Formacione shkëmbore, një trill i natyrës që përngjet me tablonë e një pikturi

Kur sheh këto pamje të mrekullueshme, mendja të shkon se dikush është ulur dhe ka pikturuar, se një ëndje e hareshme ka rrokur një tablo gjigande dhe në të ka derdhur me një delikatesë fine brazdë pas brazde, e lakore pas lakoreje ngjyrat e një ylberi shndritës. Por jo. Ky është thjeshtë një trill i natyrës, një dëshmi e gjenialitetit të krijuesit, një bukuri kaq joshëse që përflaket mes ngjyrash dhe formash, kombinimesh dhe dritimesh.

Pamjet janë kaq reale sa e ke të pamundur të mos magjepsesh prej tyre. Këto formacione shkëmbore gjenden në Kinë, në provincën Gansu. Zona është mjaft popullore për turistët, që vijnë këtu për të shijuar panoramën spektakolare. Ky formacion shkëmbor është unik në botë. Ai i përket një tipi të gjeomorfologjisë petrografike që gjendet vetëm në Kinë. Kjo zonë është futur në listën e trashëgimive natyrore në vitin 2010.

Këto male janë formuar për shkak të akumulimit të sasive të mëdha të gurëve ranor dhe sedimenteve të tjera në sipërfaqe. Këto sedimente me kalimin e miliona viteve oksidohen nga kontakti me ajrin dhe të marrin ngjyra aq të gjalla. Rreziku për të shkuar e për ta shijuar nga afër këtë manifestim shumëngjyrësh është i pranishëm, kjo për shkak të maleve të larta me ulje dhe ngritje dramatike, lugina të thella, luginat kryqe dhe majat janë shumë të prera nga natyra.

Ju mund të shihni ngjyra të ndryshme, si të kuqe, të verdhë, portokalli, jeshile, e bardhë, e zezë, gri, etj, duke e bërë kështu vendin të gjallë dhe të shkëlqyeshëm. Në ditë, malet janë me ngjyra të ndezura. Përveç kësaj, me ndryshimet e kohës dhe motit, ngjyrat ndryshojnë vazhdimisht. Kjo është natyra. Ja se çfarë mund të krijojë ajo.

Artikuj të ngjashëm