Frederik Rreshpja, liriku që jetoi tragjikisht dhe mëkoi të hyjshmen e një shpirti delikat përmes kumtimit poetik

Pas, një heshtje mungimi që rreket të përfundet prej ndërmendjesh të vagullt që i shterron mrazi. Ai nuk është më prej kaq vitesh. Në rrugën që hija e ngrënë i zvargej mundimshëm noton përfytyrimi i një ikje që mbeti pezull si jehona e një zëri që askush se dëgjoi. Në kafene, nën cohën e hollë të tymit të cigares dhe melodisë së zërit që i shuhej, ai mungon, sepse ai zgjodhi të ishte i përgjithmonshëm me poezinë e tij. E angësht është koha që kaplon ndërsa cekim ndër kujtime për të gjetur një fjalë a një mendim, një varg a një poezi. Pakkujt i beh në ëndje vetmia e tij. Ajo vetmi që përzihej në rrëmëtin e këtij qyteti, ku “dukej se e kishin sjellë përdhunshëm”.

Nuk kishte më fatkeq ndër ata që kanë rendur në kujtesën e kohës se sa ai. Megjithatë, kurrë nuk u ankua. Jetoi me dhimbjen dhe tragjiken si një marrëdhënie të vetme ekzistimi. Kësisoj u zhagit deri në atëkohjen që nuk kishte gëzim që ta gazmonte atë shpirt të shterrur nga dritat dhe ngjyrat, atë kurm të drobitur nga hekat dhe trazimi. E pakohë është e tashmja për ta ndjerë një mungim, një ikje që nuk mund të marrë gjithçka me vete. Iku edhe ai siç zgjodhën të ikin edhe shumë të tjerë, duke lënë, Frederik Rreshpjen.

Në këtë botë të rrethuar me mure, ngado me mure, të lartë e të trashë, Frederiku ndërtoi atë liri heroike si një titan nën peshën e fatit tragjik. Gufimi i zemëratës dhe trazimit, është tashmë fjala, poezia, vargu, është gjithçka përbën përpjekjen e tij prej një spartani. Si pakkush tjetër u lëshua potershëm në honin e vetmisë si në një përballje, e se ndali luftën përkundër asgjëje.

Përmes çdo akti të ndeshjes ai hyn e del me një solemnitet sfidues. Me kohën kundër dhe fatin thundër, në këtë kurm tragjik asgjë nuk reshti së provuari, së jetuari. Tashmë për të nuk kishte fushëbetejë tjetër veç asaj të jetës, më të cilën zgjodhi të ndeshej pa mësuar të sprapsej. Kësisoj, ngaherë nën qiellin kërcënues të së përditshmes që e bluante. Dhe vetmisë, vetmisë më të cilën ai jetoi. Asaj vetmie që e cyti si një zë nimfash. Ikën nga një detyresë Sizifi, për të përmbushur një tjetër. Gjithnjë duke mbajtur mbi supet tij që sa vinin e kërruseshin, atë gurë të stërmadh, të cilin nuk e lëshon derisa ta zërë përfundi. Sikur të mos mjaftohej e gjithë kjo mallkimiadë që u lëshua mbi të si mbi një heretik, edhe shëndeti u gjegj t’ia prishte ato pak orë gazmendi dhe hareje që ky vetmitar sgrapte tinëz vigjëlemit të fatit të keq. Nuk kishte vend pa lëngim dhe dhimbje në këtë shpirtë, në këtë kurm. Zemra e tij e etur për aromën e dehjes së një dashurie, sa herë që i qasej e kafshonte si natën e çerr vetëtima. Vetmia është vetanaku zotërim i këtij bohemi që përndiqet prej një lëngimit që e përgjon si kujdestari e ndëshkimit, shpagës për fajin që nuk e bëri kurrë fajtor. Ai ka kurajo ta shohë në sy këtë vetvete që mundimshëm ngjit Golgotën, të bisedojë me të, pa kërkuar as mëshirë e as pendesë. I pafaj dhe i pafat ai kacafytej me pengimin dhe mungimin për të kaluar në anën e tjetër të asaj vetvete të ëndërruar që kurrë nuk ju bë e tija. Sa kohë që hapat mundën t’i viheshin pas hapave, ai u përpoq. Përpjekja prej martiri thyen çdo normë e kanun. Ai është vetanak në gjithçka kumton jetësorja dhe eternia e krijimit. Krijimit, asaj bime që shpërtheu e u harlis në hovin e harbuar të atij shpirti që diti të mos jepej siç arriti në qiell të kërkonte dhe të gjente përmasën e lirisë dhe shpengimit. Yjet në netët e gjata të përgjimit të vetmisë llamburitin njësoj si diejt në ditët kur kjo krijesë hiqet zvarrë rrugëve të braktisura të një qyteti që mbeti i huaj për të. Megjithatë ai diç kërkon e gjen mes këtij terri e kësaj vetmie që e shenjtëroi. Rreket me po të njëjtin ngulm, jo aq për të fituar se sa për t’u hakmarrë. Bota, qyteti, miqtë, janë gjithë një interes i sipërfaqshëm, një nevojë e çasteve të arratisjes nga vetmia. Një mirëkuptim, dashamirësi dhe ngrohtësi e shtirur e mbikëqyr këtë nevojë, si një maskë të cilën ai e ka hequr dhe e ka vënë përballë dhe duke e shikuar me ëndje dhe kureshtim, pa mundur të gjejë shumëçka ndryshe.

Vitet, ditët, as orët nuk lejuan askënd të hyj në qerthullin e këtij fati që poeti Frederik Rreshpja është derdhur si një statujë në një kallëp tragjik. Përgjatë pjesës më të vetvetishme të jetës së tij si Fred, ai, flet, lufton, vuan në vetmi pa kërkuar një dorë t’i vetëtijë prekjen e beftë për të zgjuar tërbimin e atij gjaku që ka filluar që herët të mpikset. Ligjërimi i paqtë si i një apostulli, sado që gjen dëgjues, askujt nuk i drejtohet, askush nuk i kthen përgjigje, vetëm copëza bisedash pëshpëritin sa për të trazuar dekorin e ndejave kafeneve. Gjithçka që ndodh në tavolinat që notojnë në tymin e cigares është e avull, fluide, e pangjarë, veguese. Sepse ai vjen dhe shkon si një hije, e cila gjithnjë stoliset nga e njëjta veshje, një kostum që sfidon kohën, një kapele e vënë pa kujdes, një kravatë që është gjithnjë e anuar në jakën e një qafe që hollohet e hollohet, thahet e tretet.

E ashtu ishte dhe mbeti, deri në të mbramë të hapave. I tillë deri në atë vdekje që erdhi këtu e dhjetë vite të shkuara, ndoshta jo dhe aq për ta ndëshkuar se sa për ta paqtuar. Ai iku pa mundur t’i merrte atë që ai kishte krijuar për të mbetur ndër ne, si shkas ndërmëndjeje, adhurimi dhe pendimi. Ai la si testament një shpirt të skalitur me zjarr dhe dritë, atë dritë e zjarr, të cilat ndonëse nuk u bë kurrë e tijat, na i dhuroi në vargje. La një fat tragjik dhe një vetmi të përkorë, la tek ne të gjithë pak Frederik.

Ai erdhi i paftuar dhe mbeti i mirëpritur në ëndjen tonë me krijimin e tij, sublimen e tragjikes, shëmbëllimin, duke mbetur ndjenja më e thellë dhe vështrimi më i kjartë i kohës të cilën ai jetoi, i të mundshmes, i fatit pa fat.