Letrat apokrif të Ponc Pilatit drejtuar Herodit dhe Tiberit, përgjigja dhe ndëshkimi për kryqëzimin e Jezusit të Nazaretit

Gjykimi, ndëshkimi dhe kryqëzimi i Jezusit të Nazaretit është një nga padrejtësitë më të pashembullta që kanë bashkëudhëtuar me njeriun përgjatë 2000 viteve. Ajo nuk mbeti i vetmja padrejtësi, ajo mbeti emblemë i erës sonë

Letër e Pilatit drejtuar Herodit

“Pilati1 guvernator i Jeruzalemit, tetrarkut Herod2, përshëndetje.

Nuk bëra asgjë të mirë që ndoqa këshillën tënde, ditën kur judejtë më sollën Jezuin, të quajtur Krisht: Kur u kryqëzua, ditën e tretë u ringjall së vdekurish, siç më thanë disa njerëz, mes të cilëve edhe centurioni. Atëherë unë vetë vendosa të dërgoj njerëz në Galile, ku e kanë parë me trupin e tij dhe me pamjen e tij; e me të njëjtin zë e të njejtat mësime është shfaqur përpara mëse pesëqind besimtarëve, të cilët mandej kanë shkuar gjithandej duke dëshmuar për të, pa mëdyshje, duke e përhapur lajmin e ringjalljes së tij të jashtëzakonshme dhe duke lajmëruar mbretërinë e përjetshme, aq sa dukej sikur prej mësimeve të tij të shenjta galdonte qielli e toka. E edhe Prokla, gruaja ime, duke u bindur dhe besuar tek ëndrra e saj, në të cilën Ai i qe shfaqur në kohën kur unë, i nxitur nga dashakeqja jote, po e dënoja me kryqëzim, kërkoi të shkonte e shoqëruar nga dhjetë ushtarë dhe nga Longjini3, centurionin besnik, për të parë imazhin e tij, si të qe fjala për një shfaqje të madhe. Dhe e panë, ulur mes një are të lëruar, rrethuar prej një turme të madhe, tek predikonte mrekullitë e Atit, në një mënyrë të atillë, sa të gjithë kishin mbetur të mahnitur e në ekstazë, dhe kuptuan se ai ishte ringjallur nga të vdekurit mbasi ishte kryqëzuar. Dhe teksa të gjithë e adhuronin të mrekulluar, ai i vështroi dhe iu drejtua atyre me këto fjalë: -Akoma nuk besoni tek unë ju, Prokla e Longjin? A nuk je ti që ke bërë roje gjatë vuajtjeve të mia dhe mbi varrin tim? E ti, grua, a nuk ia ke përcjellë burrit tënd një lajm rreth meje? (Unë zbatoj) marrëveshjen e Zotit, atë që vetë Ati ka vendosur: e kësisoj të gjithë trupat që kanë vdekur, për shkak të vdekjes sime, të cilën ju e njihni mirë, do t‘i risjell në jetë, sepse, mbas tërë këtyre vuajtjeve që kanë hequr, ata do të lartësohen. Dijeni pra, tashti, se të gjitha krijesat që kanë besim në Zotin Atë dhe në mua, nuk do të vdesin, sepse unë i kam shfuqizuar dhimbjet e vdekjes dhe e kam shpuar tejpërtej dragoin me shumë koka. Dhe me ardhjen time të dytë, secili, i ringjallur me të njejtin trup dhe me të njejtin shpirt që ka tashti, do të lavdërojë Atin tim: ATI i atij që është kryqëzuar në kohën e Ponc Pilatit.

“Duke dëgjuar gjëra të tilla, gruaja ime Prokla dhe centurioni Longjin, ai që kishte bërë roje gjatë vuajtjeve të Jezuit, por dhe ushtarët që e kishin shoqëruar, nisën të qajnë e të japin shenja pikëllimi; mandej u kthyen e më treguan gjithçka. E unë, mbasi i dëgjova, ua tregova këtë histori edhe oficerëve të mi të lartë e shokëve të armëve, e edhe ata u pikëlluan dhe qanë për tërë ditën, duke pranuar të keqen që kishin bërë kundër tij. E tashti edhe unë vetë, për dhimbjen e gruas sime, rri në agjërim dhe flë lakuriq përmbi tokë…

“Por ja ku erdhi vetë Jezui dhe na ngriti nga toka mua dhe gruan time; teksa vështroja trupin e tij vura re se i kishte ende shenjat e plagëve. Ai m‘i vendosi duart mbi supe duke më thënë: “Do të të quajnë të bekuar të gjithë brezat e të gjithë popujt, sepse në kohën tënde Biri i njeriut ka vdekur dhe është ringjallur e tashti ngjitet në qiej për të ndenjur tek ata më të lartët; e të gjithë popujt e tokës do ta mësojnë se unë jam ai që do të vijë për të gjykuar të gjallët e të vdekurit  në ditën e fundit“.

Letër e Herodit drejtuar Pilatit

“Herodi tetrark i Galilesë – Ponc Pilatit, guvernator i Judejve, përshëndetje.

Nuk është e paktë dhimbja me të cilën t‘i shkruaj këto gjëra, në përputhje me Shkrimet e Shenjta, aq sa edhe ti, duke i lexuar, do ndjehesh thellësisht i pikëlluar: vajza ime e adhuruar Herodiada, teksa ishte duke luajtur ra në ujët e lumit që kishte teptisur përtej ledheve, e çilembyll sytë uji i arriti deri në grykë. E ëma e kapi nga koka që të mos e merrte me vete rryma, por koka e fëmijës u këput, kështuqë gruaja ime mbeti me kokën e saj në dorë ndërsa trupin e rrëmbeu uji. E tash gruaja ime qan, duke mbajtur kokën e bijës në prehër, dhe në gjithë shtëpinë time ka rënë një zi që nuk ka fund. Unë, nga ana ime, ndjehem i pikëlluar nga një numër i madh të këqijash, qëkurse mora vesh se ke keqtrajtuar Jezuin, e dua të shkoj vetëm për ta parë e adhuruar e për të dëgjuar ndonjë fjalë prej tij, meqë i kam bërë shumë të këqija atij e Gjon Pagëzorit dhe ja, tashti po pësoj me të drejtë atë që meritoj: në të vërtetë babai im ka bërë një plojë të madhe përmbi tokë me gjak fëmijësh, për shkak të Jezuit, kurse unë nga ana ime kam urdhëruar t‘i pritet koka Gjon Pagëzorit, atij që e kishte pagëzuar.

“Të drejta janë gjykimet e Zotit, sepse secili e merr shpërblimin simbas asaj që ka në zemrën e tij. Meqë, pra, ti ke ende mundësinë ta shohësh njeriun Jezu, mbështete çështjen time dhe ndërhyj për mua me fjalën tënde; ju të Mirëve, në fakt, iu është lejuar mbretërimi në përputhje me fjalët e profetëve dhe të Krishtit.

“Biri im Lezbonaku gjendet në grahmat e fundit të jetës, pllakosur prej shumë ditësh nga një sëmundje që po e gërryen, e edhe unë vetë ndjehem i ngrirë dhe i dobësuar nga vuajtjet e hidropizisë; po më dalin krimba nga goja; ndërsa gruas sime, për shkak të zisë që ka rënë në familje, i është verbuar syri i majtë.

“Të drejta janë gjykimet e Zotit, sepse ne nuk kemi treguar nderim ndaj syrit të një njeriu të drejtë. “Nuk ka paqe për priftërinjtë“, thotë Zoti: dhe vdekja tashmë do t‘i përlajë priftërinjtë dhe këshillin e pleqve të bijve të Izraelit, sepse ata kanë vënë dorë padrejtësisht mbi Jezuin e drejtë. Këto gjëra do të përmbushen në mbarim të kohërave, e sigurisht që trashëgimia e mbretërisë së Zotit do t‘u kalojë të Mirëve, ndërsa bijtë e dritës do të dëbohen jashtë, sepse nuk i kemi zbatuar detyrimet tona ndaj Atit dhe as ndaj Birit të tij.

“Prandaj, ji i përgatitur, ki parasysh drejtësinë natë e ditë, në kujtim të Jezuit, bashkë me gruan tënde, dhe e juaja ka për të qenë mbretëria, sepse ne e kemi trajtuar keq të Drejtin. Por nëse mund të të bëj një lutje, o Pilat, meqë jemi bashkëmoshatarë, kujdesu ti për të varrosur familjen time: në të vërtetë, për ne është më e pëlqyeshme që të varrosemi nga ti sesa nga priftërinjtë, mbi të cilët shumë shpejt, simbas shkrimeve të Jezuit, do të bjerë gjykimi. Rri me shëndet.

“Po të dërgoj vëthët e gruas dhe unazën time. Nëse ndodh të kujtohesh, do të m’i rikthesh në ditën time të fundit të jetës: tashmë krimbat po më ngjiten në gojë e kështu po pres ndëshkimin e kësaj bote; por i druhem shumë më tepër ndëshkimit të botës së përtejme, sepse ndëshkimi i vendosur nga Zoti i gjallë do zbatohet mbi mua dyfish. Vijmë si kalimtarë në këtë jetë, duke gjalluar këtu për pak vite: e nga kjo vjen gjykimi i përjetshëm dhe shpërblimi i veprimeve tona“.

Letër e Ponc Pilatit drejtuar Tiberit

“Ponc Pilati Tiberit4, Cezarit perandor, përshëndetje.

Jezu Krishti, për të cilin të kam folur gjerësisht në letrën time të fundme, më në fund, simbas vendimit të popullit, i është nënshtruar një mundimi të madh, edhe pse unë nuk desha e madje kisha edhe pak frikë. Pasha Herkulin, një njeri kaq i përshpirtshëm e kaq i rreptë nuk ka jetuar e as nuk do të jetojë në asnjë epokë. Por ka qenë një trysni e pabesueshme nga ana e gjithë popullit, me miratimin e tërë skribëve, kryetarëve dhe pleqve, për të kryqëzuar këtë lajmëtar të së vërtetës, paçka se profetët e tyre, sipas mënyrës së sibilave tona, i lajmëruan të bënin të kundërtën. E në të vërtetë, ndërsa ai gjendej i kryqëzuar, u shfaqën shenja të mbinatyrshme që, simbas gjykimit të të urtëve, kërcënonin për fundin e tërë botës.

“Dhe ekzistojnë ende dishepujt e tij, të cilët me veprën e tyre dhe pastërtinë e rrugës nuk e mohojnë Mjeshtrin e tyre, përkundrazi, në emër të tij bëjnë shumë të mira. Nëse nuk do të kisha pasur frikë se mund të shpërthente ndonjë kryengritje mes popullit, që ndërkohë ishte i trazuar, ndoshta ky njeri do të ishte ende i gjallë mes nesh. Gjithsesi, duke qenë më shumë i prirë nga besnikëria ndaj autoritetit tënd sesa nga vullneti im, unë nuk u kundërvura me të gjitha forcat që të tradhëtohej e të derdhej gjaku i një njeriu të drejtë e të zhveshur prej çdolloj faji, për shkak të padrejtësisë dhe keqdashjes së njerëzve, veprim i cili, siç e dëshmojnë dhe Shkrimet e tyre, do bjerë mbi kokat e tyre. Qofsh mirë.

28 mars“.

Letër e Tiberit drejtuar Pilatit

Kjo është përgjigja që Cezar Augusti i ka dërguar Ponc Pilatit, guvernator i provincës lindore, përgjigje së cilës i bashkangjitet edhe dekreti i tij, që ai e dërgoi nëpërmjet lajmëtarit Raab, duke i dhënë me vete edhe ushtarë, dymijë në numër:

“Në çastin që, duke keqpërdorur pushtetin tënd dhe duke vepruar në mënyrë të padrejtë, ke dënuar me vdekje Jezu Nazaretin, e përpara dënimit me vdekje ua ke dorëzuar judejve të egër dhe të xhindosur e nuk ke patur mëshirë për këtë njeri të drejtë, por, duke ngjyer penën ke shkruar një vendim të padrejtë, e ke fshikulluar dhe e ke ofruar për kryqëzim paçka se ai ishte i pafajshëm, duke pranuar edhe dhurata për dënimin e tij, e, ndërsa me gojë tregoje mirëdashje ndaj tij, brenda zemrës sate e tradhëtoje në dobi të judejve të pabesë, për të gjitha këto ti do të sillesh i prangosur përpara meje, që të përgjigjesh e të japësh llogari për jetën e pafajshme që ke çuar drejt vdekjes.

“Por, çfarë mizorie dhe vrazhdësie zemre kjo e jotja! Unë, qëkurse i kam dëgjuar këto gjëra me veshët e mi, vuaj në shpirt dhe ndjej të më përziehen rropullitë. Në fakt është paraqitur para meje një grua me emrin Maria Magdalena, e cila thotë se është një nxënëse e tij, e prej trupit të së cilës pohohet se ai ka dëbuar shtatë djaj: ajo dëshmon se ai ka kryer shërime të mrekullueshme, i ka bërë të verbërit të shohin, sakatët të ecin drejt, shurdhët të dëgjojnë, ka pastruar nga sëmundja lebrozët. E, për ta thënë hapur, siç më siguron ajo, të gjitha këto shërime i kryente vetëm nëpërmjet fjalës.

“Po si vallë ke lejuar të kryqëzohet pa kurrfarë faji? Sepse, edhe nëse nuk e ke pranuar si zot, ti do të duhej ta kishe vlerësuar si mjek. Por edhe duke u mbështetur tek relacioni i dyshimtë që më ke dërguar, unë mund të vendos për dënimin tënd, meqë në të është shkruar që ai ishte sipëror edhe ndaj zotave që ne adhurojmë.

“Po si vallë ke mundur ta dënosh me vdekje? Por, nëse ti e ke dënuar atë me vdekje në mënyrë të padrejtë, unë nga ana ime do të të dënoj ty me vdekje në mënyrë të drejtë; e jo vetëm ty, por edhe të gjithë këshilltarët dhe bashkëpunëtorët e tu, prej të cilëve ke marrë shpërblime për dënimin e tij“.

Me t‘iu dorëzuar kjo letër lajmëtarëve, atyre u qe dhënë edhe urdhëri i nënshkruar nga vetë Augusti, për të shkuar në shpatë tërë popullsinë e judejve e për të sjellë në Romë lidhur me pranga si fajtor Pilatin, e bashkë me të dhe krerët e judejve që ishin asokohe guvernatorë krahinash: Arkelaun, birin e Herodit të urrejtshëm, bashkëfajtorin e tij, Filipin, priftërinjtë e mëdhenj Kaifa dhe vjehrrin e tij, Anën, e të gjithë krerët e tjerë judej. Për këtë arsye Rakaabi mbërriti aty me ushtarët dhe bëri ashtu siç qe urdhëruar: shkoi në shpatë tërë popullsinë mashkullore të judejve, ndërsa gratë e tyre të shthurura u përdhunuan nga paganët, duke bërë të lindej kështu një racë e llahtarshme, meqenëse Satanai ishte babai i tyre. Mandej mëkëmbësi i perandorit arrestoi Pilatin, Arkelaun e Filipin, Anën e Kaifën, dhe tërë krerët e judejve, dhe i dërgoi në Romë të lidhur me vargonj.

Por ndodhi që, teksa kalonin pranë brigjeve të një ishulli të quajtur Kretë, Kaifa humbi jetën papritmas, në mënyrë të tmerrshme e të mjerueshme. E morën për ta varrosur, por toka nuk pranonte kurrsesi ta mbante brenda dhe e nxori sërish përjashta. Duke parë këtë, tërë të pranishmit morën në duar gurë dhe nisën t‘i hedhin përsipër e kështu e mbuluan. Të tjerët zbarkuan në Romë. Mes sundimtarëve të asokohshëm ishte zakon që, nëse një i dënuar me vdekje e vështronte në fytyrë mbretin, i falej jeta. Prandaj Cezari dha urdhër që të mos shihej nga Pilati, me qëllim që ai të mos mund t‘i shpëtonte vdekjes. Duke iu bindur këtij urdhëri, Pilatin e mbyllën në një kolibe dhe e lanë aty. Sa i përket Anës, atë e mbështollën me një lëkurë bualli dhe lëkurën e lanë të thahet nën diell; atij iu zu fryma brenda saj, ndërsa rropullitë i erdhën deri tek goja: kështuqë ai e humbi në mënyrë të përdhunshme jetën e tij të mjerueshme. Të gjithë judejtë e tjerë që ishin arrestuar, ai i dënoi me vdekje, duke i shkuar në shpatë. Sa për Arkelaun, birin e Herodit të urrejtshëm dhe bashkëfajtorin e tij Filipin, Tiberi urdhëroi të nguleshin në hu.

Një ditë, perandori, teksa kishte dalë për gjah, po ndiqte një gazelë, e cila, duke ardhur para kolibes, ndaloi aty. Pilati u vra në mënyrë të rastësishme prej dorës së Cezarit, e kështu u përmbush ajo që do të ndodhte: Pilati bëri përpara për të vështruar sovranin, ndërsa gazela ishte tamam përballë; Cezari lëshoi një shigjetë për të goditur gazelën, por shigjeta, duke kaluar nëpërmjet një të çare vrau Pilatin.

Të gjithë ju që besoni në Krishtin, Zotin e vërtetë dhe Shpëtimtarin tonë, nderojeni dhe madhërojeni atë, sepse atij i takon lavdia e adhurimi, me Atin e tij, që nuk ka fillim, e me Shpirtin bashkënjësuar, sot e përgjithmonë, në shekuj të shekujve. Amen.

1 Pilati: Ponc Pilati, administrator i Judesë (26–36 tz).

2 Herodi: biri i Herodit të madh. Sundoi Galilenë dhe Perenë nga viti 4 para K., deri në vitin 39 pas K.

3 Longjini: centurioni që shpoi me heshtë në brinjë Krishtin e vdekur në kryq.

4 Tiberi: Tiberius Claudius Nero Caesar Augustus (42 para K.–37 pas K.). Perandor romak (14–37).

 

Përktheu: Shpëtim Kelmendi

Redaktoi dhe pajisi me shënime: Azem Qazimi

http://www.mnvr.org/