Hudhra, që nga adhurimi i egjiptianëve të lashtë deri tek domosdoja e përdorimit të përditshëm

Nga Albert Vataj

E PASUR ME ANTIOKSIDANTË, HUDHRA NDIHMON NË PARANDALIMIN E INFLAMACIONEVE, RRJEDHJEN E GJAKUT DHE NË PARANDALIMIN E DEGJENERIMIT TË QELIZAVE

Allium Sativum adhurohej nga egjiptianët sikur të ishte Perëndi. Që në lashtësi njiheshin vetitë e saj terapeutike. Faraonët ua jepnin për të ngrënë skllevërve që merreshin me ndërtimin e piramidave që të ishin më të fuqishëm dhe të mos sëmureshin me dizenteri. Në Greqinë e vjetër hudhra përdorej si stimulues dhe gjallërues për atletët e lojërave olimpike; në Mesjetë rekomandohej si antiseptik kundër pickimeve të insekteve dhe kafshimeve të kafshëve, si lehtësues për dhimbjet e kallove, kundër pagjumësisë dhe shurdhimit. Në vitet 1700 hudhra konsiderohej një ilaç kundër kollës, astmës dhe përdorej për parandalimin e infektimit nga murtaja.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, kur shpërtheu epidemia spanjolle, që pati efekte shkatërruese, shumë persona arritën të mbijetonin në sajë të përdorimit të shumtë të hudhrës. Në dekadat pasardhëse shkenca e mjekësisë zbuloi veti të tjera kuruese të hudhrës: u konfirmua për shembull që ajo mund të parandalojë sëmundjet kardiovaskulare, është një diuretik shumë i mirë, nxit tretjen, ul nivelin e kolesterolit, ka veti antireumatike, parandalon degjenerimin qelizor, është e pasur me substanca antioksiduese shumë të nevojshme, si dhe ndihmon në parandalimin e tumoreve. Për më tepër konsumatorët e rregullt të hudhrës kanë një sistem imunitar më të fortë dhe u rezistojnë më mirë infeksioneve me origjinë bakteriale ose virale.

Meqë është kaq kurative, më mirë të konsumohet e gjallë

– Ka nga ata që e konsumojnë hudhrën të gjallë, të paprerë ashtu siç është me thelpinj. Natyrisht që në këtë mënyrë nuk humbet asnjë vlerë e saja, por mund të ketë pasoja në tretje: për t’i shmangur këto të fundit, mjafton të hiqni pjesën e gjelbër.

– Hudhra mund të merret shtesë edhe në formë tablete, ose në formën e kokrrave xhelatinoze (një në ditë), ose në formën e tretësirës (20 pika 3 herë në javë) duke i përzier me lëng të freskët frutash.

– Në mjekësinë alternative dhe në dyqanet e ushqimeve natyrore, hudhra japoneze gjendet në formë pluhuri të thatë ose të lëngshëm. Veti kuruese ka edhe kur në një shishe me 100 ml alkool hidhet një kokërr hudhër. Lihet për një kohë të gjatë në qetësi dhe në një vend pa lagështirë, më pas mund të përdoret me pika kundër dhimbjeve të veshit. Një mënyrë tjetër e përdorimit të saj është në formë të lëngshme, e quajtur “Kyolic”, që nuk është gjë tjetër veçse një hudhër biologjike e fermentuar dhe e lënë në qetësi 20 muaj në vaska inoksi. Mund të pihet si shurup.

Kujdes nga hudhrat e rritura me rrezatim dhe pesticide

– Në treg mund të gjenden hudhra që kanë marrë rrezatime gama, me qëllim mosnxjerrjen e sythave. Sipas ligjit mbi etiketën e mallit, duhet shënuar diçitura “Hudhër me rrezatim për mosdaljen e sythave”. Kështu, nëse lexoni këtë diçiturë mos e blini, sepse është e dëmshme për shëndetin.

– Kujdes gjithashtu edhe nga hudhra e rritur me pesticideve. Duhet të blini vetëm atë produkt mbi të cilin shkruhet “Hudhër e certifikuar organike”.

Është me të vërtetë një medikament i rëndësishëm që stabilizon tensionin dhe pastron arteriet.

– Hudhra ka një veprim antibakterial dhe antiviral më të madh se substancat e tjera. Kjo mund të dallohet që nga era që çliron kur pritet ose qërohet.

– Hudhra rregullon presionin e gjakut, ul kolesterolin dhe ndihmon në rrjedhshmërinë e gjakut. Është një zëvendësues natyror i grupit të barnave betabllokues që rregullojnë presonin arterial dhe aritmitë.

– Hudhra përmban gjithashtu substanca antioksiduese që çlirojnë arteriet nga koagulimi i gjakut. Testet e kryera te një grup personash të sëmurë kanë treguar se me konsumimin e përditshëm, dhe konstant të hudhrës (2 thelbi në ditë), rreziku i infarkteve të papritura ulet 50%.

– Hudhra parandalon kancerin: studimet e kryera te një grup konsumuesish të hudhrës dhe qepës treguan se këto të fundit ishin 50% më pak të rrezikuar nga prekja e kancerit të stomakut, sesa konsumatorët normalë. Gjithashtu ajo parandalon si kancerin e lëkurës ashtu edhe atë të zorrës së trashë.