Thethi ky kushtrim i thellë i bukurisë alpine

Mes maleve të egra dhe të mrekullushme, këtij eteri tokësor që mrrylet prej gërmushjes së motit dhe shendet prej gjelbërimit dhe kthjellimit të qiellit gjendet Thethi. Atë e stërpikin krejtkah horizontin me vendstrehëza alpine, siç bën me yjësimin, nata pa hënë. Nga Thethi ju qaset një gajle me kundru të gjitha qafat e maleve dhe majat. Ajo është kurora më e hijshme që ka kurorëzu ndonjëherë alpet e Europës. Ai e tejkaplon fiksionin e zhdërvjellët të natyrës. Trillane deri në thelb dhe depërtuese, mbetet. Kjo soditje e formëzimit të javashtë dhe të potershëm, kjo dhunë e rrëmbimit të vëmëndjes dhe përjetimit, kjo pamje e shpenguar dhe ngrehaluce, vetanake e lë atë në gjerdanin e alpeve. Këtë dëshmi e gjejmë të shkrirë në shtatin që përpjetet në majat si ajo e Radohimës, e cila naltësohet me 2570 m, e Arapit, 2217 m, duke përshku në vazhdë Paplukën, që përhidhet drejt qiellit me 2569 m, e majën e Alisë që kulmon jo më pak se 2471 m, etj. Përkundrull kësaj kapardisje ojnake, shakadahet përposhtë Thethi, kjo sofër e shtruar në lartësitë 750- 800 metër. Tiparet e kësaj jehone nisin me një reliev, pjerrësia e të cilit nis me këndin16º-35º, duke u thadruar e bërë më ulëritëse në 45º-60º e deri në 90º, të pakalueshme të shumtën e herëve, por përpirëse prej joshjes dhe piskamës që e vesh. Krejtkjo, një ngadhnjim akullnajor dhe eroziv, gjurmë të cilat shkruajnë moshën dhe urtinë. Kjo larmi vijon me Lumin e Shalës, vërshimi që ka gatuar tarracime shkëmbore dhe zallishte, ku përzihen gjurmë dhe kujtime. Paraqitja e Thethit nuk mund të mëtonte vetveten përtej mrazit dhe zemëratës klimatike, e cila nuk mund të kapardiset për kreun, por gjithqysh ajo është karakteristike e këtyre thellësive që ngërthehen përhava. Në parkun e Thethit mantel i bardhë i borës që i hidhet përsipër, nis me 1.5 m trashësi deri në 3 m vende-vende e kohë mbaskohe. Gjithashtu mund të flitet edhe për mesatare të reshjeve të shiut që varjojnë 2900-3000 mm në vit. Temperaturat luhaten nga 20ºC-26ºC në qeshor për të kulmuar në dimër me -14ºC deri -20ºC.

Duke hedhur një vështrim veçorive hidrografike kumtojmë se Lumi i Thethit buron në lagjen Okol dhe përshkon të gjithë parkun, në harbimin e të cilit fusin turrin edhe përrenj dhe burime që këndej pari janë pa hesap. Në Ndërlysë trupëzohet me përroin e Kapërres duke ngjisur Shalën, i cili derdhet në Drin. Lumi i Thethit është i kthjellët e i shkumëzuar. Prurjet e tij varjojnë 1000-1300 l/sek dhe temperatura mesatare e ujit është 7ºC. Përrenjt, këto vërshues që i harbon rrëmeti, janë ai i Dhenve, i Gurrës, i Shkafit, i Borës, i Ashtit, i Ukashit, etj.

Hap pas hapi në këtë joshje që të magjeps

Në këtë shëtitje soditëse dhe magjepsëse na shuajnë etjen dhe na njomin ëndjen, burimet e Okolit dhe Nikgjonajt. Kësaj mrekullie i lajkatohet si një vashëz ojnake, Ujëvara e Grunasit, që rrëzon gërshetin e saj shkumëzues prej një lartësie mbi 30 m, dhe ajo e Gjeçajve, të cilën e ledhatojnë shkëmbinjt përgjatë 24 metrave të kredhjes joshëse përposhtë. Kanioni i Grunasit i shtohet kësaj gostie, ai zgjaton për më shumë se 2 km dhe thepon 60 metra tatpjetë. Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, ku gurgullojnë liqene nëntokësore, galeri dhe sifone gjigande, e mylmejnë gjithnjë e më shumë hejën e kësaj urije për kandë. Thethi ka gjithashtu edhe 12 mullinjë të vegjël, do prej të cilëve blues. Syri i kaltër i Kaprrës kqyr ngulmues me blunë e allasojtë, prej Kaprrës së poshtme, e cili është dalldisja më e shpenguar e hireve që kumton shtati i alpeve. Për të behur nën këtë vështrim që të rrëmben, duhet të shtegtosh nga Kanioni i Grunasit. Nëse shkon në Theth, kurrqysh nuk mundet të ikësh pa i hedh një sy Kullës së Ngujimit, e cila ka të murosur në gurthemelin e saj krejt shtatin e mrrylët e të ftohtë, histori ngjethëse gjaku dhe ngadhnjime faljeje.

I rrëmbyer prej dimesioneve

Shpëjtësia, me të cilën ikën koha kësaj behjeje kumtuese, është triumfi i efektit mbi shkakun, mbi ndjelljen dhe kredhjen, si pre e kësaj gjuetije mahnitjesh shokuese dhe kësaj thirrje kushtruese për kërshërim. Triumfi i sekujt në këtë aventurë alpine është i atypëratyshëm, depërtues dhe mishërues. I tillë është mbi kohën që rrek të mbetet në vend dhe thellësisë që harbon rrahekrah. Ashtu siç ka gërryer durimshumë gurët, uji, akulli e tufani, me të njëjten kandje e yshtje rrëmon ndër ne kjo bukuri, për të mbetur e pashoqe në llojin e vet, për të mbushur me zbraztësi eterne boshin dhe etjen që ndjen se të ka përfundur. Vetëm këtu në Theth, këtu në këtë hon të krenarisë së bjeshkëve mbërrin një gjëndje të epërme zotërimi, me kast, tuj guxu me ken ndonjë dekik edhe Zot.

Artikuj të ngjashëm