Jeta, e tashmja e së pamjaftueshmes, lufta e paepur me të pamundurën dhe ngulmi i triumfit të vetvetes

Dita e askujt prej nesh nuk përputhet me çfarë kemi vizualizuar ndër dëshirime dhe të ethshmet ambicie të zotërimit. Për shumkënd ky zhgënjim, kjo thyerje, kjo e pamundur shndërrohet në një ngrehinë që e zë brenda. Të tjerë janë ata që vërsulen, çdo ditë si në një betejë, përleshen me thonj e me dhëmbë e nuk pranojnë të munden. "Bota është e luftëtarëve" dhe ata duket se kanë kuptuar se jeta nuk u është ofruar si një dhuratë. Ajo përftohet si energji përtëritëse përmes ngallnjimit, përballjes, përleshjes, sfidës… sfidës që fillon spariherë me vetveten, vetveten si një e mundshme e merituar;

E merituar në raport me sakrificën e heroizmit që gjeneron kjo përpjekje.

E merituar në përputhshmëri me çfarë prodhon ajo forcë besimi dhe bioenergjie që orjenton veten tonë përnga zotërimi i kapaciteteve që krijon balanca e të mundshmes me të arritshme.

Megjithatë shumë prej nesh konsumojmë të mundshme që nuk e meritojnë. Në të përkohshëm e këtij zotërimi ai/ajo ndërton një realitet ëndërrtar, një të tashme që më shumë se e ledhaton, e gremis në honët e thella të babëzisë dhe së asak që gjithnjë mbetet e pamjaftueshme. Kësisoj atij ose asaj i duhet të bëjë ballë një vetvete që tashmë pakgjë e bën të ndjehet i/e lumtur, asgjë nuk e bën të ndihet i/e përplotësuar, dhe gjithçka e bën të vuaj.

Sakaq ai/ajo kridhet në krahët e ankimtarit që ia prishin rrugën nga ecën, i'a thyejnë shkallët nga ngjitet, i'a shuajnë dritat nga vërshon, ia terron ditën në të endur.

Në çdo urë komunikimi ai/ajo zgjedh ta formësojë gjithçka me të athtën e trazimit, me të hidhurën e hakërrisë ndaj gjithkujt dhe ndaj gjithçkaje në botën që jeton. Akuzon gjithçka e gjithkënd dhe kurrë vetveten. Ankohet për pamjaftueshmërinë, shan e mallkon Zot e rob, duke harruar proverbin që thotë se: "Kush ankohet për gjërat që ka, ka më shumë se ç'meriton".

Të knaqurit me gjërat që zotëron, më çfarë janë vënë me mund e me sakrifica është sekreti i gazmimit që të mbush, është shkulmi më i ndritshëm ei çdo drite që është parë me të.

Falendero Zotin për këtë. Motivo veten në çdo përpjekje dhe në gjithçka mundohu të përmbushësh ç'ka është e mjaftueshme. Mos harro se "Ambicia i ngjan një stomaku të uritur. Ajo nuk njeh kurrfarë ligji tjetër përveç oreksit të saj", kumton Henri Show.

Të zënë nën këtë peshë të pezullt hutimi, mëdyshjeje, vramëndje dhe trazimi, secili ka zgjedhur të jetojnë dhe përfaqësojnë fatkeqin, edhe pse nuk ka shkas të qenësishëm të jetë dhe të ndihet i tillë.

A jam edhe unë njëri prej tyre?!

A je edhe ti një akuzator i botës për barrën e rëndë të vuajtjes që vetja ta ka hedhur mbi shpinë e të duhet ta mbash.

E ndërsa rrekemi të bashkojnë pjesëzat e shpërndara të Uni-t, vëzhgojmë e gjykojmë "me zemër në dorë" dhe diçka e përmend vetëdijen tonë të tulatur, diçka e shkund gjykimin tonë të kllapitur.

"Nuk mjafton të jesh ai që je, duhet të jesh ai që duhet të jesh" na mëson Monterlan. Përpjekja për të kjartësuar gjithnjë e më shumë pasqyrën ku ti shihesh, është një akt heroik. Çdo betejë ka fitimtarë dhe të mundur. Kjo nuk duhet as të të mbulojë me lavdi as të të lëndojë me turp. Të gjithë ata që zgjedhin të jetojnë, përpiqen. Pas çdo disfatë një mundësi triumfi nxit për të guxuar dhe çdo guximtar fati e shpërblen me fitimtar.

Ikja nuk ka shpërblyer askënd as me kurajë as me lavdi. Thjeshtë e ka shndërruar atë në një send, në objekt, jo në një gjendje, një emocion, një përjetim, një energji, një puls me të mundshmën e gjithçkasë për tu ndjerë ritëm, lëvizje, ngjyrë, dritë, për të qenë grimcë në lojën galaktike.

Ikanakët, kryesisht zgjedhin të përfitojnë, të zgrabsin çka munden jo çka meritojnë, të përvetësojnë, të nënshkruajnë një afri me një qenie jashtë tyre. Dhe i'a arrijnë kësaj duke bërë një pakt aspak dinjitoz, ndoshta një lloj pakti me tjetërsimin. Dhe nisin të mësojnë aktrimin e shtirjes. manipulimit. Nga skena në skenë konstatojnë se ndihen më mirë në rol se sa në jetë.

Kohë pas kohe, sa vjen vjen dhe kjo u bëhet shprehi, aq sa shumë ndër ta harrojnë të kenë qenë dikush tjetër. Në mgulmin për të jetuar të tjetërsuar u vjen në ndihmë barra e së pamundurës për të jetuar si një Sizif që përpiqet e përpiqet pafund. Sakaq atyre u duhet të fshihen.

Duke dashur t'ia fshehin botës diçka që i mundon, diçka të tepërt, diçka që duhet ta heqin nga vetja, guxojnë t'ia fshehim edhe vetes, e cila fillon të bindet, por pa mundur të transformohet thelbësisht për tu bërë një përfytyrim në të cilin do të reflektojnë.

Gjithqysh sekush zgjedh vetë se si do të jetojë, se çfarë marrëdhëniesh duhet të ketë me realitetin, me të mundshëm e epërmes që është sa e rreptë, e pamëshirshme aq dhe e pabindur.

Përtej kodeve morale dhe sanksioneve religjoze apo metrikës së patriarkales, mëtoj se meritimi është e drejta legjitime e të virtytshmit. Askush nuk ka lindur të jetë një Herod apo të pranojë së është i zgjedhur të mbaj në trup e në shpirt barrën e kryqit në udhën e gjatë të Golgotës. Ne jemi shëmbëllim i krijuesit, si të tillë ne duhet të ndihemi të privilegjuar që ky vlerësim, më shumë se një atriubut është një detyresë për ta pranuar vetveten si një Promethe i dritës dhe virtytit, përpjekjes dhe sakrificës. "Virtyti është një pishtar që ndriçon rrugën jo vetëm atij që e ka, por edhe atij që e sodit" na mëson, Mare.