Kur pena e poetit ngjyhet në zjarrin e epsheve të dashurisë

E trishtë është zemra e një poeti, e një poeti që druhet të ngjyejë penën në përroin vërshues të epshit,e së andejmi të na sjellë atë përmbytje ngulmesh të ethshme pasioni. Të na shpërfaq atë kurajë miklimesh delikate që zvarget përmes hukamash e buzësh që djegin, përpëliten përgjatë një kurmi që gufon prej poreve një aromë, një aromë që do të dehte çdo tërbim e do të yshtte çdo engjëll në gostinë e zjarrit. Ndoshta diku thellë teje, në mes territ që dridhet prej hutimit e ngurimit, një shkëndi ka mundur të bulojë sythin e një ofshame, e vetëm një zemërgur nuk do ta nxirrte faqe drite këtë vullnesë mugëtimi pranvere, e të sodiste me ëndjen teksa ajo bukuri do të shumohej në çdo petale luleje, do të lodronte me çdo farfuri fluturash, në çdo buzë do të ndez një puthje, e në çdo prekje do të çel një epsh. Një penë që është ngjyer gjithnjë në gjak, do të cytej të lëshonte vërshimin e vet në andjen për me dëshmu kufijtë. A ndoshta një fluturim për të kthjelluar prej mërryljes së dyshimit e territ çdo hov që turret zjarmues në kopulimin e gjithë ngjyrave që jetësojnë më të dëshirueshmet përfytyrime. Penë e poeti thuaje se ngulmet e mendjes dhe harlisjes shkallmojnë çdo rrekje për ta mbajtur këtë vërshim të kyçur brenda gardheve të perceptueshmes. Pa droje dëshmo, më më të bukurat fjalë se epshet e zgjerojnë përherë e më shumë pafundësinë, universin të cilit i përket, si shpërthimet galaktike, duke e mbajtur gjithnjë të mbushur me shkreptima yjesh qiellin ku kullotim sytë, sytë e ujitur prej lotëve të zjarmimit, çasteve të flatrimit në eter të shpirtrave. Qëndise me fjalë të ngjyera në epshin e dashurisë, poet, rrugën nga gishtat e ngërthyer, pulitja e buzëve në puthje, deri te përplasja e trupave, e do të shohësh se si gjaku s’do të të mjaftojë të shkruar himnin e këtij shugurimi shpirtrash. Ngjitu në krahët e këtij flatrimi, lart, shumë lart, ku kurrë më parë s’ke qenë. Me një Eol do të kuvendosh për erërat që lodrojnë nëpër flokët e shpupurishur, me një Afërditë do të shihesh si me të hyjshmen ëndërr që ta qëndisi dalldinë me më të hirshmet pekule, në prehrin e Helenës së Trojës tragjike do të dëgjosh ninullën e pafajësisë që paqton çdo trazim që ndërzen bukuria. Një Odise do të gjesh në çdo Itakë të harbimit të mishit dhe një Penelopë do njohësh, një Penelop që end e ç’end pëlhurën ky pena jote… ditirambe do të qëndis… dhe elegji.