Arthur Schopenhauer, filozofi që vetëdijesoi njeriun për forcën e vullnetit

Ai ishte një usht prej zjarri, atje ku kishte lëngime prej plagëve ai sillte shërim dhe atje ku njeriu kotej mes boshit ai sillte tmerr mendimi. Sipas tij bota nuk është gjë tjetër veçse paraqitja jonë. Kur ne paraqesim diçka, ne jemi – si në çdo veprim tonin – veçse organ zbatimi i një "dashjeje për të jetuar" të errët, që i vidhet pushtetit të vetëdijes.

Vullneti vepron si forcë në natyrë dhe si forcë jetësore në mbretërinë e të gjallit. Ai nuk është vetëm në zanafillën e veprimtarisë krijuese, por edhe në atë shkatërruese. Ai është parimi mizor i "të hash ose të hahesh" në botën e kafshëve, principi i egoizmit në botën e njerëzve. Qenia njerëzore është zotëruar nga instinkti i vullnetit, që e shtyn të nënshtrojë në mënyrë të pamëshirshme gjithçka për plotësimin e kënaqësisë fizike, dhe nga instinkti seksual, që nuk e lë asnjëherë në prehje dhe që i jep çaste të shkurtra pushimi për ta zhytur sërish në fatkeqësi. Për një mendimtar serioz, bota është e llahtarshme. Përballë saj, pesimizmi është i vetmi qëndrim i pranueshëm.

Vullneti, si ide e një gjëje apo e një qenieje të gjallë, nuk do të zhduket së bashku me copën e materies konkrete, me qenien e gjallë vetmitare apo me trurin njerëzor të veçuar. Arti është në gjendje të na japë një paraqitje të ideve apo të shprehjeve të kulluara të vullnetit. Ai nuk riprodhon botën e objekteve, por paraqet ide. Ashtu si kishte thënë Kanti, kënaqësia e artit është "e çinteresuar", sepse vullneti përqendrohet gjithmonë mbi objektet, kurrë mbi vetveten, domethënë mbi idetë. Tërë kohën që gëzohemi nga arti, i imponojmë instinktit tonë qetësinë, vullnetin që shtynë përpara jetën tonë.

Edhe në moral, njeriu ka aftësinë të ngrihet mbi varësinë e tij nga vullneti, mbi vetveten si qenie e instinktit egoist. Kjo aftësi është mëshira, duke i bërë timen dhimbjen e një tjetri, si individ unë kapërcej kufirin e ngulitur nga vullneti dhe paraqitja që më ndan nga bota e objektivit. Për një çast, bëhem një me gjininë njerëzore ose me krijesën e plotë universale. Nëse mëshira është një virtyt, nuk ka asnjë shpresë që ajo të bëhet virtyt i të gjithë njerëzve. Nuk ekziston parajsë që do të sillej mbi tokë falë veprimit të virtytshëm, por as në botën tjetër, ku do të shpërblehet e mira.

Por fakti që mëshira zhduk interesin për të qenë egoist, për të vetmuarin mund të jetë mbartëse e një shprese të fundit: shpresës për të mundur të vrasësh apo ta vësh në gjumë vullnetin, instinktin, dhe bashkë me të çdo interes për botën e jashtme (që ia detyron ekzistencën e vet këtij interesi). Shopenhaueri kishte mësuar nga Upanishadët e Indisë – që kishte shërbyer si bazë për përsiatje për Budën – se qëllimi suprem i të urtit është çlirimi nga çdo vullnet dhe nga çdo dëshirë tokësore për të hyrë më në fund te nirvana, gjendje e mohimit tërësor të dëshirës-për-të-jetuar. Për Shopenhauerin, sipas të cilit bota është veçse vullnet dhe paraqitje, nirvana është hiçi i përkryer.

Shopenhauer ishte ndër mendimtarët e parë të filozofisë perëndimore që ndau dhe afirmoi parimet e rëndësishme të filozofisë lindore. Edhe pse veprimtaria e pareshtur filozofike nuk pati vëmendjen e merituar gjatë sa ishte gjallë, impakti pas vdekjes së së filozofit preku disiplina të ndryshme, duke përfshirë filozofinë, letërsinë dhe shkencën. Metafizike e Shopenhaurit mbi vullnetin, pikëpamjet e tij mbi motivimin dhe dëshirat njerëzore, dhe stili i shkrimit aforistik ndikoi te shumë mendimtarë të njohur.

Kjo ndikesë dallon qartë tek në romanet e Lev Tolstoit, Tomas Hardit, Marsel Prustit dhe të Tomas Manit, në dramat e Anton Çehovit dhe në operat e Rikard Vagnerit, por edhe në filozofinë e Fridrih Niçes dhe në psikanalizën e Frojdit. Megjithatë, Shopenhaueri do të ndikonte pak në përcaktimin modern të njeriut si qenie që nuk mund të ngrihet mbi Triebschicksal e tij ("fati i shtytjeve", nocion frojdist) – dhe aspak në përcaktimin e tij si individ shoqëror, mendimi dhe ndjenja e të cilit i përkisnin atij veçse në një masë të dobët. Ndjenja e "kotësisë së ekzistencës" mbi të cilën shkroi, është megjithatë një dukuri historike dhe shoqërore e rëndësishme.

Shumë njerëz, që nuk e ndanin më besimin fetar te një Zot vetjak, te një pavdekësi individuale, u kthyen atëherë drejt filozofisë pesimiste të Shopenhauerit, që u siguronte të paktën dy kënaqësi: sigurinë që i përkisnin pakicës së njerëzve mendjekthjellët, që nuk ushqenin më asnjë iluzion mbi kuptimin e jetës; mundësinë e një pozicioni "heroik", sipas termit të filozofit, që qëndronte tek të vepruarit pa egoizëm, por pa shpresë se do të shpërbleheshin mbi këtë tokë apo në botën e përtejme.

***

Artur Shopenhaur ishte një nga filozofët gjerman më të njohur, pesimist dhe ateist, doktrinist i qartësisë dhe komunikimit filozofik. Paraprirës dhe shkallmues i rregullave dhe normave. Kumtues kurajoz dhe ndëshkues. Në moshën 25 vjeçare, ai botoi disertacionin e doktoraturës, “On the Fourfold Root of the Principle of Sufficient Reason”, e cila ekzaminoi pyetjen themelore: A mundet arsyeja, e vetme, të japë përgjigje mbi botën. Punimi më me ndikim nga Shopenhaur, "Bota si vullnet dhe përfaqësim", theksoi rolin e motivimit themelor të njeriut, që Shopenhauri e quan vullnet. Analiza e Shopenhaurit mbi vullnetin e çoi atë në përfundimin se dëshirat emocionale, fizike, dhe seksuale nuk mund të përmbushëm kurrë. Si pasojë, Shopenhaur favorizoi një jetesë duke mohuar dëshirat njerëzore, ngjashëm me mësimet e Budizmit dhe Vedantas.

Për Artur Shopenhauerin, arti më i lartë është muzika, sepse ajo nuk parqet ide që fshihen prapa objekteve të paraqitjes, por është një ide që nuk ka objekt. Si shumë kompozitorë të tjerë pas tij (mes të cilëve Gustav Mahler), Rikard Vagneri ishte një admirues i madh i Shopenhauerit. Në operën e tij, veçanërisht tek "Tristani dhe Izolda", ai u frymëzua nga mendimet e filozofit si për veprimin, ashtu edhe për muzikën; e njëjta gjë mund të thuhet edhe për "Parsifalin", emrin e të cilit mban opera.

Bota nuk është gjë tjetër veçse paraqitja jonë. Kur ne paraqesim diçka, ne jemi – si në çdo veprim tonin – veçse organ zbatimi i një "dashjeje për të jetuar" të errët, që i vidhet pushtetit të vetëdijes.

Artikuj të ngjashëm