Puthja qi m’bani me faj

U gjindëm nji ditë të dy njaq ngat,

njaq sa fryma m’frymonte në frymën e saj,

njaq sa syt,

ah syt, shkreptinin n’detin e dhanun dallgzimeve,

ishim njaq ngat,

sa me mujt me e ndigjue shkulmin e taftit të mishit

mishit qi kridhej në zjarr.

 

N’tan k’te tërbim e trazim gjimueshëm gjaku,

hutimi, ngurimi e cytje me ngulm,

u epëm pa ja da t’anshmeve dëshirim,

syt, syt prekën tue u dridh tulin e hepuem t’buzëve,

buzëve qi epshi i kuqlonte e kill.

 

Ky çast pror, si pend shpendi nderej mbi prush,

dhe…

ngulmueshëm e rrëmbeva kryet e saj,

qafën qi i’u kput  e kryet që ju prarua si nji han n’teht t’horizontit,

e gushtat i’a ngërtheva mbi floknajë,

buzët i’a ngjesha ngulmueshëm mbi buzët e saj.

 

I nduka me zjarm e afsh njato buzë shpuzë,

t’amlat buzë, qi njaq fort andës po mi hidhnin prush

Dhe t’mija buzë kafshonte ajo ngadalë,

u puthëm, u pëthëm… ah njaq gjatë.

 

Pambarim i’u dhamë atij ngazllimi,

njaq, sa edhe tash n’buzt e mia e ndjej zjarmin e buzëve t’saj

përskuqjes s’hepueme qi struket e djeg

nën hinin e atij çasti që e kallën ato puthje, ai purtek.

 

Ndalëm s’di se kur,

tue lan, sa shumë eshkë e etje në buzë

e harruem në sy me u pa,

 

ndonji fjal s’nxumë mes vedi me e lan,

me buzët e shkrumuna, n’zjarm me e than.

 

Mbaj mend se munda me kumtu vetëm një fjalë,

kurrnji qe besa ma shumë jo, nji…

m’fal!

Atëditë e sot

tue kafshu n’buzt e mija puthjen e saj

ende ndihem në faj.

 

Albert Vataj