Bota e kyçur në kodin e ngjyrave dhe formave të piktorit, Jackson Pollock

“Arti nuk përmirësohet kurrë, por…materiali i artit kurrë nuk është i njëjti” kumton T. S. Eliot, dhe Jackson Pollock nuk vjen në historinë e pikturës të përmirësojë, por të zgjedh një ndryshesë, përdor një logjikë e mendësi të tjetërllojtë ndaj çështjeve shpesh vendimtare, me të cilat u kacafyt arti pamor në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ai si pa kuptuar ndjen se ka ardhur të promovojë, të mëtojë një proces ndryshimi. Pa e vrarë mëndjen nëse bota ishte gati për këtë, ai hidhet, ndoshta edhe i avantazhuar nga karakteri dhe personaliteti i tij ekcentrik. I beson unit të tij dhe esit të ngjizur në kapërcyell ngjarjesh dhe trajtesash. Guximi nuk i mungon të përfshihet në artin e ri “të çmendur”, si në një aventurë ku, si gjaku ashtu edhe boja stërkalen, ngjyjnë, kumtojnë, ku si vdekja ashtu edhe jeta, janë procese transformimesh.

Paul Jackson Pollock (28 janar 1912 – 11 gusht 1956), ishte një nga piktorët amerikan më me ndikim. Ai ishte pikë kthese në rrjedhojën promovuese të një vlere tramsformimesh të thella dhe të ethshme të vlerës estetike. Një erë e re e artit propozohej në qytetin e potershëm të New York dhe jo vetëm. Historia e deriatëhershme e artit vihej përball një ngulmi të fuqishëm energjie ndryshesash dhe forme shkatërruese e transmetimit të aktit krijues. Përmes të tjera trajtesash vinte shprehia artistike që ai mëkon me nerv dhe furçë, me nxitim dhe papërmasë. Me të në një tjetër fazë hynte mendimi filozofik i artit vizual, me një tjetër afri i qaset ai botës, botës që nuk mund të jetë vetëm se pre e këtij kurthi tjetërsismsh në trajtë dhe gjendje .

Jackson Pollock hedh kështu një hap gjigand në ekspresionizmin abstrakt, në një prurje stilistike të kumtimit. Ai vjen me një risi dhe një sprovë. Guxoi që përmes kësaj veçantie unike të udhërrëfejë botës një realitet tjetër, një stil të menduarit përmes, dominimit, demonstrimit, kolorit, ngjyrave, përmasave, lojës me bojën që pikon, me tablonë që shndërrohet në një fushëbetejë mendimesh të stuhishme.

Ai, Jackson Pollock ka hequr dorë nga format delikate të komunikimit përmes penelit dhe kanavacës. Dëshmon një botëkuptim më të vrullshëm. Koha dhe densiteti i vërshimit të mendimeve dhe ligjërimit artistik është gjithnjë e tendosur. Në vullnesën e tij artistike, duket se nuk ka rregulla, nuk ka përmasa, nuk ka simetri, ka vetëm forcë shprehjeje, ka vetëm komunikim përmes britmash, rebelimit,e gjithçka prej kësaj përmes ngjyrës. Gjithçka që zien në këtë kurm që është dhe vetë arketip i gjeneratës, shpërthen. Atë, Jackson Pollock, duket se nuk e shqetëson dhe aq bota, së cilës do t’i qaset, se sa e mundshmja për të kapur fillin e mendimit e për ta lidhur atë pas gjesteve, lëvizjes dhe asaj shkujdesjeje që merr nxitimthi bojë dhe ngjyra dhe e gjuan në tablo. Kjo lojë i ngjan një turri frelëshuar që kërkon brenda një kohë, tepër, tepër të kufizuar sa më shumë mundësi, sa më shumë hapësirë, sa më shumë çmbushje. Gjithnjë Pollock duket se nxiton të kap mendimin dhe ta vizualizoje. Krejtçka që dëshiron të shpreh i përngjet ritmit se si vërshon jeta metropolitane. Gjithçka nxiton, ngado duket se njerëzit vrapojnë për të mbërritur. Të ngjan sikur dikush i ndjek nga pas dhe ata duan vetëm të ikin, jo dhe aq për t’i shpëtuar kësaj përndjekje të kohës, se sa për mundësuar të nxjerrin s’brendshmi një tjetër nivel kapaciteti. Bashkë me njerëzit, makinat, nxiton gjithçka. Pa trajt, pa form, pa një normë gjeometrike lëvizjeje, ata vetëm i jepen këtij vullneti, ata vetëm shndërrohen në ritëm. Dhe, peneli, furçat dhe gjithçka që vjen me Jackson Pollock në këtë mundësi komunikimi kanë atë ritëm, janë të manipuluar nga e njëjta parregullsi, janë pre e kësaj çmenduri e pulsit të jetës.

Edhe pse gjithçka në pikturën e Jackson Pollock është e tillë, asgjë dhe shumëçka, edhe pse ai rreket ti tregojë asaj të tashme se si vizualizohet jeta e tyre, intensivja e rutinores që i bluan, ata ende nuk janë gati të binden. Ai është ata. Jeta e Jackson Pollock nuk mund të shihet shkëputur këtyre vargonjëve të rëndë të domosdosë së një ritmi pa ndalim, të një vërshimi pa cak, të një kacafytje deri në shpërbërje. Ai, Jackson Pollock, thjeshtë ka kurajën të dëshmojë, ndoshta më me shumë sinqeritet, se sa vetë njerëzit e pranojnë vetveten tyre si detal në këtë supërstrukturë zhvillimi. Edhe vetë piktura e këtij skandalozi nuk kërkon shumë përqëndrim, shumë vëmëndje. Ajo soditet në lëvizje, përjetohet si lëvizje, përceptohet si ikje, ikje drejt diçkaje, mbërritje në një diku imagjinativ.

Ndoshta Jackson Pollock, mund të mbetet nga të parët që arriti të kanalizojë një aftësi të këtillë deshifrimit të kësaj kaligrafie të garrametshme. Me formën shprehëse të mendimit të artistik, ai orienton jo vetëm bashkëkohësit, por edhe të pastajmit, me një të mundshme reale komunikimi përmes ngjyrash dhe formash, ndalesash, ndalesa, ose pllangash kërcënuese që ngjajnë më shumë si shuarje dhe ecjesh që kanë më shumë ikje brenda vetes.

Gjatë jetës së tij, Pollock arriti të rrëmbente për përdhunën e artit të potërshëm, famë dhe anatemë. U lartësua dhe u gropos. Një jetë jo e ndryshtë ngase i ishte servirur bashkëkohësve të tij, një realitet që ai mund ta mbushte me gjithçka, me art, me ves e me virtyt. Djall dhe engjëll, paqësor dhe luftarak, tokësor, tokësor nën një qiell që i shfaqej dhe i rishfaqej i copëzuar prej britmës së zhvillimit dhe rënkimit të boshit. Kur ishte vetëm 44 vjeç ai vendos të ndërrojë jetë, të ndalë rrugën në këtë ikje dhe të kthehet në cakun e amshimit. Vdes në një aksident rrugor më 11 gusht 1956. Ashtu si jetoi, ashtu edhe vdiq, i dengur me alkool dhe ritëm, lëvizje, ikje, vërshim.

Edhe pse shterrimi i frymës guxoj ta ndal këtë njeri të vërshimit, në pikturën që la, në përvojën artistike që shkroi, në tendencën shprehëse që skaliti, ai vazhdon të vrapojë me ngjyrat në një botë që mbeti deri në fund e papërmasshme, e paperceptueshme, e pakapshme.

Nga Albert Vataj

Artikuj të ngjashëm