Franeçesko Petrarka, “ati humanist”, dashnori zemërthyer i lirikave flakatare

Dashuria marroke për Laureta de Noves, 336 sonetat-psalme hyjnizese të këtë marrëdhënie, kësaj dashurie që harbohej pengimesh e zjarresh pasionuese, i mëkoi amshimin “babait të Rilindjes Italiane”. Krejtçfarë sendërtoi këtë personalitet krejt të pazakontë, të dijes dhe kulturës, humanizmit dhe sharmit estetik, u kredh në gjunjët e kësaj dashurie platonike, e cila shkreptiu në mëngjesin e 6 prillit të vitit 1327 në Avinjon, ku ai behte i mirëpirtur në oborrin papal, pas studimeve të jurisprudencës që i kishte kryer në Monpelie dhe Bolonjë. Ishte ky shigjetim Kupidi që do të tejpërtejtë zemrën e tij dhe do të plazmonte shkëlqimin më të ambroztë të memories italiane, prej lirikave që ky shpirt pasionesh të stuhishme gatoi.

Mirënjohje për poetin dhe humanistin

E merituar do të ishte gjithëçfarë nderim dhe mirënjohje për t’rrallin burrë që kultivoi një gjuhë, që hyjnizoi një ndjenjë dhe jetësoi modelin e tokësorit që preku apogjeun. Saora kremtojmë ditëlindjen 20 korrik 1304 dhe datëvdekjen 19 korrik 1374 e atij, “atit humanist”, Françesko Petrarka, poetit italian, lirikut, i cili lidhi në mënyrë të pazgjidhshme, emrin dhe veprën e tij me zemrën e një gruaje me emrin Laura. Dashuria legjendare që kremtoi kësisoj me sonetat monumentale, të cilat udhëtojnë atëditë e sot si shkreptimat më të ndritshme zjarmëtare të pasionit, e mitizoi pasionin e këtij burri të madh, e bëri të gjithmonshëm shkëlqimin e famës së emrit të tij, duke e ngjitur atë grua në podin e perëndive.

Petrarka lindi më 20 korrik 1304 në Arezzo, Republika e Firencës dhe u nda nga jeta në moshën 69-vjeçare, më 19 korrik 1374 Arquà, Republika e Venedikut. Mbamendet si një prej dijetarëve më i veçëm dhe poeti i një rëndësi historike i Rilindjes Italiane. Si ndër të hershmit humanist, Petrarka ka përvetësuar vlerësimin më të epërm, atë të “Atit të humanizmit”. Në shekullin e XVI, Pietro Bembo krijoi t’parin model për gjuhën moderne italiane, bazuar në veprat Petrarkës, si dhe ato të Giovanni Boccaccio, padyshim në një shtysë edhe të Dante Aligerit. Sonetet e Petrarkës përftuan një admirim popullor të panjohur më parë. Ende pa u tharë boja, ata fluturonin në këndimin e asokohshëm, duke stërpikur me yjësi pasionesh dhe përjetimesh zjarmuese netët e tyre dashurore. “Këngëtorja” që mikloi shpirtin krijues të Evropën gjatë Rilindjes, erdhi më vonë, duke u bërë kështu model i poezinë lirike.

Në kumtimin e universit të këtij personazhi të pashoq, shquajmë tek Petrarka të parin turist, nofkë që e rrëmbëu për shkak të udhëtimeve të shumta nëpër Evropë gjatë shërbesës si ambasador. Kësodore del në pah hobi i tij i alpinizmi. Më 26 prill 1336, sëbashku me me vëllain dhe dy shërbëtorët, ai u ngjit në majë të malit Ventoux, 1,912 metra i lartë, duke shënjuar saora nismën e parë alpinistike.

Gjatë udhëtimeve të shumta, ai kushtoi një interesim të veçantë mbledhjes dhe ruajtjes së dorëshkrimeve të hershme latine, të cilat kërcënoheshin nga koha dhe mungesa e kujdesit. Ai inkurajoi dhe e këshilloi Leontius Pilatus për përkthimin e Homerit nga një dorëshkrim i blerë prej tij nga Boccaccio. Në vitin 1345 zbuloi personalisht një koleksion të letrave të Ciceronit, të parin dhe të vetmin që na lidhë me këtë gurthemel të klasikëve.

Fundi dhe filli i kësaj shkreptime

Mëngjesin e 19 korrikut 1374, në një vilë pranë Padovës, ku kaloi në qëtësi vitet e fundit të jetës, mbylli sytë në moshën 69-vjeçare, Françesko Petrarka. Ai la pas një pasuri çdo gjë që kishte, më të vyerën, më ngadhënjimtaren dhe amshuesen, veprën, atë që do të ishte simbol, yll që udhërrëfente rrugën shtegtimit të mëtejmë të humanizmit, pasionit, gjuhës dhe kumtit. Në planetin e poezisë, emri i Petrarkës është i pandashëm nga ai i Laurës, i gruas, e cila u bë shkak që letërsia botërore të trashëgojë një nga thesaret më të mrekullueshmë të lirikës, një nga këndimet më të zëshme të shpirtit njerëzor.

Studiuesit dritëlëshojnë përnga ky takim epik, zanafillën e cila pikënis asokohe kur Italia e Veriut vuante nga plagët e luftës midis familjeve me origjinë gjermane Gibelinëve dhe Guelfëve, të Bardhëve dhe të Zinjëve. Pas fitores së këtyre të fundit, që u mundësua nga ndihme e të huajve dhe tradhtia nisi një valë e tmerrshme dënimesh pa gjyq, burgosjesh dhe masakrash të padëgjuara më parë. Ata që ishin më me fat u detyruan të marrin mbi vete barrën e rëndë të ikjes. Mes këtij eksodi epik janë edhe figurat emblematike Dante Aligeri dhe Petrarka, i ati i poetit të ardhshëm.

Laura, dashuri që flaku një zemër dhe ndërtoi një monument

Po Laura kush është, ajo së cilës Petrarka i këndoi që nga çasti që e njohu, me rimat më të ëmbla dhe tinguj të panjohur. Letërsia që po lindte pas muzgun e Mesjetës i është mirënjohës këtij takimi, këtij akti sublim, të dashurisë me shikim të parë. Sikundër Beatriçe e Dantes, edhe Laura ishte një tjetër italiane e mrekullueshëm, së cilës i detyrohet aq shumë letërsia e atij vendi. Aq me shkëlqim e ëmbëlsi, ngjyra dhe pasion, kushtim e amshim iu këndua asaj gruaje, sa asokohja dhe e mëvonshmja, do ta kishte të pamundur ta besonin se ishte një person real. Mosbesuesit dhe të mëdyshtit thanë se Petrarka nuk bëri as më pak e as më shumë se atë që bënë piktorët e mëdhenj, para dhe pas tij, të cilët krijuan një përfytyrim idilik, të një gruaje të virtytshme, një kreaturë të kulluar, për të derdhur në të format magjepsëse frymëzimet e tyre. Kundërshtitë dhe dilemat, zelli për të hedhur dritë mbi të vërtetën çoi deri atje sa të hapej varri ku preheshin eshtrat e Laurës, dhe kjo ndodhi diku në shekullin e XVI.

Për ata që e kanë studiuar gjithë gamën e zhvillimeve, poetike dhe historike nuk kanë më asnjë mëdyshje se Laura ka jetuar. Emri i saj është Laureta de Noves, kur ishte vetëm 15 vjeç, më 16 janar 1325 ajo u martua me Ugo de Sades. Petrarka e takoi atë dy vete më vonë, të premten e Pashkëve të 6 prillit të vitit 1327 në kishën e Sainte-Claire d’Avignon. Ai shkroi shumë, madje për poemën “Afrika”, në të cilën përshkruhen fushatat e Skipionit Afrikan dhe së cilës i kushtoi vitet më prodhimtare të jetës së tij, iu blatuan kurorat më të mëdha të lavdisë letrare të Romës, megjithatë në antologjitë e ndryshme ajo është anatemuar si një kumt mediokër i poetit. Ajo që mban në apogje këtë penë dhe shpirt janë lirikat.

Lindja e një yjësie lirike

Lirikat kushtuar Laurës, janë gjithsejt 336. Hamendet se ata janë shkruar ndërsa Françesko Petrarka çlodhej nga tensioni i ngjizjes së poemës “Afrika”. Në këtë shpengin mish e shpirtë, të krijohet përshtypja sikur je pranë një miniere pafund himnesh dashurie, gëzimesh, grindjesh, vuajtjesh, ankthesh e psherëtimash, të cilave nuk i ka shpëtuar asnjë shpirt njerëzor, sikundër as ai. Ishte ai zë, ajo melodi, dridhmat e atij shpirti, këndimi i asaj kambane që dehu me ëmbëlsi e gazmim njerëzit, të cilët nisën ta këndonin.

Që nga takimi i parë, atë mëngjes të 6 prillit 1327, duket se Laura është treguar e ngrohtë për miklimet e dashurisë që kishte goditur si një Kupid zemrën e atij burri. Por për një grua të martuar nuk do të ishte e lehtë. Xhelozia e bashkëshortit nga njëra anë, harbimi i gojëve të liga i vënë frerë akulli këtij harbimi zjarmues pasionesh, duke e ndrydhur vërshimin e këtij vullkani. Me botën kundër dhe të pamundurën dashuri, Petrarka e veshu fund e maj, çdo qelizë të jetës dhe përfytyrimeve me më të bukurat dhe të dhimbshmet shkëlqime. Ajo ishte gjithnjë ajo e takimit të parë, e pamundur dhe ngasëse.

Dhe vjen dhimba, dyshimet, netët e gjata pa gjumë, pshërëtimat pafund e prehja në ndarje. Krejtkjo është e sendërtuar ditë për ditë te “Këngëtorja”, e cila kumboi papushim në të gjallë e në të shuar të gruas zjarrvënëse. Me sa është bërë e mundur nga dokumentimet dhe përkimet historike, mësohet se Laura do të ketë vdekur gjatë një epidemie mortaje pikërisht ditën dhe datën kur ai e takoi, të premten e 6 prillit të vitit 1348, plot 38 vite më vonë. Por dashuria e Petrarkës do të jetonte ende në rimat dhe strofat e tij për të, duke mos dashur ta besojë se ajo ka marrë rrugën e amashimit.  Ai do ti këndonte kësaj dashurie plot 40 vjet deri në të fikur së gjalli.

Të pamundurat, ndarje dhe dashuri

Por mbetet e pashpjegueshme edhe për kritikët dhe studiuesit sesi lirikat vazhdojnë të jenë me një ngarkese dhe inkandeshëncë ndjenjash dashurie edhe pse këtë shpirt e ushqejnë tashmë vetëm kujtimet. Dukej se nga të mbramit e jetës, ai po e ndjente brenda një zë të vetvetes, një zjarr që e përvëlonte së brendshmi atë për ta ngritur në monument poetikën e saj. Rend, rrëzohet dhe rinjihet sërish. Te e vona vargjet nisin të shterrin, u mungon ndjenja e zjarrtë, turbullimi dhe dehja e ëmbël, aq depërtuese në vargjet e dikurshme. Një vetvete kishte nisur të thyhej prej mungësës, të mposhtej prej harrimit. Gjithqysh lirikat mbeten atëkohë e tash, më gjas edhe përtej, një ngucamë zjarmuese e ndjenjave delikate, amshim i shpirtrave të kapluar prej zjarrit të dashurisë. Ky ishte Françesko Petrarka, poeti dhe humanisti madh, zemra e ndjeshme e shpirti i shpërthimeve të duhishme ngjyrash dhe drite, ëmbëlsimi dhe idhnimi, pengimi dhe hyjnizimi.

Albert Vataj