Shna Ndou i Padóvës, “Arka e Testamentit” dhe “Çekani i heretikve”, prej Illyricum Sacrum

Gjithmonë prezent dhe i gjallë në Kishen Katolike, në shekullin e XIII-t, Shpirti i Rrëshajës nxori në arenë bijtë e sh’Domenikut dhe të sh’Françeskut. Kjo ushtrí e re, e organizueme për nevoja të reja, u hodh në luftë kundër herezive e véseve, tuej u përzie me popullin që, në turma, angazhóheshin në Urdhnat tercjàre, streha e sigurtë e jetës s’Krishtênë. Prej tanë bijve të Patriarkut t’Asizit, mâ i njoftuni dhe mâ i fuqishmi para njerzve dhe para Zotit âsht shna Ndou, festen e t’cillit celebrojmë sod. (Dom Guéranger,”Année liturgique”, 13 juin).

Shna Ndou u lind në Lisbonë të Portugalisë me 15 Gusht të vjetit 1195, Diten e Festës së Ngritjes së Zojes Bekueme në Qiell. I lindun në nji familje fisnike, kah i ati Martin Bouillon, shêjti, që në Pagzim mori emnin Ferdinand, ishte pjestar i familjes së famshme të Godefroy de Bouillon, dukës së Lorenës (Francë) dhe Mbretit të parë të Jeruzalemit, në kohen e triumfit të Kryqzatave shêjte.

I mbushun me SHPIRTIN-SHEJT, që transformoi Apostujt, shna Ndou përbuzi tana pasunitë e botës dhe u fut në ushtrinë fetare, për me luftue për çâshtjen e Fesë Katolike dhe për me kênë gadi për Diten e Zotit. Në fillim u angazhue në Udhnin e sh’Agustinit për me kalue mâ vonë në Urdhnin e sh’Françeskut, i frymzuem prej martirizimit të 5 Françeskàjve n’Marok të Afrikës, ku kishin shkue me unjillzue Fenê e vetme hyjnore : Fene Katolike. Prej zellit të Fesë Katolike dhe konvertimit të t’pafeve, shna Ndou pati dishiren e flaktë me predikue dhe konvertue ato vende afrikane që lëngojshin nën thundren islame, tuej ândrrue palmen e martirit, por Hyji e kishte rezervue për të tjera beteja.

Shkenca e tij hyjnore e jashtzakonshme, virtytet e tija heroike e sidomos përvujtnija, virgjiniteti, dashtnija e tij për Zotin dhe për të afërmin, elokuenca e tij e parrezistueshme, dhuntíja e g’juhve t’hueja, pendesët e tija t’ashpra dhe t’vazhdueshme, të ban me mendue se SHPIRTI-SHEJT kjé ûl mbi shna Ndoun, njashtu si kjé ûl mbi Apostujt, Diten e Rrëshajës. Ksaj jete shêjte, Hyji i bashkoi edhe dhuntinë e mrekullive, me t’cillat jeta e ktij shêjti t’madh ishte e mbushun plot : sherimi i shurdh-memècve, i t’paralizuemve, i leprózve, i t’verbuemve, ngjallja e t’dekunve, shporrja e djajve ishin vetëm disa prej mrekullive që Zoti bani përmes ktij shêjti t’jashtzakonshëm.

Papa Gregori IX e ka quejtë shna Ndoun “Arka e Testamentit”, për arsye të njohjes dhe mjeshtrisë së tij të madhe për me shpjegue dhe aplikue msimet hyjnore të Shkrimeve Shêjte; Si nji Arkë, aj lëvizte, prej nji vendi në tjetrin, ligjin dhe gjithëpushtetshmënínë e Zotit, që i nepte ligjit nji autoritet të pakundërshtueshëm; Për shna Ndoun, ashtû si për Apostujt e parë, mundena me thanë se Hyjit i kishte pëlqye me aprovue të vërtetën e fjalve hirplote, që delshin prej gojës së tij, me shêja hyjnore e mrekullina : “Testimonium perhibente Verbo gratiae suae, dante signa et prodigia fieri per manus eorum”.

E çfarë buqètet e shkëlqyeshme mrekullinash ! Asgjâ nuk i mungonte : shpirti profetik, shikimi në distancë, penetrimi i zemrave, bilokacjoni (t’kénunit njikohsisht në dy vende të ndryshme), ekstaza shpirtnore, fuqija mbi elementat natyrore, mbi kafshët dhe mbi djajt, shumími i sendeve, sherimi i sëmundjeve dhe i paralizave, ngjallja e t’dekunve. Vetë fjala e Apostullit portugez ishte nji mrekullí : aj kishte dhuntinë me folë g’juhë të hueja që nuk i kishte msue përpara, dhe zâni i tij predikues mundej me u ndig’jue në distanca të atilla ku normalisht asnji zâ njerzor nuk mundej me mbrritë.

Nuk ka fjalë njerzore me përshkrue hiret dhe favoret që Hyjit i pat pëlqye me vue në kyt shpirt të madh, në nji moment kritik të historisë njerzore, për me luftue herezinë dhe ringjallë Fenë Katolike në popuj.

Në shkrimin e mâposhtëm, me ndihmen e Zotit e t’Mbretneshës t’Lavdishme (“Gloriosa Domina”), ashtû si e thirrte shêjti Nânen e tenZot, do t’mundohem me ju prue disa fragmente prej jetës së shêjtit padovan.

Mjerisht, në viset tona, në shumë raste, Doktori i Kishës, shna Ndou i Padóvës, shpesh konsiderohet gabimisht si nji djalosh naiv që, në mâ t’shumten e herëve, lutet vetëm me bâ ndera, pa dallim e pa kriter, tuej harrue shpirtin e tij luftarak për me mbrojtë Fenë e vetme hyjnore, Fenë Katolike, kundër anmiqve të Fesë, që shpesh i ndiqte me mallkime e kërcënime. Para s’gjithash, nuk duhet harrue me i lypë shêjtit nderen mâ t’madhe e mâ t’randsishme : nji Fé të gjallë, të zjarrtë, katolike e integrale, pa të cillen nuk mundena me hye në Parriz (Sh’Pali drejtue Hebrejve 11:6). Kyt virtyt teologal shêjti e praktikoi në mnyrë heroike, tuej meritue titullin e naltë Doktor i Kishës Katolike dhe epitetin “Çekani i heretikve”, për zellin e tij të flaktë apostolik, elokuencen e tij të mahnitshme dhe shkencen e tij t’jashtzakonshme me zbulue, demaskue e konvertue heretikët dhe anmiqtë e Fesë Katolike.

Kjo sjellje e shna Ndout âsht në kundërshtim të plotë me doktrinen apostate ekumeniste të lirisë fetare të ndërgjegjes, kyt helm shpirtnuer mortal që pushtuesit e Vatikanit dhe të dioçezave nuk prajnë s’përhapunit tash afro 50 vjet. Kta pushtuesa mashtrojnë tuej rrêjtë se Kisha Katolike tash nuk paska mâ anmiq të fesë, se sejcilli paska të drejten me besue simbas ndërgjegjes personale dhe se shêjtnit e dikurshëm paskan predikue për kohen e vet e se tashti jetókena kohna të tjera dhe u dàshka me iu përshtatë botës së sotme. Ata veprojnë kshtû pa u bazue në  asnji referencë të Magjisterit të pagabueshëm të Kishës Katolike të kohës së Papës Piut XII dhe t’parardhsve të tij, a thue se Kisha Katolike paska lindë mbas Pseudo-konçilit të II të Vatikanit dhe a thue se nuk kèka po Aj SHPIRT-SHEJT i pandryshueshëm që KRISHTI ZOT ia ka çue Kishës së Tij me e gjallnue e drejtue vazhdimisht deri në fundin e botës.

Kta mashtruesa nuk e dijnë ose nuk dojnë me e dijtë, me nji injorancë që i ban edhe mâ shumë fajtor, se Zoti nuk ndryshon me kalimin e kohës, se Feja Katolike âsht nji zbulim hyjnor që nuk ndryshon me kohen dhe se Kisha Katolike ka dënue dhe dënon gjithmonë me mallkim ata që mendojnë ndryshej dhe që guxojnë me mbivendosë, me nji akt sakrilegj, opinjonet e tyne njerzore mbi Fjalen e përjetshme të Zotit, që na âsht komunikue përmes Shkrimeve Shejte dhe Tradites Katolike. (Për ma shumë detaje, lexuesi mundet me konsultue serinë e Replikave katolike kundër konçiljarve në blogun : http://nenaekeshillittemire.blogspot.com/)

Bota e sotme moderne, përherë e mâ shumë ateiste, pré e konflikteve t’armatosuna e vllavrasëse, ka nevojë mâ shumë se kurrë për devocjonin e shêjtit të madh padovan, i cilli afër Fronit të Zotit e t’Zojes t’Lavdishme në Qiell, vazhdon me përkushtim, edhe sod, misjonin e tij bamirës mbi tokë, me shêja e mrekullina të reja, për ata shpirtna të mirë që dijnë me e lutë dhe me e nderue, ashtu si ka msue e mson gjithmonë Kisha Katolike.

Judeo-masoneríja, që ka pushtue boten mbarë, po përpiqet me realizue ândrren e saj shekullore të krijimit të nji Rendi të Ri Botnuer, që synon me eliminue çdo gjurmë të Fesë Katolike, për me i përgaditë popujve nji t’ardhme ku arsyeja dhe pseudo-shkenca të zëvendsojnë Fenë Katolike dhe ku imoraliteti dhe çdo lloj mkatit të bahen nji praktikë e zakonshme që të zëvendsojë të moralshmen dhe virtytet.

Kundër ktyne çrregullimeve të randa shoqnore, shna Ndou ka nji misjon socjal të veçantë me krye : me triumfue kundër judeo-masonerisë, si luftoi dhe triumfoi dikur kundër herezisë Albigjenze, Kathare, e herezive të tjera të asaj kohe; pretendimet e çmenduna të pseudo-shkencës së sotme ateiste, shna Ndou i lufton me fuqinë e t’mbinatyrshmes, që manifestohet me anen e mrekullive; veseve dhe korruptimit të shekullit, shfrenimit të kurvnisë dhe krenarisë së jetës moderne, shna Ndou i predikon ilaçin e përvujtnisë, të mortifikimit dhe të pendesës, si kusht shelbimit; s’fundmi, shêjti vjen me na dhanë zgidhjen mâ praktike të çâshtjes së sotme socjale, tuej i shtye t’pasunit drejt lëmoshës, nëpërmjet hireve e nderave që janë shpërblimi për ata që dijnë me hapë nji dorë bujare në doren e t’vorfnit.

Fuqija e jashtzakonshme që Hyji, me ndërmjetsí të Nânës së Tij hyjnore e Nanës tonë, i ka dhanë ktij shêjti të madh dhe shêjat e dukshme e të prekshme të ksaj fuqije t’mbinatyrshme dishmojnë për kyt misjon shêjt që shna Ndou po kryen dhe në t’cillin aj na fton edhe ne me marrë pjesë me pendesët, lutjet, praktiken e përditshme të virtyteve e sidomos të Fesë Katolike, në imitim të praktikës heroike te Fesë Katolike dhe virtyteve të tjera që shêjti i mrekullive i praktikoi qysh në fëminínë e tij të hershme, për me lanë gjurmë të paharrueshme e mbreslànse te bashkohsit e vet dhe te breznítë e ardhshme.

Mbas largimit prej Kuvendit të Fretënve të sh’Agustinit në Koimbra të Portugalisë, ku shna Ndou ndêj afro 2 vjet, fretnit do t’shpreheshin :

« Ishte padyshim nji njiri i veçantë, i dijshëm dhe i devoçëm, me nji shkencë t’jashtzakonshme dhe me nji lavdí t’meritueme që e ndjekte gjithkund. » (Azevedo, “Vita di S. Antonio”, lib. 1, cap. 2)

Teologu mâ i njoftun i kohës, që e kishte njoftë shêjtin personalisht, abati Thomas Gallo do të shprehej kshtu mbi shna Ndoun :

« Shpesh, dashtnija penetron aty ku ndalet shkenca natyrore. Vetë e kam pâ kyt gjâ në personen e t’lumit Anton, të Urdhnit të Fretënve të Vegjël (Françeskajve). Të tjerë ishin mâ të dijshëm se aj në shkencat profane, por i lumi nuk kishte rival në pjesët e ndryshme të teologjisë mistike. Njiri me të vërtetë i jashtzakonshëm, me zemër t’pastër dhe t’mbushun me dashtní, për të cillin mundena me thanë si dikur për sh’Gjon Pagzuesin : Ishte nji llampë e zjarrtë dhe e ndriçme. Përmbrenda, ky njiri i Zotit digjej dashtnijet për Hyjin dhe për t’afërmin, për dashtni për Hyjin, kurse prej jashtë, aj lëshote flakët e zjarrta të nji zêlli engjellor. »

Në fakt, qysh në moshen 5 vjeçare, shna Ndou bani betimin e ruejtjes së virgjinitetit dhe e vulosi kyt betim me nji kryq të vogël, të gdhendun në mnyrë të mrekullueshme mbi nji gur të Kishës së Zojës së Pilarit në Lisbonë; gjurmët e ksaj mrekullije të parë kanë mbetë, qysh atherë, si nji dishmi shêjtníjet dhe shembull imitimit. Shna Ndou kjé nji zambak i gjallë, i kushtuem totalisht kultit të Virgjinës MARI, që shêjti e thirrte me dashtni “Mbretneshë e lavdishme” (“Gloriosa Domina”) dhe triumfues i botës, të cillen shna Ndou e kishte braktisë qysh në fillim me kto fjalë : “O botë !, nuk mundem me t’durue mâ ! forca jote âsht ajo e nji kallami t’brishtë; pasunitë tueja janë veç nji tym i kotë dhe knaqsitë tueja janë veç nji shkamb nën ujë, ku fundosen virtytet” (Jean de Pécham, p. 1, kap. 2)

Shna Ndou âsht quejtë me të drejtë prej bashkohësve të tij si ati i teologjisë mistike; e në fakt, para tij kërkush nuk e kishte msue kyt shkencë hyjnore në Urdhnin Françeskan; Por Hyji e kishte thirrë shêjtin në nji vokacjon mâ t’nâltë dhe e bàni até nji apostull të mrekullueshëm. Aj kishte tana cilsitë e duhuna të oratorit : Kajherë ishte nji rrëké që bijte ujnat e tija qetsisht nëpër lugina; kajherë ishte nji prrue i furishëm që u ulte prej maleve dhe merrte me vedi gjithshka që gjète përpara; por mbi t’gjitha, aj kishte shpirtin e misjonarit, ku dhëmbshuníja e dashtnisë kontrollohej prej fuqisë së zêllit. Shkenca e Shkrimeve Shêjte i dha atij nji njohje të thellë të zemrës, plagve e vuejtjeve njerzore, e tuej marrë me duert plot prej thesarit të hireve hyjnore, shêjti dijte ku me gjetë zgidhjen.

Nji autor i vjetër shkruen se kur At Antoni vijte me predikue, tana punët ndaleshin menjiherë, si për ditë të Diele : gjyqtarët, avoketnit, tregtarët lejshin punën me shkue me e ndie; turmat vijshin prej qyteteve e fshatnave; gratë mâ aristokrate nuk pritojshin me u çue për natë, dhe nën driten e pishtarve niseshin me xanë nji vend sa mâ afër vendit ku kishte me predikue shêjti. Me kyt rast faleshin ngatrresat, borxhlitë liroheshin, burgjet hapeshin, hajdutat kthejshin mallin e vjedhun, mkatnorët konvertoheshin, heretikët mohójshin gabimet e tyne dhe t’pafetë merrshin driten e Unjillit. E n’mesin e mija njerzve që rrethojshin At Antonin, nuk ndihej as zhurma mâ e vogël. S’fundmi, kishat mbusheshin aq plot dhe Sakramendet frekuentoheshin n’at masë saqë meshtarët e pranishëm nuk mujshin me përballue ngarkesen; dhe ishte i lumë aj që mujte me u afrue, sa me puthë ose, s’pakut, sa me prekë zhgùnin e shêjtit ose me ndigjue personalisht nji fjalë prej gojës’tij t’bekueme (Lelio Mancini Poliziano, “Relazioni di S. Antonio di Padova”, p. 22).

Tuej folë mbi apostujt, në nji sermon, shna Ndou bân portretin e vet :

« Apostujt, – mson shêjti -, quhen miqtë e Zotit për tri arsye : 1. sepse shpirti dhe vullndeti i tyne ishin plotsisht konform me Até të Hyjit; 2. sepse JEZU-KRISHTI u besoi sekretet e Tija mâ intime; 3. dhe sepse ata braktisen gjithshka me ndjek Shelbuesin, i Cilli, nga ana e Tij, u dhà tana t’mirat shpirtnore. JEZU-KRISHTI i nderoi Apostujt, tuej i bâ pjesmarrës të Pasjonit dhe vuejtjeve të Tija. Të tanë ata pîne kupen e Shelbuesit dhe paten lavdinë me mbajtë vazhdimisht e kudo armët dhe flamurin e Mjeshtrit të tyne… Armët e JEZU-KRISHTIT, – thotë prapë shêjti -, janë vorfníja, përvujtníja dhe mortifikacjóni; me kta armë Shelbuesi jonë ka nënshtrue anmiqtë e Tij dhe tonët : Shelbuesi ka triumfue mbi boten me anen e vorfnísë; mbi djallin, me anen e përvujtnísë dhe mbi naturen e plagosun njerzore, me anen e mortifikacjónit. Apostujt kanë ndjek me besnikní hapat e Zotit-Njiri… I gjithë misjoni i tyne ka konsistue me predikue fjalen e Zotit, me ndihmue t’afërmin, me zhdukë veset n’popull dhe me u marrë me meditim e lutje. Apostujt vetë lëvdoheshin se kishin braktisë gjithshka. Në të vërtetë, ata làne boten mkatin dhe vedin. Me braktisë mkatin âsht puna e fillestarve, me braktisë boten âsht puna e përparuesve dhe me lànë vedin, âsht me u bâ perfekt. » (Loth, “Vie, gloires et merveilles de saint Antoine de Padoue”, fq. 48-49)

Por çfarë idejet kishte shna Ndou mbi predikuesin e fjalës së Zotit, kur aj vetë, orator engjëllor, me nji fuqi hyjnore, dijte me mahnitë turmat ? Ta ndig’jojmë në nji prej sermoneve të tija, ku shêjti na kshillon në teori até shka aj vetë e ushtronte përditë në jeten e tij shêjte :

« Asht e nevojshme që predikuesi të jetojë nji jetë krejt qiellore; bisedat e tija duhen me u marrë vetëm me gjana shêjte dhe tana përpjekjet e tija duhen me synue konvertimin e mkatnorvet, me anen e nji drùejtjeje të shndetshme, tuej inkurajue të drejtit dhe tuej lehtsue çdo lloj mjerimit… Predikuesi duhet me pasë nji përvujtní t’pashoqe dhe kontemplacjóni duhet me kênë gazmêndi i tij.

« Nji predikues i vërtetë âsht Profeti Elia që njít malin e Karmelit, për me mbrritë deri n’maje, që don me thanë, deri në shkallen mâ të nâltë të perfekcjonit. Atje, aj mson me u zhdeshë, nëpërmjet nji rrethprèmjeje misterjoze, prej çdo gjâjet të kotë dhe të tepërt. I mbuluem me turp e konfuzjon, si rezulat i njohjes së vetvedit, aj përkulet përvujtnisht, në shêj të vuejtjes së madhe që i shkakton kujtimi i poshtërsive të jetës së tij.

« Elia i tha shërbtorit t’vet : “Shko e shif detin.”

« Ky shërbtuer âsht prapë predikuesi që nuk din mâ se si me e pastrue zemren e tij, sepse i duhet, në nji farë mnyret, me fiksue pa pushim shikimin e tij mbi korrupsjonin e botës, në mnyrë që me e njoftë dhe mandej me e luftue.

« Nji predikues, – thotë shna Ndou -, âsht i biri i Zakarisë, që don me thanë, i mendimit të Zotit; aj duhet me gdhendë në memorjen e tij kujtimin e Pasjonit të JEZU-KRISHTIT, për me e kujtue në naten e tundimeve dhe me u çue me té në nàden e mbarsisë. N’kjoft se vepron kshtû, aj ka me ndie fjalen e Zotit tuej u ûl në shpirtin e tij, at fjalë të paqes dhe të jetës, të hirit dhe të vërtetës. » (Idem, fq. 53)

Mbi mrekullinë e parë të shêjtit, biografitë e hershme diftojnë se kur Ferdinandi 5 vjeçar po i konsakronte virgjinitetin e tij Virgjinës së Papërlyeme, ndërsa po lutej mbi shkallët e altarit, shpirti i errsinës iu duk me nji formë të frikshme e kërcenuese. Ferdinandi i vogël u habit por nuk u mund dhe menjiherë me gishtin e tij të vogël gdhendi mbi gur nji kryq të vogël, Shêjen tonë të Shelbimit, që e detyroi djallin me u largue. Kjo ishte mrekullija e parë dhe fitorja e parë e shêjtit kundër t’mallkuemit.

Me i përshkrue tana mrekullitë e shna Ndout nji volum i tanë ndoshta nuk kishte me mjaftue, por po bie disa prej tyne.

Nji mjes kur shna Ndou po predikonte si zakonisht në Kishen e Verséjit (Verceil), auditori u trondit prej britmave dhe gjamës që po vijshin prej njênës prej kapelave ansore të bazilikës, ku kishin prue arkivolin e nji djali të ri të vdekun dhe ku po zhvillohej ceremoníja mortore. Prindët e djalit ishin të pangushëllueshëm… Shna Ndou, zemra e dashtun e t’cillit mëshironte tana vuejtjet njerzore, u prek prej ksaj gjâme. Ndali sermonin, dhe aty ky ishte, me duert e mbledhuna në nji gjest lutjet, mblodhi vedin në meditim, për disa momente, dhe dukej se po kërkonte nji favor prej Qiellit. Papritmas, shtrin krahun e djathtë drejt vendit ku prehej arkivoli dhe me nji zâ autoritar bërtet : “Në emen të KRISHTIT, djalë, çoju !” Menjiherë, arkivoli hapet dhe i dekuni i njallun çohet në kambë, tuej hjek prej trupit çarçafin që e mbulonte.

Kah fundi i vjetit 1224, shna Ndou u dërgue në Montpeljé (Montpellier) të Francës me nji apostolat të dyfishtë : me dhanë msime teologjijet dhe me predikue në popull. I thjeshtë dhe modest, shêjti u nis menjiherë dhe gjatë periudhës që ndêj n’Kuvendin e Montpeljés, aj shkroi komentet biblike mbi Librin e Psalmeve, nji prej veprave mâ t’devoçme dhe erudite mbi kyt pjesë të Bibles Shêjte; ishte si nji lloj përmbledhjet teologjike, nji monument shkencet, devocjonit dhe dashtnijet, prej ku reflektónte shpirti i tij i parfumosun me virtyte. Megjithë modestinë e tij, shna Ndou e dijte vleren e veprës, e cilla ishte fryti i disa viteve të gjata punet dhe meditimesh shêjte.

Nji ditë ky dorshkrim u zhduk. Nji rishtàr françeskan kishte vendosë me braktisë kuvendin dhe, tuej ikë, kishte marrë me vedi edhe dorshkrimin. Kjo hupje kje nji surprizë dhe nji vuejtje njikohsisht për shejtin, që iu lut me gjithë zemër Hyjit me e gjetë thesarin e hupun. Rishtàri ishte largue ndërkohë prej kuvendit dhe, n’rrugë e sipër, kur po bahej gadi me kalue nji lum, nji bishë e egër i pret rrugen dhe, tuej i folë me zâ njirit, e urdhnon me kthye menjiherë n’Kuvend sendin e vjedhun. Rreshtàri, sa prej frigës e sa prej habisë së madhe, kthehet me vrap në Kuvend, ku takon shna Ndoun, të cillit i kërkon falje, i kthen dorshkrimin dhe vendos me vazhdue jeten shêjte françeskane. Shêjti e fal dhe i falet nderës Hyjit për Providencën e Tij hyjnore. Prandaj âsht traditë e hershme me lutë shna Ndoun për gjetjen e sendeve t’hupuna.

Afër Kuvendit të Montpeljèsë gjindej nji pellg mbushë me bretkoca, kuakjet e t’cillave lodhshin e bezdisshin fretnit dhe pengojshin studimin dhe lutjen në Kuvend. Shna Ndout, tuej i ardhë keq për vllâznit e tij, u nis, nji ditë, drejt pellgut dhe prej bregut i urdhnoi bretkocat llapazàne me pushue, tuej u thanë se po merzitshin fretnit e Kuvendit. Prej asaj ditet, bretkocat nuk bzâne mâ dhe qetsija mâ e madhe mbretnoi n’Kuvend. Shihet pra, se si sh’Françesku i Asizit, shêjti i Padóvës kishte pushtet edhe mbi kafshët.

Në vjetin 1225, shna Ndou po predikonte në Katedralen e Montpeljèsë, diten e madhe të Pashkës, përballë nji asambleje t’madhe besimtarësh. Papritun, iu kujtue se n’at orë, simbas rregullave të Urdhnit françeskan, i duhej me kênë bashkë me fretnit e tij n’Kuvend për me me fillue nji lutje liturgjike. I trazuem prej mendimit se nuk ishte në vendin e tij dhe se kishte harrue me caktue diké tjetër me e zëvendsue, shêjti ndal menjiherë sermonin, mbulon kryet me kapuçin e zhgùnit dhe ulet në gjuj për disa çaste, përpara besimtarve, pa lëviz e pa folë. Dishmitarë të sigurtë diftojnë se po n’at moment, kur shna Ndou ishte gjujzue në Katedrale para besimtarve, po n’at moment, shna Ndou po fillote lutjen liturgjike me vllâznit e tij në Kuvend. Zoti kishte lejue kyt mrekulli të bilokacjonit për me manifestue forcen e shërbtorit të Tij, ashtû si kishte veprue edhe për sh’Ambrozin dhe sh’Françeskun e Asizit.

Shkenca e sotme moderne, në revoltë kundër t’mbinatyrshmes, qesh me përbuzje para ktyne mrekullive, që nuk munden me u shpjegue ndryshej veçse prej fuqisë së gjithpushtetshme të Zotit. Në krenarinë e saj të marrë, ajo nuk mundet me shpjegue thelbsisht asnji mister të natyrës; ajo i demonstron fenomenet por nuk i shpjegon kurrë. A ka mujt me na thanë ndonjiherë shkenca se si nji farë e vogël që mbídhet n’tokë shndrrohet, mâ vonë, në nji pemë madhshtore ? E pazója me dhanë jetë, ajo âsht e pafuqishme me penetrue misteret; ajo mundet me i observue manifestimet e jetës, me i analizue, me formulue ligje bazue në vrojtimet dhe eksperjencat e kalueme, por ajo nuk mundet kurrë me njoftë thelbin e gjànave. E detyrueme me i ul armët para prezencës së mrekullive që ia prishin kalkulimet dhe ia shkatrrojnë hipotezat, shkenca e sotme preferon mâ mirë me mohue evidencen e mrekullive sesa me pranue t’mbinatyrshmen.

Nji noter i qytetit të Pùjit (Puy) në Francë, me nji karakter të vrullshëm dhe të pamoralshëm, jetonte publikisht nji jete skandaloze. Por kjo gjâ nuk e pengonte shna Ndoun me u përûl me respekt para tij sa herë që e takonte. Ky shêj respektit nuk i pëlqente hiç noterit sepse e merrte si tallje. Nji ditë, shna Ndou e takon prapë noterin, por kyt herë respekti që i nep kalon kufijtë e normales : shêjti e përshendet me nji g’jujzim. Tuej mos durue mâ, noteri i bërtet : “Ça âsht kjo komedi ? Mos t’kisha pasë frigen e Zotit, njitèsh t’kisha therë me shpaten teme”; – Vlla i jem, i përgjigjet me qetsi shna Ndou, gjithmonë kam dishirue me dekë martir i Fesë. Ky hir m’âsht refuzue prej Hyjit por ju âsht dhanë jue. Kur t’jeni tuej dhanë jeten për JEZU-KRISHTIN, ju lutem m’kujtoni.” Ky parashikim i çuditshëm u prit me t’qeshuna t’mëdhaja prej njerzve t’pranishëm dhe noteri u largue prej shêjtit, tuej e konsiderue si të marrë. Por profecija e shna Ndout u realizue pikë për pikë. Mbas pak vitesh, ipeshkvi i Pùjit, Shtjefni III, i ndezun flakë prej zellit me konvertue t’pafetë, niset për në Token Shêjte, i shoqnuem prej nji grupi pelegrinësh, mes t’cillve ishte edhe noteri i Pùjit, i cilli i prekun papritmas prej hirit t’Zotit kishte shitë tanë pasuninë e vet dhe kishte ndjek ipeshkvin. Me t’mbrritë në Lindje, noteri i shndrruem në apostull të guximshëm predikon Fenë e vetme hyjnore, Fenë Katolike dhe quen Mohamedin mashtrues e bir te djallit. Guximi i tij nuk kapërdihet prej muslimanve që mbasi e kapin, për tre ditë, e turturojnë në mnyren mâ barbare. Përpara se me dhanë jeten e tij për JEZU-KRISHTIN, noterit i kujtohet profecija e shna Ndout dhe ia difton atyne që ishin prezent në ato momente.

Nji herë kur shna Ndou po nepte msime fetare, në kishë hin nji i marrë dhe me britmat dhe sjelljen e tij ekstravagante fillon me i bezdisë besimtarët. Shêjti e shef dhe e thrret, tuej i kërkue t’marrit me prek cepin e konópit me t’cillin lidhte zhgùnin e vet modest. Fill mbasi prek konopin, i màrri fiton qetsinë dhe arsyen. E habitun dhe e prekun prej ktij sherimi t’menjihershëm, asambleja falenderon Hyjin për fuqinë që i kishte dhanë shêjtit të Tij.

Nji ditë, kur shna Ndou kishte planifikue me predikue jashtë qytetit, nji zojë e devoçme, t’cillës i pëlqente me ndigjue predikimet e shêjtit, bahet gadi me u nisë për n’predikim por i shoqi nuk e lèn. E frymzueme paprimtas, zoja del në tarracen e shpisë dhe, e mërzitun, hjedh shikimin drejt vendit ku shêjti kishte me predikue, rreth 2 km larg. Nuk kalojnë veç pak çaste kur zoja, e habitun jashtë maset, fillon me ndigjue kjartë zânin e shna Ndout që po predikonte. I shoqi, tuej e pâ gruen e vet ashtû t’palëvizun mbi tarracë, tuej pâ larg, i kërkon me hî mbrendë se e presin punët e shpisë, por grueja i përgjigjet se âsht tuej ndie sermonin e Antonit. I shoqi qesh me mosbesim, por mandej fillon me dyshue në vërtetsínë e fjalve të grues. Me gjysë besimit del edhe aj në tarracë dhe nuk ka kufij habia e tij kur ndigjon kjartë zânin shêjt të predikuesit.

Në Konçilin kombtar të Bùrzhit (Bourges), nën presidencën e t’dërguemit të Selisë Shêjte, i mbledhun për me gjetë mnyrat e paqtimit mes Rajmondit VII dhe Amaurit të Montfortit, si dhe me organizue shtypjen e revoltave të herezisë albigjenze, oratori mâ i famshëm u thirr me mbajtë fjalen e hapjes. Ky ishte nji rast ku shna Ndou i diftoi të tanve se e vërteta katolike nuk mundet kurrë me u sakrifikue për asnji arsye dhe nuk pati frigë, edhe në nji mbledhje kaq solemne, siç ishte Konçili kombtar, me sulmue barinjtë e pabesë, të cillët kishin tradhtue vokacjonin e marrun prej Zotit dhe i kishin dorzue delet e tyne furisë së ujqve grabitqarë. Njêni prej ktyne tradhtarve ishte arqipeshkvi i Bùrzhit, Simoni i Sujísë (Simon de Sully), që me sjelljen e tij favorizonte herezinë. I pushtuem papritun prej nji frymzimi ndriçues, shna Ndou, që kishte dhuntinë prej Zotit me lexue në shpirtnat e njerzve, tuej argumentue mrekullueshëm prej Shkrimeve Shêjte, fillon me folë ashpër kundër arqipeshkvit që po tradhtonte çâshtjen e Kishës. Fjalët e shêjtit bijshin si mallkime mbi kryet e arqipeshkvit të padêjë. Mbas mbylljes së punimeve të Konçilit, arqipeshkvi, me përvujtni, shkon dhe i kërkon të falun shna Ndout, tuej i premtue me bâ pendesë. Prej asaj kohet, arqipeshkvi kjé nji mbrojtës i guximshëm i Fesë Katolike dhe i Kishës së JEZU-KRISHTIT.

Kur predikonte shna Ndou, kishat nuk mjaftojshin prej turmave të mëdhaja të besimtarve, e atherë shêjti u detyronte me predikue jashtë, nën qiellin e hapun. Nji ditë, shêjti po unjillzonte màje nji kodret kur qielli filloi me u errsue dhe bubullimat e vetëtimat paralajmrojshin afrimin e stuhisë. Njerzit e friksuem filluen me u bâ gadi me u largue, për me gjetë ndonji strehë mbrojtse, por shna Ndou i ndaloi tuej u thanë : “Mos u friksoni, rríni n’vendet tueja sepse asnji pikë shiut nuk ka me râ mbi jue”. Tuej xanë besë në fjalen e shêjtit, besimtarët ndejtën dhe, ashtû si tha shna Ndou, ndërsa rreth tyne shiu u derdhte me furí, mbi ta nuk ra asnji pikë.

Shna Ndou ishte në Brivë (Francë), kur fretnit, mbasi kishin mbarue s’knduemit s’bashkut lutjen e mbramjes dhe kur sejcilli po bahej gadi me mbyllë diten me lutjen personale në qelë, shofin paprimtas, aty afër, në kopshtin e nji bamirsi të kuvendit, disa hajduta që po shkulshin e dëmtojshin të mbjellat. Fretnit alarmohen dhe ngasin vrap te shna Ndou me pvete si me veprue : “Shkoni tanë në lutje si zakonisht,- u thotë buzagaz shêjti-, e mos u shqetsoni për t’ashtuquejtunin damtim të t’mbjellave; âsht nji dredhi e djallit që don me ju largue prej lutjes dhe me ju hupë kohen tuej largue hajdutat.” Nesër nade, fretnit panë kopshtin e bamirsit të paprekun dhe njoften iluzjonin diabolik.

Kur shna Ndou përfundoi misjonin e tij hyjnor në token e frankve, aj u nis për në Itali për me vazhdue atje misjonin që Zoti i kishte caktue. Në kohen kur shêjti mbrriti në Romë ishte Festa e Pashkës dhe Papa Gregori IX e porositi shna Ndoun me i shpjegue popullit indulgjencën që besimtarët mujshin me fitue me kyt rast. Me rastin e Festës së madhe të Rinjalljes së JEZU-KRISHTIT, në Romë vijshin pelegrinë prej tanë botës : francez, anglez, gjerman, grek, latin, sllav, etj. Po në çfarë g’juhet me u folë tanë ktyne besimtarve ? E Hyji i gjithpushtetshëm, për me demonstrue hiret dhe favoret që i kishte dhanë ktij shêjti të madh, rinovon mrekullinë e Rrëshajës, si dikur me Apostujt në Jeruzalem. Shna Ndou fillon me folë dhe tanë popujt e racave të ndryshme e kuptojnë sejcilli në g’juhen e vet amtare.

Kur ishte në Rímini, zonë që atherë ishte e infektueme prej sektarve kathàrë, shna Ndou filloi me i shpjegue popullit bazat e Fesë Katolike dhe të vërtetat e Shkrimeve Shêjte, me shkencen e tij të jashtzakonshme, por disa heretikë kryefortë e tallshin dhe nuk dojshin me dijtë aspak për fjalët e shêjtit. Atherë i frymzuem prej nâlt, shna Ndou shkon në bregun e detit dhe bërtet :

« O peshq t’oqeanit dhe t’lumit ! Ndig’joni, se jû po ju shpalli fjalen e Zotit, mbasi heretikët nuk dojnë me e ndig’jue. »

Mbas ktyne fjalve, nji turmë e madhe peshqish, të mëdhaj e të vegjël, mblidhet me rregull afër bregut për me ndig’jue shêjtin : peshqit e vegjël janë ma afër bregut, ata mesatarë rrijnë mbas tyne dhe peshqit e mëdhaj rrijnë në fund, ku thellsija e detit âsht mâ e madhe, të tanë me krenat e drejtuem kah shna Ndou, i cilli u flet kshtû :

« Peshq, vllâznit e mij të vegjël ! Edhe ju i detyroheni falenderime Krijuesit tonë për të mirat që ju ka dhanë. Në sajë të Hyjit keni elementin fisnik (ujin) ku ju jetoni; âsht Hyji Aj që ju nep, simbas dishirës tuej, ujnat e âmbla e të krypuna; âsht në sajë të Hyjit që ju keni kyt shpî ku ju mundeni me u strehue në kohen e stuhisë dhe prej Hyjit keni ushqimin e nevojshëm për jetesen tuej; Ky Zot bujar e bamirës, në diten e Krijimit, ju dhà urdhnin me u rritë, me u shumue dhe ju ka bekue; E kshtû, kur erdhi përmbytja universale, tana kafshët e tjera mbaruen (tuej përjashtue ata që ishin në Arken e Noèsë) por jû nuk ju ndodhi asnji gjâ e keqe; Hyji ju ka dhanë fletë me të cillat ju mundeni me notue, simbas qejfit; jû, ju besue kujdesi për profetin Jonas, që g’jatë tri ditve e ruejtët shndosh e mirë; prapë, jû i dhatë Zotit tonë JEZU-KRISHTIT shka me pague taksen, n’at kohë kur Hyji jonë, me pamjen e nji t’vorfnit, nuk kishte gjâ me pague; s’fundmi, prej nji zg’jedhjeje misterjoze, ju i shërbyet si ushqim KRISHTIT, Mbretit të përjetshëm, para e mbas Rinjalljes së Tij; në kujtim e për tana kto mirsí të çmueshme që keni marrë prej Zotit, lëvdoni pra e bekoni Hyjin, ju I detyroheni mâ shumë se tana krijesat e tjera. »

Tuej ndig’jue kto fjalë, peshqit hapin gojen, përkulen përpara dhe me sjelljen e tyne të respektueshme mundohen, në mnyren e tyne, me lëvdue Krijuesin.

Tuej i pa , shêjti thrret me gzim :

« Bekue kjoft Hyji i përjetshëm, mbasi peshqit E nderojnë mâ shumë se heretikët dhe se kafshët pa arsye ndig’jojnë fjalen e Tij me mâ shumë bindje sesa t’pafetë. »

Kjo mrekulli bani bujë t’madhe në qytet dhe për pasojë edhe heretikët u konvertuen dhe hyne në gjínin e Kishës Katolike, jashtë të cillës, ashtû si jashtë Arkës së Noèsë, nuk ka pshtim për kërkend, por veçse mallkim dhe mbytje. Nuk e di a kishin me u konvertue konçiljarët, mbrojtsit e pseudo-konçilit të 1962, po t’shifshin me sytë e tyne shna Ndoun tuej përsëritë kyt mrekulli !…

G’jatë kohës që shêjti vazhdonte me unjillzue në Rímini, nji grup heretikësh, bij të farizejve të dikurshëm, që as mrekullitë mâ të mëdhaja nuk i prekin por përkundrazi, i ngurtsojnë edhe mâ tepër në pabesinë e tyne, e thrrasin  shna Ndoun për drekë, dhe përgaditen me i ofrue nji pjatë me ushqim t’helmuem. Shêjti lajmrohet prej Qiellit për kurthin e t’pabesve dhe i ulun në tavolinë, i demaskon planet e heretikve, t’cillët prap nuk dorzohen por i thonë : “Kena dashtë me provue vërtetsinë e fjalve të Shelbuesit, që ka thanë se dishepujt e Mij kanë me shporrë djajt dhe n’kjoft se hajnë ndonji ushqim t’helmatisun nuk ka me iu ndodhë kurrgjâ e keqe. Prandej, n’kjoft se ju besoni në Unjillin, ju nuk keni me pasë frigë me hangër prej ktij ushqimit të helmatisun.” – « Do ta hà kyt ushqim, – i përgjigjet me guxim shna Ndou- , jo me tundue Hyjin por me ju dishmue se sa dishiroj shelbimin e shpirtnave tuej dhe triumfin e Unjillit. » Mbas ktyne fjalve, shêjti, me doren e djathtë, ban nji kryq mbi ushqimin e helmuem dhe fillon me e hangër pa ndie asnjilloj shqetsimit. Në praní të ksaj mrekullije, heretikët dorzohen dhe konvertohen.

Nji tjetër grup heretikësh rebelë, me e vue n’provë shêjtin, si bane dikur farizejt me Shelbuesin tonë të dashtun, i ofrojnë shna Ndout me hangër nji zhabë të neveritshme të pjekun, tuej i kujtue fjalët e sh’Palit Apostull : Keni me hangër shka t’ju ofrojnë. Shna Ndou nuk trazohet e nuk kundërshton aspak por çon sytë kah Qiella dhe me doren e djathtë ban nji kryq mbi zhaben e pjekun që menjiherë shndrrohet në nji shpend të pjekun, të kandshëm e të bukur. Shêjti atherë i fton heretikët me hangër s’bashkut dhe rebelët, të prekun prej mrekullisë, pendohen dhe konvertohen në Kishen shêjte Katolike.

Nji herë, kur shna Ndou po ndihmonte në ndërtimin e nji kuvendi në Gemona, në provincen e Udines, nji katundar kalon aty pàri me nji karrocë me dy qé. Shêjti i lutet me ia lanë pak karrocen sa me transportue disa tulla për ndërtimin e kuvendit të ri, por katundari, me dinakní, e rrên shna Ndoun tuej i thanë se nuk âsht e mujtun, mbasi n’karrocë ka nji t’dekun. Në fakt, në karrocë katundari kishte djalin e vet tuej fjetë, por i bezdisun prej lutjes së shêjtit, gjeti mnyren mos me ia lanë karrocen. Shêjti largohet e katundari vazhdon rrugen, tuej u zgërdhí nën mustak për rrênen që kishte shpikë. Mbasi ecë pak, mendon me e zgjue djalin e vet dhe me ia diftue edhe atij rrênen që i tha fratit, por shka me pâ… Kur shkon me pâ djalin, e gjen të vdekun mbi karrocë. Katundari tmerrohet dhe me britma e lot kthehet me vrap e i bjen në g’juj shêjtit tuej i kërkue falje dhe tuej e lutë me i kthye djalin. Shna Ndou, i prekun gjithmonë prej halleve të tjerve, shoqnon katundarin deri te karroca me djalin e dekun dhe, si e kishte zakon, mbledhet në lutje për pak çaste; mandej me doren e djathtë ban nji kryq mbi kufomen dhe djali çohet në kambë. Me mujtë të keqen me të mirë : ndryshej nuk dijte me veprue shna Ndou.

Në fillimin e Krezhmes të vjetit 1228, Providenca hyjnore e çon shna Ndoun në Padóvë, qyteti që ma vonë kishte me ruejtë reliket e tija të shêjta dhe emni i t’cillit kishte me shoqnue përgjithmonë emnin e shêjtit kaq popullor e kaq të dashtun prej sa e sa besimtarve në tanë boten. Ksaj here, në Padóvë nuk bahej fjalë me luftue vetëm herezitë por sidomos pasjonet e shfrenueme dhe imoralitetin sensual.

Mkatnor i shkretë !, i thotë nji ditë shêjti nji t’mjeri, pse disprohesh për shelbimin tand mbasi ktû gjithshka flet për mshirë e dashtní ? Shif cillët janë dy avoketnit që mbrojnë çâshtjen tande para gjyqit të Drejtsisë hyjnore : nji Nânë dhe nji Shelbues; Virgjina MARI i paraqet Birit të saj Zemren e vet të therun prej shpatës së vuejtjes dhe JEZUSI i paraqet Atit të Tij Plagen e Zemres së Tij pafundsisht shêjte të shpueme prej shtizës së ushtarit dhe plagët e duerve e të kambve. Jo, jo, me kyt Ndërmjetsues e me kyt Ndërmjetsuese, nuk ke me u refuzue prej Mshirës hyjnore.

Edhe në Padóvë, si në qytete e fshatna të tjera ku kishte shkelë kâmba e shêjtit, kur predikonte shna Ndou kishat nuk mjaftoshin e atherë shêjti dêlte me predikue jashtë. Turmat ishin aq t’mëdhaja saqë mbërrijshin nganjiherë në 30,000 vetë, thotë nji kronikan i kohës. Gra, pleq, fmi, ushtarë, qytetarë të çdo kategorijet çoheshin naten, vêsheshin sa mâ thjesht, tuej hjek stolí, varse, vathë e zbukurime, dhe niseshin me pishtarë n’duer për me xanë, nade heret, nji vend sa mâ afër pultit ku kishte me folë shêjti i mrekullive. Ipeshkvi i Padóvës me klerin e tij ndiqte rregullisht predikimet e shna Ndout. Megjithë numrin e madh të besimtarve t’pranishëm, kur fillonte sermonin shna Ndou, të tanë mbajshin nji qetsí absolute, si me pasë kênë nji njíri i vetëm. Aq i madh ishte respekti dhe nderimi që shêjti gzonte n’popull saqë gratë e devoçme merrshin gërshàna me vedi, për me mujtë me prè nji copë prej zhgùnit të shna Ndout, dhe për me e ruejtë mandej si nji relike të çmueshme. Fama e madhe e mrekullive të shêjtit kishte marrë dhènë gjithkund dhe pa prezencen e nji grupi truprojesh t’armatosuna ishte e pamujtun me ruejtë shêjtin prej turmës së ekzaltueme. Ky frat i përvujtë, kâmbë-zbathë, i vorfën, i mbuluem me nji zhgun bojhínit, tërhiqte mbas vedit karvane njerzish që nuk imagjinoheshin as prej mbretënve e perandórve. Sa i admirueshëm âsht Hyji në shêjtnit e Tij ! Sa prestigj t’mrekullueshëm ka shêjtnija para syve t’Zotit !

Nji ditë, shna Ndou ndalet n’rrugë prej nji nâne vajtuese që i difton fminë e saj t’paralizuem, dhe e lutë me e sherue. Shêjti i mrekullive ul menjiherë shikimin e tij të butë e penetrues drejt fmisë t’vogël, zgjat doren mbi té, ban shêjen e Krygjës, dhe fmija shërohet përnjiherë.

Nji herë tjetër, në fundin e ditës, kur shna Ndou po kthehej prej predikimit, nji babë i mjerë vjen drejt shêjtit, tuej mbajtë në krahë vajzen e tij epileptike. “At, – i thotë njiri i shkretë me nji zâ t’sigurtë -, bani, ju lutem, shêjen e Krygjit mbi kyt t’smurë dhe ajo ka me u sherue.” Shna Ndou i prekun prej fesë t’ij, ban shêjen e Krygjit mbi vajzen e ré dhe ajo menjiherë rifiton shëndetin e plotë.

Nji zojë aristokrate kishte ndjekë turmen për me ndie shna Ndoun tuej predikue n’qiell t’hapun. Si pasojë e turmës s’madhe ajo bjen, pa dashje, në nji gropë me baltë dhe teshat e saja bahen n’nji gjendje t’mjerueme. Mendimi i kritikave që e presin n’shpi prej t’shoqit t’saj nevrik, e alarmon. N’fund t’sermonit shkon e takon shna Ndoun dhe i difton për aksidentin dhe i rekomandohet lutjeve të tija. Shêjti nuk neglizhon me ndihmue t’afërmin, as në kyt rast, dhe tuej pa ankthin e zojës, me mirësinë delikate të zemrës t’Apostullit, fillon me u lutë : në çast nuk mbetet mâ asnji njollë mbi teshat e zojës.

Nji djalë i ri padovan, me emnin Leonard, shkon me u rrfye te shna Ndou dhe i thotë se i kishte râ nânës s’tij me shtjelm dhe e kishte rrxue përtokë. “Ajo kambë meriton me u kputë”, – i përgjigjet me indinjim shêjti. Kyt fjalë të shêjtit, Leonardi naiv e merr me të vërtetë dhe mbasi mbrrin n’shpi, i penduem, merr nji spatë dhe kput kamben e vet. Menjiherë bahet alarm në shpi, dhe nâna e viktimës shkon tuej kjâ te shna Ndou për me i diftue tragjedinë e ndodhun. Pa u justifikue, shêjti ndig’jon fjalët vajtuese të nânës dhe shkon me té në shpi, te djali i cunguem. Simbas zakonit, shêjti mbledhet në lutje…; mandej merr kamben e këputun me doren e majtë dhe tuej e afrue te pjesa e cungueme ban mbi té, me doren e djathtë, shêjen e Krygjës; menjiherë kâmba njitet vedit dhe Leonardi çohet n’kambë tuej lëvdue fuqinë e Hyjit që ishte manifestue në shêjtin e Tij të mrekullueshëm. Zhurma e ksaj mrekullije bani aq bujë, saqë jeta publike pothuejse u ndal krejtsisht në Padóvë dhe nji entuziazëm i jashtzakonshëm përfshiu tanë popullsinë.

Gjashtëdhetë e katër vjet mbas daljes së shna Ndout prej ksaj bote (vjeti 1292), nji bandit i penduem i diftonte historinë e konvertimit të tij nji frati françeskan :

« Isha bandit profesjonist, pjesë e nji bande hajdutash. Ishim 12 vetë, jetojshim në pyll dhe sulmojshim e grabitshim udhëtarët. Mbasi ndig’juem për fratin Anton dhe mrekullitë që bate, vendosëm, të dymbëdhêtit, me shkue nji ditë në sermonin e tij, tuej mos u besue çudinave që njerzit diftojshin për té. E krahasojshin me profetin Elia dhe fjalen e tij, me nji pishtar të ndriçëm dhe të flaktë. Nji natë, shkuem pra në sermon dhe u futem në mes të turmës. Por, g’jatë kohës që frati predikonte, ndig’juem nji tjetër zâ në fund të ndërgjegjeve tona : zânin e pendêsës, që na kujtonte jeten tonë të përlyeme prej krimeve dhe, pak kah pak, ndiem keqardhjen tuej u përhapë në shpirtnat tonë. Mbas mbarimit të sermonit, nji pendim i sinqertë na çoi te kâmbët e Antonit ku kallxuem tana krimet tona. Mbasi na zgidhi prej fajeve tona, na kërkoi me i premtue se nuk kishim me u kthye mâ kurrë në rrugen e krimit, tuej na paralajmnue se po tu kthejshim prapë në jeten tonë t’mâparshme, do t’kishim nji fund të llahtarshëm. Shêjti tha t’vërteten. Ata që iu kthyen zakonit t’maparshëm, përfunduen tragjikisht : ràne në duert e drejtsisë dhe shpaguen krimet e tyne me vdekje; kurse ata që i ndêjten besnik premtimit që i kishin bâ shna Ndout, pushuen devoçmënisht në Hyjin. Kurse mue, – shtoi i moshuemi -, shna Ndou më pat dhanë si pendesë me krye 12 herë pelegrinazhin e shêjtënve Apostuj. Sod kam krye pelgrinazhin e dymbëdhetë dhe pres, simbas premtimit të shêjtit, përjetsinë e lume mbas ditve të ksaj jete t’përkohshme. » Në fund të ktij rrfimi, plaku derdhte lot prej emocjonesh dhe denèsët nuk e lejshin me folë mâ.

Me shêjtnínë e tij dhe shpirtnat që fitonte për t’Madhin Zot, shna Ndou triumfonte gjithmonë kundër djallit, por edhe i mallkuemi e ndiqte dhe nuk e lête rahat me urrejtjen e tij infernale : kyt luftë shpirtnore katolikët e dêjë për emnin që mbajnë e luftojnë për ditë, në nji mnyrë apo në nji tjetër, dhe disa shpirtna shêjtë të zgjedhun prej Zotit kanë luftue dhe luftojnë mâ afër me t’mallkuemin.

Ishte koha e predikimit të Krezhmës. Nji natë, ndërkohë që shêjti po u çlodhte prej apostullimit të tij të lodhshëm, djalli i shfaqet në formë të dukshme dhe e kap shna Ndoun për fytit me aq forcë sa gadi me e mbytë. Menjiherë, shêjti e njef kundërshtarin e tij dhe me gjys zânit pëshpërit fjalët e himnit të tij të preferuem drejtue Virgjinës MARI : “O Gloriosa Domina” (O Mbretneshë e lavdishme); me t’ndigjue fjalët shêjte të himnit, shpirti i errsinës e lshon përnjiherë shêjtin dhe zhduket, ndërkohë që nji dritë qiellore përhapet në qèlen e vorfën të fratit, tuej e bâ si paradhomen e Parrizit.

G’jatë verës së vjetit 1228, shna Ndou len Padóven për me kalue për pak kohë në Ferrara dhe mandej në Bolonja.

Nji zojë prej Ferrares, e martueme në nji familje të nji rangu të naltë në qytet, dyshohej prej t’shoqit për ndershmëninë e saj dhe aj, tuej ndigjue edhe shpifjet e përhapuna në popull, refuzonte fmijen e grues t’vet që sapo kishte lindë. Tuej iu bindë nji frymzimi t’papritun, zoja, me bében e vogël në krahë, shkon e takon shna Ndoun, mbi mrekullitë e t’cillit ajo kishte ndigjue. Ajo i difton shêjtit situaten tragjike, nderin e saj të përlyem prej t’shoqit dhe i lutet me gjykue midis saj dhe burrit t’vet, i cilli, ndërkohë, kishte ardhë edhe aj para shêjtit. Shna Ndou, i heshtun dhe gjithmonë i qetë, ndig’jon me vëmendje ankesat e dyja palve dhe shikimi i tij, që depertonte deri n’fund të shpirtit, zbulon shpejt pafajsinë e zojës së përlotun. Papritmas, i shtyem prej nji lëvizjeje të parrezistueshme, shna Ndou kap fminë në duert e tija shêjte dhe i thrret bébes : “Në emën të Zotit të grazhdit, po t’lutem me m’thanë publikisht, kjartë e saktë, kush âsht autori i ditëve tueja ! ” Atherë ndodh nji skenë e admirueshme në thjeshtsinë e saj sublime. Bebja e vogël kthehet kah i ati akuzues dhe me nji zâ të kjartë bërtet : “Ky âsht baba jem.” Emocjonet që kjo mrekulli shkakton te çifti nuk munden me u përshkrue. “Dueje, pra, kyt fmí, – i thotë shna Ndou burrit -, sepse âsht i joti. Dueje gjithashtu kyt bashkshorte, kaq besnike, kaq t’përkushtueme dhe kaq të dêjë për dashtninë tande.”

Në Nanduer të vjetit 1228, Gjenerali i Urdhnit, At Gjon Parenti, i kërkon shna Ndout me shkue në Firence, për me predikue kohen e Ardhjes dhe Krezhmen e vjetit t’ardhshëm. G’jatë ksaj kohe qëndrimi, nji fajdexhí vdes dhe njerzit e familjes i luten me insistim shêjtit me i thanë dy fjalë në ceremoninë mortore. Shna Ndou nuk ua prish dhe pranon. Fjala e tij filloi me komentimin e pasazhit t’Unjillit : “Atje ku âsht thesari jot, atje âsht edhe zemra jote.” Paprimtas, shêjti ndriçohet prej nji revelacjoni hyjnor dhe ndal sermonin tuej thanë : “Ky pasanik ka dekë dhe âsht i fundosun në Ferr. Shkoni te thesari i tij e aty keni me gjetë zemren e tij.” Nji emocjon i thellë përshkon tanë t’pranishmit; familjarët tërhiqen dhe vrapojnë te shpia e t’dekunit. Atje hapin baùlen me sendet e çmueshme dhe tmerrohen kur shofin mbrendë, në mes të monedhave të arta, zemren e t’dekunit, njashtu si u tha shna Ndou.

Kto fjalë duhen lexue mirë prej konçiljarve, që mashtrojnë njerzit me iluzjonin se Zoti i mshirshem i fal gjithmonë të tanë e kur vdes ndonji, konçiljarët modernista thonë : Hyni në shpinë e Atit.

Kur shna Ndou kthehet në Padóvë, merr vesht për masakrat dhe tiraninë e Ecelinos (Ezzelino), në Lombardí, Romanja, Veronë, Viçence dhe Breshia. Banorët e Padóvës, t’friksuem për qytetin e tyne, i luten shêjtit me ndërhye. Shna Ndou, që nuk e njifte frigen, bir herojsh katolikë, në venat e t’cillit rridhte gjaku i Kryqzorve, niset me çarmatosë furinë e tiranit. Mbasi hyn në pallatin e Ecelinos, hyn në sallen ky tirani rrinte bashkë me truprojat e ushtarët e tij. Shna Ndou, tuej e fiksue me nji shikim të rreptë, i bërtet me të madhe : “Anmik i Zotit, tiran mizor, qen i tërbuem, deri kur ke me derdhë gjakun e pafajshëm ? Dije se ky gjak i Krishtênë i thrret Qiellit hakmarrje; shpata e Zotit âsht e varun mbi kryet tand dhe gjykimi i Tij ka me kênë i tmerrshëm.” Tiràni ngrin dhe nuk lëviz, kurse rojet e tij, të habitun me guximin e ktij vizitori të çuditshëm, presin urdhnin prej Ecelinos me iu versulë shêjtit dhe me e masakrue. Por urdhni nuk vjen. Despoti dukej si i shtypun prej nji force t’mbinatyrshme dhe ftyra e tij e zbehte diftonte tmerrin që e kishte mbërthye. Në habinë e madhe të njerzve të tij, Ecelino çohet prej fronit ku ishte ul dhe i bjen në g’juj shna Ndout, i kërkon falje dhe i premton me u korrigjue.

« Anmiqtë e delaruem të Zotit dhe të Kishes së Tij, heretikët dhe shizmatikët, duhen me u kritikue sa ma shumë që të jetë e mujtun, tuej u mbështetë në të vërteten. Asht nji vepër dashtnijet Kristjane me bërtite : “Ujku!”, kur ai hin n’vathë apo në ndonji vend tjetër. » (sh’Françesku i Sales, Doktor i Kishes Katolike, “Hymje në jeten e devoçme”, Pjesa III, Kapitulli 29)

Po përfundoj kyt seri mrekullish me nji mrekulli të veçantë, me nderue Prezencen reale të Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, në shejtin Tabernakël, mbasi kyt javë festojmë Oktaven e t’Shêjtnueshmit Sakramend, apo Festen e Sakramendit të Dashtnisë së Zotit, ashtû si i pat rrfye nji herë Shelbesi jonë nji shêjtneshet, festë e devocjon që shna Ndou e pat fort për zemër.

Mjerisht, konçiljarët e apostatit Bergoglio, qysh në kohen e apostatit Palit VI, kanë mohue publikisht dogmen e Prezencës Reale të KRISHTIT Zot në shejtin Tabernakël, ashtû si e analizon Kardinali Ottaviani dhe Imzot Bacci në shkrimin e tyne “Egzaminim i shkurtë kritik i “meshës së ré” të Palit VI : “Ndërhymja Ottaviani”, që lexuesit munden me e konsultue në blogun : http://nenaekeshillittemire.blogspot.com/). Me kyt gjest heretik, konçiljarët e ulin personen e tyne nën shtazët pa arsye dhe i përgadisin vedit vuejtjet e pafundme të Ferrit. E pra, dikur, nji mushkë adhuroi Zotin tonë JEZU-KRISHTIN në Hosten shêjte.

Nji herë, g’jatë predikimeve të tija, shna Ndou ndeshi në nji heretik kryefortë, që refuzonte me besue në Prezencen reale të Shelbuesit në Hosten shêjte, megjithë argumentat e shna Ndout. S’fundmi, heretiku i propozon shêjtit nji sfidë, për me mujtë me e xanë në kurth : ” Kam nji mushkë, – i thotë shna Ndout -; kam me e lanë tri ditë pa hangër, dhe mbas tri ditësh kam me e prue ktu mes turmës, në sheshin publik, dhe kam me i ofrue tërshanë me hangër. Ju éjani me Hosten e konsakrueme. N’kjoft se mushka ka me refuzue tërshanën dhe ka me u g’jujzue para Hostes, që ju thoni se duhet adhurue prej tana krijesave, atherë kam me u deklarue katolik.” Shna Ndou, pranon dhe me besimin e pathyeshëm në Hyjin, tërhiqet në Kuvend dhe përgaditet g’jatë tri ditve me lutje e njinesë. Kur erdhi dita e shumpritun, heretiku bjen mushken në sheshin publik dhe ndjeksit e tij, që e rrethojshin, fillojnë me u tallë e me qeshë, tuej imagjinue disfaten e shêjtit. Shna Ndou mbasi celebron Meshen shêjte, merr me vedi Zotin-Eukaristí dhe mbrrin në sheshin publik, i ndjekun prej nji turme të madhe besimtarësh, që këndojnë hymne gzimit dhe lusin Zotin e gjithpushtetshëm me manifestue nëpërmjet mrekullisë të vërteten e besimit katolik.

Të tanë heshtin…Shna Ndou, në mesin e sheshit, shef mushken dhe thrret me nji zâ të fuqishëm :

« Në emën të Krijuesit që mbaj në duert e mija në kyt moment, krejt i padêjë që jam, dhe në sajë të Gjithpushtetshmënísë hyjnore, të urdhnoj, ô qênje pa arsye, me ardhë ktu menjiherë me u përkul para Tij, në mnyrë që djallzija e herezisë të demaskohet dhe të gjithë të jenë të detyruem me pranue se tanë krijimi i nënshtrohet Qingjit që sakrifikohet mbi altaret tona. »

Në të njêjten kohë lêhet e lirë mushka dhe i ofrohet tërshanë me hangër. Por, mushka përbuz tërshanën dhe shkon e g’jujzohet para Hostes shêjte, në gjest adhurimit.

Thirrje gzimit e falenderimit buçasin prej turmës së besimtarve katolikë, të pushtuem prej entuzjazmit. Prej rangut të heretikve, disa u tërhoqen të mujtun dhe të heshtun, kurse disa të tjerë përqafuen Fenë shêjte Katolike. Pronari i mushkës e mbajti fjalen dhe, në g’juj para shna Ndout, pranoi Fenë e KRISHTIT ZOT. Simbas kronikanve, heretiku i konvertuem, në kujtim të ksaj mrekullije, ndërtoi nji monument që ia kushtoi shën Pjetrit dhe tana familja e tij përqafoi kultin e vërtetë katolik.

Ky ishte pra shna Ndou i Padóvës, Arka e Testamentit, Çekani i heretikve, nji prej shêjtënve mâ të mëdhaj që Hyji ka prue mbi kyt tokë; i fuqishëm me fjalë dhe me vepra, i dashtun prej katolikve dhe prej t’pafève, nji pishtar i ndriçëm shkencet dhe devocjonit, nji flakë e zjarrtë dashtnijet për Hyjin, Virgjinen e Papërlyeme dhe t’afërmin. Sekreti i shêjtnisë së tij ishte devocjoni filjaj dhe kulti i jashtzakonshëm që shna Ndou ruejti gjithmonë për Virgjinën MARI, sepse asgjâ e madhe nuk mundet me u realizue pa ndërmjetsinë e Nânës së Zotit, dhe ashtû si msojnë Etnit e Doktorët e Kishës Katolike, asnji shêjt nuk âsht bâ shêjt pa Virgjinën e Papërlyeme.

Kyt Mbretneshë hyjnore shêjti e pat lutë me nji himn të preferuem : “O Gloriosa Domina”, “O Mbretneshë e lavdishme”, që nana e vet ia pat kndue kur ishte i vogël, himn qiellor që aj vetë nuk e hoqi kurrë prej zemret e prej gojet g’jatë tanë jetës së tij, himn triumfues që shêjti e kndoi në çastet e fundit, të Premten e 13 Qershorit të vjetit 1231, përpara se me marrë shpërblimin e lumnisë së përjetshme të Parrizit.

Në oren kur dielli po u ulte nën horizont, nji tjetër diell, që kishte ngrohë kaq shumë zemra, që kishte ndriçue kaq shumë inteligjenca, që kishte ndezë kaq shumë zjarme ndër shpirtna, là terrinat e tokës për dritat e shkëlqyeshme të Qiellit. Njimbëdhet vjet apostullimi t’frytshëm në mrekullí e fryte shelbimit mjaftuen me përjetsue emnin e tij dhe me e bekue prej tana brezave.

Fill mbas deks, kronikanët diftojnë se shêjti iu duk mikut të tij, teologut të njoftun, abatit Thomas Gallo, tuej e përshndet me kto fjalë : “Lashë vllanë tem, gomarin, në Padóvë; un po shkoj në atdhé.” Me fjalen gomar, shêjti nënkuptonte trupin e vet, kurse me fjalen atdhé, nënkuptonte Parrizin, që me të vërtetë âsht atdheu jonë i vërtetë. N’ato momente, abati po vuente prej nji dhimbje të fortë fytit, por shêjti ia preku lehtë vendin e smurë dhe dhimbja u zhduk përnjiherë.

« O Doktor sublim, – kndote Papa Gregori IX, me rastin e kanonizimit të shna Ndout, gadi 1 vit mbas vdekjes -, dritë e Kishës shêjte Katolike, ô i lumi Anton, ju që keni dashtë aq shumë ligjin hyjnor, ndërmjetsoni për ne para Birit të Zotit. »

Me 8 Prill të vjetit 1263, kur u ba transportimi i parë i relikeve të shna Ndout, 32 vjet mbas vdekjes, në praninë e Doktorit të Kishës, Doktorit Serafik, sh’Bonaventurës, atherë Gjeneral i Urdhnit, u vue ré se g’juha e shêjtit kishte mbetë e pakorruptueme, e kuqe dhe e fresket, sikur shêjti t’kishte vdekë 1 orë përpara. Atherë, i emocionuem, sh’Bonaventura thrret :

« O G’juhë e bekueme, që nuk keni pushue tuej lëvdue Hyjin e tuej i bâ të tjerët me E lëvdue ! Kjo mrekulli âsht nji provë e kjartë sa të mëdhaja janë meritat tueja para Zotit. »

Shna Ndou na bekoftë dhe na ndërmjetsoftë hirin prej Zotit e Virgjinës MARI me jetue, deri në fund, me vepra dhe dashtní hyjnore, Fenë e vërtetë Katolike.

O GLORIOSA DOMINA

(Himni i preferuem i shna Ndout në nder të Virgjinës MARI)

 

O GLORIOSA Domina

excelsa super sidera,

qui te creavit provide,

lactas sacrato ubere.

 

Quod Eva tristis abstulit,

tu reddis almo germine;

intrent ut astra flebiles,

sternis benigna semitam.

 

Tu regis alti ianua

et porta lucis fulgida;

vitam datam per Virginem,

gentes redemptae, plaudite.

 

Patri sit Paraclito

tuoque Nato gloria,

qui veste te mirabili

circumdederunt gratiae. Amen.

Bibliografi :

* Georges Loth, “Vie, gloires et merveilles de saint Antoine de Padoue”, 1895, Paris.

* Mgr Paul Guérin, “Les petits Bollandistes, vies des saints”, volumi VI, 1878, Paris.