Vdekja tragjike e Pushkinit në një dalëzotje të nderit, të të hyjshmit të poezisë ruse

Sot 180 vite të shkuara sakrifikohet në një dalëzotje të nderit, i hyjshmi i poezisë ruse, ai që drithëroi zemra e përflaku ndjenja, ai që me ikjen nuk i mori dot të gjitha. Ajo që mbeti atëditë e sot ndër ëndje e kandje është shpirti flakatar i një kënduesi zemrash.

Poezia e tij qe këngë hyjnore e bërë për perëndi, dhe vetë ai, magjistar që përmbysi edhe konstatimin e Volterit se "dashuria i bën njerëzit poetë, duke i bërë njerëzit, me poezitë që shkroi i bëri dashnorë". Ai, tashmë pranohet nga të gjithë, ashtu siç e përcaktoi i pagabueshmi Bjelinski, "si fenomen që jeton dhe lëviz përjetësisht, fenomen që nuk ndalet në pikën ku e kap vdekja, por që vazhdon të zhvillohet në ndërgjegjen e shoqërisë".

Ja pse dhe vdekja fizike e tij, në 10 shkurt të vitit 1837, tronditi e përloti miliona njerëz edhe pse ajo qe në pajtim të plotë me epokën kur ai jetoi, me intrigat e urrejtjet e kohës, me mentalitetet e saj, me kryelartësinë dhe konceptin që edhe ai, si pjesë e asaj kohe, kishte për nderin e moralin. Ja përse edhe sot, brezat, me shumë të drejtë mallkojnë ditën kur ai njohu në shtëpinë e Karamzinëve, kolonelin emigrant francez Xhorxh D`Antes dhe i mundon dilema për thesaret që do të kishin ndër duar, sikur ai plumb fatal, por gjithsesi historik, nuk do të priste në mes jetën e kryemjeshtrit të dashurisë, në atë duel të panevojshëm, atje në rrugën e Pargolovos, pranë fshatit Odojevski. Asnjëherë, një plumb i vetëm nuk kishte bërë dëm më të madh, sesa ai që shtriu përdhe të vetmin njeri të gjallë që mund të matej me vetë Kupidonin. Se po të parafrazojmë Ciceronin edhe Kupidoni në qoftë se do të mund të fliste, do të fliste vetëm kështu. Legjislatorin e dashurisë së sinqertë dhe pasionante, e vrau dora e pabesisë, e bashkë me të, u shuan përgjithmonë dhe humbën për të mos i parë askush, perla pambarimisht të shkëlqyera që prisnin radhë të merrnin jetë në mendjen dhe zemrën e poetit.

Kultura ruse kurrë nuk do të ishte kaq e bukur, sikur asaj t`i mungonte zëri shkëlqimtar i Aleksandër Sergejeviç Pushkinit. Aq e vërtetë është kjo, sa po t`i besojmë asaj thënies impresionante të Algarotit se "Petërburgu është dritarja përmes së cilës Rusia shikon Evropën", atëherë, është jashtë çdo dyshimi, se dhe bota e ka parë Rusinë, në radhë të parë, nëpërmjet gjenisë krijuese të Pushkinit. Intuita profetike e Derzhavinit që teksa dëgjonte më 8 janar të vitit 1815, një fëmijë të hijshëm, flokëkaçurrel dhe me sy të zgjuar, të deklamonte në "Kujtime të Carskoje Sjello":

Simbol i dinjitetit kombëtar, zëri më i kumbueshëm dhe më i fuqishëm i dëshirës për liri, filozofi që gjeti mënyrën më të thjeshtë e më të mençur, për të rrënjosur tek çdo njeri mendimin se jetën e bën kaq të çmuar dashuria e pastër, Pushkini me romantikën, por dhe me vërtetësinë e uraganit të fjalës së tij artistike, u bë shumë shpejt shumë i dashur për shqiptarët, sapo kushtet bënë të mundur përkthimin dhe botimin e veprës së tij. Atyre që jetuan para nesh, u la mbresa të veçanta trajtimi që ky gjigant i bënte nevojës për liri, pasi për ta, mungesa e saj qe preokupimi kryesor.

Vdekja tragjike e poetit

I madhi poet rus, më i veçmi i testamentit të letërsisë dhe limfës së këtij gufimi. Vdiq në një duel për të mbrojtur nderin e së shoqës se tij, Natalia. U vra nga një plumb që mori në stomak gjatë përballjes që pati me oficerin francez, Zhorzh D'Ante, i cili ishte dhe i kunati i tij. Për vdekjen e Pushkinit ka dy hipoteza:

E para, se D'ante cënoi nderin Pushkint, duke i shprehur dukshëm dashurinë e tij gruas së poetit, një tërheqje që ra në sytë kreshtar të shoqërisë së lartë e kohës, e cila ia lejonte vetes të merrej me komentet e sjelljeve të D'antes dhe Natalias gjatë ballove.

E dyta hipotezë, së cilës i druhej dhe vetë Pushkini, qe se D'ante ishte thjesht një mjet në dorën e Carit të Rusisë, që frikësohej prej poetit dhe donte ta zhdukte atë. Kjo hipotezë do të justifikonte dhe varrimin e fshehtë të poetit dhe mbrojtjen të cilën Cari i premtoi Natalias dhe fëmijës së saj. Këto hamendësime janë përftuar prej librit të Vickery-t, gjithashtu edhe prej ditarit të poetit, copëza të përshkrimeve që ka lënë, përafrojnë krijimin e mozaikut të së vërtetës. Gjithsesi, ai iku tragjikisht në moshën 37-vjeçare duke e thelluar boshin që ky shpirt i lirë ngasej ta mbushte përplot pasion.

Artikuj të ngjashëm