Maksim Gorki, ithtar dhe viktimë e bolshevizmit, bashkëprijës i metodës së realizmit socialist në letërsinë ruse

Maksim Gorki, i biri i një zdrukthari, është padyshim një rast specifik i letërsisë ruse dhe jo vetëm. Ai, mund të thuhet se erdhi rastësisht në letërsi, për të mbetur në kolanën e letrave ruse si akt historik krijimi. Në vogli ishte i pagëzuar me emrin Aleksej Maksimoviç Peshkov për të marrë më pas emrin Gorki, si një pseudonim që u bë emri i tij i letërsisë. U lindi më 28 mars të vitit 1868 në Nizhni Novgorod, Rusi dhe vdiq më 18 qershor 1936 në rrethana të mistershme. Hije dyshimi për vdekjen e tij, sot 80 vite më parë rëndojnë mbi shërbimin sekret rus. Me rritjen e represionit stalinist veçanarisht pas vrasjes së Sergei Kirov në dhjetor 1934, Gorki u vu nën arrest shtëpiak të paparalajmëruar në banesën e tij në afërsi të Moskës. Kjo pasoi me vdekjen e papritur dhe mbetur mister të të birit, Maxim Peshkov në maj të 1934, vdekje që u pasua me shuarjen e vetë  Gorkit.

Që në fëmijëri mbeti jetim dhe kreu vetëm një shkallë të ultë të shkollës. Mbijetesën në kushtet tejet e të vështira ai e siguroi duke mos i bërë naze asnjë lloj angazhimi që i sillte mundësi të fitonte bukën e gojës. Me çfarë nuk u angazhua në këtë përpjekje ngadhënjimtare për të ekzistuar; punoi si korrier, enëlarës, punëtorë me mëditje dhe argat në tokat e të pasurve, ngjyrosës ikonash, bukëpjekës, punëtorë krahu në limane, rojtarë dhe kopshtar. E gjithë kjo natyrshëm ka reflektuar në krijimtarinë dhe veprimtarinë e tij  politike.

Ka punuar si gazetar në media provinciale. Ai shkroi nën pseudonimin Jehudiel Khlamida. Duke punuar në Tiflisit për gazetën në Kaukasi më 1892 ai do të fillonte të përdorte pseudonimin “Gorky” që fjalë për fjalë do të thotë ” i hidhur”. Nofka që ai i zgjodhi vetes dhe që do të bëhej emri i tij i letërsisë dha famës, qartazi ishte një reflektim i shijes që do të kishte pena e tij, nxitura nga zemërata e valëve të zemërimit të tij për jetën e vështirë në Rusi dhe një vendosmëri për të folur për të vërtetën e hidhur. Ai kishte miq dhe armiq njerëzit me të shquar të revolucionit të kuq, Leninin dhe Stalinin, me të cilët ashtu siç e lidhi fuqishëm bolshevizmi, revolucioni, anticarizmi, proletariati, ashtu edhe i armiqësoi deri sa e detyruan që shumicën e jetës ta çonte në ekzil dhe pjesën tjetër të gatuante vdekjen e tij në Rusinë mëmë.

Nga kolana e veprave të tij veçojmë, “Zgalemi”, “Makar Çudra”, “Jeta e Klim Samginit”, “Nëna”, “Vepra e Artamonovëve”, “Malva”, “Lindja e një njeriu”, etj. Ai ishte gjithashtu i nominuar pesë herë për çmimin Nobel në Letërsi

Epuisode nga jeta e shkrimtarit rus

* Prindërit e varfër e lanë Maksim Gorkin jetim. I vetmi i afërm i mbei gjyshi plak, i cili u përkujdes shumë për nipin e vogël. Djali ishte kokëfortë e me shpirt kryengritës dhe iu fut shumë zanateve. Ai u bë kamarier, këpucar, gdhendës, piktor, pjatalarës, kopshtar, por të gjitha i la dhe mori rrugët. U fut si shërbëtor në një anije, nisi të shëtiste nëpër botë dhe në orët e pushimit, pasi kishte gjetur disa libra të Dymait (babait) dhe të Gogolit, iu vu leximit. Ashtu papritur i erdhi dëshira e papërmbajtur për të mësuar.

Zbriti në Kazan dhe kërkoi të gjente ndonjë shkollë ku të jepej mësim pa para. Shkollë të tillë nuk gjeti. Përsëri nisi Odisenë e tij, duke u bërë hamall, roje në hekurudhë, shitës pijesh. Kështu njohu të gjithë të mjerë dhe të pastrehët që i quajti “Fëmijët e çifutit endacak”. Këta i admiroj shumë.

 

* Qysh në fëmijëri, Gorki kishte miqësi me Shaljapinin, i cili më vonë bë këngëtar i dëgjuar në të gjithë botën. Një herë, Shaljapini dhe Gorki për të fituar diçka, shkuan së bashku në një shoqëri teatrale. U paraqitë si koristë. Gorki, u pranua me vota të plota për zërin e tij të bukur prej tenori, kurse Shaljapini nuk u pranua si i paaftë për të kënduar.

Më vonë Gorkit, në një natë shumë të ftohtë dimri, i ra të fikët dhe mbeti gjatë përjashta. Mori një plevit të fortë me komplikime të shumta në fyt. Kur u shërua, zëri i tij i bukur prej tenori ishte ashpërsuar dhe ngjirur.

 

* Maksimi mori pseudonimin Gorki, që në rusisht do të thotë “i hidhur. Kjo ishte një sfidë për shoqërinë e atëhershme, e cila u soll si njerkë me të.

Vetëm në vitin 1892, një student e këshilloi të merrej me shkrime dhe të hidhte në letër ato ndodhi që ai vetë ua tregonte me aq gjallëri të njohurve të tij. Shkrimtari Korolenko e ndihmoi dhe e bëri Gorkin që të njihej si shkrimtar.

 

* Mjeku e kishte ndaluar Maksim Gorkin të pinte cigare. Megjithatë, ai nuk e dëgjonte mjekun dhe pinte cigare pas cigaresh.

– Përse pi cigare? – i tha një ditë e zemëruar e shoqja, kur ai po teshtinte vazhdimisht.

– Po ti përse jeton? – e pyeti ai i vërejtur.

Më 1891, ishte në Nizhni Novgorod si shitës shëtitës. Ndërkohë, mori vesh se aty rrinte edhe shkrimtari i famshëm Korolenko. Shkoi që të merrte mendim prej tij për një poemë. Korolenko e lexoi poemën dhe thirri:

– Është e keqe, nuk ka asnjë vlerë.

Kur e pa Gorkin që u trishtua, shpejtoi të shtonte:

– Po unë në fund të fundit jam gjykatës i keq për vargjet. Nga poezia nuk marr vesh dhe aq shumë. Më sill të shoh diçka nga proza juaj.

Kjo e nxiti Gorkin të shkruajë novelën e tij të parë. Kështu talenti i tij gjeti rrugën e vërtetë.

 

* Një ditë ishte duke lexuar biografinë e Çelinit’ të përkthyer në rusisht. Dikush tha se ishin krejt pallavra. Gorki protestoi duke thënë;

– E po mirë, në qoftë se janë pallavra mua më pëlqyen edhe ashtu siç janë. Janë pallavra të çuditshme. Vetëm ai dinte t’i thoshte dhe vetëm në kohën e tij të thuheshin.