Mikelanxhelo Buonaroti i perëndishmi i penelit dhe misteri tokësor i krijimit

Michelangelo BuonarrotiMikelanxhelo Buonaroti, (Michelangelo Buonarroti) (Caprese, 6 mars 1475 – Romë, 18 shkurt 1564) ishte një skulptor, piktor, arkitekt dhe poet italian. Roli i tij është më i rëndësishmi në përcaktimin e një niveli të epër force dhe shprehije, e cila duke depërtuar përmes mëkimit të diejes merr trajta realeje dhe komunikimi ndërkohor dhe brendandjesor. Ai kishte rol protagonisti i Rilindjes italiane, i vlerësuar që në kohën e tij si një nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Emri i tij është i lidhur me një sërë veprash që janë futur në historinë e artit, disa prej të cilave të njohura në gjithë botën si ndër më të rëndësishmet e artit perëndimor: Davidi, Pietà-ja vatikanase, Kupola e Shën Pjetrit si dhe cikli i afreskëve në Cappella Sistina konsiderohen maja të pakapërcyeshme të gjenisë krijuese.

Kurrnji mëdyshje nuk orvatet më iu qas të drejtës së sekujt për ta konsideruar Mikelanxhelon, i perëdishëm. Veprën e tij shëmbëllen kumtin e tokësores, ngasun prej dalldisë së krijimit nga fryma e shenjtë. Gjithëpoaq, pakgjë e punës përgatitore, lënda jetësore të këtij mjeshtri të penelit dhe daltës ka mbëtur, në ndërkohjen e tij, e më së paku, në dëshmimin e të tashmes. Si çdo gjeni tjetër i asaj ndërkohje, i mëhershëm ose i mëpastajm, një mantel misteri u rri përmbi. Mëdyshje dhe hamendjet, munden sakaq me e thur cohën e tyne të njëmendtë, me kast me e mbulu krejtçka deri te kurorëzimi i veprës. Behin saora turlilloj sajesash dhe qëmtesash, të cilat duke u sendërtu përplot ojna e gajle, e turbullojnë pa mund të tashmen e të lëkundurve në besim. Nëse për Shekspirin nuk nguruen prej atyne shërbestarëve të dyshimit, që tuj hedh baltë mbi krijimtarinë e tij, ia lejuan vetes me vu në pikëpyetje autorsinë disa kryeveprave, për Mikelanxhelon nuk mundi me kapërcy ndokush aq larg, anipse u munduen ngadhnjyeshëm. Megjithatë mungesa e boceteve, punës paraprake të disa prej gjenialiteteve të penelit, të cilat ai vetë hamendet t'i ketë djegur, e duhit me mister të perëndishmen e krijimtarisë së tij në art.

Mbamendje dhe mirënjohje për kolosin rilindas

Vijmë kësisoj, tek një prej atyne shkreptimave më të vezullimshme që ka mujt me ra faqe kësaj toke, Mikelanxhelo Buonaroti. Njanit prej gurëthemeleve më të qenësishëm të rilindjes italiane, piktorit, skulptorit, arkitektit dhe poetit më të zashëm. Mikelanxhelo di Lodovico Buonaroti Simoni, lindi më 6 mars 1475 në Caprese, vdiq më 18 shkurt 1564 në Romë. Deri në të mbrame të frymës, ai nuk reshti së qëmtuari vlerat më të epërme estetike. Mishërimi i këtij ngulmi e jetësoi penelatën, daltën dhe penën në memorien e brezave. Ai që bëri gurit të flasë, penelin të dëshmojë dhe penën të kumtojë, ai ka ditur e s'do resht në përjetësi të magjeps ëndjet tona delikate, të shastis ngulmin e kureshtive dhe të shtag qëmtimet e stërholluara estetike.

Rrugëtimi i gjenilitetit

Ky dëshmimtar i zellshëm i artit edhe me voglinë e tij kishte se çfarë të kumtonte. Mbamendet se e ëma Francesca Neri e "braktisi" Mikelanxhelon, kur ai ishte vetëm 6 vjeç. Kjo ndodhi e trishtë, si dhe fakti që i ati mendonte se arti ishin thjesht një zeje, ashtu si këpucarët, gdhendësit, e mbyll në vete. Gjithsesi i ati e pikasi heret të jashtëzakonshmen që gurgullonte brenda kurmit qumështor të të birit. Hapi nistor i kësaj yshtje në universin e gjeniut, ishin mësimet e gramatikës, të cilat, mjeshtri i ardhshëm do 'ti merrte nga një personalitet i njohur i kohës, Francesco Galeota. Afria me Francesco Granacci, një shok 6 vjet më të madh, i cili ishte duke studiuar artin e pikturës në studion e Chirlandaios, e yshti Mikelanxhelon të bashkëngjitej të njëjtit interes.

Ishte vetëm 13 vjeç kur ai i tha më në fund të atit (i cili shpresonte që Mikelanxhelo të bëhej tregëtar dhe të mbante lart mbiemrin e familjes si dhe të shumëfishonte aq pasuri sa ai vetë kish krijuar deri më sot) se ai do të merrte pjesë në shkollën e piktorit Domenico Chirlandaio. Pasi gati një vit studimesh në artet e afreskut, Mikelanxhelo vazhdoi shkollën e skulpturës në kopshtet e Midiçi dhe shumë shpejt ai u bë i ftuar nderi në shtëpin e Lorenzo de Mediçi, të Madhit. Atje u njoh me Mediçit e rinjë, dy nga të cilët me pas u bënë Papë (Leo X dhe Clement VII). Gjithashtu në të njejtën kohë iu dha mundësia të njihej nëpërmjet Mediçit të Madh dhe me humanistë të kohës, si Marsilo Ficino dhe poetin Angelo Poliziano.

Gjatë viteve që ai shpenzoi në Kopshtin e San Markos, Mikelanxhelo filloi studimin e anatomisë së njeriut. Si shkëmbim për të marrë leje në studimin e kufomave, gjest i cili ndalohej nga feja, drejtuesi i kishes së Santo Spirito, Niccolo Bichiellini mori si dhurat një kryq të gedhendur nga Mikelanxhelo, punim i detajuar në perfektison i fytyrës së Krishtit. Por kjo ngasje do të sëmbonte hera-herës shëndetin e tij. Te e vona ai detyrohej të ndërpriste studimet për ti rinisur ato me normalizimin e shëndetit.

Debutimet e tij të guximshme do të kumtoheshin kur ai ishte 6 vjeç. "The Battle of the Centaurs" dhe "Madonna della Scala" dy skulptura relievi që datojnë në 1489-1492, Casa Buonarroti, Florencë janë tregimtaret e asaj se ai tashmë kishte arritur të kapte stilin, rrugëtimin drejt apogjeut.

Mikelanxhelo, jetesim i kurmit antik

Nga të gjitha orvatjet e njeriut të vdekshëm për të krijuar shëmbëllimin e energjisë së pafundme, për të lindur nga diçkaja ndjesore gjithçkanë e perëndishme, për të përjetësuar nga asgjëja universalen e amshuar, ajo e Mikelanxhelo-s është triumfale, vetanake dhe hyjnore.

Njeriu që përvetësoi duke e rikrijuar artin antik, ishte Mikelanxhelo. E gjithë forca e tij shprehëse, egoizmi i sendërtuar si energji shtytëse, e bëri këtë përvojë më të gjallë dhe më depërtuese. Në ndërkohjen e vitit 1496 mjeshtri kur erdhi në Romë u mahnit nga ajo që pa. Kësisoj ai i dha jetë një pasioni që e dalldisi duke e kredhur në imitimin e skulpturave greko-romake, njëra prej të cilave, rezulton të jetë zhdukur, u shit asohere si një antikë, duke shënuar sakaq rastin e parë të fallsifikimit në art.

Trupi, anatomia, gjithçka e magjisë së krijimit përbënin ngasësit e babëzisë fizike të Mikelanxhelo. Ai gjithkah hedh penelin dhe daltën e plazmon këtë shpirt. Davidi, i parë në vetvete shëmbëllen një vepër jashtëzakonisht të tendosur dhe e gjallë e antikitetit. Kur ngjitemi lart këtij jetësimi në mermer dhe përballëmi me shprehitë që mjeshtri i shkroi në portretin epik të Davidit, mësojmë mbi forcën kunguese, që bota e lashtë nuk e njohu, nuk e përvetësoi, nuk e mishëroi askurrë. Mbamendet se Keneth Clark të ketë thënë kësisoj, se "kjo cilësi, të cilën mund ta dukej heroike nuk është pjesë e përfytyrimit që shumë njerëz kanë për qytetërimin". Ajo mëton vullnesën spartane, mohin e rehatisë, përbetimin për ta kthyer jetën në një shkas për ndeshje. Së këndejmi, ngulmohet t'i mëshohet idesë se Mikelanxhelo përmbi tjetërëçka, është një fenomen, një ngjarje e mbamendjes së njeriut perëndimor. Trupi njerëzor që skaliti ky mjeshtër, ai trup që në epokën gotike ishte subjekt turpi dhe fshehjeje, mund të transformohej në mjetin e shprehjes së ndjenajve fisnike, energjisë gjallëruese dhe të përkryerës si të perëndishme. Kjo kurajo u bë gjaku i kohës për 400 vjet, fuqija jetëdhënëse e përballjes.

Kapela SistinaKapela Sistina, misteri i krijimit

Zanafilla e veprës më të magjishme kapërthyer në ndërkohjen e ëndjeve estetike, të asaj vepre e ngjizur për adhuruesin që adhurohet me përgjërim është e themeltë te Papa Julius II dhe njimendja e një gjeniu për ta jetësuar magjepsejen e Kapela Sistina.

Skishte se si të ishte krej tokësore ky akt i perëndishëm i këtij gjeniu. Aniqysh, hyjnore e kishte frymën që mbushi gjoksin e këtij shpërthimi etern, që lë pa frymë atëmot e përgjithmonë sekënd që gjendet nën peshën zotëruese të kësaj mrekulloreje që i nderet përsipër si ai qiell që kumton kremtimi i të shenjtes, në ne e për ne.

Kureshtia që ka ngucatur nëpër ndërkohje hulumtues të ndryshëm është përpjekur të hedh drojshëm hapin në misterin e këtij krijimi. Dhjetra letërkëmbime që kishte Mikelanxheli me babain dhe vëllezërit, hedhin dritë mbi këtë mister, mantel të cilin e endi vetë mjshtri. Së këndejmi ka mund të mbërrijë deri në ditët tona, dhe ti përkasë visareve të njerëzimi krejçka përbënte filozofinë e tokësores prej artisti të mjeshtrit.

Një nga kritikët më të mëdhenj të artit të Mikelanxhelos ndërmend: "Mund të shoh pas pesëqind vjetësh fijëzat e furçës së piktorit që kanë mbetur aty edhe pas përfundimit të veprës. Gjëja e parë që më ka bërë përshtypje te gjenia e tij ishte shpejtësia me të cilën punonte". Por përtej gjithëkëtyre të dhënave të hollësishme që kanë behur në të tashmen në lidhje me punën e mjeshtrit, marrëdhëniet, njerëzit, materialet, kohëzgjatjen dhe teknologjinë e përdorur për kryeveprën e Kapeles Sistina, ka disa të vërteta që ende mbeten në një hije të padepërtueshme misteri. Para se Mikelanxhelo të ngjyente furçën në bojë dhe të niste punën për krijimin e personazheve të mrekullueshëm të Zotit, Krishtit, Adamit, Marisë dhe gjithë personazheve të tjerë, në ç'mënyrë Mikelanxhelo u frymëzua, u parapërgatit për të krijuar kolosët? Ngasa ndërmendet derimtash, krejt tjetërsi prej pararendësve dhe bashkëkohësve e tij, Mikelanxheloja nuk i qasej modeleve paraprake. Kjo ngase derisot nuk kanë mbërritur dhe aq gjurmë të kësaj teknike. Nuk dihet kurrçka, ose dihet vagullt për punën parapërgatitore të Mikelanxhelos. Hamendet prej shumkujt që u ndal tek kjo figurë, se ai vetë kërkonte që ajo të mbetej një sekret. Qëllimisht duket se ai e ka fshehur ose fshirë këto gjurmë për ta mbajtur larg tokësores këtë akt të perëndishëm krijimi, i patëdytë në llojin dhe përmasat, kohën dhe teknikën e përdorur në ndërkohjen e kurorëzimit.

Kur gjeniu fshihte gjurmët

Është me interes të mëtohet se Mikelanxhelo, në të gjallë, një ndër gjërat që nuk e bënte kurrë ishte t'u tregonte njerëzve vizatimet e tij paraprake, ato të cilat i jetësonte në ato murale të magjishme që shtangin edhe sot si asokohe.

Në mbamendjen e një biografi të mjeshtrit, "kjo fshehje e gjurmëve" që e ngjitën atë në Olimpin e famës, shpjegohet me faktin se nëse dikush do t'i kishte parë do të mahnitej me punën dhe energjinë e madhe të derdhur në to nga Mikelanxhelo, gjë të cilën ky i fundit donte ta merrte me vete në varr. Në këtë pikë ai ishte shumë diskret. Anipse ishte nën hyqmin e njerëzve më të pushtetshëm të kohës, kurrqysh punët paraprake nuk bëheshin të njohura para se ata të shndërroheshin në murale gjigande.

Mbamendet një rast, se para se të zhvendosej nga Roma në Firence, në vitin 1518, ai i dogji të gjitha vizatimet në strehëzën vetanake, duke lënë "gojëkyqur" rrëfimtarët e shtegtimit të tij tokësor përnga e perëndishmja. Gjithqysh diçka kishte mbetur nga këto gjurmë. Nga krejtçka trashëgohet, tash mundet me promovu të drejtën e dëshmimit të gjeniut vetëm 800 ekzemplare, krejtkah lavdia ka lëshu dritën e këtij gjeniliteti të allasojtë.

Përpos tana hamendjeve dhe qëmtesash, ajo që grish vëmëndje është ngulmi i tre shkencëtarëve gjermanë, sipas të cilëve metodat e përdorura nga rilindësi për parapërgatitjen e betejës epike të pikturimit të 300 personazheve të Kapelës në një sipërfaqe: gjatësi 40.9 metra, gjerësia 13.4 metra dhe lartësia 20.7 metra, mbeten një mister. Në librin e tyre "Mikelanxhelo: Veprat e plota", ata ngulmojnë se nga ato pak vizatime paraprake që janë gjetur, vetëm një numër i vogël i përket dorës së tij mjeshtërore. Në fakt, një pretendim i tillë nuk është një risi. Prej vitesh ka pasur argumente dhe kundërargumente kësisoj. Më heret, të tjerë zbirilues të asaj të shkuare të dengur nga mjegullnaja e misterit, janë njëmendur se nga 800 vizatimet paraprake të Mikelanxhelos, vetëm 200 dëshmojnë autenticitetin. Duke përplotsuar ngultaz qëndrimin e tyre, biografët gjerman mbeten të mendimit "se pjesa më e madhe e "vizatimeve paraprake", janë kopje të bëra pas mbarimit të pikturës gjigante, kopje të cilat janë servirur si të vërteta".

I preferuari i 12 papatëve

Mëtohet se Mikelanxhelo gjatë karrierës së tij ka punuar me 12 papë, por marrëdhënien më ndryshta mbamenden ato me Julius II. Artisti nga Areco, në vitin 1508 kur ishte 33 vjeç, voziste në detin e pamatë të famës që i solli Davidi, skulptura që u kthye në emblemë. Asokohe, Julius II e thirri në Romë artistin duke e urdhëruar që t'i krijonte një monument gjigand varri, të denjë për nga përmasat dhe arritja artistike me atë të një faraon. Papa donte që kjo vepër të përbëhej nga 40 punë në përmasat njerëzore, në mënyrë që të gëzonte statusin si mrekullia e tetë e botës. Ndoshta për fat ky monument nuk u mbarua kurrë, por ajo çka artisti e konsideron si "tragjedia e varrit" e përndoqi Mikelanxhelon edhe shumë pas vdekjes së Juliusit.

Në vitin 1506, pas një grindjeje me Papa Juliusi II, Mikelanxhelo iku nga Roma kaluar. Por Papa e ktheu pas duke e detyruar që të derdhte në bronz një statujë për veten, e cila më vonë u shkri duke u shndërruar në top.

Zëfillja e një mrekullie

Kapela Sistina, ishte kapela personale e Papës. Më heret ajo ishte zbukuruar ndërkohë me vepra të mjeshtërve Botiçeli dhe Pruxhino. Tavani ishte në ngjyrë blu i mbushur me yje të artë që vezullinin. Asohere Kapela vuante harresën dhe vetminë, gjëndje mënjanimi që vinte nga një plasaritje e tavanit. Juliusi donte që ajo të rinovohej tërësisht. E kush tjetër më i besueshëm do të ishte për papatin se gjeniu që lindi Davidin. Papa i kërkoi Mikelanxhelos që në tavan të pikturonte përfytyrimin e 12 apostujve. Nistorja ideore për Mikelanxhelon nuk përflaku dot entuziazimn e mjeshtrit. Justifikimi që zuri fill ishte se piktura nuk ishte profesioni i tij. Debati mes Papës dhe Mikelanxhelos zgjatoi për dy muaj radhazi. Nuk mbamendet saktësisht se çfarë e tendosi këtë fill komunikimi mes Papës dhe mjeshtrit, ideja apo pazari. Por ajo që kumtohet, mbamendet se, në maj, artisti pranoi duke kërkuar në këmbim një pagesë prej 500 dukatesh, të cilat duhet t'i jepeshin menjëherë. Gjithpoaq ideja fillestare e 12 apostujve u shndërrua në pikturimin e 300 personazheve të tjerë. Faza nistore e punës përfundoi në vitin 1512. Plot 24 vjet më vonë, Mikelanxheloja u kthye të përfundonte pikturën. Në maj të vitit 1536 ai ishte në punë për "Gjykimi i fundit" dhe "Dita e zemërimit", dy tema të cilat zënë gjithë murin mbi altar, me pamjen e frikshme të fatit të mëkatarëve, ditën e gjykimit.

Davidi i MikelanxhelosBurimi i frymëzimit të Mikelanxhelos ishte besimi, sikurse e ka përmendur vetë në një poezi, se "Vetëm te bukuritë me të cilat ne përballemi në Tokë mund të gjejmë një pjesë të vogël të asaj çka është në të vërtetë Parajsa". Ishte kjo kremte e frymëzimit hyjnor, kjo grishje e patëdytë në llojin e vet, që në shpalimin mrekullues ka magjepsur, gjëndje dehjeje, e cila gjallon atëmot e tash.

Statuja e Davidit

Jetësimi i një beteje epike të Davidit kundër Goliathit, rrugëtuar gjatë në mbamendjen dhe shpirtin triumfues duke u përjetësuar në një vepër të veçme përnga stili dhe përmasat, kumti dhe ngulmi ka dëshmuar madhështoren e mishëruar. Statuja e Davidit, përfunduar nga Mikelanxhelo në 1504. Ajo është një nga veprat më të njohura të Rilindjes, dhe një nga përshkënditjet më të vetveishme të shkrepëtimës së këtij ylli të artit.

Mikelanxhelo u kthye në Firence në asokohjen e viteve 1499-1501 kur shumëçka po ndryshonin në republikë. Një statujë kolosale e David që simbolizonte lirinë firenceze, do të vendosej në Piazza della Signoria, përballë Palazzo Vecchio bashkë me forcën e dëshmimit të Mikelanxhelos, i cili u përgjigj duke përfunduar veprën në 1504. Kjo kryevepër, e bërë nga blloqet e mermerit të nxjerra nga guroret e Karrarës, të cilat ishin punuar edhe më heret, përfundimisht përcaktuan rëndësinë e tij si skulptor me aftësi teknike të jashtëzakonshme dhe fortësinë e imagjinatës së tij simbolike.

Gjatë kësaj ndërkoje, Mikelanxhelo pikturoi "Familja e Shenjtë" dhe "Shën Gjoni", e njohur gjithashtu edhe si Doni Tondo ose Familja e Shenjtë e Tribunës. "Madonna dhe Fëmija", e njohur si Manchester Madonna dhe e gjendur tanimë në Galerinë Kombëtare, Londër shtresojnë aktin e tij të krijimit.

"Mëshira" që kremton dhimbjen

Dhe ja ku gjendemi te "Mëshira" (1498-1499). Ajo është një kryevepër e Mikelanxhelo Buonarroti, e vendosur në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Kjo është sprova zanafillore e kësaj tematike që do të pasohet në të pastajmen me të tjera shpërthime kushtruese të mjeshtrit. Asokohe statuja u bë për funeralin e një kardinali francez, por u zhvendos në vendndodhjen e tij aktuale, në shekullin e XVIII. Kjo punë shumë e famshme e artistit përshkruan trupin e Jezusit në prehërin e Marisë, pas kryqëzimit. Përveç mishërimit të themeltë biblik, "Mëshira" është një kriojim i rëndësishëm, pasi balancon idealet e bukurisë klasike të rilindjes me natyralizmin.

Struktura është piramidale, dhe kulmi përkon me kokën përgjysëm praruar të hyjlinëses Mari. Statuja zgjerohet progresivisht tek veshja e Marisë, në bazë, tek shkëmbi i Golgotës. Pamja është gati në një proporcion të saktë, duke e ditur sa e madhe është vështirësia e gdhendjes së një mashkulli plotësisht të rritur, i shtrirë me gjatësi të plote në prehërin e një gruaje. Pjesa më e madhe e trupit të Marisë është fshehur nga veshja e saj monumentale, kështu që marrëdhëniet e figurave duket krejt e natyrshme. Interpretimi i Michelagelos per "Mëshirën" ishte shumë i ndryshëm nga ai i bashkëkohësve. Ai gdhëndi një Mari të bukur dhe të re, në vend të Marisë të kredhur në mundime e në moshë të 50-tave, mosha reale. Shenjat e kryqëzimit janë davaritur qëllimshëm duke mëtuar si trajtim shprehës disa vrima të vogla gozhdësh dhe një plagë në një anë, të Jezusit. Fytyra e Krishtit nuk tregon shenja të vuajtjeve dhe torturave. Michelangelo nuk donte që versioni i tij i "Mëshirës" të përfaqësonte vdekjen. Simbolika e kumtuar kësisoj është krejtçfarë Mikelanxhelo kungoi përgjatë kalvarit të shugurimit të të shenjtërisë tokësore në art.

Mikelanxhelo Buonaroti në mbamendjen e brezave do të mbetet një akt i perëndishëm dhe një mantel misteri. Kjo ngase vetëm kësisoj shtresimet e brezave do të munden me e shpalu gjithherë petale pas petaleje dritim magjiplotë, me të cilin ai mbështolli veprën e tij.

Artikuj të ngjashëm