Jim Morrison, një shenjtor që u shugurua nga djalli, këngëtari që iku për të mbetur një mit

Asgjë tek ai nuk ishte e zakonshme. Vetëm tokësorja e mbante gjithnjë mes njerëzve dhe në çapitjet e jetës si një regëtimë e hovshme në jetën që e jetoi si një demon pa zbritur nga altari i shenjtores, shpirtin e tij.

Ai kishte një penë, një zë dhe një zemër që do ta mbajnë përjetë në kujtesën e admiruesve të poezisë dhe maksimave, muzikës dhe të epërmeve aspirata që i skaliti me zjarrin e rrufeve që përshkëndinin në turret e shpirtit të tij për nga liria.

Dhjetëshja e urdhëresave të Morrison

*** Të refuzosh Dashurinë nga frika se do të vuash është njësoj si të refuzosh të Jetosh nga frika se do vdesësh.

*** Lumturia e vërtetë nuk është në fundin e një gote, as brenda një shiringe, por do ta gjesh vetëm në Zemrën e atij që të do.

*** Do të pushoj së dashuruari vetëm kur një piktor i shurdhër të arrijë të pikturojë zhurmën e një petali trëndafili, që bie në dyshemenë e kristaltë të një kështjelle që nuk ka ekzistuar kurrë.

*** Disa thonë që shiu është i shëmtuar, por ata nuk e dinë se ai të lejon të ecësh me kokën lart me fytyrën të mbushur nga Lotët.

*** Mos qaj nëse një mik të ka lënë, vetëm kur të të ketë harruar mund të thuash se e ke humbur përgjithmonë.

*** Mos ji kaq e trishtueshme dhe e menduar, kujto që jeta është si një pasqyrë, të buzëqesh nëse e shikon duke buzëqeshur.

*** Mos u dorëzo kurrë sepse në momentin që ti kujton se gjithçka ka mbaruar është momenti kur gjithçka ka filluar.

*** Vetëm ai që nuk e njeh dhimbjen qesh me atë që vuan.

*** Thonë se nga gabimet mësojmë…. atëherë lërmëni të gaboj.

*** Mos jeto me frikën se do të vdesësh por vdis me gëzimin se ke Jetuar.

 

Ndërmendje për këngëtarin mit

James Douglas Morrison, (8 dhjetor, 1943-3 korrik, 1971), do të mbetet në kujtesë dhe në ndërmendje si një kantautor, poet, shkrimtar por edhe kontributor në kinematografi. Ai njihet si figura kryesore e grupit të muzikës “The Doors” dhe është konsideruar si një nga personalitetet më tërheqëse të historisë së muzikës rock.

Në 3 korrik 1971, Jim Morrison u gjend i vdekur në vaskën e apartamentit të tij në Paris. Në versionin fillestar të policisë vdekja e këngëtarit ishte si pasojë e atak kariak. Fakti se kufoma nuk iu nënshtrua autopsisë krijoi një stuhi hamendësimesh. Ndër pëshpëritjet më të zëshme mbetet se vdekja e Jim Morrison ka ardhur nga një mbidozë heroine dhe alkooli. Misterin e shkaktarëve të fundit të këtij miti e përplotëson edhe fakti tjetër, mbajtja për më se një javë të fshehtë lajmin e vdekjes nga pjesëtarët e tjerë të grupit.

Varri i James Douglas Morrison ndodhet në varrezën Pere Lachaise, Paris, Francë dhe është atraksioni i katërt i kryeqytetit parizien pas Kullës Eiffel, Notre Damit dhe Harkut të Triumfit.

Pas Vdekjes

Vdekja e Jim Morrison shkaktoi shumë zhurmë në rrethet e artistëve kontemporanë dhe adhuruesve. Për “The Doors” ishte mbarimi i një epoke dhe fillimi i një tjetre; asaj të prodhimit të numrit më të madh të albumeve dhe të një fame të jashtëzakonshme. Gjatë viteve të fundit të jetës Jim-i kishte regjistruar një numër të konsiderueshëm të poezive të tij në studion ku grupi regjistronte këngët ose në vende të tjera alternative dhe pjesëtarët e tjerë të grupit i përdorën ato për të regjistruar albumin ”An American Prayer : Jim Morrison”, me pjesë muzikore nga The Doors dhe zërin e Jim Morrison.

Pas vdekjes së tij, e gjithë pasuria e tij i kaloi Pamela Courson, në bazë të një testamenti që Jim Morrison kishte hartuar në vitin 1969. Në këtë testament, megjithëse e deklaronte veten të pamartuar asnjëherë, ai ja linte të gjithë ato që i përkisnin shoqërueses së tij të gjithë jetës. Pas vdekjes së saj në 1974 nga një mbidozë heroine, pasuria e Jim Morrison i kaloi prindërve të saj, megjithë proçesit gjyqësor që zhvilluan prindërit e Morrison kundër tyre. Familja Courson ka në zotërim të saj të gjitha materialet si poezitë, materialet filmike, dhe regjistrimet e Jim Morrison.

Kuriozitete për jetën e poetit dhe këngëtarit

Ka lindur në orën 11:55.

Jetoi në të gjithë kohën kur nuk ishte i famshëm në një hotel të lirë në bulevard-in La Cienega, Los Angeles.

Nuk u martua kurrë ligjshëm, por bëri një martesë pagane të quajtur “puthitje duarsh” me gazetaren Patricia Kennealy, e cila ndryshoi mbiemrin e saj në Morrison. Të njëjtën gjë bënte dhe Pamela Courson në raste të rralla.

Refuzoi të marrë pjesë në festival-in e Woodstock në 1969 sepse i druhej një atentati në skenë.

Këngëtari i tij i preferuar ishte Frank Sinatra.

U frymëzua nga shkrimet e Friedrich Nietzsche, Norman Mailer dhe Arthur Rimbaud, midis shumë të tjerëve.

Disa nga pseudonimet e tij ishin Mbreti Hardhucë, Politikani Erotik, Poeti Amerikan, Dionisi, Mr. Mojo Risint. Ky i fundit është edhe një anagram i emrit të tij Jim Morrison.

Gjatë viteve të fundit të jetës botoi me fondet e tij personale dy vëllime me poezi, “Zotët dhe Krijesat”, që pas vdekjes iu ribotuan në një vëllim të vetëm të quajtur “Zotët dhe Krijesat”.