Jorge Luis Borges: Kur e humba shikimin isha i shqetësuar për faktin se në të gjitha ëndrrat e mia e shihja veten se isha duke lexuar

Ky artikull i Israel Shenker është botuar tek New York Times më 6 Prill 1971

Në librin e Qenieve Imagjinare, shkruar nga Jorge Luis Borges, ka shumë krijesa të çuditshme, të tillë si Unicorn, Hippogriff, Wulfnik dhe Basilisk. Por nuk ka aspak Jorge Luis Borges. Çfarë do donte të ishte ai?

A është Borges-ose a mund të themi se ai ishte-një luan në Letërsi?

”Unë vetë  nuk shpresoj”, thotë ai duke tentuar sa më shumë me zërin e një njeriu, gjuha kombëtare e të cilit është spanjishtja dhe ku kuptohet se anglishtja e të cilit është letrare dhe me fjalë të zgjedhura me tepër kujdes.

Për veshin e tij tejet të ndjeshëm të jesh një Luan në Letërsi do të thotë se dëshiron famën, pasurinë, suksesin.

“Kur unë fillova të shkruaja në Buenos Aires më 1920, askush nuk mendonte për letërsinë në logjikën e dështimit apo suksesit?, thotë ai. “Ju mund të arrinit thjesht të botonit një botim me 300 kopje dhe kjo thjesht do t’ju largonte nga miqtë tuaj“.

Ai kujton me këtë rast edhe mendimin e vetes së tij:”Njerëzit në këtë vend mund të jenë pak idiotë, por ata nuk do të donin kurrë të ishin të tillë-e askush nuk e çonte nëpermend mendimin për blerjen e një gjëje që sapo e kisha shkruar”.

Akademia Amerikane e Arteve dhe e Letrave dhe Instituti Kombëtar i Arteve dhe Letrave e bënë atë një nga anëtarët e saj të Nderit më 25 Mars.

“Nëna ime do të jetë 95 vjeç më 22 maj”, më thotë ai.

“Mendoj se është trishtim që s’do të jetë më këtu-ajombase  do mund t’i gëzohej këtij nderi më tepër sesa e gëzoj edhe unë vetë. Mbi të gjitha është shumë e interesuar për karrierën time në letërsi, krejt ndryshe nga unë vetë, që nuk jam aspak i interesuar në karrierën time në letërsi”.

Universiteti i Kolumbias i akordoi atij një çmim honorifik në shkallën e Doktorit të Letrave. Në të ardhmen, ai do t’i japë mësim një klase ku janë studentë që duan të bëhen shkrimtarë dhe me këtë rast do të jepet dhe një pritje. Kuptohet se nëna e tij nuk do të jetë atje. Kujtojmë se madje edhe kur u verbua ai vazhdonte të shkruante-ese, histori, poema-dhe sëbashku me Samuel Beckett, fitoi çmimin Formentor më 1961. “Papritmas njerëzit në Buenos Aires filluan që të mendonin për punën time”, thotë ai. “Mirë, kuptohet që duhet të kishte diçka interesante në atë që ishte marrë kaq shumë dhe shfaqte interes kaq serioz në Evrope.”

Sot tregimet e tij të shkurtra-disa prej tyre që me vështirësi mezi mund të shtysh edhe një paragraf –u shfaqën në faqet e New Yorker dhe ato janë të përmbledhura madje edhe në libra të tërë . Esenca e esencave. Labirinte brenda qorrsokakëve, që janë të veshur me pasqyra. Kur ai erdhi në këtë vend –ai ishte tashmë për vizitë këtu-ka pasur përballë vetes një audiencë tërësisht plot respekt para vetes, që e ndiqte me kujdes. Sa autorë latino-amerikanë janë përkthyer vallë kaq mirë? Ai sigurisht është një pre atyre që është kandidat për marrjen e Çmimit Nobel.

Hapni sytë! Kush e di se çfarë do të thotë Qenia Imagjinare në të ardhmen? Në show e sotëm, që u mbajt në televizion, ai bëri të njohur para të gjithëve emrin e Gustave Flaubert, dhe pikërisht në atë moment e pëshpëriti emrin e romanit të autorit me një frëngjishte të përkryer.

Efekti nuk do të kishte qenë shumë më tepër befasues nëse ai nuk do ndryshonte në Hippogriff dhe të bënte një si çukitje mendore tek intervistuesi, që kishte mbetur krejt i habitur nga përballja me të.

Duke iu përgjigjur pyetjes, ai tërhoqi dhe një vëmendje për kujtesën e tij. Borges tha: “Në moshën time (71) çfarë mund të bëja ndryshe nëse nuk do të mund të plagjiarizoja atë që kisha thënë gati gjatë të gjithë kësaj kohe që kam shkruar?“

Çfarë do mund të jetë një shkrimtar në llamburitjen e komenteve të komenteve dhe nderimeve të pafundme, që i bëhen? Shkollarët i kushtojnë volume të tëra ironive të tij për sa i përket përgjigjeve të tij të kujdesshme. A është ai një si industri e adaptuar?

Borges jeton në anën veriore të Buenos Aires. Së fundi, teksa po udhëtonte drejt nesh, ai porositi një taksi në drejtim të Librarisë Kombëtare në drejtim të anës jugore të qytetit. Shoferi i taksisë, në një moment, i tha, “A mund të ndodhë që ju të jeni vetë Zoti Borges?”

Borges iu përgjigj “Si të them, pak a shumë, unë jam” apo mbase i ka thënë: “Kështu mendoj”.

Shoferi i taksisë refuzoi që t’ia merrte paratë dhe e njëjta gjë i ndodhi teksa po kthehej në shtëpi. “Ai nuk kishte lexuar dhe një rresht të vetëm të asaj që kisha shkruar në jetën time”, thotë Borges. “Mirë, mbase me njëfarë logjike dhe ndoshta unë nuk duhet t’i paguaja pasi ai nuk kishte lexuar dhe  një rresht të vetëm të asaj që kisha shkruar”. Ai mendon, pastaj dhe thotë: ‘Unë jam një harbut injorant, ngaqë tek e fundit s’di asgjë. Por ai njeri i thjeshtë qëndroi për poezinë, për kulturën për ato gjëra të cilat zotat e mi, pikërisht m’i kanë mohuar mua”.

“E dija se do të verbohesha, për shkak sepse babai im, gjyshja ime nga babai, stërgjyshi të gjithë ishin verbuar nga koha”, thotë Borgesi. “Që nga viti kur jemi çliruar nga horri që se them dot pa fjalë Peron, kam qenë krejt i paaftë për të lexuar apo të shkruajë. Si pasojë, nëse dikush do të më tregonte mua se: ‘Mirë Unë duhet të largohem dhe ju mundohuni vetë të ikni”atëherë unë menjëherë mund të ulem pikërisht poshtë në tokë dhe të mendoj apo ndoshta mos të mendoj pothuaj asgjë, por thjesht të lë veten që të shkoj kuturu dhe t’ia dal vetvetiu”.

Ai ka shkruar për ironinë e faktit e të mbeturës i verbër dhe njëherësh emërimit të tij si drejtor i Bibliotekës Kombëtare. “Unë do të tregoj shumë kujdes në mënyrë që librat e mi mos të grinden me njëri-tjetrin”, ka thënë ai. Nuk e supozoj që  ju duhet të kini Biblën tuaj dhe Volterin tuaj krah për krah. Dhe, ata vetë, nuk do të ishin aq të rehatuar me njëri-tjetrin, apo jo? Volteri mund të fillojë të ngacmojë me shaka nga Bibla ose Bibla mund ta injorojë komplet atë apo jo?”

“Kur e humba shikimin isha i shqetësuar për faktin se në të gjithë ëndrrat e mia e shihja veten se isha duke lexuar. E atëherë, dikur unë kurrë s’munda të lexoja dhe aty madje edhe një fjalë të vetme sepse një fjalë bëhej dysh apo tresh, për aq kohë sa ishte përpara apo disi në vend të një rreshti do të shikoja dhe reshta të tjerë, që më gufonin përpara ashtu si degët që dalin jashtë një peme. Tashti, unë s’ëndërroj më për leximin sepse e di se çfarë është përtej meje”

“Ngandonjëherë, shikoj një libër të mbyllur dhe atëherë i them vetes: “Mund ta lexoj këtë libër të veçantë”, por në të njëjtën kohë, madje edhe brenda ëndrrës sime e di se nuk mundem, kështu që bëj shumë kujdes që të mos e hap këtë libër kaq të veçantë”.

Ai se pëlqen lakminë, urrejtjen, inatin. Por, jo përtesën. Borgesit i pëlqen që të thotë se është dembel: “Nëse ndonjë përfytyrim vjen në kokën time qoftë tani apo edhe pastaj herë pas here vjen, le të themi një përfytyrim për një histori apo për një poezi, unë bëj më të mirën time që ta dekurajoj komplet atë. E nëse më mban vazhdimisht në tension e lë që të ketë udhën e vet tek mua dhe përpiqem që ta shkruaj me qëllimin që ta çliroj atë”. Sa i përket shkrimit: “Më duhet ta diktoj. Nuk mund të shkruaj. Dhe, kjo është arsyeja sepse kam rënë pas në formën klasike të vjershës. Kam kuptuar se sonetët për shembull janë shumë të mbartshme. Vetëm se ju nuk mund të ecni për një punë në gjithë qytetin dhe të mbani në kokë të paharruar sonetin tuaj, ndërkohë që kjo shumë e vështirë për ta bërë dhe me vargjet e lira.

“Kur je fare i ri, nuk e kupton dot se kush je në të vërtetë. Ju mund të jeni Linkoln për gjithë ata që ju njohin. Mund të jesh dhe një Walt Whitman. Pastaj fillon e shikon thjesht vetëm drejt vetes tënde, ndërsa në moshën time, njeriu bëhet thjesht i ndërgjegjshëm për kufizimet e tij. Për shembull, unë di disa lloje historish, të cilat dua që mund ti shkruaj dhe llojin e atyre historive që nuk mund t’i shkruaj”.

“Jam duke menduar kryesisht në lidhje me të ardhmen dhe kjo do thotë që nuk jam bërë ende aq plak. Pres me padurim, vetëm se jo në lidhje me historitë që kam shkruar. Pas të gjithave, le ti lemë ato që të shkojnë vetë në rrugën e tyre. Jam duke menduar se çfarë mund të shkruaj në të ardhmen. Për hir të së vërtetës, unë kam pesë apo gjashtë subjekte që kanë lidhje me historitë e reja, dhe kur të kthehem pas në Buenos Aires pas pak muajsh do të filloj të punoj për to. Kur të vi koha për t’i diktuar ato, kuptohet se ato do të jenë më të qarta sesa sot dhe ato janë më të qarta sot sesa të themi një javë më parë”.

“Jam shumë i dhënë pas qytetit tim të lindjes. Unë e dua vërtetë Buenos Aires- Në fakt e dua atë aq shumë saqë nuk i dua aspak njerëzit e tjerë që e pëlqejnë atë. Dikush më ka thënë njëherë se ishte duke menduar të shkonte për vizitë në Amerikën e Jugut. Unë iu përgjigja atij: ‘Mirë. Por, mendoj se do të ishte më mirë të shkonit në Kolumbi. Është një vend me të vërtetë i mrekullueshëm.'”

Borgesi kënaqet shumë në skepticizëm. Dhe, veçanërisht kur bëhet fjalë për liderët politikë.”Natyrisht që në vendin tim shumica e liderëve politikë në të vërtetë duken të mirë, le të themi se unë i supozoj në sensin e të qenurit njerëz të mirë, jo gangstera por pak a shumë në të njëjtin lloj të gjësë, apo jo? Dua të them, njerëz që shkojnë dhe që duan të zgjidhen. Në fakt, kur e mendoj them se Çfarë do mund të prisni nga një njeri i tillë?”

Shumë kohë të shkuara, ai i premtoi së ëmës që t’i kumtonte Lutjet e Zotit për çdo mbrëmje. “Dhe qëkurse ia thashë atëherë, këtë ia bëj gjithmonë. Nuk e di nëse do të jetë edhe dikush tjetër në anën tjetër të linjës.

“Të jesh një agnostik do të thotë se të gjitha gjërat janë të mundshme, madje edhe vetë koncepti i Zotit apo Triniteti i Shenjtë. Kjo botë është kaq e çuditshme saqë çdo gjë mund të ndodhë apo nuk do mund të ndodhë.  Duke qenë një agnostik i vërtetë kjo më jep për hir të së vërtetës, një mundësi për të jetuar në një lloj bote më të gjerë apo fantastike, gati të themi e gjitha e çuditshme. Kjo më bën mua edhe shumë tolerant në të njëjtën kohë”.

“Personalisht s’kam më frikë nga vdekja- Mendoj se nëse dikush do të më thotë “Ju do të ekzekutoheni sot”, unë do t’i kthej “Mirë kaq ishte! Natyrisht që askush nuk e di kur I vjen. Ndoshta unë do të bie poshtë në tokë”.

“Kam frikën se nuk do vdes dhe do të vazhdoj të jetoj ende. Dhe, po ashtu, kam dhe një frikë personale rreth faktit të pavdekësisë së shpirtit, sepse nuk mund të kujdesem që të vazhdoj e vazhdoj përpara. Dua të them se nëse do të isha i sigurt për pavdekësinë dhe në të njëjtën kohë për shprehjen e harresës atëherë nuk do ta mendoja më gjatë. Por në këtë rast, çfarë do të thotë dhe vetë pavdekësia?

 

Ky artikull është botuar tek New York Times më 6 Prill 1971. Përktheu Ben Andoni