTOJA E 28 NËNTORIT 1913!

Me të drejt konstaton Harilla Koçit, se, fotoja që përjetëson ngritjen e flamurit nga Ismail Qemali në ballkon nuk është e 28 nëntorit 1912, por e 28 nëntorit të vitit 1913, pikërisht në shtëpinë ku u vendos Qeveria e Përkohshme e Ismail Qemalit, aty ku sot ndodhet Muzeu i Pavarësisë. Dhe këtë foto e ka bërë fotografi ynë i shquar Marubi nga Shkodra, i cili mori pjesë në përvjetorin e Pavarsësisë së Shqiprisë.