Jusuf Vrioni, Golgota e mundimshme e njeriut të përkorë dhe përkthyesit brilant

Plot 100 vite më parë më 16 mars të vitit 1916 lindi një prej personaliteteve më të spikatur të kulturës, Jusuf Vrioni. Tradita shqiptare e përkthimit ruan në kujtesën e vet emrat dhe veprën e shumë zelleve pasionante dhe vetmohuese, tokësorësh që me hirin e tyre të ngadhnjyesit ndërtuan ura komunikimi duke e bërë të përbotshme shpirtin dhe kumtin estetik shqiptar. Jusuf Vrioni është një prej atyre yjeve që shndriti në qiellin e këtij mrekullimi. Sot në këtë kremte i detyrohemi përunjësisht një kujtesë njeriut të përkorë, intelektualit të përmasave botërore, përkthyesit që mësoi të flasin frëngjisht kryeveprën e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare. Ai ishte dhe mbeti një shembull i pashoq i njeriut të mirë, modest dhe zemërbardhë. Megjithëse kjo nuk do ta shpëtonte nga thonjtë e përbindshëm të diktaturës. Gjithqysh ai mbeti i tillë, i tillë edhe kur bisha e horrorit nuk e ndali ferrin dhe nuk i’a kurseu flakët e tmerrit kësaj krijese të pafaj dhe paqësore.

Në librin “Kujtimet e një evropiani”, përgatitur nga studiuesi francez  Eric Fay ecën hap pas hapi Golgota e atij që u “kryqëzua” dhe u “ringjall” për të ardhur dhe riardhur pareshtur në kujtesën e gjeneratave, si një dëshmi e frikshme, si një e vërtetë ngjethëse që ka përshkuar kalvarin e një “Krishti” të hyjshëm. Vetëdija shqiptare ka nevojë të gjej aftësi përtëritëse në këtë shfletim të faqeve të ferrit komunist dhe të kuptojë më mirë regjimin, por mbi të gjitha njeriun e pafajshëm që mundi të sfidonte me qëndresën e tij titane. Dhe shembulli i Jusuf Vrionit është një emblemë e këtij kushtimi.

Rrëfimi ngjethës

Më kujtohet ajo ditë si një plagë, bërë me sëpatë moshës sime tridhjetë e dyvjeçare. Ishte e shtunë, 13 shtator 1947, një ditë para një ndeshjeje futbolli midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, për të cilën kisha një biletë. E prisja me padurim këtë takim të Lojërave Ballkanike, por gjithashtu edhe me frikë, sepse para dy vjetësh, në Beograd, para syve të mi, Shqipëria ishte rrahur 11 me 2. Por, në radhë të parë, prisja një vajzë me të cilën do të kaloja mbrëmjen. Sahati i qytetit shënonte pothuajse orën njëzet. Pas një pranvere dhe një vere gjithë arrestime në rritje, Tirana po priste me ankth dhe fatalizëm dimrin.

Pasi kisha mbërritur më herët, po bëja ecejake në vendin e takimit tonë, aty ku 20 vjet më vonë do të ngrihej statuja me kalë e Heroit Kombëtar shqiptar, Skënderbeut. Po binte nata dhe në gjysmerrësirë shquhej silueta e bardhë e minares së xhamisë. Papritmas, behën mbrapa meje katër veta, të cilët mu drejtuan me ashpërsi: “Ti je Jusuf Vrioni? Do vish me ne! Kemi ca pyetje për të bërë”. I tronditur nga toni i tyre, si dhe nga formulat që përdorën dhe që tashmë ishin bërë të njohura për shumëkush në Shqipëri, e kuptova menjëherë dhe u zbeha. Ishte koha kur zhvillohej “procesi i deputetëve”, i cili do të përfundonte, ashtu siç do ta mësoja më vonë me 18 dënime me vdekje. E kisha ndjekur këtë farsë makabër nga zyra ime (në atë kohë isha përkthyes tek Bashkimi i Grave Shqiptare), prej nga e dëgjoja ritransmetimin e procesit nëpërmjet altoparlantëve të vendosur në shesh. Mjaft nga miqtë e mi, ndër ta edhe kushëriri im Aziz, ishin futur në burg me arrestimet masive gjatë muajit maj dhe nuk kishim asnjë lajm prej tyre. Shpejt mendova se mikesha ime do të më priste gjatë, shumë gjatë, në qoftë se donte të më takonte përsëri, si dhe se gjithçka po përmbysej në jetën time. Eca pas atyre njerëzve, duke menduar për nënën time, të cilën e kisha lënë vetëm në dhomën ku jetonim. Duhej të ishe tepër naiv që të pandehje se mund të shkoje në ambientet e Sigurimit për një hetim të thjeshtë, pastaj të liheshe i lirë!

Mbërritëm tek Seksioni i Brendshëm, vend famëkeq i Tiranës për qelitë dhe bodrumet e tij, paradhoma të vdekjes, ku të pyesnin, të provokonin e të torturonin. Të gjithë e dinin se ishte një vend i llahtarshëm. Megjithatë, mua më pritën me një ton, njëkohësisht qesëndisës dhe tinëzisht të përzemërt: “Hë more Jusuf, ç’kemi ndonjë gjë të re? Ç’thonë anglezët? Po amerikanët?”. Këto pyetje që mu bënë aty për aty, me një ton gjase gazmor, nënkuptonin marrëdhëniet e mia, ndeshjet e tenisit me punonjësit e misioneve të huaja. Ishin fjalë me rëndësi kapitale: nëpërmjet tyre merrej me mend se në ç’drejtim do të vazhdonin hetimet, në atë të spiunazhit për llogari të një fuqie ideologjikisht armike… Më çuan tek një personazh i kobshëm, Skënder Kosova, anëtar i një tresheje djallëzore që mbillte terror në Tiranë, ku bënte arrestime masive natën. S’kishte njeri në atë kohë që të mos kishte frikë, po të dëgjonte xhipin e këtyre djajve të vdekjes tek ndalonte para derës së shtëpisë në mes të natës! Të tre këta vrasës bënin nga një kontroll të shpejtë dhe kafshëror të banesës dhe, në përfundim të tij, merrnin me vete një apo disa fatkeqë. Këta çoheshin në vende të ndryshme të qytetit, nganjëherë drejt e në burg, nganjëherë në një nga ndërtesat e Seksionit të Brendshëm, ku punonte ajo që nuk quhej ende në atë kohë Sigurimi, por Garda e Popullit.

M’i hoqën gjithçka kisha në xhepa, pastaj më çuan, duarlidhur mbrapa shpine, në krye të një shkalle të errët, e cila zbriste në një bodrum. Mesa dukej, kjo ishte përçapja e parë e presionit. Donin të më tregonin se çfarë më priste. Dëgjova një pllaquritje që vinte nga poshtë shkallës. Pastaj më qartazi, një zhurmë zinxhirësh të shoqëruar me rënkime. Dikush po lëngonte në një bodrum, pasi ishte torturuar gjatë e gjatë. Kush ishte? Ndofta ndonjë nga miqtë që ishin arrestuar muajt e fundit? Më lanë rreth 2-3 orë aty, në krye të shkallëve. Po fillonte një fazë e re e jetës sime, ndërsa bodrumet ishin preludi i saj… Në atë çast mu shfaq në kujtesë, si e copëtuar, e reflektuar nga një kaleidoskop i vetëtimtë, gjithë rinia ime. Sado mundohesha t’ia mbushja mendjen vetes se në çdo rrethanë ngelet gjithmonë një shpresë, qoftë dhe e dobët, se s’ka asgjë të palëvizshme në histori, prapëseprapë nuk më shqitej bindja se regjimi shtypës në fuqi do të qëndronte gjatë dhe se duhej të rezistoja, të gjeja forca, diku brenda vetvetes, për t’i përballuar sprovat, të cilat ende nuk i përfytyroja dot saktë. Mos vallë ishte fundi i gjithçkaje?! I pikëlluar, po vështroja shkallën e zbritjes sime në ferr. Nuk isha vallë unë ai që vajtoja tashmë jetën në një qeli të lagësht? Papritmas, nisën të më shfaqen portretet e njerëzve të mi: nëna e cila ndofta nuk e dinte ende që më kishin arrestuar; babai, i vdekur prej kohësh; vëllai dhe motra, të cilët kishin mbetur në perëndim, si dhe miqtë e tanishëm apo të mëparshëm, të lirë apo si mua të futur në burg. Në kujtesën time pasonin njëra-tjetrën pamje të vendeve ku kisha jetuar. Parisi, Roma, Londra apo Montrëja, si dhe fëmijëria ime. Pastaj Korfuzi, fëmijëria e fëmijërisë. Sa çaste të çmuara kisha parë të kalonin si yje që këputen, përpara se të arrija këtu?!

Isha në pritje dhe stuhia po tërbohej në kokën time. Radha për t’u hetuar më erdhi shumë shpejt. Nisa me guxim të thosha gjithë siguri se nuk dija asgjë. Më bombarduan me grushte, shuplaka, shkelma në pjesët e ndjeshme të trupit, mes sharjesh të ndyra. Pastaj, duke e rritur shkallën e vuajtjes, ma veshën me goditje të tmerrshme kopaçeje, më bënë goditje elektrike dhe, së fundi më bënë torturën e jelekut. Pasi të lidhnin duart prapa shpine, të fusnin një shkop të gjatë midis krahëve dhe kurrizit, të shtrinin përtokë, ku ishe i pafuqishëm dhe plotësisht i ekspozuar, me këmbët përmbi dy anët e shkopit, të godisnin me kopaçe të trashë sa krahu, të shtypnin pjesët e ndjeshme, të kërkonin të flisje, duke të bërë pyetje konkrete. Kështu do të vazhdoja të torturohesha 6 ditë në javë, tetë muaj rresht, me një farë ndryshimi në ashpërsinë e seancave. Edhe kur më kthenin në qeli, duart i kisha të lidhura mbrapa shpine. Duhej të flija kështu siç isha dhe, duke qenë se i kisha shpatullat e gjera dhe gjithë muskuj, kjo ishte një tjetër torturë më vete. Më zgjidhnin vetëm kur haja bukë.

Më e tmerrshmja ishte periudha 15-ditore dhe 15-netëshe, përjashtuar në mënyrë të pashpjegueshme një të diel në mes, periudhë gjatë së cilës qëndroja varur nga duart, me 30 deri në 35 kile zinxhirë rreth qafës. Mezi e arrija dyshemenë dhe isha i detyruar të mbështetesha vetëm me majën e gishtërinjve të këmbëve. Gjithçka ishte llogaritur, sigurisht, që të mos mbështetesha me thembra. Më zgjidhnin vetëm 3-4 orë në ditë, 2-3 herë në ditë, për të shkuar në nevojtore; gjithë kohës tjetër isha i varur natë e ditë me atë peshë..

Mu bë një hetim i thelluar, por në fillim nuk m’i përmendën francezët. Pyetjet drejtoheshin rreth anglezëve, amerikanëve, rreth marrëdhënieve të mia me shefat e misioneve ushtarake në Tiranë, si dhe me oficerët e tjerë vartës. Më kërkuan me ngulm se ç’informata u kisha dhënë atyre. Nganjëherë hetimi merrte një drejtim krejt tjetër. Përpiqeshin të nxirrnin prej meje shpjegime rreth qëndrimit tim politik kur u zhvilluan zgjedhjet e para, të ashtuquajtura “demokratike” të dhjetorit 1945, të më detyronin të tregoja kush ishte nxitësi, kush ishin anëtarët e tjerë të grupit tonë, si dhe cilat ishin temat e mbledhjeve tona. Unë mjaftohesha duke mohuar sistematikisht, duke pranuar një fakt të vetëm: qëllimi ynë i vetëm ishte të krijonim një opozitë të ligjshme, ashti siç e parashikonte ligji zgjedhor. Këtë e përsërisja pa bërë as më të voglin koment, për të mos implikuar askënd dhe mundohesha. Mirëpo, vallë a ia vlente një gjë e tillë, që të vërtetoja se një opozitë e tillë nuk kishte asgjë të dënueshme nga na juridike? “Cili ishte rrethi yt shoqëror? Me kë shoqëroheshe? Çfarë thoshit me njëri-tjetrin? Në ç’datë je takuar me filanin?”. Pyetjet më bombardonin në të njëjtën kohë me goditjet, mirëpo më habiti fakti që nuk u përpoqën asnjëherë të nxirrnin prej meje ndonjë pohim, nëpërmjet premtimeve për një trajtim të mirë, praktikë mjaft e përhapur kjo, që mori më qafë shumë nga ata që ranë në atë kurth.

Nga shtatori deri në nëntor qëndrova në të njëjtën qeli bashkë me 4-5 të burgosur të tjerë. Pastaj u transferova në një tjetër, në burgun e vjetër, ku kisha vetëm një shok. Në qelinë fqinje ndodhej shkrimtari i madh shqiptar Mitrush Kuteli- me emrin e vërtetë Dhimitër Pasko, i cili më recitonte, duke pëshpëritur poshtë derës, poemën e tij të gjatë “Kosova”…

Në shkurt të 1948-ës nisi për mua periudha e izolimit të plotë, e cila do të zgjaste 27 muaj. Më çuan në burgun e ri të Tiranës, në një birucë disi më të madhe, por aq e zymtë saqë dukej si varr. Asgjë prej gjëje, asnjë shpirt njeriu, asnjë send; kishte vetëm një baxhë 15 me 15 cm, nëpërmjet së cilës kalonte një dritë e zbehtë, si dhe një tavan shumë i lartë, më shumë se katër metra nga dyshemeja. Disa muaj me radhë e pata të pamundur të merrja dhe njoftimin më të vogël nga jashtë. Më e keqja ishte se qelia ime ndodhej pranë lumit dhe unë e dija që të gjitha ekzekutimet bëheshin në brigjet e tij. Për më tepër, kisha kuptuar që në këto qeli fusnin kryesisht të dënuarit që do ët pushkatoheshin, një apo dy herë në javë dëgjoja të përsëritej e njëjta skenë: gardianët ndaleshin para ndonjë dere, e hapnin, talleshin me të burgosurin, pastaj i thoshin: “Dhe tani hajde me ne! Do të të çojmë në dasmë”. Pas një gjysmë ore buçisnin, pa një pa dy, automatikët. Pastaj gardianët ktheheshin e shkëmbenin fjalë, si: “E pe si përpëlitej, para se të binte përtokë?!” dasma kishte marrë fund, deri sa të vinte tjetra. Vdekja në këto mjedise të burgut të ri ishte gjithmonë e pranishme. I burgosuri kishte vetëm një pyetje në mendje: A do të shpëtonte apo jo kokën?

…Pas 8 muajve të parë në hetuesi, më lanë disa javë të qetë. Pastaj filluan përsëri të më pyesnin, isha gjithmonë në burgun e ri, rreth një teme që më habiti shumë në fillim, sepse deri atëherë nuk më kishin ngacmuar në këtë drejtim: marrëdhëniet e mija me oficerët e misionit ushtarak francez në Tiranë. U befasova shumë, ngaqë regjimi nuk i kishte sulmuar asnjëherë qeverinë dhe shërbimet franceze; një Zot e di se Parisi kishte aq halle saqë s’kishte nge të merrej me spiunazh në Shqipëri!

… Fjala spiunazh mbulonte në mendjen e tyre një fushë jashtëzakonisht të gjerë dhe… të pamat. Fakti i thjeshtë që unë kisha thënë më 1945-ën, se Partia Komuniste drejtonte gjithçka, ndonëse ajo nuk ishte përmendur asnjëherë publikisht, çka ishte një sekret që e dinin të gjithë, u quajt krim i rëndë politik. Më vonë, gjatë procesit tim, dikush do të akuzohej se “u kishte treguar” francezëve çmimin e gjalpit në Shqipëri. Hetuesit gjykuan se në këtë rast bëhej fjalë për një informatë ekonomike me rëndësi shumë të madhe. Pasi një nga të akuzuarit reagoi, duke thënë se çmimi i këtij lloji prodhimi ushqimor dihej nga të gjithë, u kundërshtua me arsyetimin se ai e parashtronte gabim problemin dhe se kërkonte ta dëmtonte pushtetin, duke nxjerrë në pah dobësinë e mekanizmave ekonomike…

Një ditë papritmas, më nxorën nga qelia e madhe e katit përdhes, ku po kalbesha qysh prej tetë muajsh dhe më ngjitën në katin e parë, ku më rrasën në një si birucë disi të ndriçuar mirë. Pata një ndjenjë absurde çlirimi. Aty ndenja afërsisht 6 javë. Duart nuk i kisha më të lidhura me ato prangat e tmerrshme “italiane” (ishim mësuar t’i dallonim 2-3 llojet e këtyre veglave), por me zinxhirë nga përpara, çka m’i lehtësonte shumë lëvizjet. Nëpërmjet një kanali, që do ta përshkruaj më tej, mësova se kishin filluar të sulmonin Koçi Xoxen. Në Komitetin Qendror po niste një periudhë paqëndrueshmërie. Ishte koha e prishjes me Titon dhe gjithçka që mund të pranohej se kishte qenë gabim, i vishej atij. Me rënien e ministrit të Brendshëm u krijua një atmosferë e zbutur, si për të treguar që Xoxe, shërbëtor i jugosllavëve, ishte i vetmi përgjegjës i gjithë mizorive të bëra deri në atë kohë. U zbut disi trajtimi i të burgosurve, mirëpo kjo klimë përmirësimi ishte e përkohshme.

Gjatë kësaj periudhe zbutjeje, njëri nga gardianët më tha se ishte një miku i familjes së një gruaje që unë e njihja, bashkëshortja e një shkrimtari të njohur në atë kohë, i cili ishte gjithashtu i arrestuar. Ai më dha fshehurazi një copë letër dhe një laps që t’i shkruaja asaj, nëse kisha dëshirë. Me duart e lidhura nga përpara me zinxhirta, që më lejonin t’i lëvizja disi, arrita të shkarravis. Kështu shkrova për Safon një poemë, me pseudonimin “I marri”, e cila fillonte kështu: “Siluetë e brishtë me hijeshi fisnike…”.

…Minjtë përziheshin me frikën, frika ime po merrte pamjen e minjve. Frikë nga vdekja, frikë nga e ardhmja. Në këtë qeli, pak kohë pasi ndodhesha aty, provova të vrisja veten, duke prerë venat. Por i vetmi mjet që kisha, unazat e nallaneve, të bëra me një metal “të butë”, doli i padobishëm. Shenjën e kam sot e kësaj dite në kyç. Gardianët që e vunë re në kohë tentativën time, më vunë fashë, ndërsa mjeku që më vizitoi më tha se ndodhesha jashtë rrezikut për jetën. Natyrisht, ai porositi të më shtohej mbikëqyrja…

Koha e përkthimeve

…Përkthimet e teksteve zyrtare nuk bëheshin gjithmonë pa shkaktuar probleme, të cilat reflektoheshin tek unë, sipas rëndësisë që kishin, herë me mërzi kalimtare, herë me shqetësime të mirëfillta. Më kujtohet një gazetar dhe botues francez, i quajtur Patrik Kesel, i cili erdhi në Tiranë për të përgatitur në Francë Volumin XIX të veprave të plota të Enver Hoxhës, që mbanin titullin “Divergjenca e madhe” dhe që trajton prishjen me revizionistët. Për të kishim përkthyer lloj-lloj dokumentesh: procesverbale të mbledhjeve të anëtarëve të Byrosë Politike, tri fjalime të Hoxhës (atë të Bukureshtit në qershor 1960, atë të Konferencës së 81 partive Komuniste në Moskë, në nëntor të po atij viti, si dhe një tjetër, që ai e mbajti kur u kthye nga kryeqyteti sovjetik). Këtyre teksteve, mjaft të gjalla me ngjyrime, i shtohej edhe shkëmbimi i korrespondencës midis Mehmet Shehut dhe numrit një, midis këtij të fundit dhe Hysni Kapos dhe, së fundi, midis Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë. Keseli kishte si bashkëpunëtor Misto Treskën, kryetarin e Komitetit të marrëdhënieve Kulturore me botën e jashtme dhe frankofon. Pasi i kaluan në sitë tekstet tona, na i kthyen të mbushura me vërejtje, duke vënë në dukje, diku një të ashtuquajtur kuptim të rremë, diku tjetër një kundërkuptim. Gjithë ndryshimet që bënë ata u çuan në sferat e larta, dhe kështu nisi pritja.

Ndërkohë unë, i shtyrë nga skrupujt, por gjithashtu ndofta edhe për të qetësuar frikën që më kishte zaptuar, ia dhashë ta lexonte tekstin e plotë një francezi, i cili në atë kohë punonte në Radio Tirana. Reagimi i tij ishte i shpejtë: “Ata janë të marrë! Nuk ka kuptime të rreme, as kundërkuptime. E shumta, mund të flasim për ngjyrime kuptimi!”.

Pritja u zgjat. Nëndrejtoresha e shtëpisë botuese më njoftoi se ky problem do të shqyrtohej në Komitetin Qendror. Sigurisht, kjo çështje, në realitetin e atëhershëm, bënte pjesë në të pathënat dhe do të shihej, mesa dukej, nga Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e Enverit, e cila do t’ia parashtronte këtij të fundit. Ndjeva se ekzistenca ime po ndodhej përsëri në udhëkryq. E dija se disa prisnin shkasin më të vogël për të më dhënë goditjen përfundimtare. Me prejardhje dhe me formim “të kundërt”, ata më quanin mua “uzurpator”.

Pas dy ditë e gjysmë pritjeje, nëndrejtoresha thirri ekipin tonë të vogël. Nëndrejtoresha, e cila në fund të fundit ishte komuniste, ishte një nga njerëzit më të drejtë dhe më të ngrohtë që kam njohur. Ajo më qetësoi menjëherë. Kisha pasur fat, më tha ajo, sepse kisha shpëtuar për qime. KQ ia linte gjykimit tonë, (d.m.th., timit) versionin përfundimtar të tekstit….

Gjatë kësaj periudhe pati disa episode të tjera, që vërtetonin rëndesën e kontrollit të ushtruar ndaj meje, sidomos lidhur me një libër, të cilin Enver Hoxha e kishte titulluar “Eurokomunizmi është antikomunizëm”. Ishim në vitin 1980. Në këtë vepër, Sekretari i Parë i partisë sulmonte me tërbim rrymën eurokomuniste që ishte shfaqur në Evropën Perëndimore, sidomos në Francë, në Itali dhe në Spanjë. Ai e quante Santiagi Karilon “Renegati Karilo”. Hoxha nuk kursente as udhëheqësit komunistë dhe shkrimtarët francezë; të gjithë e kishin nga një damkë, që nga “Zorzh Marsheja, i cili përqafoi teorizimet e Rozhe Garodisë, dhe na del këtu si një pasardhës i Titos”, e deri tek shkrimtarët dhe “ish-mbrojtësit e realizmit socialist, si Aragoni, Andre Stili, Andre Vyrmser, të cilët, jo vetëm e drodhën, por ia shitën gjithashtu shpirtin dhe lëkurën revizionizmit”…

Libri ishte përkthyer dhe ishte bërë gati për shtyp. I vetmi problem që kisha ishte titulli. T’i vija, apo të mos i vija presje (L’Eurocommunisme, c’est de l’anticommunisme)? Në shqip nuk kishte presje, por unë kisha parasysh veprën e Prudonit, “la proprieté c’est le vol) (Prona është vjedhje). Në disa botime ky titull ka presje, në disa të tjera jo… E vura titullin frëngjisht.. Pas disa ditësh, më telefonuan në zyrë nga Komiteti Qendror, ku kishin çuar kapakun e librit. “Ç’është kjo presje?”, më pyeti një zë autoritar. Unë u përpoqa ta argumentoja zgjedhjen që kisha bërë, jo në rrafshin gramatikor, por duke folur për ritmin, kadencën. Reagimi i zyrtarit ishte i prerë: “Jo, jo! Presja duhet hequr!”. KQ dha urdhër të ktheheshin në karton 50 mijë kapakët e shtypur, sepse ishte e pamundur ta fshije atë dreq presjeje nga letra e lustruar. U porosit një kapak tjetër pa shenjë pikësimi dhe libri u botua. Nga ana personale nuk pata ndonjë pasojë të veçantë. Për fat të mirë, nuk ishin në ato kushte që dikton Siorani kur shkruan: “Ëndërroj për një botë ku mund të vdesësh për një presje”…

…Një ditë tetori të 1980-ës më thirri drejtori në zyrë, ku ndodhej një përfaqësues i Komitetit Qendror, i cili donte të më takonte. “Pa shihni!,- më tha ai sapo hyra, dhe më dha një kopje të përkthimit frëngjisht të “Hrushovianëve” të Enver Hoxhës. Lexoni çka brenda!”, – vazhdoi ai. Pasi ktheva faqen e parë, vura re, me habi të madhe, një kushtim nga vetë autori. Njëshi i partisë dhe i shtetit, udhëheqësi historik i Shqipërisë socialiste më përgëzonte për përkthimet e mia. E kishte fjalën vetëm për përkthimet politike? Jam i prirë të mendoj se, kur ia kishte lexuar “Dimrin e madh” dhe kapitullin që flet për të, diçka kishte shkrepur në mendjen e tij. Me siguri e kishte lexuar. Pikërisht në atë çast, mendova unë, ai ishte nisur të bënte këtë gjest… natyrisht ata që u mërzitën nga ky lloj suksesi u munduan të më zhysnin në hije, duke nxjerrë në pah meritat e përkthyesve të tjerë, për bashkëpunëtorët e Sigurimit, fakti që unë kisha përkthyer Enver Hoxhën nuk e ndryshonte fare shkallën time të “rrezikshmërisë shoqërore”. Fshehurazi, ata pëërpiqeshin të më paraqisnin sa më keq, duke lënë të nënkuptohej se, duke punuar me përkujdesje për përkthimet e mia, mundohesha të bëja, nuk e di se çfarë mashtrimi… fakti që përktheja Kadarenë në frëngjisht më vinte gjithashtu, në një pozitë delikate, sepse në atë kohë ai nuk shihej me sy të mirë nga disa struktura të pushtetit. Atë e kritikonin për trajtimin subjektivist që i bënte historisë, si dhe për përdorimin, krejtësisht personal, sipas tyre, të fondit mitik të Shqipërisë. Shefi i redaksisë, i kishte zët lidhjet e mia, madje mjaft të rralla me Kadarenë. “Po e kalon kohën duke përkthyer Ismailin, – më thoshte ai. Ka libra shumë më të rëndësishëm që presin të përkthehen!” Kështu, pra ndodhesha në një gjendje paradoksale: nga njëra anë përktheja një mjeshtër të imagjinares dhe poezisë dhe, nga ana tjetër, mishëruesin e ashpërsisë dhe të fundin përfaqësues të “vijës së pastër”. Jepja në frëngjisht dy botë antagoniste, të cilat u drejtoheshin dy lloj lexuesish, shumë larg njëri-tjetrit. Për Kadarenë punoja hapur në shtëpinë time, ndërsa për Enver Hoxhën përkthimi rrethohej nga një atmosferë paranoje dhe sekreti tipik për regjimin. Na porosisnin vazhdimisht se nuk duhej të nxirrnim asgjë nga përmbajtja e teksteve. Drejtoria kishte vënë hekura te shkalla e katit, ku punonin përkthyesin e Njëshit; ne ishim të veçuar nga pjesa tjetër e shtëpisë botuese. Në mbrëmje, tekstet e Enver Hoxhës futeshin nëpër kasaforta. Ndihej konkretisht mania e sekretit, frika e përhershme nga spiunazhi. Nuk e di se ç’mund të kishin bërë “revizionistët” e gjorë me këto tekste, në rast se do të ishin përpjekur t’i shtinin në dorë; na thoshin që, në rast se ndodhte një gjë e tillë, do të ishte e tmerrshme. Sikur ato shkrime të ishin përçues të formulave të shenjta, vendimtare për të ardhmen e botës!

Jetëshkrimi

Ai u lind në Korfuz, Greqi, më 16 Mars 1916. Vitet e tij të para i kaloi në Korfuz e më pas në Berat. Pas emërimit të babait të tij, Ilias Bej Vrioni, si Ministër i Jashtëm dhe Ministër i Plotfuqishëm në Paris, familja u shpërngul në kryeqytetin francez më 1925. Ciklin e ulët dhe të mesëm arsimor Jusuf Vrioni e kreu pranë Liceut Janson de Sailly, Paris dhe atë të lartë në Grande École des Hautes Études Commerciales dhe në Institut d’Études Politiques të Parisit.

Më 1939 rikthehet në Shqipëri por shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore e detyron të shpërngulet po atë vit në Romë për të vazhduar studimet e tij të mëtejshme. Rikthehet në Tiranë më 1943, datë kjo që shënon dhe përmbysjen e fatit të tij. Më 13 Shtator 1947 arrestohet nga regjimi diktatorial dhe akuzohet për spiunazh dhe agjitacion e propagandë. Prej Shkurtit 1949 e deri më Prill 1950 torturohet barbarisht një njërën prej shtatëmbëdhjetë qelive famëkeqe të Koçi Xoxes. Në Korrik 1950 dënohet me 15 vite heqje lirie dhe punë të detyruar në Shtyllas të Fierit. Lirohet në fund të vitit 1958 dhe internohet në Fier për një periudhë disamujore. Më 1960, për nevojat propagandës ndërkombëtare të regjimit diktatorial, emërohet në Tiranë si përkthyes.

Ndër përkthimet e tij të para numërohet Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur i Ismail Kadaresë, i cili më vonë u botua në Paris. Ndërkaq, emri i tij si përkthyes do të fillonte të figuronte nëpër botimet në Francë vetëm në vitet 1980. Edhe pse pjesën më të madhe të kohës e shpenzonte duke përthyer dhe redaktuar tekstet propagandistike të Enver Hoxhës, Jusuf Vrioni gjente kohë për të përkthyer romanet e tjera të Ismail Kadaresë. Falë elegacës së frengjishtes së tij, romanet e Ismail Kadaresë nisën të tërheqin vëmendje të jashtëzakonshme në publikun frankofon. Rreth fundit të viteve ’80, Jusuf Vrioni nisi të gëzojë famë si përkthyes si pashoq në qarqet intelektuale dhe artistike të kryeqytetit.

Në vitet e para të Shqipërisë post-diktatoriale, Jusuf Vrioni, falë kulturës së tij multidimensionale si intelektual, angazhohet në qarqet e shoqërisë civile dhe për një kohë shërben si Kryetari i Kominetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Kriza famëkeqe e vitit 1997 do ta detyronte tashmë të largohej sërish nga atdheu i tij dhe të rikthehej në Parisin e tij të dashur. Më 1998 emërohet Amabasor i Republikës së Shqipërisë në UNESCO dhe më 22 Maj të këtij viti, për kontributin e tij të pasur në gjuhën frënge, dekorohet nga Republika Franceze me urdhërin Chevalier de la Légion d’Honneur, ashtu si dikur i ati, Ilias Bej Vrioni, ish dekoruar në fund të viteve 1920 me urdhërin Grand Officier de la Légion d’Honneur nga Republika Franceze.

Jusuf Vrioni ndërroi jetë në Paris në Maj 2001 ndërsa shërbente si Amabasor i Republikës së Shqipërisë në UNESCO. Berati, vendlindja e Vrionasve, nëpërmjet bashkisë së qytetit do ta nderonte Jusuf Vrionin pas vdekjes së tij, më 18 Qershor 2001, me titullin “Qytetar Nderi”.

Për mirënjohjen dhe vlerësimin e përkthyesve me kontribut të çmuar në njohjen dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhë dhe kultura të huaja, Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Shqipërisë më 2006 krijoi çmimin “Jusuf Vrioni”.

Kishte patur shumë në jetë, por kishte marrë shumë pak . Dhe kishte qenë ‘Aristokrat i dijes’, njeriu i vullnetit të pathyeshëm, njeriu i papërkulur përpara punës, filozofi dhe mendimtari Jusuf  Vrioni. “Më mirë bëji vetes keq, se sa tjetrit, ky ishte një nga parimet e Vrionit”, kujton Edmond Tupja, përkthyesi, i cili ka punuar për vite me radhë me njeriun, i cili edhe pse shumë i nxënë në dije, i diplomuar në Drejtësi dhe Studime të larta  tregtare në Francë, me Doktoraturë në Jurisprudencë në Itali, vuajti 13 vjet burg në kampet dhe burgjet famkeqe të diktaturës.

Akuzën “agjent i Francës”, nuk e pranoi kurrë, edhe pse mbi trupin e tij u ushtruan tortura nga më të rëndat. Punoi  në tharjen e kënetës së Maliqit, në ndërtimin e Aeroportit të  Rinasit, dhe ndërroi disa herë kampet e përqendrimit dhe qelitë e burgut.

“Kam kënaqësi kur gjej vështirësi në punë, se puna e mirë nuk del kollaj”, u thoshte gjithnjë kolegëve të tij, Jusuf  Vrioni, i cili pasi doli nga burgu punoi si përkthyes në ish-shtëpinë botuese “8 Nëntori”. Në këtë shtëpi, ku  përktheheshin  veprat e Enver Hoxhës dhe vepra të Partisë së Punës së Shqipërisë, Jusuf Vrioni, punoi deri sa doli në pension në vitin 1990. Aty ai ndërtoi jetën, aty kishte miqtë e tij, aty do të mësonte me dashamirësinë e  tij edukatën e punës tek kolegët, të cilën e kishte në çdo shqisë të tij.

“Intelektual i një niveli të mirëfilltë, një nga mendjet e rralla enciklopedike në Shqipëri, Ai, ishte njeriu”, thotë përkthyesi Edmond Tupja. “Jusuf Vrioni ishte filozof dhe mendimtar, njeri me karakter të fortë, por ishte bujar dhe  solidar dhe kurdoherë i papërtuar përpara punës”, thotë Tupja.

Të gjitha veprat e Ismail Kadaresë, të botuara në Francë, mbajnë përkthimin e Jusuf Vrionit. Dhe Vrioni ka padyshim peshë të rëndë në suksesin që shkrimtari i njohur i Shqipërisë, ka patur në një nga vendet më sqimtare në kulturë.

Siç është shprehur Kadare, kur ndërroi jetë Vrioni ,”Ai  është humbje kulturore, sa edhe personale, sepse ishte përkthyes i pazëvendësueshëm. Ai ishte miku im, bashkëpunëtori im në një aksion të madh që vazhdoi 40 vjet”.

Si ambasador i Shqipërisë pranë UNESCO-s, Vrioni, ndonëse i thyer në moshë, nuk do të rreshte asnjëherë të punonte. Libri i tij, “Botë të fshira”, i shkruar direkt në gjuhën frënge, njohu sukses të padiskutueshëm në qarqet  intelektuale pariziene.

Një avion special e solli trupin e të ndjerit Jusuf  Vrioni në Tiranë, më 1 Qershor 2001. Intelektual i mirëfilltë, i  nderuar me Medaljen e Madhe të Frankofonisë, me  Urdhërin Kalorës i Arteve dhe Letërsisë, me Urdhrin e Legjionit të Nderit, ai mbante dhe titullin Qytetar Nderi i Qytetit të Arles.

Jusuf Vrioni, njeriu që jeta e goditi shumë dhe që pati atë mirësi dhe forcë karakteri për ta përballuar, luajti një rol  të pakrahasueshëm në njohjen e letërsisë shqipe në botë, duke i sjellë kështu një shërbim të madh kombit shqiptar. Këtë shërbim ai ia bëri në kohën, kur kombi kishte nevojë më tepër se kurrë të çante izolimin e tij politik e kulturor. Për këtë kultura shqiptare do t’i jetë gjithnjë mirënjohëse.

 

Artikuj të ngjashëm