“Mesha e Ateistit”, Honore de Balzak: Çfarë lufte të tmerrshme e të pandashme bën mediokriteti me ata që ia kalojnë

Nuk kisha as miq për shkak të karakterit tim shpërthyes, dyshues e të paqetë. Askush nuk donte ta kuptonte se fakti që prekesha shpejt, shpjegohej me vështirësitë e jetës dhe me të punuarit jashtë mase. Sepse unë ndodhesha mu në fund të jetës shoqërore dhe… dëshiroja të dilja në krye. Veç kësaj unë ruaja në shpirt ato cilësi të mira dhe atë gatishmëri për të ndihmuar të tjerët që do t’i quaja gjithnjë natyrat e fuqishme, të cilat mund të arrijnë në cilëndo majë, megjithëse para kësaj do t’u duhej të rropateshin në batakun e mjerimit…

Nuk e di a mund të krahasohet helmi që rastiste të provonim më vonë, kur vinim re ndonjë veprim tradhtar të ndonjërit nga kolegët… Përpiqesha të grumbulloja sa më shumë dije të qëndrueshme, në mënyrë që t’ia ngrija sa të ishte e mundur më shumë vlerat vetes dhe kështu ta meritoja vendin që synoja të zija. Ishte një dyluftim i gjatë, i egër, i rëndë. Askujt s’i vinte keq për mua. Në këtë mënyrë unë i hakmerrem për vuajtjet e rinisë atij egoizmi të pashpirt që ndeshet në çdo hap në shoqërinë e lartë, kur kujtoj sa pengesa mundoheshin të më krijonin në rrugën time drejt lirisë; urrejtja, smira, shpifja!

Në Paris, kur të shohin se je gati për të hipur në kalë, njëri të ngre nga cepi i xhaketës, ndërsa tjetri pret nën barkun e kalit që të biesh e të thyesh kokën; një i tretë i heq patkojtë kalit, kurse i katërti do t’ju heqë kamzhikun. Më i ndershmi është ai që afrohet me armë në dorë për të të qëlluar mu në kraharor.

Ju keni talent biri im dhe shpejt do ta kuptoni çfarë lufte të tmerrshme e të pandashme bën mediokriteti me ata që ia kalojnë. Nëqoftëse në darkë do të humbisni 25 luidorë, të nesërmen do t’ju akuzojnë për kumarxhi, kurse miqtë tuaj më të mirë do të fillojnë të thonë se keni humbur 25 mijë franga. Po t’ju dhembë ca koka do të thonë se keni filluar të çmendeni. Po t’ju shpëtojë ndonjë fjalë e ashpër, aty për aty do të thonë se je njeri me të cilin s’bën dot askush. Nëqoftëse gjatë luftës me këtë ushtri pigmejsh do të tregoheni i fuqishëm e i vendosur, miqtë tuaj më të mirë do të fillojnë të ulërijnë se ju nuk duroni askënd pranë vetes, se doni të sundoni, të urdhëroni të tjerët. Me një fjalë, të gjitha vlerat e tua kthehen në të meta, në vese, kurse bamiresitë e tua në krime.

Po u penguat, do të thonë “ra”. Nëqoftëse shpikni diçka dhe përpiqeni të mbroni të drejtat tuaja, do t’ju dale nami si njeri tepër i pashkueshëm, gjithashtu edhe si një llogaritës dinak që nuk u lë shteg forcave të reja të ecin përpara. Kështu, miku im, ju e dini se tek unë jeton një Deplen krejtësisht i ndryshëm nga Depleni për të cilin flasin aq keq. Por… le të mos gërmojmë më në këto plehra!

(Mesha e Ateistit; Tregime dhe novela nga H. de Balzak).