Apologjia e vërtetë e Sokratit, apoteoza britëse e fatkobit të demokracisë, apo konflikti mes politikës dhe filozofisë?!

Apologjia e vërtetë e Sokratit  është një nga monumentet më të lartë të mendimit filozofik, të forcës shprehëse dhe veprimit reagues, i marrëdhënieve gjithnjë në konflikt mes shtresave sociale dhe papajtueshmëria me atributet e virtytshmes si shërbesë hyjnore.

Jemi në Athinë, në vitin 416 p.e.s. Kjo skenë është rrëfyer nga një tjetër dishepull i madh i Sokratit, Platoni, në dialogun e tij Simpoziumi. Por, kur Platoni e shkruajti dialogun, disa dekada më vonë, protagonistët e festës në shtëpinë e Agatonit kishin vdekur të gjithë. Alkibiadi ishte vrarë në moshën 46 vjec, në vitin 404 p.e.s. duke dhënë frymë në krahët e një prej grave të shumta që e kishin dashuruar, Timandra. Edhe sot e kësaj dite nuk dihet kush ka qenë porositësi i vrasjes. Dihet vetëm që disa vrasës e ekzekutuan me një shi shigjetash ndërkohë që ndodhej në mërgim në Frigia, mysafir i Mbretit të Madh të Persisë. 5 vjet më vonë, në vitin 399, kish vdekur në burg edhe Sokrati. I detyruar të pinte kukutën, pas procesit ku ishte dënuar me vdekje nga një gjykatë athinase mbi bazën e dy akuzave: mungesë besimi dhe korruptim i të rinjve. Ishte shtatëdhjetë vjec.

Për shkak të atij dënimi si dhe falë dialogëve ku Platoni ka përjetësuar figurën e tij, Sokrati ka hyrë në histori si martiri "par excellence" i filozofisë, kampioni i mendimit të lirë, viktimë e pafajshme e intolerancës. Filozofia Hannah Arendt, në vitin 1956 do ta quante procesin ndaj Sokratit momentin kulmor të “konfliktit mes politikës dhe filozofisë”. Por gjërat janë më të thjeshta dhe më të ndërlikuara në të njëjtën kohë. Ndoshta celësi i vërtetë i vdekjes së Sokratit qëndron pikërisht në atë festë në shtëpinë e Agatonit, në atë takim aristokratësh të rafinuar. Sepse procesi ndaj Sokratit ishte mbi të gjitha, një proces politik.

***

Sokrati, kur dëgjoi vendimin e gjykatësve nuk tha asnjë fjalë, por u kufizua vetëm me një "hm!" E kur pak më vonë i bën pyetjen (sigurisht në bazë të Ligjit) se ç'dënim i pëlqente më tepër, vdekja apo syrgjyni, ai tundi disa herë kokën tullace dhe as që hapi gojën fare.

Gjykatësit, që ishin fshatarë të pagdhëndur e orë e çast shanin e merrnin nëpër këmbë çdo gjë të shenjtë, kur dëgjuan këtë shaka të papritur nga goja e Sokratit, u gajasën së qeshuri. Por ai mbas pak shtoi: "Dhe me që, nga sa duket, unë gjykoj më drejtë e më saktë se ju të tjerë, më takon mua të marr për xhepin tim të gjitha mëditjet tuaja".

Sa gjë e çuditshme, o qytetarë t'Athinës! Ne shohim perënditë, idetë, ëndrra, ngjarje të së kaluarës e të s'arthmes e vetëm hundën tonë s'mund ta shohim mirë. Unë tani po e kuptoj si një e një që bëjnë dy, se me të vërtetë i ditur është ai njeri që do të mund të shohë hundën e tij…

Pa hidhni një shikim nga përfaqësonjësit e akuzës! Janë të bukur të veshur me të gjitha salltanetet, persona që peshojnë shumë. Me gjithë kuptimin e fjalës janë patriotë me vulë. Shkurt, ata janë zotërinj të mëdhenj, që shkëlqejnë si diejtë e demokracisë!… Por pa më shikoni edhe mua një herë! Një mistrec me xhufkë. I grisur, i shëmtuar, i pahairtë, një qelbësirë me nam e njëkohësisht "njeriu më i ditur nga të diturit!"… Ku të futem? Çau dhé të kallem… Po, edhe unë sikur t'isha në vendin tuaj do ta kisha për turp të mos e dënoja veten edhe me vdekje, edhe me rahje dhe, që të them të vërtetën, do t'i quaja që të dyja këto një nder të math për veten time.

Pra, o qytetarë t'Athinës, ata kërkojnë që me zhdukjen time të mbrojnë moralin që po lëkundet në shpirtrat tuaja. Ata janë udhëheqësit e popullit, e po të mos ishin të pastër e të ndershëm do t'ishin ata të pandehur dhe unë akuzuesi.

Kush nuk verbohet përpara shkëlqimit të Anitit, fabrikantit të plotfuqishëm të lëkurave? Ç'gjeneral trimosh! E dërguan me tridhjet gjemi për të shpëtuar qytetin Niokastrë dhe ai u fsheh në një liman pranë kepit të Malasë, e qëndroi atje gjer sa ra kështjella e ai e shpëtoi për bukuri lëkurën e vet. S'ke ç'i thua, zanati i tij prej lëkuraxhiu e ka bërë që të vlerësojë më tepër lëkurat se sa vdekjen "për të mirën e Atdheut".

Ç'të ju them më tepër për oratorin Likon? A keni parë gjer tani ndonjë orator që të jetë qind për qind demagog e mashtronjës? Unë vë bast që edhe ju për këtë arsye e keni bërë komandant ushtrie dhe i keni besuar mbrojtjen e Nafpaktit. Por ai duke vepruar si patriot i kulluar ua shiti armiqve kështjellën në fjalë për një cop argjendi. Dhe ashtu, siç e donte puna dhe ju shkonte për shtatë, ju i dhatë besë menjëherë kur mbrojti veten, duke thënë se s'mund të bënte asgjë kundra Fatit, të cilit i nënshtrohen edhe perënditë, në vend që të thoshte se s'mundi të bënte gjë kundra arit, që komandon edhe vet Fatin! Dhe tani ai shpëtimtar i lavdishëm dekreton ligje, që mbrojnë jetën, nderin e pronën e popullit, domethënë pronën e vet, dhe në bazë të cilëve dënohen me vdekje tradhtarët, domethënë ata që janë të padenjë të nxjerrin në treg e të shesin Atdheun!

Në krahasim me ata, unë s'kam bërë gjë prej gjëje n'interes të Atdheut. As qytetin e Njokastrës nuk kam tradhtuar, as kështjellën e Nafpaktit nuk ua kam shitur armiqve dhe as që kam bredhur gjatë bregut të lumit për të bërë qejf në misteret e Afërditës mashkullore. Sa herë më keni ngarkuar me zor ndonjë ofiq, nuk kam vepruar simbas zakonit të komandantëve të tjerë, por sipas dëshirës së popullit. Një gjë të tillë e bënja ndoshta mbasi isha kokëngjeshur, ose për arësye se kam qenë njeri i drejtë. Merreni si të doni. Bile nuk mund t'jua fsheh se, para se të gjenit rastin të bëheshit të famshëm duke më dënuar mua me vdekje, për qime kam shpëtuar e nuk kam pësuar edhe në tri raste të tjera po këtë mesele. Dy herë në kohën e demokracisë dhe herën e fundit në kohën e tridhjet tiranëve.

Por ç'hyjnë në punë llafet tani? Edhe sikur të mos qëndronin aq lart ata që më akuzojnë dhe unë aq poshtë, do të mjaftonte urtësia dhe pagabueshmëria juaj që unë të dënohesha me vdekje… Ju jeni të zgjedhur një nga një; kokërr për kokërr. Për kokën e Sokratit. Ju jeni gjykatës Perëndie. Secili e shikon kjartë se koka juaj peshon katërqind derhem. Kurrë nuk merreni me fantazira e vogëlsira. Vendimet i merrni sa të hapësh e të mbyllësh sytë. Edhe dënimin me vdekje e merrni po me atë lehtësi që nxirrni qurrat prej hunde e pastaj i fshini në të prapsmen tuaj.

Ju kishit nevojë për një viktimë, jo që të mësohen fëmijët tuaj të bëhen të ndershëm, por që të kenë frikë nga demokracia! Ju kishit nevojë për një viktimë të kalibrit të math, që të lante gjynahet e tiranisë së djeshme dhe që bëhet pengesë në çdo orvatje për rivendosjen e saj.

Ju dhe Ligji juaj keni kryer detyrën tuaj. Por të merremi vesh. Ju nuk më dënuat sepse kam shkelur Ligjin, por për arsye se u tregova i paaftë të shkelnja mbi të e të kalonja më tutje… E dini si duhet t'ishte formuluar akuza kundra meje? Ju a them unë: Dëgjoni: "Sokrati është fajtor, mbasi ka qenë i pa fuqishëm e njeri fukara. Prandaj të dënohet me vdekje".

Turma, opinioni publik – nuk është gjëkafshë më tepër se një qen i zgjebosur i lidhur në një hu në mes të diellit. Ky qen gjithë ditën fle, kruan zgjeben dhe vërsulet i tërbuar kundër çdo njeriu, që orvatet ta shpëtojë nga veset e t'i zgjidhë zinxhirin me të cilën është i lidhur.

Por e vërteta është se kush e di sa herë më keni dëgjuar duke thënë: "se unë një gjë di, që s'di gjëkafshë fare". Nuk di gjëkafshë… këtë s'e kuptonit dot… Atëherë unë jam pa dyshim dreqi vetë… Dhe nga një njeri i tillë mund të pritet çdo gjë.

Kredoja juaj është se sa më pak mendon qytetari, aq më i urtë është, dhe sa më pak të flasi aq i lirë bëhet, sepse nuk është çudi se duke kërkuar për ditë të vërtetën Guathoni më në fund e gjeti dhe tha se më mirë është të hash se sa të mos hash… Po sikur të mos mjaftoheshe vetëm me këtë marrëzi, por të niste të bërtiste poshtë e lart e ta dëgjonin edhe të tjerë? Ja, pra ç'deshët të bënit ju: të ndalonit erërat shkatërrimtare, para se të fillonte shtërngata. Por këto erëra shkatërrimtare (lexo… të dobishme) i kishin sjellë me vete sofistët. Dhe unë ahere si një opinion publik negativ lehja kundra tyre dhe i kafshoja në këmbët… Por ju që shpëtoni një herë e mirë nga unë, më keni ngjitur akuzën se unë kam qenë sofist i sofistëve… Sa bukur do t'ishte sikur t'isha i tillë!…

Dhe që të shpëtonit sa më lehtë prej meje më keni ngjitur edhe një akuzë tjetër: se unë jam njeri i pafe!… Sa do dëshëroja të isha i tillë!… Këtë akuzë e keni si mjetin më të sigurtë, me anën e të cilit ndërseni… Qenin që të lëshohet e të mbrojë me dhëmbë e thonj interesat tuaja materiale. …sepse ju e keni mësuar të presi lumturinë nga qielli e të mos e kërkojë nga ju. Dhe kur atij i heq shpresën, i ke hequr çdo gjë! Ahere të lëshohet e të bën copë-copë!

Ç'ju hynte juve në punë nëse besoja te Perëndia apo jo? Mjaftonte kjo, që unë paraqitesha si njeri fetar…

Kurrë nuk bëhem predikonjës i ateizmit ndër të tjerët! Ka të ngjarë që unë të mos besoj, po turma?… Po të humbasin besimin te perëndia, kush mund ta përmbaj pastaj atë krimbërinë e arave, minjtë e porteve e të depove dhe qentë e zgjebosur e t'uritur të pazarit? Le të edukohen më parë! Sot për sot gjëra të tilla janë të parakohshme!…

Që thua, miku im, feja është guri themeltar i Atdheut dhe i moralit. Pa frikën e zotit populli do të vërsulej të rrëmbente paratë e tokat, djersën e mundin "e të tjerëve" dhe do të piqte të gjallë të gjithë ata që e ruajnë… dhe e nderojnë…" Pra, nuk ju interesonte, nuk deshëronit që edhe populli t'ju imitonte, ja pra përse do përdorni kufomën time: do ta hidhni në këmbët e turmës, që të mos harroj as edhe për një çast se ateizmi është faji më i madh…

Më akuzoni se unë prishja moralin! Korruptonja djemt! Po cilët ishin ata djem? Gjithë nxënësit e mi i kishin kaluar të dyzetat… Dhe për mua ata nuk ishin "nxënës" por miq… Nëse djemt më ndiqnin nga prapa, unë s'mund t'i përzenja… Djemtë duan shpotira, alegri… kurse filozofira e gjëra të tjera të tilla nuk i tretin kollaj. Po të hapish gojën e të predikosh gjëra të vështira, nisin e tallen me mësuesin, mërziten dhe arratisen nga shkolla!… ju thoni se unë u predikonja se kishin të drejt t'i lidhnin e t'i rrihnin prindërit, kur ata pinë, dehen e prishin paratë në kumarë, apo me gratë, kur humbasin arësyen apo marrosen. Unë këto gjëra nuk ua thoshja djemëve. Ua thoshja baballarëve. Më duket se ka një farë ndryshimi në këtë mes.

Ahere arrita të besonja e ta përhapë ane mbanë se dashurija shpirtrore, d.m.th. dashuria e panatyrëshme, pastron shpirtin e pjellë idera… Ja pse bërtisja në të katër anët se duhej të mbylleshin tavernat e tempujt e Afërditës. Por ç'e do. Ahere financierët e qytetit dhe priftëria u zemëruan aq sa s'thuhet, mbasi do të pakësoheshin t'ardhurat e tyre. Ja, pra, pse më akuzuan se unë dua të prish… familjen greke!

Si, si? Kam qenë i rrezikshëm për Republikën! Unë i rrezikshëm dhe ju Republika vetë. Po njerëzit e rrezikshëm, o qytetarë t'Athinës, nuk i gjykojnë. Këtyre njerëzve ose u puthin këmbët me servilizëm, ose i vrasin pabesisht. Dhe gjithë ata që populli i do e mund të bëhen një ditë të rrezikshëm, juve bëni çmos e arrini që t'i syrgjynosni pa një pa dy. Po t'isha i rrezikshëm do të kishit paguar dy-tre njerëz t'afionizuar që të më thernin me thikë ose do t'u jipnit ryshfet akshive të shtëpisë sime që të më hidhnin helme në gjellë, në verë, apo në kafe… Një njeri i rrezikshëm asqë gjykohet, dhe asqë ka nevojë të bëjë apollogjira… Ai fiton pozita, gjykon të tjerët dhe i dënon me vdekje, për arësye se mban pushtetin në dorë. Dhe vetëm po të humbasë pushtetin ahere mundet që ju ta veni në bangon e t'akuzuarve po qe se do të guxoni… e do t'arrini ta shtini në dorë.

 Jo, pra! Ju nuk u frikësuat nga Sokrati, por me vdekjen time kërkoni të frikësoni të tjerët. Republikës suaj po i rrëshqet toka nën këmbë. Muret e gjata t'Athinës e të Piresë janë të rrëzuara për tokë, e të vjen të qash me lotë. Gjemi nuk keni tani. Aleatë që të paguajnë haraç e ju të hani e të pini nuk keni më. Midis jush, me gjithë vrasjet e syrgjynosjet që keni bërë, fshihen shumë prej atyre që ëndërojnë vjetët e mira për ta, ata të tiranisë, mbasi tani po humbasin gjithë ato që kishin fituar ahere. Tamam si ju që përpiqeni me mish e me shpirt të fitoni rishtas ato që kini humbur ato të asaj kohe. Ata që janë në pushtet kanë frikë nga ndryshimet. Të tjerët që janë përmbysur ëndërrojnë ndryshime e punojnë që t'i realizojnë me çdo mjet. Kurse vegjëlia rri në mes dhe paguan dëmet. Ajo një lloj vuan edhe nën regjimet legale edhe nën ato ilegale, edhe kur pushteti quhet tirani edhe kur quhet demokraci. Dhe që të mos kuptojë e të mos rezistojë e hutoni me gënjeshtra dhe e terrorizoni.

Juve synoni të ndaloni lirinë e mendimit dhe mësimin e filozofisë. …Duket pra si buka që hamë, se demokracia juaj është tirania e maskuar.

…qëllimi i ligjeve nuk është të dënojnë fajtorët, por fukarenjtë e të pengojnë të vjedhurit, por të vjedhin edhe ata – "Ligj do të thotë vullneti i të fortëve dhe dobësi e të pavullneteve. Dhe drejtësia nuk është gjëkafshë tjetër përveç se interesi i më të mirit".

Por cilët janë më të fuqishmit? Të tillë nuk janë as ata që kanë trupin më të shëndoshë e më të stërvitur. Ju e dini fare mirë si u katandisën disa të tillë si Milloni apo Erkuli.

… Të fuqishëm nuk janë as mendjet e forta e të ndritura, si filozofët, satirikët, poetët dhe gjithë ata mizantropë apo pleq të rrjedhur. As shpirtrat e guximshëm si Prometeu, Leonidha apo Kinegjiri, që janë personazhe përrallorë e krijesa të fantazisë së frikacakëve. Më të fuqishmit janë kudo kusarët!"

"Mjerë ai qytetar, që arrin në shkallën e fundit të dëshprimit e me qëllim që të shpëtojë, dorëzohet në mëshirën e Perëndisë e të ligjeve të kusarëve".

Sa për vete, unë të drejtat civile nuk i përfillja fare dhe i merrja nëpër këmbë. Dhe ja që po ju a them tani se asnjë herë nuk kisha vajtur për të votuar. E përse të shkoja? Që të zgjidhja me dorën time se cili prej kusarëve do të më ripte lëkurën e cili prej xhelatëve do të më priste kokën?

Ja, po vjen edhe politikani. Prej së largu shihen më parë sytë që i shkëlqejnë e mbas pak duket edhe vetë zotëria. Para se të bëjë një hap, heton mirë vendin ku do të shkeli, ashtu siç bën edhe mushka. Ja, tani kollitet që të kthejmë kokën e ta shikojmë. Midis nesh ka edhe mjaft miq. E përshëndesim e ai na afrohet. Na shtrëngon dorën të gjithëve me forcë e me një përzemërsi që të bën për vehte. Po, si. Me një dorë të tillë të fortë mban timonin e anijes. Na do me gjithë shpirt e për ne bëhet fli. Për hatrin tonë shkel ligjet, që të na shpëtojë nga ligji. Ai na mësoi të bëhemi dëshmitarë të rremë nëpër gjyqe e të mos mbajmë fjalën në marrëdhëniet tona me të tjerë! Me që është dallaveraxhi i përsosur vetëkuptohet se është edhe kapedan i math. Po të fitonin ushtarët në luftë, lavdinë do ta mbante për vete. Po edhe sikur të mundeshin, atij as qimja e kokës nuk do t'i pësonte gjë. Sigurisht që nuk do ta kishte fajin ai. Fajin e kanë pasur… Por më mirë më vonë, më poshtë do t'jua them se cilët ishin fajtorët. Po kush mund ta akuzonte edhe sikur t'ua dorëzonte krejt ushtrinë armiqëve edhe sikur të hapte ai vetë dyert e kështjellave edhe sikur t'ikënte nga sytë këmbët i pari ai? Më thoni kush? Asnjë. Ai ka qenë prokurori vet.

Ata që janë më dhelparakë se të tjerët përpiqen të më bëjnë lajka që të mos u nxjerr të palarat në shesh. Më quajnë pra "filozofi më i madh" e më dërgojnë edhe në shtëpi gjithë farë lloj peshqeshe, Por sa bukur që kur unë i ktheja të gjitha mbrapshtë!… Po, për besë ju them, ashtu kam bërë! Me të gjitha ryshfetet që më binin donin të më mbyllnin gojën. Po si mund të duroja unë një gjë të tillë? Do pëlcisja!…

Që kur isha fare axhami sorollatesha duke bërë sehir në pazarin e qytetit dhe çuditesha duke dëgjuar dyzet mendime të ndryshme për të njëjtën çështje, por se që të gjitha këto mendime dukeshin sikur t'ishin të sakta. … përpiqesha të gjenja gjithënjë një mendim të vetëm, i cili t'ishte i detyrueshëm për të gjithë dhe në të gjitha rastet, me pak fjalë ishte i përhershëm dhe i pa ndryshueshëm, të qëndronte mbi kohën, mbi vendet e mbi njerëzit – domethënë t'ishte mendimi absolut. Një mendim i tillë duhej të kishte në vetvete diçka hyjnore, t'ishte "ide". Për ta gjetur e zbuluar këtë nuk do t'ishte aspak nevoja ta kërkonim në botën e jashtme ku është i përkohëshëm dhe i rremë, por brenda përmbrenda shpirtit që s'përbëhet prej materies dhe është i pavdekshëm. Atje në thellësitë e shpirtit prehen të varrosura idetë e vërteta, të mbuluara nga një shtresë e trashë ndryshku, që e kanë grumbulluar shqisat dëshira dhe dëshirat interesa. Dhe që t'i nxirrnim këto ide në dritën e diellit do t'ishte një punë shumë e vështirë. Do të duhej marifet i mamisë. Ashtu që unë me kalimin e kohës u bëra mamija e qytetit. Rroknja, pra, shpirtrat e njerëzve, i lëmonja butë e butë dhe në rast nevoje futja mbrenda duart e trasha e çengelet për të nxjerrë jashtë foshnjën. Me pak fjalë, o qytetarë t'Athinës, ashtu si bën një mami e mirë, sillnja në botë të vërtetën dhe për këtë arësye toka, qielli e deti u mbushën plot e përplot me gënjeshtra që si re të dëndura mbulojnë çdo gjë.

 

Siç e dini, pra, njerëzit janë të ndarë në njerëz që japin urdhëra e në njerëz që i zbatojnë; në njerëz që rrinë rehat e në njerëz që rropaten ditë e natë; në njerëz që shohin e njerëz që i kanë sytë të zëna me shtresë; në njerëz të ngopur e në njerëz të përvuajtur.

Jeta jonë thuret e plekset qysh në nisjen e saj në disa rrjeta, që na janë ngritur, para se të shohim dritën e diellit. Akoma çilimi, pa na pyetur fare, nisin të na mësojnë në shtëpi, në rrugë e në shkollë se cila është e mira dhe cila është e keqja dhe, nënkuptohet, gjithnjë "interesin e më të fortit". Kur mbushim moshën shtatëmbëdhjetë vjeç dhe shpirti ynë i njomë këndon nga gëzimi, na marrin ushtar e na venë të betohemi si këndeza për idealet dhe detyrat e larta – sigurisht për "interesat e më të fortit". Kur lirohemi nga ushtria e na jepet e drejta e votës, po këto gjëra do dëgjojmë për ditë – e ne vetë po këto gjëra do të përsëritim – edhe nëpër rrugë, edhe nëpër gjyqe, edhe nëpër mbledhje apo nëpër teatro, do me thënë ç'është "interesi i më të fortit". Dhe gjersa të mëdhenj e të vegjël, edhe dje edhe sot edhe nesër po këto gjëra besojnë të gjithë, do të thotë se këto janë ligje që kanë zbritur prej qiellit. Në këtë mënyrë po ecim pa menduar të gjithë, në rrugën fatale, të lidhur njeri pranë tjetrit e duke qenë të sigurtë se interesi "i më të fortit" është edhe i yni. Se na intereson më mirë të jemi të lidhur se sa të zgjidhur; se na leverdis më mirë të bëjnë të tjerët padrejtësira në kurrizin tonë se sa të dënojmë neve të tjerët. Dhe po të dilte befas ndonjë guximtar e të vërsulej me thikë në dorë që t'i nxirrte zorrët jashtë një ujku, ahere ne do të futeshim në mes me qëllim që t'i hanim ne tërë goditjet dhe ujku të shpëtonte. E po ta sillte ndonjë herë rasti që bisha të zhdukej, do bënim ç'mos që të gjenim një tjetër ujk më të lig, që të na hante shpirtin.

Me të tilla çudira forcoja Mbretërinë e iluzioneve në pellgun e lotëve të të mjerëve. Roli im ishte që të verboja të përvojturit dhe në këtë mënyrë t'i sillnja një dobi të madhe regjimit të Padrejtësisë, duke patur gjithënjë parasysh thënien: "Sa më tepër i verbër të jetë i përvojturi, aqë më drejt ecën në rrugë".

Ja pra pse s'kini leverdi të më vrisni. Do të vinë, me siguri kohë të tjera kur më të fuqishmit do t'i paguajnë shtrenjt prestigjatorët me qëllim që të fusin krimba, e jo të nxjerrin, në trutë e në zëmrat e naivëve që të bëjnë çudira e t'i mësojnë fëmijët dhe të rriturit të besojnë se "gjëja më e shtrenjtë dhe më e dashur se sa dashuria për mëmën e për babanë e të tjera, është çfrytëzimi". Si rrjedhim popullit të mbuluar nga një mjegull kaltëroshe, do t'i mërgohet fare vullneti dhe mendimi; dhe nuk do të jetë në gjendje të lëvizë as gjuhën, as kokën as edhe duart e tij.

Përse, pra, ju hyri shejtani në bark që të më vrisni? Unë tani, o qytetarë t'Athinës, parashikoj shumë gjëra për shekujt që do të vinë mbas meje dhe për qytetet e shtetet e kohrave të mëvonëshme. Në këto shtete e qytete do të lartësojnë si Perëndi, urinë, dhimbjen e budallallëkun; do të veshin me ar e do të ushqejnë me arra e mjaltë mësonjësit që do të mashtrojnë popullin me qëllim që ky derëzi të ushqejë mospërfillje ndaj materies e të presë çpërblimin në… "botën ideore".

Tani duhet t'u shpjegoj edhe diçka tjetër: unë, në qoftë se kam gabuar në teori, nuk kam gabuar aspak përsa i përket kritikës që u bëja burrave të shtetit. Dhe ata, për të më zhdukur një herë e mirë, më akuzuan si ateist. Filluan të thonë se Sokrati tallet me perënditë e bëhet shkaktar që të drejtohen goditjet e tyre të plotfuqishme kundra qytetit. Për shkakun tim Perënditë u larguan nga Athina, duke braktisur shkëmbin e Akropolit dhe kështjellën e shpirtrave tuaja dhe duke ju lënë në mëshirën e llamjeve. Po të shpërthente ndonjë shtrëngatë apo të binte breshër pa pushim që të shkatërronte fund e krye të mbjellat, po të binte shtërpima në të lashtat, filoksera në vreshtat, vrugu në bathë e në grosh, po të përhapej mortaja në pulat, bruçeloza në lopët e teknefezi në kuajt, po të binte një zjarr i math në ndonjë lagje që të shkretonte fare e të linte vegjëlinë pa plëng e pa shtëpi, po të vazhdonte për dy-tri javë rresht furtuna në Detin e Zi që të pengoheshin anijet që bien grurë e peshq e të vuante njerëzia nga uria, ose të vinte lajmi i zi se "trimat" tanë u mundën në fund të dynjasë e nënat të visheshin me të zeza, kush do ta kishte fajin për të gjitha këto?

Sigurisht askush tjetër, përveç ateistëve! Po të mos i kisha zëmëruar unë të pavdekëshmit me filozofinë time, nuk do na dërgonin mortajën në vitin 430. Por unë ahere nuk meresha me filozofi!

Tani e kuptuat fare mirë se unë me ateizmin dhe tradhëtinë time i sillnja një dobi jashtëzakonisht të madhe Atdheut dhe Fesë… dhe gjithë atyre që thithin qumësht prej sisëve të këtyre ideve të larta. Politikanë, priftërinj, e mësonjës ma ngarkojnë mua çdo paaftësi e poshtërsi të tyre, çdo nëmë të natyrës e çdo persekutim të Fatit! Kur unë do të pushoj se jetuari do kërkojnë të gjejnë një Sokrat tjetër, që ta pagëzojnë në kazanin e opinionit publik si ateist e tradhëtar. U nevojitet gjithënjë një viktimë që t'i ngarkojnë të gjitha mëkatet e ta flakin në mëshirën e turmës së zëmëruar, sa herë që e ndjejnë veten ngushtë. Nuk do t'ishte e mundur të jetonte, qoftë edhe për pak, as kopeja pa Ujqë e as Ujqit pa ateistë e tradhëtarë.

Të gjithë ju ankoheni se gjoja bota vate, u prish. Për cilën botë e kini fjalën? Për malet e për qiellin? As që u trembet syri fare: Mos doni të thoni për dy-tre ateistë? Po ju vetë u prisni kokët atyre dhe çdo gjë rregullohet për mrekulli. Bota jeni ju, zotëria juaj, o qytetarë t'Athinës. Të gjitha zakonet tuaja të shkruara e të pashkruara siç janë: frika e perëndive, bindja ndaj ligjeve, dashuria ndaj mirësisë dhe burrëria – të gjitha këto po kalben të ngordhura në gropsinën e madhe bashkë me kufomat e skllevërve të vrarë. Mashtrimi, kusaria dhe poshtërsia janë "demonët" e Qytetit – pasuria e tij e mbrendëshme – që ju ngrejnë lart e më lart. Pastaj u paraqit "demoni" im ("demon i ri") që të ringjallte këto ngordhësira, duke ju fryrë në bark me anë të kallamit të filozofisë "frymën e së vërtetës" e t'i lartësonte në ide të kulluara në hapësirën e mendjes së pamasë, të paprekura nga veprimet e kohës e të njerëzve.

Po të orvatesh t'i kthesh lëvizjet e padukëshme e të verbëra të shpirtit në rregulla e në ligje t'arësyes, me pak fjalë t'i ndërrosh ato nga thellësia e errët e imitimit dhe e përsëritjes në sferën e ndritur të mendimit, ahere mori fund puna! Ato i ke vrarë dhe i ke zhdukur një herë e përgjithmonë. Por duhet ta dini se unë edhe kur veproja në këtë drejtim ju sillja një dobi të madhe. Me që ju problemet më të mëdha të kohës i kini lënë që t'i brenin pak e nga pak mijtë e ujrave të zeza, unë gjithënjë ju këshilloja se nuk duhet ta merrnit lehtë këtë çeshtje, me të qeshur, duke bërë sehir e duke kujtuar se çdo mashtronjës i pa cipë është edhe njeriu më i mënçur i Athinës. Me qëllim që të mbronja interesat tuaja, ju mësonja të nderonit emrat e tyre e të bënit një mijë lajka në ditë përpara grave, kalamanjëve e skllevërve që të mos mirrnin guximin e të zbrisnin ndonjë ditë në rrugë për të bërë vepra më të liga nga ato që bëni ju. Me pak fjalë, unë ju mësoja të bënit mëkate në emër të perëndive e të bënit faje e krime në emër të ligjeve!

Po ku t'i mbaj mend të gjitha tani? Vetëm një gjë s'mund të harroj se ti, dhe ai dhe ky këtej… shkurt ju që të gjithë, kishit qenë të një mendimi me doktrinën time e në çdo rast kini ulur kokën boshe përpara gënjeshtrave me brirë. Do të më mjaftonin vetëm tri fjalë për të treguar se ç'farë shërbime të mëdha i kam sjellë unë atdheut në ndarjen e qytetarëve nga njera anë në njerëz të ngopur me të gjitha të mirat e jetës e nga ana tjetër në rrënjëdalë. Po filloj.

 

a) Unë kam provuar se shpirti i njeriut është i pavdekshëm! Ekzistoka pra shpirti! Për hir të shpirtit ekzistojnë (domethënë duhet t'ekzistojnë) shteti – ligje e priftërinj – perëndi! Frika e perëndive dhe ligjeve na mban që të mos ngarkojmë shpirtin me mëkate… e të mos futemi në burg!

Qytetarë t'Athinës. Po të mos ekzistonte shteti nuk do të kishin ekzistuar as perënditë, as priftërinjtë as edhe shpirti i pavdekshëm. Ne të mjerët e rrënjëdalët duhet të kemi besimin se do të gëzojmë të gjitha të mirat në jetën e përtejme që s'do ketë kurrë mbarim – mjafton që të vdesim!

Neve nuk na lejohet të marrim mbrapshtë me duart tona atë që na marrin sundonjësit me anë të forcës e të dinakërisë, – me pak fjalë ato që përfitojnë me gjakun tonë e me votën tonë. S'ka asnjë dyshim se ata do dënohen nga zoti në botën tjetër. Kemi për të parë me sytë tona se si ata në skëterrë do të futen në kazane të mbushura me katran e do të vlojnë përditë e përgjithënjë. Se po t'i dënojmë ne me duart tona, ahere do bëhemi ne të liq, do të ngarkohemi ne me mëkate e do të na fusin ne në kazanet e xhehenemit.

b) Kjo nuk ka qenë fjalë që e merr era, por guri themeltar i doktrinës sime. Për këtë i dhashë edhe një formë të prerë katrore duke predikuar se: "më mirë ta pësoj në kurrizin tim çdo padrejtësi, sesa të bëj vet padrejtësira!". Dhe një gur i tillë themeltar forcohet më tepër mbi rërën dhe ujin dhe në shpirtrat e dobëta. Sa më tepër i përulur të jetë njeriu aq më i pavendosur bëhet; sa më i lodhur të jetë nga jeta, aq më pak merr frymë lirisht, më pak mendon e më pak zëmërohet. Që të rezistosh kundrejt padrejtësisë duhet guxim e besim në vetvete – po aq më tepër duhet guxim, që të bësh padrejtësira. Duke jetuar gjithënjë me frikën në bark, nuk dëshëron të kesh telashe të mëdha e të ndjesh vazhdimisht në shpirt një frikë të madhe. Prandaj e le veten të tërhiqesh në rehatinë e mungesës së vullnetit e në egoizmin e dhimbjes. Dhe jo vetëm që qëndron pasiv kur të grabisin ç'nuk ke, por nuk i prek me dorë as ato të pakta që ke: agjëron me dashje duke mos ngrënë, mos pirë e duke mos prekur femra, urren e përbuz diellin, detin, ajrin e pastër të malit e shëtitjet dhe kërkon të gjesh sëmundjet, vuajtjet, ndyrësinë, heshtjen e vdekjes. Dhe përse të gjitha këto? Që të shkosh në parajsë. Dhe ja parulla: "Dhimbja forcon moralin!". Unë, pra, kam qenë ai që kam ngritur në qiell si flamur të kopesë, gëzimin e dhimbjes. Sa për ata që s'mund të durojnë dhimbjen janë menduar ligjet e Solonit, pse në bazë të këtyre ligjeve janë ngritur tempujt e dashurisë së lirë. Në të tillë tempuj – kuplara, cilido blen me çmim të ulët përsosmërinë, domethënë harresën e vetvetes.

c) Po këtë mendim e kam shprehur edhe ndryshe me këto fjalë: "Asnjë nuk është i lig me dashje". Kjo do të thotë shkurt: mos dënoni ata që bëjnë padrejtësira, sepse do t'u bëni… padrejtësi. Ata janë të pafajshëm. Nuk dinë, të shkretët, se bëjnë keq. Kini durim. Po t'i mësojmë se ç'është e mira e ç'është e keqja do të zhduken nga kjo botë të gjitha të ligat e padrejtësirat dhe do të mbretërojë kudo shpirtmirësia… Për këtë na nevojiten shkolla. E këto shkolla, e dini kush do t'i ngrejë? Ata që bëjnë padrejtësira. Dhe ja përse: Pasuria që disponojnë ata është edhe detyra, edhe drejtësia edhe e mira. E që të mos e zgjatim më tepër e ta bëjmë tërkuzë ata vetë do të edukojnë djemt e popullit që, kur të rriten, të mos rezistojnë kundra padrejtësisë.

Është e kjartë tani se filozofia ime mbronte regjimin e pabarazisë, atë që kemi thënë e stërthënë: "interesin e më të fuqishmit". Pa dyshim, për një arësye të tillë ju nuk duhej të më vrisnit! Shtetet, që do të vijnë më pas, do ta dinë më mirë punën e tyre. Kisha, shkolla, shtypi e kërbaçi do të punojnë të gjithë së bashku për të ndarë qytetarët në njerëz të ngopur e në të mjerë, dhe nuk do të lënë gjë pa bërë për të pajtuar ata që s'mund të pajtohen me anën e parullës "të harmonisë së klasave". Vetkuptohet tani se unë kam qënë dirigjent i parë i kësaj harmonie, megjithëse ju po më dënoni me vdekje si ateist. Nesër – pasnesër të krishterët do ta bazojnë fenë e tyre mbi këto mësime. Do të më nderojnë si një profet të Perëndisë së tyre e surratin tim do ta pikturojnë nëpër kishat me një aureolë të gjërë e të artë rreth flokëve të mia.

Për të gjitha këto që kam predikuar do t'ishte e drejtë që të më kishit veshur me ar e të vinit të më faleshit si një perëndije. Për ato që do të bëja, po të rroja do të kishit plot të drejtë jo vetëm të më vrisnit, po të më shtypnit mirë e mirë në një thuk të math… Nuk ka në botë poshtërsi më të madhe e tradhëti më të lartë sesa të thuash të vërtetën…

E që thoni ju, po të mos vdisnja do shkoja nëpër lagjet e varfëra t'Athinës e anembanë fshatrave të mjeruara t'Atikës. Do të futesha nëpër bimcat e errëta, prej të cilave nuk largohen kurrë tartabiqet dhe veremi; do të hynja nëpër dyqanet e vegjëlisë, nëpër vënde ku shitet qymyri poshtë në liman, atje ku mezi merr frymë njeriu nga papastërtia e nga qelbësira. Dhe do të bërtisja me forcë: "Qytetarë, të lirë! Ky vend edhe sikur t'ishte në Skithinë e largët32, atje ku dielli rrallë, shumë rrallë, duket e çduket nëpër të çarat e reve të zeza e mbi dëborën që nuk shkrin kurrë, prapë do t'ishte vëndi më i bukur i botës, sepse zemra juaj rreh për të. Ky është atdheu. Atdheu është i juaj, por në këtë atdhe gjë prej gjëje nuk ju përket, nuk janë tuajat arat e pallatet, anijet e paraja, perënditë e pushteti, mendimi e vullneti, – të gjitha, të gjitha, janë të huaja! Vetëm pak prej jush kini aq vënd sa të futni kokën, kur jini të gjallë e të hapni një varr kur të vdisni dhe jini aq të lirë sa të kini në dorë të bëni nevojën tuaj në ndonjë hendek, ku nuk ju gjurmon e nuk ju sheh xhandari… Kur hidhni shikimin andej larg nga deti i kaltërt, ku vozitin kaike e anije të ngarkuara me grurë që e sjellin nga gryka e Nilit, nga Bosfori apo nga Gjibraltari, që transportojnë metale, mëndafshë e femra, ndjeni një krenari në shpirt se të gjitha këto janë tuajat, mbasi janë "kombëtare". Dhe asnjeri prej jush nuk mendon se të gjitha të mirat grumbullohen në pak duar. Persët, Spartanët, Thibanët e Korinthianët ju vrasin vetëm një herë ndërsa duart e vëndasve ju shtrëngojnë pa mëshirë në grykë gjithë jetën e jetës e ju marrin shpirtin orë e çast. Dhe jo vetëm asgjë prej atyre gjërave që duken rreth e rrotull nuk ju përket, por edhe vetja juaj dhe shpirti juaj i përket dikujt tjetër.

Pastaj do të shkoja nëpër guroret e Pentelit33, në minierat e Lavrios34, në kantjerët detare të Pieresë, në fabrika që fabrikojnë heshta e parzmore për luftë, do të futesha në mes të skllevërve. Do të zbrisnja poshtë në hambarët e anijeve, atje ku punojnë natë e ditë gungaçët, (i kini parë ndonjë herë? Flokët i kanë të bardha e ballin të djegur me hekur të skuqur) që lëvizin me ritmë lopatat e prangat e tyre e ulërijnë nga goditjet e gërbaçit të pronarit, sapo bien t'alivanosur nga lodhja e padurueshme. Do të shkoja në çifliqet e mëdha, ku punojnë skllevër të mbrehur bashkë me qe, për të lëruar tokat plot me gurë e me shkurre. Do të ngjitesha n'Akropol e në të gjitha vëndet e tjera, ku skllevërit me shpatullat e tyre ngrejnë lart gjer në qiell tempuj gjigandë, si Partenoni, e do t'u thosha:

Thrakas, asiatikë, afrikanë, skithë e grekë! Skllevër, shërbëtorë, konduktorë, pedagogë, gjithë ju, o të përulur. Mantenuta të haremeve e kurva të shenjta të perëndive e të njerëzve. Skllevër të shtetit e skllevër të pronarëve. Një Filozofi e poshtër predikon se jeni lindur skllevër. Po as perënditë e as natyra nuk kanë urdhëruar farën e prindërve tuaj të bëheshit të tillë. Vetëm fati ju solli në këtë katandi e pastaj zakoni, përsëritja i dha vulë skllavërisë tuaj. Ju jini skllevër që të jemi të lirë ne. Ngreni një herë kokën lart e hidhni një shikim drejt qiellit pranveror. Ju keni harruar edhe ngjyrën e bukurisë së tij. Në atdheun tuaj njëlloj është e qeshura dhe e gëzuara e bregdetit dhe sa shkëlqejnë e të magjepsin me bukurinë e tyre fushat dhe dielli. Një herë e një kohë kishit qenë edhe të lirë e të fuqishëm, kurse më vonë ju kthyen në skllevër e mbi kurrizin tuaj bëhen të gjitha soje të padrejtësive; s'ka rëndësi në se ky transformim është bërë tani në këtë brez, ose në kohën e stërgjyshërve tuaj. Ju jeni pulsi i jetës. Provoni fuqinë tuaj e bashkohuni me njerëzit e lirë që edhe ata pësojnë njëmijë padrejtësira. Mjafton të ngreni çekanët, drepërinjt, sëpatat e tërë cfurgjet që të bëhet hi e pluhur nga themeli demokracia e fisnikëve të pakë, t'u rrëmbeni të gjitha të mirat e t'i detyroni të punojnë që të kenë të drejtë të hanë: "Po, po, të punonin ata e ne të rrinim". – do përgjigjeshin disa të mësuar, që zvarisen si raja përpara të mëdhenjve e që shtypin pa mëshirë të pafuqishmit. "Jo, jo" do të bërtisnja unë: "Do punojnë edhe ata edhe ju. Punë e përbashkët, të mira të përbashkëta, edhe liria… "Një liri të tillë nuk e duam. Nuk është për ne" – do thoshin ata. Dhe unë do t'u mbyllja gojën me këto fjalë: "Mos e prishni gojën… kur të vijë ajo ditë edhe ju do hyni në rrugë të mbarë që të bëheni njerëz dhe, dashur pa dashur, të shpëtoni trupin, shpirtin e mëndjen tuaj". "Ç'na thua, more. E kush do na e tregojë rrugën e mbarë?" – do pyesnin. Në këtë rast do t'u përgjigjesha vetëm me një fjalë: "Skithët".