Richard Wagner, “djalli” që solli engjëlloren nga ferri

Nga Albert Vataj

Ai ishte një gjeni, si i tillë duhet keqkuptuar. Ai ishte rebel politik, kësisoj e kremtoi marrëdhënien me një të asokohshme kundërshtuese dhe një të tashme himnizuese. Gjithqysh ai bëri faj, të cilin nuk e shleu vetë por gjenialiteti i tij.  Është ndoshta i vetmi ndër kolosët e muzikës klasike dhe asaj operistike, gjenialiteti i të cilit u përpëlit amshueshëm në kryqin e anatemës. As fama nuk mundi ta ulte më që andej, por e ngjiti në qiell si “djallin” që solli nga ferri engjëlloren e muzikës. Gjithnjë pararendësit, nismëtarët, filluesit e një etape ndryshimesh të mëdha, marrin si shpërblesë një mësymje shkatërruese. Ende vërtitet edhe sot e kësaj dite se ku e ngjynte gjithë kjo hakërri majën e gjuhës në helmin e antisemitizmit apo të kapërthimeve të thekshme psikologjike, me të cilat ai e ushqeu këtë uragan të krijimtarisë muzikore.

Më 22 maj 1813 u lind kompozitorit gjerman, Richard Wagner. Ai ishte dhe mbeti një fenomen artistik, një shkundullimë e kijametshme e asajkohje dhe përmendje e njeriut si shkëndi në barutin e shpërthimeve. Të admiruarin e “të krisurve”, shtjellat e kritikës, rrapëllimat e kohës, do ta vendosnin, në Olimpin e Perëndive të muzikës dhe kompozit. Edhe pse lindi në një lagje hebraike të Leipzigut në shtetin e Saksonisë në Gjermani , ai u akuzua si antisemit. Kjo damkë me gjas i’u hodh përsipër këtij shpërthimi drite si një mantel i rëndë dhe i zi anateme, vetëm e vetëm se muzika që ai kompozoi kishte një admirues të gabuar, Adolf Hitler.

Madhështor në dimensionin më të pakapshëm, dramatik dhe tragjik në zenit të aftësisë perceptuese dhe përjetuese, harmonik dhe i debatueshëm njëherësh, zot dhe djall. Ai guxoi të ishte krejt tjetërçka. Edhe sot Richard Wagner kompozitor, vazhdon të frymëzojë dhe të ngjallë debate të ashpra për kumtin artistik, për kumbimin brendandjesor, për kremtimin ideor dhe estetik. Asgjë nuk është rastësore në këtë përballje dhe kacafytje titanësh. Ai erdhi për të qenë një rrufe shigjetare në qiellin e marazur prej reve të absurdit dhe një nevoje të kohës për tu hedhur në zjarrin e transformimit. I’a lejoi vetes dhe mishëroi deri në grahmën e fundit të shtrëngatës muzikore, shpirtin e tij të stuhishëm, vullnesën trandjes nga themelet të njeriut opak, të kësaj krijese që zvarritej. Ai kushtronte me artin e tij. Nëpërmjet muzikës Wagner përpiu krejt kohën dhe vetë koha ishte ai, në intensitet jetësimi të së tashmes, në kurajo gladiatori për tu ndeshur me veten me realitetin, dhe për të fituar njeriun. Veprat e Wagnerit kanë një intensitet të jashtëzakonshëm dhe një besueshmëri të jashtëzakonshme psikologjike. Mënyra e tij e kompozimit depërton menjëherë në ndjenjat tona. Dhe meqë jemi mësuar tani me muzikën e filmave dhe televizionit, muzika e tij na prek edhe më drejtpërdrejt. Sepse kjo lloj muzike mbështetet shumë tek Wagneri.

 Jeta e gjeniut

Wagner lindi më 22 maj në një lagje hebraike të Leipzigut në shtetin e Saksonisë në Gjermani. Babai i tij, Carl Fredrich Wagner ishte nëpunës në polici por vdiq gjashtë muaj pas lindjes së të birit. Familja u zhvendos në Dresden ku Wagneri jetoi derisa u rikthye në Leipzig në moshën 14 vjeçare. Ai nuk shfaqi interes për shkollën, duke parapëlqyer të përqendrohej tek teatri dhe muzika. Pas disa përpjekjesh të pasuksesshme dhe veprash të lëna përgjysmë, opera e tij e parë e suksesshme, Rienzi u shfaq për herë të parë në Dresden në vitin 1842.

 Anatema politike

Për shkak të ideve të tij politike, ai kaloi një pjesë të mirë të jetës në mërgim. Pasi u përfshi në një kryengritje të dështuar në Dresden, ai shkoi në Paris dhe më pas në Zyrih. Wagner gjithashtu botoi artikuj antisemitistë, diçka që vazhdon ta errësojë imazhin e tij edhe sot. Por ajo që e dëmtoi më shumë reputacionin e tij ishte dashuria e Adolf Hitlerit për muzikën dhe përdorimi i kompozimeve të tij nga nazistët në fushatat e tyre propagandistike.

Eksperti Thomas Krakow këshillon që Wagneri të shihet në kontekstin e Gjermanisë së shekullit të 19-të dhe jo përmes prizmit të Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit. Krakow vë në dukje se Wagner vdiq gjashtë vjet para se të lindte Hitleri.

Pavarësisht nëse protestë apo entuziazëm, interesi për Wagneri, më shumë mufatet se sa shterron, duke kumtuar një nevoj të brezit për të depërtuar në ndjesitë e këtij jetësimi . Këtë vazhdon ta shpalosë rëndësia e operave të tij dhe galerisë shkëlqimtare që la në testamentin e muzikës gjermanbe dhe botërore. Vepra e tij vazhdon të përmbajë “muzikën e së ardhmes”. Duke nisur qysh nga dashuria e ndaluar e Rienzi-t, e deri tek Mjeshtrat e këngës apo Parsifali: Wagneri synon gjithmonë të nxjerrë në pah kritikën ndaj shoqërisë, utopinë e shoqërisë, ëndrrat dhe mallin, artin dhe politikën, problemet e njeriut si: seksi dhe krimi, dashuria dhe vdekja, përpjekja njerëzore për gjetjen e vetvetes, të gjitha tema këto që vazhdojnë të jenë aktuale. Vetëm më 13 shkurt 1883 kur Richard Wagner ndërroi jetë në moshën 70 vjeçare, vetëm atëherë bota e muzikës dhe opera e mësoi, se me kë ishte ndarë, se çfarë kishte humbur. Përunjësisht përulemi para kësaj përmendoreje shtatlartë e këtij shkëlqimimi të thekshëm. Trandës e hakërrues për çdo plogështi që zvarret, çdo traditë që me shpirt nëpër dhëmbë kërkon të sundojë një kohë që i ka ra mohit. Përplaset pamëshirshëm me çdo barrier lirie. Flakë shtërzen prej turfullimës së nevojës përtëritëse. Lëshohet mbi muret e zëna myshk si më mraztat çjerrje e prej rrënjësh e shkul të shkuarën. Ai është zot i të tashmës së shpirtit të lindur për t’u hedhur në zjarr, vullnetit që gjallon për t’u përleshur. Cyt çdo gjëndje që rreket mëdyshjeve. Nuk ka prehje në paqe për gjeniun e luftës. Lëshoje veten në krahët e përjetimit që ai skaliti me zjarr pasioni e rufeje dhe jeto të tashmën duke u parë sy më sy me dritën.

Episode nga jeta dhe vepra

Wagner, fëmija ambicioz

Wagner ishte nëntë vjeç kur dëgjoi për herë të parë Freischut të Veberit. Kjo shfaqje i la mbresa aq të thella sa ai vendosi që të bëhej muzikant dhe të imitonte Veberin. E ëma, për të kënaqur dëshirën e tij, e çoi djalin te mjeshtri Human që të merrte mësime në piano. Kur e dëgjon Vagnerin që interpretoi plot me gabime mësuesi i inatosur tha:

– Kur të rritesh mund të bëhesh ç’të duash, po muzikant kurrë. Atëherë nëna e dërgoi te një mësues tjetër për të mësuar violinën. Por edhe ai i tha se ishte nxënësi më i keq që kishte.

– Si mund të bëhesh muzikant, – i tha e ëma, – kur nuk mund të mësosh dot asnjë instrument?

– Nuk ka rëndësi, – u përgjigj Vagneri, – unë po të them që do të bëhem muzikant dhe ke për të parë se do të bëhem.

 Kapriçot e moshës

Në rininë e tij Wagner nuk mendonte gjë tjetër veçse si të siguronte para për të luajtur me letra. Në darkë hynte në lokalin e lojës ku rrinte deri në mëngjes. Atje humbiste vazhdimisht. Nëna shqetësohej për qëndrimin e tij të padenjë dhe pikëllohej që i biri kthehej aq vonë në shtëpi. Një mbrëmje e ngarkoi të birin që t’i merrte pensionin. Me këto para ai luajti deri sa i humbi të gjitha, përveç një monedhe të vogël. E vuri edhe monedhën e fundit, por këtë herë fitoi. Fitoi edhe disa herë të tjera deri sa siguroi pensionin e nënës. Atëherë ai u betua se nuk do të luante më dhe e mbajti fjalën gjatë gjithë jetës.

Fillesat e vështira

Më 1839 një poet dhe muzikant i ri gjerman u largua nga vendi i vet dhe shkoi në Francë për të shfaqur veprat e tij me një letër rekomandimi për drejtorin e operës së Parisit.

Në këtë letër shkruheshin vetëm këto fjalë: “I dashur mik, ma hiq qafe këtë budalla”.

Dhe ky “budalla” ishte vetë Richard Wagner.

 Verdi për kryeveprën “Tristani dhe Izota” 

Giuseppe Verdi e admironte shumë operën “Tristani dhe Izota” të Richard Wagner. Ai thoshte për të:

– Përpara kësaj ndërtese gjigande rri gjithnjë me tmerr dhe me habi, dhe nuk e kuptoj sesi mund të jetë e një njeriu kjo vepër. Akti i dytë është një prej veprave më madhështore të shpirtit njerëzor.

Muzikanti dhe nëpunësi i doganës

Roshi ishte një nëpunës i varfër i doganës që e donte shumë poezinë dhe të dielën, të vetmen ditë të lirë që kishte e kalonte duke bërë vjersha kur hyri në zyrën e tij, dëgjoi një të huaj gjerman që ankohej për vonesën në doganë. Roshi ndërhyri:

– Si ju quajnë? – e pyeti të huajin.

– Richard Wagner!

– Jam i lumtur, – u përgjigj Roshi, – që i shërbej një muzikanti të madh.

– Po si më njohët?

Si përgjigje ai nisi të këndojë disa pjesë nga “Tanhojzeri”.

– Ah, – ia bëri Wagner, – kjo është një shenjë e mirë. Nesër jeni i ftuar të hamë mëngjesin së bashku.

Muzikanti i madh dhe poeti i vogël u morën vesh kaq mirë sa ditën tjetër Wagner  i dha Roshit detyrën që të përkthente frëngjisht “Tanhojzerin”.

 

Artikuj të ngjashëm